Minatorët e Bulqizës në protestë


Nga Sami Curri

Ndërkohë kompania reagoi publikisht në faqen e saj në Facebook, duke e cilësuar protestën një përplasje mes sindikatave, ndërsa tha se ishte vetëm nga një grup i vogël punëtorësh

Vetëm pak ditë pas themelimit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, kompania Albchrome ka shkarkuar kryetarin e zgjedhur të kësaj sindikate Elton Debreshi, ndërsa disa prej themeluesve janë thirrur nga kompania në Tiranë me arsyetimin “për të shmangur raste të thyerjes së etikës dhe disiplinës në vendin e punës”.
Shkarkimi i Debreshit ka sjellë që punëtorët e tjerë të Albchrome të bojkotojnë punën për 10 ditë dhe të protestojnë para hyrjes së kompanisë. Kompania gjatë periudhës ku punëtorët ishin në protestë ka shkarkuar nga puna një tjetër anëtar të këshillit sindikal të Sindikatës Minatorët e Bashkuar të Bulqizës. Beqir Duriçi që mban njëkohësisht edhe detyrën e përgjegjësit të finacave në sindikatë. Duriçi e lidh shkarkimin e tij nga puna me aktivitetin sindikal dhe protestën që u zhvillua para kompanisë Albchrome. Kompania paralajmëroi për shkarkim nga puna edhe Behar Gjimi që është pjesë e Këshillit Sindikal.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës në një komunikatë shpërndarë në faqen e saj në Facebook shkruan se vendimi për shkarkimin nga puna të kryetarit të sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi dhe të anëtarit të këshillit sindikal Beqir Duriçi nga kompania Albchrome është i padrejtë, në shkelje të plotë të Kushtetutës që garanton lirinë në organizime sindikale, Kodit të Punës dhe të Konventave Ndërkombëtare.
“Kompania e Samir Manes e ka humbur toruan nga greva dhe kërkesat e drejta të minatorëve. Kush mendon se do të na thyejë me presion dhe paligjshmëri, e ka gabim. Vetëm sa forcohemi në rezistencën tonë për punë dhe jetë të dinjitetshme”, shkruhet në faqen e sindikatës.
Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore dega Dibër bëri me dije se kishte nisur hetimet edhe për shkarkimin e dytë. ISHPSHSH, njoftoi hetime edhe pas shkarkimit të Debreshit, por burime nga inspektoriati thanë se ende nuk ka dalë me një raport përfundimtarë.
Ndërkohë Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë dhe një prej sindikatave të saj e cila ka edhe kontratën kolektive me Albchrome, ka sulmuar protestuesit duke u kërkuar të braktisin protestën për të mirë të punës “që i ushqen”. Nga ana e saj policia e Bulqizës, e akuzuar nga minatorët për presion, njoftoi fillimin e procedimit penal ndaj shtatë protestuesëve duke i akuzuar se kishin zhvilluar protestë “pa lejen e organeve kompetente”. Policia nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN në lidhje me pretendimin e minatorëve se u ishte bërë presion që të mos vijonin protestën.
Albchrome nuk iu përgjigj një kërkese të BIRN për koment në lidhje me shkarkimet dhe paralajmërimet. Ndërkohë kompania reagoi publikisht në faqen e saj në Facebook, duke e cilësuar protestën një përplasje mes sindikatave, ndërsa tha se ishte vetëm nga një grup i vogël punëtorësh. “Një pakicë punonjësish, që nuk përfaqësojnë masën e minatorëve, teknikëve dhe inxhinierëve, kanë themeluar një sindikatë tjetër dhe ne si Albchrome nuk jemi pjesë e saj, kjo për arsye se aktualisht, kemi nënshkruar një kontratë kolektive me një sindikatë tjetër”, thuhet në njoftim e shpërndarë në faqen zyrtare të kompanisë.

