Shumë vite kisha pritur që të shfaqej për publikun një botim nga Kamber Farruku. Ndaj, ndjeva kënaqësi kur në dorë mora librin e sapobotuar që kishte autor pikërisht redaktorin e ish-gazetës “Ushtima e maleve”. Pata një padurim për të filluar leximin e këtij libri të ri, botimin “e vonët” të Kamberit. Në vetvete kisha besimin e palëkundur se, ai ka bluar e pjekur më së miri atë ç’ka do na dhuronte ne si lexues të hershëm të tij. Libri mban titullin interesant “ Kur po shkriheshin akujt”.
E fillova me një frymë këtë lexim dhe më shijoi jashtë mase që në faqet e para. Në vazhdim të fletëve; teksti, fabula dhe ndodhitë interesante më ngacmonin në shpirt. Më mbushi emocionalisht, duke më kthyer memorien dekada vitesh mbrapa. Në përfundim, mund të them se është një nga librat që i veçoj dhe i radhis tek librat e mi të preferuar. Tashmë e konsideroj një pasuri të çmuar të bibliotekës time.
Meqë Kamberin e kam lexuar qëkur isha nxënës, pata arsye si shumëkush që e njeh penën e tij, për ta mirëpritur një botim nga ai. Tashmë ndjeja lumturi që e kisha përpirë rrëfimin e tij të bukur; maratonë ngjarjesh e ndarë në dy pjesë, e shtrirë në dy kohët e fundshekullit të kaluar. Në dy etapa historike të vendit; në periudhën komuniste dhe rrëzimin e regjimit gjakatar, e në etapën e demokracisë dhe pluralizmit të ri, me të gjitha problematikat e përjetuara. U ndjeva i ngazëllyer me përmbajtjen, me tekstin, me thesaret shpirtërorë që mbart ky libër si monument për Dibrën dhe rrugëtimin tonë të përbashkët.
Duke i parë ngjarjet nga distanca, i barazlarguar nga personazhet dhe ndodhitë, vetvetiu përjeton një meditim të thellë dhe përpiqesh të identifikosh thelbin, domethënien, të thënat e nënkuptimet, përplasjet e ngjarjeve të shumta që rrjedhin faqe pas faqeje, rresht pas rreshti, madje edhe në mes të rreshtave. E them edhe në mes të rreshtave, pasi libri në tërësinë e tij është një odë – auditor i universitetit të Dibrës.
E përjetova bukur leximin e këtij libri, tamam si një film autobiografik i një periudhe dinamike e të vështirë. Në sekuencat e këtij filmi të shfaqet herë-herë vetja, herë e bashkëmoshatarëve, si dhe të shëmbëllehen jetët e prindërve tanë të shumëvuajtur, e më tej e paraardhësve të tyre. Është sjellë në këtë libër dhe retrospektiva e historisë, e brezave me ngjarjet e personazhet e Dibrës, që na i ndriçon me kujdes e me radhë autori në këtë vepër.
Në të vërtetë aty shfaqet dhe shikon metamorfozën e transformimit të mentalitetit, të bindjes, të formimit të një intelektuali në kapërcimin e dy kohëve: komunizmit dhe demokracisë së brishtë shqiptare. Këtë na e jep autori, duke treguar me detaje rrugëtimin e tij. Është një transformim i natyrshëm, i vështirë, është një proces që vazhdon sot e gjithë ditën.
Me vëzhgimin dhe soditjen e kujdesshme, shënimet e tij paraqesin një vlerë të çmuar për çdo lexues. Duke parë metamorfozën e Kamber Farrukut në librin “Kur shkriheshin akujt”, kemi bërë një udhëtim real në gjithë retrospektivën e rrugëtimit të brezit tonë në dy etapat e rëndësishme historike që Shqipëria përjetoi në vitet ‘90.
Ky libër nuk është një trill letrar. Është një vepër ku të gjithë personazhet janë realë, të vërtetë. Gjithsecili nga lexuesit e gjen veten në atë vorbull ngjarjesh, ku autori ka patur një rol të rëndësishëm, madje është në epiqendrën e tij. E veçanta është që ka qenë gjithmonë i vëmendshëm në kryerjen e misionin fisnik si gazetar, shkrimtar dhe politikan. Ka fiksuar dhe i sjell të freskëta ngjarjet, ndodhitë dhe fjalët e arta me meseletë apo alegoritë e shumta filozofike të Dibrës. Librin e shoqërojnë me shumë shije përshkrimet e holla letrare të vendeve dhe njerëzve, të natyrës dhe të objekteve që lidhen me kohën e momentin kur janë zhvilluar ngjarjet.
