Mirë se vini në bujtinën e Haxhi Himës!


E kush ka kaluar qoftë edhe njëherë të vetme nëpër Radomirë dhe nuk është magjepsur me mrekullitë që natyra është treguar bujare duke ua falur të gjitha këtyre banorëve fisnik, bujar e mikpritës.
Radomira është një ndër ata fshatra të Dibrës që është vizituar dhe vazhdon të vizitohet si rrallë fshat tjetër nga vendas por edhe turistë të huaj. Mjafton njëherë të futesh në këtë fshat e do të mbetesh mysafir i përhershëm. Këtu jo vetëm natyra por edhe bujaria e mikpritja e vetë banorëve ka bërë të mundur që miq e të ardhur të ketë vazhdimisht, jo vetëm tani në stinën e bukur të verës por edhe në dimër. Ka hotele të bukur me të gjitha kushtet që pa frikë konkurrojnë me hotelet më të bukura në metropolin shqiptar, ka shtëpi të thjeshta fshati që presin mysafir, por ka edhe bujtina.
Dhe një bujtinë e bukur, e veçantë e kthyer edhe në hotel është edhe ajo e Haxhi Kasem Himës. Sapo futesh në Radomirë të gjithë të drejtojnë tek bujtina e Haxhiut. Sofra është e shtruar, ajo pret e përcjell miq, shokë e mysafirë. Pritja tradicionale, gatimi tradicional e mbi të gjitha njerëz të mirë, bujarë e mjaft mikpritës.
Në bujtinën e Haxhi Himës harron të flesh e harron edhe të zgjohesh në mëngjes. Këtu jo vetëm ushqimi por edhe gjumi bëhet ndryshe. Veleshica, ky përrua është një orkestër gjigante që mbart brenda dhjetëra e dhjetëra instrumente muzikor ku melodia ndryshe është në stinën e verës e krejt ndryshe në stinën e dimrit. Stinës së verës në këtë bujtinë në dhomën tuaj mundësisht dritaren mbaje hapur se jo vetëm melodia karakteristike e Veleshicës, por futen furishëm dhe cicërimat e shumtë të zogjve si dhe aroma gudulisëse e luleve të ndryshme. Ndërsa në stinën e dimrit ngrohja është edhe me dru, me një oxhak karakteristik në qoshe, edhe me sistem ngrohje, kaldajë.
E veçanta e bujtinës së Haxhiut është kryesisht guzhina, gatimi tradicional i zonës dhe ku të gjitha janë natyrale. Kosi i deles që nuk dallon shumë me djathin, zarzavatet të gjitha prodhime në vend e pa shumë pesticide pasi vetë klima e Radomirës ndikon pozitivisht në rritjen e tyre të shëndetshme e mjaft të shijshme dhe me kalori.
Mishi, që jo vetëm nga gatimi apo pjekja në tavë, por edhe cilësia, pasi bagëtitë këtu ushqehen me lulet e bjeshkëve dhe pinë ujë nga burimet e shumta që ka zona.
Gatimi i krahinës dhe i veçantë domosdo që është flija një gatim i lodhshëm dhe mjaft i vështirë, por që amvisat e Radomirës kurrë nuk lodhen për të gatuar për miq e mysafirë të ndryshëm.
Ne treguam vetëm pak. Të tjera ju presin kur të shkoni dhe qëndroni një natë në këtë bujtinë rrëzë Korabit. Kuajt janë të gati. Mbi samar qëndrojnë lëkurët e dashit ogiç, ku vetëm presin kalorësit ti shalojnë për tu ngjitur lart deri në Korab, për të takuar diellin , hënën, yjet, bukuritë e rralla të këtij mjedisi që nuk ua ka parë syri kurrë më parë. Provojeni miqtë e mi se do të mbeteni gjithmonë peng i Radomirës, peng i bujtinës së Haxhi Himës.
Mirë se vini në bujtinën e Haxhi Himës!