Reagimet e sindikatave të tjera

Reagimi i kompanisë nuk sqaron se përse Albchrome ka marrë anën e njërës prej sindikatave dhe po shkarkon punonjësit që janë përfshirë në sindikatën e re. Ndërkohë Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë që drejtohet nga Kol Nikolla, sulmoi protestuesit dhe Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, duke i akuzuar ata si anarkistë dhe pseudomarksistë. “Me kërkesa haxhi-qamiliste, të artikuluara në letra paçavure, të afishuara nëpër mure tualetesh dhe dhoma çveshjesh të minatorëve janë fytyra e vërtetë e pseudostudentëve pseudomarksist”, shkruhej në faqen e KSSH-së në Facebook.
Një reagim të ngjashëm bëri edhe Federata Sindikale e Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, FSPISH, e cila ka nënshkruar kontratën kolektive me Albchrome dhe aderon në KSSH. KSSH pretendon se ka fituar disa të drejta për minatorët në vite dhe ka përmirësuar kushtet e punës. Sindikatat megjithatë nuk reaguan pas shkarkimit të Debreshit, të cilin e akuzojnë se po punon për karrige.
Ato nga ana tjetër përdorën në komunikimet e tyre gjuhë që tingëllon kërcënuese ndaj minatorëve, për t’i ndaluar t’i bashkohen protestës. “Edhe një herë, për të mirën tuaj, por dhe të punës që ju ushqen”, shkroi në një reagim po në Facebook FSPISH. Ajo u kërkoi minatorëve “t’i kthehen normalitetit të tyre”.
Të dy sindikatat ndërkohë pretenduan pa ndonjë të dhënë se protesta njëfarësoj kishte lidhje me rënien e çmimit të kromit në tregjet ndërkombëtare dhe e përdorën këtë si presion për të ndaluar protestën. “Këto çorganizime të organizuara paralajmërojnë situatë të përkeqësuar, pasi kemi një rënie drastike të çmimit në bursën e kromit dhe ferrokromit, e për pasojë mbylljen e ativitetit minerar për kohë të pa përcaktuar”, thuhet në reagim të KSSH.
Ndërkohë në përgjigje të këtyre reagimeve Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës akuzoi FSPISH dhe Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë se kishin marrë anën e kompanisë dhe po u bënin presion minatorëve.
“Për ne është e papranueshme: ata që deri më sot e kanë konsideruar veten sindikalistë, kërcënojnë punëtorët që po protestojnë që të rikthehen në vendin e punës. Për ta, e mira ju ka zënë sytë, por minatorët e Bulqizës nuk arrijnë t’i shohin. Në ç’vend normal të botës, sindikata nuk do të mbronte interesat e punëtorëve, por interesat e kompanisë në kurriz të punëtorëve? Kjo ndodh në Shqipëri”, shkruhet në reagimin e SMBB.
Kompania nga ana e saj e distancoi veten nga protesta dhe ajo që e quajti përplasje mes sindikatave. “Kompania Albchrome distancohet tërësisht nga ky proces dhe siguron opinionin publik që puna në minierë vijon rregullisht dhe nuk është ndërprerë për asnjë moment”, thuhet në njoftim, ku po ashtu pretendohet se Aolbchrome kishte investuar 22 milion dollarë në muajin e fundit në minierë.
Instituti Botëror i Punës (Global Labor Institute) i është drejtuar me një letër kryeministrit Rama duke kërkuar ndërhyrjen e tij për shkeljen e rëndë të të drejtave të anëtarëve të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) në Shqipëri. Nëpërmjet kësaj letre Instituti i kujton qeverisë se ka ratifikuar Konventën Ndërkombëtare të Punës dhe veprime të tilla janë në kundërshtim të saj.
“Më 17 nëntor të këtij viti një grup i punëtorëve të minierave të kromit në Bulqizë njoftuan formimin e një sindikate të re. Ata nuk ishin të kënaqur me punën e sindikatës ekzistuese, nga e cila ata ishin anëtarë, dhe po kërkojnë të krijojnë një strukturë të re mbi të cilën ata mund të ushtrojnë kontroll të plotë demokratik. Siç jam i sigurt se jeni në dijeni, kjo është e drejta e tyre sipas Konventave 87 dhe 98 të Organizatës së Punës, të cilat Shqipëria ka ratifikuar dhe të cilat janë baza e legjislacionit aktual shqiptar të punës“, thuhet në letër.
Në këtë letër është përmendur fakti që Elton Debreshi, kryetari i zgjedhur i sindikatës për ta ushtruar këtë post me një mandat prej tre vjetësh, është shkarkuar disa ditë pasi është shpallur formimi i SMBB-së. Instituti Botëror i Punës ka reaguar edhe ndaj heqjes nga puna të Beqir Duriçit, anëtar i këshillit të SMBB-së dhe kanë dënuar thirrjen në polici dhe kërcënimet për pushim nga puna të anëtarëve të tjerë, të cilët u oganizuar në grevë për të kërkuar kushte më të mira pune.
“AlbChrome ka reaguar me armiqësi totale: kryetari i sindikatës së re, Elton Debreshi, u pushua nga puna më 22 nëntor, si dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Beqir Durici, në 3 dhjetor. Anëtarët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv janë kërcënuar me pushim nga puna dhe janë ndaluar nga policia. Ne besojmë se kjo është sjellje e egër nga ana e një kompanie, të cilës i mungon respekti për punonjësit e saj dhe për shoqërinë në të cilën operon”.
Duke përmendur kërkesat kryesore të sindikatës, të cilat përkojnë me kthimin e Debreshit dhe Duriçit në punë, ndalimin e intimidimit dhe kërcënimit nga ana e kompanisë AlbChrome, Instituti Botëror i Punës është plotësisht në përkrahje të minatorëve dhe mbështet kërkesat e tyre deri në krijimin e një marrëveshjeje kolektive. Letra drejtuar Kryeministrit mbyllet duke i kërkuar edhe një herë ndërmarrjen e veprimeve bazuar në standardet ndërkombëtare.