Pjesa e parë e librit na është shfaqur nga autori në formë ditari. Kjo e bën më të larmishëm fragmentimin e kohës, përshkrimin e etapave dhe të ngjarjeve që kanë lënë gjurmë në kujtesë. Si një kronikan i pjekur e me përvojë na ka skalitur atë që ne s’duhet ta harrojmë kurrë; nga kemi ardhur, nga kemi kaluar dhe ku po shkojmë. Fatmirësisht, tashmë ky libër është pronë e secilit prej nesh dhe kemi mundësinë t’u kthehemi faqeve të tij për të freskuar në çdo kohë memorien dhe vetëdijen tonë. Na e ka sjellë të vërtetën shumë bukur, me gjithë hidhësinë e kohës që kaluam, të momenteve që lamë pas.
Ndërkohë që lexoja, mu kujtuan dy gjëra të rëndësishme që lidhen me mua. E para, kur botova për herë të parë poezitë e mia në gazetë dhe botuesi ishte pikërisht autori Kamber Farruku. Kur ai i botoi poezitë e mia në atë gazetë unë isha vetëm një nxënës me vështrimin imagjinar të strukur në luginën e ngushtë të Drinit në Reç, me ëndrra që i lidhja vetëm me librat që lexoja asokohe. Atëherë s’ma rrokte mendja se redaktori i poezive të mia, të thirrej nga Sekretari i Parë për të dhënë llogari për shkrimet e tij jo aq të përputhura me vijën e Partisë. Nuk kisha si t’i kuptoja atëherë këto gjëra të ndërlikuara! Gjithashtu, kujtoj veten edhe kur Kamberi ishte nënkryetar i Komitetit Pluralist dhe më ndihmoi për të marrë dosjen time nga Komiteti Ekzekutiv, për të filluar udhëtimin e karrierës time larg Dibrës. Sërish nuk kisha si ta dija atëherë, kur sapo isha diplomuar, debatet e preokupimet e tij në raport me Kryeministrin Ylli Bufin dhe zëvendësin e tij Zyhdi Pepa, ku debatin për Ligjin 7501 për tokat e kishte fituar Kamberi me dibranët dhe jo Qeveria e Stabilitetit. Këto gjëra i mësoj tani, në këtë libër, teksa përshkruhen sikletet e autorit në raport me pushtetin. Këto dy momente mua më erdhën në mendje dhe më jepet rasti ta falenderoj me mirënjohje Kamber Farrukun.
Me një gjetje mjaft të kujdesshme e me një strukturë të ujdisur si duhet, në këtë vepër gjejmë momente e episode për Haxhi Lleshin e Ramiz Alinë në diktaturë, po ashtu edhe për ngjarje e dialogje që lidhen me Sali Berishën, Azem Hajdarin etj, në demokraci.
Natyrshëm dhe me finesë ngjarjet zhvendosen në mënyrë mjaft domethënëse e të natyrshme në dialogun e jashtëzakonshëm, por real, të Imer Tanushit me Malë Gjipin. Në një frazë, në një paragraf apo dialog shprehet qartë filozofia e një epoke të tërë. Në pak rreshta hidhet në humnerë dhe denigrohet një regjim i ngritur mbi eshtra e mbi gjak. Natyrshëm, por që të rrëmben e të lë gjurmë të thella, është përshkrimi për odën e Han Likës me drapër e çekan gdhendur në tavan. “Po lëvize këmbët të pret drapri, po luajte kokën të bie çekiçi”, kështu e shpreh autori këtë simbolikë sovjetike, teksa përshkruan odën e Hanit. Kjo paraqet një dimension tjetër, atë të simbolikave që prezantonin dibranët në atë kohë e që në këtë libër i gjen në gjithë faqet e tij.
Një moment i bukur që të ngulitet thellë në mendje e që tregon integritetin dhe përparimin intelektual të inxhinierit Ramiz Kadria lidhet me refuzimin për t’u pranuar në Partinë e Punës. Është një episod real, por që flet shumë, në rrjedhën e asaj çfarë tregon rrokullisja e ngjarjeve në atë kohë të mbrapshtë, kur partia-shtet kishte filluar degradimin në sytë dhe mendjen e intelektualëve. Ngjarja makabre e ekzekutimit të Ali Likës në Luzni të trondit memorien, të rrëqeth kur ndeshesh me këto akte kriminale të komunistëve të kuq.
Këto janë pak nga momentet që po i përmend në këtë shënim. Janë këto pak episode, pasi libri është i gjithi me xhevahirë që autori i ka mbledhur me kujdes prej dekadash dhe i ka përpunuar në mendjen e tij, për t’i derdhur së fundmi aq bukur në veprën e tij “Kur shkriheshin akujt”.
