Të rrugëtosh nga Peshkopia për në Lugjej mundet të kalosh nga Fushë Alia, por rruga nga Fushë Alie në Lugjej është rrugë e vështirë, e parregulluar, ndaj shpesh rrugëtohet në rrugën e asfaltuar për Sllovë. Dhe ne zgjodhëm këtë itinerar lëvizje për të ruajtur makinën e për t’i shtuar vetes disa kilometra rrugë në këmbë. Zbritëm në Kodrën e Kaushit, një vend me histori e luftë, pikërisht aty ku ende qëndron lapidari. Një rrugë që duket si rrugë makine mes Palamanit e Shafellit kaluam mes ca lisave të dendur e të rinj deri në Kodër të Thekrit. Asnjeri nuk shikuam rreth e qark e asnjeri s’takuam sigurisht.
Nëpër një rrugë të ngushtë këmbësore plot kthesa zbritëm në Lisivalle, te lisi i moçëm në formë rrethi, ku burrat uleshin këmbëkryq në kuvend duke formuar gjysmërreth si valle, nga ku mori emrin Lisi valle. Qetësi. Dielli djeg këtë fund korriku si saç. Bari, ajo pjesë e mbetur pakositur ishte tharë e herë-herë dukej si fije teli i ashpër në të dy anët e livadheve të Dikës, ku këndohej kënga:
Kur vikati Suf Xhelili,
Bënte maumzerja si gojë bilbili…
…Qetësi në Lisivalle. Në të majtë një pyll i dendur, Gjordja, në të djathtë shtëpi të shembura, por ja që në njërën duket pak tym nga oxhaku. Aty banon Asllan Ndreu. Tek-tuk ndonjë pemë, por jo ato që ishin, ku binin në sy dardha goricë e kumbulla. Përballë shtrihet Dardha e për të dalë në Dardhë duhet kaluar nëpër Rrafshet e Xhoxhe, të biesh në Xhoxhe dhe të kalosh Drinin. Vështrimi na u ndal te grumbuj gurësh mbuluar me ferra. Po, këto gurë i mbaj mend.
Mbaj mend kullën e Gjatë të Ndreut me katër qoshet me gur të gdhendur, e mbaj mend kur ra çatia dhe ne si fëmijë loznim deri në katin e tretë të kullës. Mbaj mend në vitet 1971, kur u shembën muret dhe mbetën vetëm qoshet si katër lapidarë. Gurët e gdhendur u rralluan. Dikush i mori me dashamirësi për familjen Ndreu, dikush i mori si shenjë triumfi mbi klasat e përmbysura, por në vitet 1974 me këto gur dhe të tjerë u ndërtuan stalla për dele e dhi e që tani s’ka asnjë gjurmë. M’u kujtua libri “S’ka qetësi në Lisivalle” i Xhelal Ndreut, një enciklopedi ngjarjesh e faktesh, një jetë njerëzish realë në përpjekje për të jetuar me dinjitet, me dashuri e krenari për vendlindjen e vendin dhe thashë me vete: Sa qetësi në Lisivalle…
Sapo zbret nga Lisivalle të del parasysh Rrafshja e Xhoxhe. Një hapësirë e pamatë për nga sipërfaqja, me një prodhueshmëri të të gjitha bimëve bujqësore, me një rendiment të lartë prodhimi. 42 kv misër për ha, 38 kv/ha grurë por… Kanali vaditës që vjen nga Veleshica, që kalon nëpër tokat e Kallës e Vleshës, ndahet një brazdë ujë për tokat e Sllovës. Po kështu, në Zall Kalisë, në Rrafshe të Xhoxhe, në Lugjej e deri në Topuze ka vite që uji nuk vjen, por dhe kanali gati po mbushet për të humbur gjurmën e tij.
Gati në mes të Rrafsheve, Varret e Xhoxhe. Fillesat këto varre i kanë rreth vitit 1880, sepse më parë varret e Xhoxhe ishin poshtë në breg të Drinit. Aty është varri i Ali Dervishit, një luftëtar e patriot, pjesëmarrës në luftën e Shkodrës, 1798-1880, kur ushtria malazeze nën komandën e Mark Milanit pushtoi Plavë e Guci, Hot e Grudë e Ulqin, djali i Veselit, i vrarë në luftën e Gjoricës kundra Hajredin Pashës në nëntor 1844. Këtu është varri i Ramadan Demir Dervishit, luftëtar në të gjitha betejat kundër serbit nga viti 1912 deri 192. Bashkëluftëtarët e tij, Selman Beshir Cala apo Sulejman Ali Lushi, po këtu ka varrin Dali Dervishi për 25 vite kryeplak, që edhe sot kur e kujtojnë, thonë Baba Dali.