Reagim Nga Sindikata Minatorët E Bashkuar Të Bulqizës:
Greva që ngjalli shpresën e minatorëve dhe të gjithë Bulqizës

Shumica dërrmuese e minatorëve të Bulqizës që punojnë në kompaninë Albchrome, janë hedhur në grevë që më 25 nëntor. Shtysa për grevë erdhi nga pushimi i paligjshëm nga puna i kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshit. Një akt i tillë u bë nga kompania vetëm 5 ditë pasi sindikata ishte shpallur në qendër të Bulqizës. Kërkesat tona përfshinë edhe plotësimin e kushteve bazike për punë të sigurt dhe të dinjitetshme.
Pavarësisht presioneve të kompanisë, paligjshmëria e të cilës solli edhe pushimin nga puna të sindikalistit Beqir Duriçi, presioneve policore, ku vetëm në harkun kohor të dy ditëve në Komisariatin e Policisë Bulqizë u shoqëruan 7 protestues, dhe nga ana tjetër heshtjes mediatike: prapëseprapë ne e kemi vazhduar grevën me vendosmëri.
Sot, pas një takimi të gjatë me përfaqësuesit e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe zotimit të tyre se do t’i hetojnë me imtësi pushimet nga puna të shokëve tanë, vendosëm ta ndërpresim përkohësisht grevën.
Ne, njëkohësisht do të nisim edhe betejën në gjykatë.
Arsyet që na shtynë në grevë mbeten në fuqi. Vullneti ynë për të kthyer në punë shokët tanë dhe për të fituar të drejtat që na takojnë, gjithashtu.
Nëse zyrtarët e Albchrome-it do të guxojnë ta shtrijnë hakmarrjen e tyre te të tjerë minatorë, ne zotohemi se do ta përshkallëzojmë grevën në format më të rënda të mundshme për fitimet e kompanisë.
Ne me krenari mund ta themi se për një kohë shumë të shkurtër që nga themelimi, kemi ngjallur shpresën dhe kemi fituar besimin e minatorëve të Bulqizës se jemi zëri i vetëm i përfaqësimit të tyre. Sot Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është përfaqësuesja ligjore e shumicës së minatorëve. Sipas Kodit të Punës, sindikatës tonë i takon e drejta të negociojë kontratën e ardhshme kolektive, e cila duhet të përfshijë se s’bën kthimin e shokëve në punë, siguri të plotë në punë, rritje të pagave dhe ulje të normave skllavëruese.
Vendimi ynë për ndërprerjen e përkohshme të grevës është një hap i nevojshëm që do të na japë vrull më të madh javët në vazhdim, për ta detyruar kompaninë të vërë të drejtën në vend.
Ne synojmë të përfshijmë në sindikatë të gjithë punëtorët e minierës, në mënyrë që greva e ardhshme të jetë paralizuese e krejt prodhimit.