Pjesa e dytë e librit i është kushtuar periudhës kur në vend u vendos pluralizmi politik. Autori, në mënyrë te detajuar, na përshkruan vështirësitë e themelimit të partisë së parë opozitare në Dibër; sulmet ndaj nismëtarëve, rrokullisja e vështirë e shoqërisë së traumatizuar e të varfëruar për disa dekada nën shtypjen komuniste, revanshi i ithtarëve të verbuar komunist dhe entuziazmi i shfrenuar i opozitarëve të rinj.
Të lë shije dhe mbresë të jashtëzakonshëm mesazhi që jep autori, kandidat i PD-së, në fushatën e parë të pluralizmit me mikun e hershëm, drejtorin e shkollës Hysni Lala, i cili ishte kryetar i PS-së. Kamberi, si kandidat i PD-së shkon në shtëpinë e tij. “Pluralizmi erdhi për të ndërtuar ura të vërteta miqësie mes njëri-tjetrit, ka ikur koha e luftës së klasave, e urrejtjes dhe përçarjes. Ky ishte qëllimi i vizitës sime, për të dhënë këtë mesazh”, shprehet autori pas vizitës. Të mbush shpirtërisht e të jep një ndjesi shumë domethënëse sjellja qytetare dhe vizita në shtëpinë e kundërshtarit politik.
Në libër zë vend dhe letrat që i kanë rënë në dorë autorit, letra nga të njohur të tij, që ishin dërguar partisë për ta groposur autorin që nuk ishte komunist. Këto letra që i bëheshin Sekretarit të Parë i gjejmë të botuara në libër dhe dhimbshëm mësojmë se bëhen shkak për largimin e Kamberit nga puna në gazetë.
Nga miq të mi nga Muhuri kisha dëgjuar shumë histori “qesharake” për Ferë Dokën, njeri pa njeri nga Sina e Epërme. Mënyra si e ka sjellë autori në libër me mjeshtërinë e hollë që ka përdorur, me mjaft elegancë e art që nga periudha e Dine Hoxhës e deri tek koha komuniste e Haxhi Lleshit më ka mbetur në mendje. Vetëm një penë e stërvitur mirë e realizon këtë kapërcim të bukur. Një personazh rruge e transformon në një “filozof “ të këndshëm.
Një tjetër moment të hidhur e të shëmtuar për kohën, autori sërish e transformon në episod për të mos u harruar. Fushata e Partisë për të mobilizuar popullin në shpërndarjen e gropave septike në arat me grurë që është përshkruar me një stil të bukur, duke na dhuruar një perlë të jashtëzakonshme. E më pas, portretizimi i Gjonit demokrati të Milotit, tregon gjithçka që ndodhi në atë ndryshim çoroditës të sistemit.
Deviza që na trasmenton autori në gjuhën dibrançe për rreth 50 vite të komunizmit ishte: “Puna e mbarë, or mund djerrë”. Një konkluzion mjaft i gjetur për periudhën komuniste, i shkrirë më së miri në gjithë rrëfimin që përputhet me këtë shprehje të vjetër të popullit.
Libri është edhe histori, edhe publicistikë, edhe letërsi. Unë e shijova si një roman, ku personazhi kryesor është Kamber Farruku, i cili në rrugëtimin dhe kujtesën e tij na shfaq personazhe realë, në kohë e vende reale, duke e shndërruar këtë vepër në thesar që duhet ta shfrytëzojë çdo lexues, e aq më shumë, çdo dibran.
Këto janë pak episode, por vepra ka të tilla në të gjitha faqet e të mban shtrënguar për të mësuar ngjarje, emra, episode… Ftoj lexuesit ta lexojnë. Unë po ju nxis, por me këto që them nuk ua shuaj kureshtjen. Ju siguroj që është një libër i bollshëm, voluminoz dhe s’ka asgjë të tepërt.
Pasthënia e librit është në vetvete një vepër arti, që përmbledh në pak rreshta të gjithë teatrin absurd që ndodh në Shqipërinë tonë të mjerë.
Urime Kamber dhe faleminderit nga zemra që na dhurove një vepër të tillë, me mjaft vlera, për gjithsecilin që e lexon. Shpresoj në botime të tjera.
Nuk është shënim i një analize letrare profesionale, por vetëm mbresat e një lexuesi, i cili pas përfundimit të librit, po i shpreh thjesht këto përjetime, me qëllim që të shërbejnë si nxitje dhe ftesë për leximin e librit “Kur shkriheshin akujt”.