Diku në veri të varrezave varri i Lan Tafës është nga fisi Ndreu, por dihet lidhja e gjakut dhe miqësisë me Ndreun, Qazim Marku, ardhur nga Arrni i Kukësit, gjeti mbështetje në Xhoxhe dhe krijoi dhe miqësi me Calën e me Lushin. Varri i Shkodranes, kështu e thonë e në fakt aty është varrosur gjyshja e Skënder Calës, nëna e bashkëshortes së Selman Calës, i cili u martua në Tiranë me një vajzë shkodrane nga fisi Rada, në një ditë me dasmën e Mbretit Zog. Të gjithë ata që u martuan atë ditë shpenzimet e dasmës i pagoi Mbretëria. S’mund të rrija pa bërë një vizitë te varrezat tanimë të rregulluara, të pastruara, të rrethuara me rrjeta teli. Ç’paradoks! Të gjallët po largohen nga vendlindja, për të vdekurit kujdesen …
Xhoxhet dhe unë…
Dogjë Boça ishte i pari që erdhi në Xhoxhe rreth viteve 1530. Deri në vitin 1650 ishte myslimanizuar e gjithë popullsia dhe kur Dogjë Boçës i lindi djalë, i vuri emrin Dervish. Babai im në vitin 1964 ndërtoi i pari shtëpinë në Rrafshe të Xhoxhe. Mbolli shumë pemë, edhe pse aty pranë kishim bahçen e Lalës Suf me të gjitha llojet e pemëve të vendosura në rreshta si një bahçevan i vërtetë. Kur në vitin 1974 pemët u prenë dhe traktori i shkuli nga rrënjët të gjitha, Rrafshja e Xhoxhe u bë në parcela të mëdha, duke prishur ledhe dhe u sistemua të punonte traktori e të hynte autokombajna.
Sa herë shkoj në vendlindje më thonë: Çdo atje? E unë them, ja dhe këtë radhë po shkoj… Tanimë ajo krenaria sikur ka rënë. Ajo mburrja për rritje rendimenti nuk është… Kulla dykatëshe që ndërtoi baba është shembur. Pemët në bahçe janë tharë … Por, unë përsëri vij.
Unë vij se kujtoj fëmijërinë time, rininë… Kujtoj opingat e llastikut gjatë gjithë verës. Kujtoj çizmet e grisura në dimër, të qepura me penj, ku uji në këmbë ngrinte akull mes gishtave…
Të kalosh nga Rrafshet e Xhoxhe për në Lugjej ka dhe rrugë makine, dhe rrugë që kalohet me kafshë me ngarkesë, por ka dhe rrugë këmbësore. Në verë apo në dimër vinin dhe nxënësit për në shkollë në Lugjej, nga Imeret e Zall Kalisi. Tani rrugë ka, por nuk kalohet. Mbuluar me ferra. Në qendrën e fshatit Lugjej, furra e bukës së dikurshme nuk ka lënë as gjurmë. Kopshti, zyrat e sektorit, magazinat, duket sikur kurrë s’kanë ekzistuar. Të vetmet ndërtime që ende qëndrojnë në këmbë janë dy shkollat, ajo fillore dhe 9- vjeçarja, ndërtuar më vonë të parës, që tani është jashtë çdo funksioni. Shkolla 9-vjeçare, mban emrin e mësuesit “Vesel Pira”, djalë i fshatit, ish mësues në Zall Dardhë. Në vitin 1962, duke shkuar te shkolla, i ndërprenë rrugën dhe jetën valët e lumit Drini i Zi, pak metra më poshtë, ku sot është ura e telit që lidh Zall Dardhën me Lugjejt. Ishte së bashku me dy mësues të tjerë, Halil Lushi e Beshir Cala dhe punonjësi i lokalitetit Shaban Dervishi, që donin të sfidonin lumin e fryrë nga shiu dhe prurjet e përrenjve për të shkuar te nxënësit, te puna. Fasada e shkollës u duk e lyer dhe e zbardhur nga gëlqerja. Thanë e kanë lyer familjarët e mësues Veselit, se këto ditë kanë xhiruar një videoklip, një këngë kushtuar mësuesit dëshmor i Atdheut Vesel Pira. Heronjtë dhe dëshmorët jetojnë në këngë, ndaj u mendova të gjej këngën. Një këngë e kënduar nga Genti, me një tekst të poetit Munir Hoxha, një penë e njohur në shkrimin e teksteve të këngës:
… Po e pyesin valën e Drinit, /Të gjithë nxënësit po i thonë, / Pse na e le në mes mësimin / E na e more mësuesin tonë?/ Po përgjigjet Drini i Zi,/ E vajton me dhimbje shumë, / Sot mësues Veseli nuk do vijë / Se ia preva rrugën unë…
… Hapim derën e shkollës. Hyj në një klasë. Aq e thjeshtë, me një mobilim të viteve 1971, thjeshtë në minimum. Aty mësova se gjithsej janë vetëm 4 nxënës dhe një mësues, Imer Murati, që vjen nga Zall Kalisi dhe jep mësim këtu.
Zbresim në breg të lumit, kalojmë nëpër Shatorre, një emërim historik që nga pushtimi turk. Toka të sheshta që vetëm lumi e ndanë me Mejen e Xhitetit, dikur aty ka qenë qytet dhe sipas librit “Dardha në nëntë malet e Dibrës” të H. Ndreut, shkruhet: “… vera e kuqe kalonte nëpër tuba nga mërskani gjer poshtë breg lumit, ku butat e mëdha mbusheshin me këtë lang të shenjtëruar dhe atëherë qyteti ziente nga kënga e hareja…”
Bregu i Drinit nga të dy anët ku lag tokat e Dardhës ka bukuri dhe resurse turistike, me ujë të rrjedhshëm e të pastër, me vende me thellësi për not dhe të cekët për fëmijë, rërë të pastër e të imët në të dy anët me gjelbërim e hije shelgu. Kalojmë Shatorret, ja dhe Lagjja Topuze, si kufiri ndarës i Dardhës me Çidhnën.
Disa hapa para dhe kthej kokën pas. Jam duke ikur me mall të zbrazët, por e di që përsëri do të vij!