Bashkë ia dolëm që në kaq pak kohë të tregojmë se solidariteti mes njëri-tjetrit sjell ndryshim.
Bashkë ia dolëm që sindikata e vjetër të humbasë legjitimitetin për të përfaqësuar ligjërisht dhe moralisht minatorët e Bulqizës.
Bashkë ia dolëm që kompania Albchrome të kuptojë që dinjiteti i minatorit nuk mund të përdhoset më.
Bashkë ia dolëm që të mundim frikën, terrorin dhe të ngjallim shpresën te minatorët dhe tek i gjithë qyteti.
Bashkë ia dolëm të tregojmë se fuqia e njerëzve të thjeshtë të Bulqizës, larg partive politike, është shumë e madhe.
Minatorët e bashkuar kanë për të fituar!

Mbështetje nga sindikatat ndërkombëtare për Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës:

MBËSHTETJE NGA GJERMANIA, NGA SINDIKATA E INDUSTRISË SË MINIERAVE, KIMISË DHE ENERGJISË (PËRFAQËSUESE E 630.000 PUNËTORËVE)

“Të dashur kolegë,
Mësova me shqetësim të madh për betejën tuaj me kompaninë AlbChrome pas themelimit të sindikatës suaj të pavarur.
Në emër të sindikatës sonë, IG BCE (Sindikata e Industrisë së Minierave, Kimisë dhe Energjisë), përfaqësuese e 630.000 punëtorëve në Gjermani, deklaroj solidaritetin tonë të plotë në luftën tuaj për kushte pune dinjitoze dhe për rikthimin në punë të drejtuesve tuaj, të shkarkuar në mënyrë të jashtëligjshme.
Si President i rreth 7 milionë anëtarëve të Federatës Europiane – Sindikata Europiane e IndustriAll, unë do të inkurajoj sindikatat e tjera t’i bashkohen luftës tuaj për paga më të mira dhe për kushte më të sigurta pune.
Sipas kërkesës tuaj, ne i kemi dërguar një letër proteste Kryeministrit të Shqipërisë dhe Drejtorit Ekzekutiv të kompanisë AlbChrome.
IG BCE qëndron në solidaritet me ju dhe sindikatën tuaj në Bulqizë. Ne do i ndjekim në vazhdim zhvillimet e sindikatës dhe të çështjes së të drejtave të njeriut në shtetin tuaj dhe ju kërkojmë që të na mbani të informuar.
Sinqerisht,
Michael Vassiliadis, President i IG BCE”

DEKLARATË SOLIDARITETI NË MBËSHTETJE TË MINATORËVE SHQIPTARË NGA SINDIKATA E PUNËTORËVE TË LIBRARIVE DHE SHTËPIVE BOTUESE TË SELANIKUT, GREQI

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës u shpall më 17 Nëntor 2019, pas aprovimit të gjykatës më datë 15 Tetor. Miniera e Kromit të Bulqizës është më e madhja dhe më e vjetra në Shqipëri, me më shumë se 600 minatorë që punojnë në kushte të vështira dhe paga të ulëta.
Dy ditë pas shpalljes së sindikatës, drejtues të kompanisë Albchrome shkarkuan kryetarin e saj – Elton Debreshi – pa ndonjë arsye reale. Është një veprim i paligjshëm dhe qartësisht hakmarrës, për të frikësuar minatorët dhe për të shtypur vetë-organizimin e tyre.
Pavarësisht kërcënimeve të punëdhënësit, minatorët janë mbledhur jashtë minierës për të kërkuar rikthimin në punë të kryetarit të sindikatës së re.
Në solidaritet me Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, kërkojmë rikthimin e kryetarit të saj – Elton Debreshi – menjëherë në punë!
Minatorët dhe punëtorët ballkanas do ia dalin!