“Jalla lemi Ferës”
(Marrë nga libri “Kur shkriheshin akujt”,
Dita Print, 2020.)
Në xhadenë, që përshkon mespërmes fushën e Muhurrit, sidomos verës, ne fëmijët kishim parë nganjëherë një njeri të çuditshëm të veshur verës me këmishë e brekë të bardha hasi. Mbante një torbë varur në njerin krah, ecte këmbëzbathur, me fytyrën e mprehtë të gërryer dhe të skuqur nga dielli, qafën e gjatë me damarë të fryrë, flokët e rralla si kashtë. Në fillim e kishim frikë. Por ai këndonte gjatë gjithë rrugës me pluhur në pikën e vapës:”Hej Murat Kaloshi, /Hej Dine Hoxha. . . ”Kur iu afruam një rradhë, ai u ndal dhe na tha me një zë pak të hollë me ton si përkëdhelës, si tallës:
-Jalla lemi, jalla lemi!(Zoti u lashtë!Zoti u lashtë!)Jalla lemi Ferës!
Ky ishte Ferë Doka, njeri pa njeri, nga Sinja e Epërme, fshat në kufi me Muhurrin. Ferën e njihnin të gjithë të rriturit, ai i përkiste brezit të gjyshërve tanë në atë kohë. Ishte njeri që, në periudhën e mbretërisë para 44-trës, e kalonte jetën pranë agallarëve të zonës, kryesisht te Kaloshët apo Dine Hoxha. Por Fera ishte finok i madh. Aq sa u bënte qejfin Parisë, aq edhe tallej me ta. Thurte një ironi të hollë, që zor ta merrnje vesh.
Në një rast i thotë Dine Hoxha:
-Ferë, na këto napolona dhe çojua sinjaneve si sadaka për bajram. E din vetë se kujt ia jep, atyre, që janë ma në hall.
-Posiii!, -thotë Fera, – pa merak aga!
I merr paratë Fera dhe shkon te tuxhari e blen sheqer, gjalp e miell gruri dhe . . . çfar nuk blen!Gjithë katundi mbante aromën e gjalpit, që dilte nga kasollja e Ferës, i cili piqte petulla e bënte hallvë. Pas do kohësh, sërish Fera shkon te konaku i Dines, aty në fund të odës. Dinja e sheh dhe i kujtohet porosia, që i pat dhënë. Me sa duket, i kishin ardhur në vesh fjalë se Fera nuk kishte çuar gjë te fshatarët.
-Or Ferë, ato që të pata dhënë, a i shpërndave?- e pyet Dine Hoxha.
-Posiiii aga!Posaaaj, i kam çue nja m’nja!
-Por, nuk më ka thanë ndonjani “Zoti ta shtoft!” apo ndonjë faleminers. . .
-Eh, or Aga!Nuk të kanë thanë, posiii, nuk të kanë thanë!A e din pse nuk të kanë thanë?Se ky popull don edhe ma Aga, prandaj. Duan edhe ma të shkretët!Por nuk ka gjë, të them unë faleminers në vend të tyre, -tha Fera pa iu bërë vonë. Dinja nënqeshi, e mori vesh.
Kur erdhi komunizmi dhe agallarë nuk kishte më, për Ferën erdhën kohë të vështira. U bënë dhe të tjerët si Fera. Dimër e verë dilte më këmbë në Peshkopi me atë torbën në krah dhe kërkonte ushqime pranë menzave e furrave. Dhe kthehej në mbrëmje te kasollja. Një rradhë, kur po ngjitej Kubenit në rrugë malore, një vend disa kilometra larg qytetit të Peshkopisë, sheh një makinë ushtarake të ndalur. Shoferi kishte futur kokën ndën kofën dhe po prekte diçka në motorr, sepse makina ishte fikur e nuk po ndizej. Fera i afrohet një oficeri:
-Jalla lemi Ferës komandant, merreni Ferë Dokën deri në Peshkopi. Shiheni si jam, sevap!
-Ja, të pyesim këtë shoferin, -i thotë oficeri.
-Ti gjithë ditën mban në gojë armiqtë e popullit Dine Hoxha e Murat Kaloshi, nuk të marrim, -i thotë një oficer tjetër, që e njihte.
-Dine Hoxha e Murat Kaloshi kur ishin, ishin!Ju ene jeni, ene nuk jeni!Me gjithë ato nishane mbi në skep të krahit, pyetni shoferin për të marrë një Ferë Dok në maqinë!-u thotë Fera dhe vazhdon rrugën me torbën në krah.