– SINDIKATA E PUNËTORËVE TË LIBRARIVE DHE SHTËPIVE BOTUESE TË SELANIKUT, GREQI
Kryetari: Glarnetatzis Yannis
Sekretari i Përgjithshëm: Xoplidis Panayiotis

MINATORËT E TREPÇËS NË KOSOVË, NË MBËSHTETJE TË MINATORËVE TË BULQIZËS

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës në Kosovë ka dalë në mbështetje të minatorëve të Bulqizës, pas shkarkimit nga puna të kreut të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi. Me anë të një komunikate dërguar minatorëve të Bulqizës, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, shpreh keqardhje për shkarkimin nga puna të minatorëve që kanë themeluar sindikatën dhe kanë kërkuar kushte më të mira pune në minierën e Bulqizës. Një mbështetje e tillë vjen në vazhdën e një sërë sindikatave ndërkombëtare që janë solidarizuar me Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.
Deklaratë solidariteti nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës
Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës e konsideron si të paligjshëm shkarkimin nga puna të kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi, nga kompania AlbChrome.
Ne shprehim keqardhjet tona për kryetarin Elton Debreshi dhe për të gjithë minatorët e tjerë që janë shkarkuar nga puna vetëm pse kanë kërkuar kushte më të mira të punës.
Puna jonë si minatorë është mjaft e vështirë, andaj sa herë që kërkojmë kushtet më të mira dikush pëson, mirëpo ne minatorët si të bashkuar gjithmonë do të kërkojmë më të mirën për ne.
Do ta keni përkrahjen tonë gjithmonë për çdo kërkesë të drejtë e cila është në të mirën e minatorëve, ne jemi gjithmonë këtu për ju.
Shprehim solidaritetin ndaj Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e sidomos për kryetarin Elton Debreshi, i cili ka dalë në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve dhe në fund ka përfunduar me shkarkim nga puna.
Kërkojmë edhe nga Qeveria e Shqipërisë që të marrë masa ndaj kësaj kompanie që shkarkon punëtorë pa asnjë arsye.
Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq, por do ju mbështesim gjithmonë, ashtu siç na mbështetni edhe ju ne, andaj me shpresën më të madhe kërkojmë rikthimin e kryetarit Elton Debreshi në vendin e punës dhe të të gjithë minatorëve të tjerë që janë të larguar nga puna.
Respekt për Minatorët e Bulqizës!
Nga Sindikata e Pavarur Minatorëve të Trepçës

DEKLARATË SOLIDARITETI ME MINATORËT SHQIPTARË NGA SINDIKATA E INXHINIERËVE TË PUNËSUAR NË GREQI

(mekanikë, gjeologë, të teknologjisë, teknicienë, projektues)

Më 15 tetor 2019, sindikata e pavarur “Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës” u themelua në veri të Shqipërisë, në minierën më të madhe dhe më të vjetër në Shqipëri, me mbi 600 punëtorë që punojnë në kushte shumë të vështira. Siç shprehen në deklaratën e sidnikatës, “ne minatorët e Bulqizës kemi aftësinë të përballemi me vdekjen përditë, me pagat e ulëta, me frikën dhe me shkeljen e dinjitetit tonë. Sindikata është fuqia jonë.”
Pak ditë pas themelimit zyrtar të sindikatës së pavarur, kompania që shfrytëzon minierën, ALBCHROME, u përgjigj duke pushuar nga puna Elton Debreshin, një prej themeluesve dhe drejtuesin e sindikatës. Ky veprim është në kundërshtim me Kodin e Punës në Shqipëri dhe qëllimi i tij i vetëm është të frikësojë punëtorët në mënyrë që të ulin kokët dhe të mos kërkojnë të drejtat e tyre demokratike.
Ne solidarizohemi me Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës dhe kërkojmë rikthimin e menjëhershëm të Elton Debreshit në punë. Sulmi mbi të drejtat në punë nuk do të mbysë kërkesat e lëvizjes punëtore për paga dhe kushte pune të dinjitetshme në Greqi, Shqipëri dhe në të gjithë botën.
SINDIKATA E INXHINIERËVE TË PUNËSUAR (mekanikë, gjeologë, të teknologjisë, teknicienë, projektues)Athinë, Greqi.