Gjoba rrit tensionet mes banorëve dhe qeverisë


Në foto: Nazmi Drizi dhe Ali Hoxha. Foto: N. Feta

Në foto: Nazmi Drizi dhe Ali Hoxha. Foto: N. Feta

Organizatorët: asnjë gjobë nuk mund të shërbejë si presion për të hequr dorë nga të drejtat tona.

“Në qoftë se qeveria, për shkak të pandemisë, na heq të drejtën të reagojmë dhe protestojmë, por për të njëjtën arsye duhet të ndalë përpjekjet e saj për mbytjen e Dibrës. Sepse pa vullnetin e popullit të Dibrës, askujt nuk duhet ti shkojë në mendje ndërtimi i HEC Skavica dhe mbytja e luginës së Drinit të Zi”

Menjëherë pas protestës, punonjës të policisë kanë shoqëruar në komisariatin e Peshkopisë dy organizatorët, Nazmi Drizi dhe Ali Hoxha, në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës dhe Presidentit të Nderit.
Arsyet e ndalimit kanë qenë shkelja e masave anticovid dhe aktit normativ në fuqi në lidhje me pandeminë. Dy drejtuesit janë mbajtur për disa orë në komisariatin e policisë, pa u marrë deklaratat e tyre në lidhje me protestën.
Në një njoftim për shtyp më datë 3 dhjetor nga Drejtoria Vendore e Policisë Dibër shkruhet se “shtetasi Ali Hoxha, President i Shoqatës Drini i Zi, dhe shtetasi Nazmi Drizi, Kryetar i Shoqatës Drini i Zi, kanë organizuar një grumbullim me rreth 40 persona, për të protestuar kundër ndërtimit të Hec-Skavica. Gjatë zhvillimit të tubimit, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi po zhvillohej në kundërshtim me masat anticovid.”.
Por pjesëmarrësit në tubim thonë për gazetën “Rruga e Arbrit” se “kanë qenë 3 policë, të cilët vetëm kanë vëzhguar nga larg dhe në fund kanë takuar Aliun dhe Nazmiun, të cilët i morën me vete. Ata nuk kanë bërë asnjë veprim për të parandaluar protestën apo grumbullimin e paligjshëm”.
Ali Hoxha, Presidenti i Nderit i Shoqatës, i cili kishte shkuar nga Tirana për të folur në këtë protestë, tha për gazetën “Rruga e Arbërit” se vetëm pasi i kishin futur në makinë, u kishin thënë që do shkojnë në komisariat për të lëshuar një deklaratë për këtë protestë.
“Ne kemi ndenjur disa orë në korridor në pritje të shefit, – thotë Ali Hoxha, – më pas i kemi telefonuar prefektit të Dibrës, i cili ka ndërhyrë për lirimin tonë”.
“Nuk jam njoftuar zyrtarisht për gjobën, – tha Ali Hoxha. Ne kemi dalë nga komisariati pa u marrë në pyetje dhe pa lëshuar asnjë deklaratë. Prefekti i Dibrës na kërkoi ndjesë për arrestimin tonë, ndaj nuk e kuptoj arsyen e gjobës. Unë isha në protestë si gjithë të tjerët, pasi posti që unë mbaj është honorifik dhe nuk kam në shoqatë asnjë detyrë organizative”.
Hoxha e konsideron gjobën ndaj tij dhe kryetarit të shoqatës Nazmi Drizi, si një përpjekje për të trembur popullin në protestat e radhës.
Ali Hoxha tha se me “16 mijë lekë pension, unë nuk mund ta paguaj kurrë gjobën, ndaj nëse ajo është e vërtetë, ajo është për turpin e atyre që e kanë nënshkruar”.
Ndërsa Nazmi Drizi tha me ironi se “edhe pse jam 70 vjeç, do të paguaj këtë gjobë dhe gjithë të tjerat, por kurrë nuk do të lejojmë që qeveria të mbytë toka tona duke shkelur mbi jetët tona dhe dinjitetin tonë”.
Protestat për ndalimin e synimeve të qeverisë shqiptare për ndërtimin e HEC të Skavicës do të vazhdojnë, pavarësisht aktit normativ të qeverisë.
“Në qoftë se qeveria, për shkak të pandemisë, na heq të drejtën të reagojmë dhe protestojmë, por për të njëjtën arsye duhet të ndalë përpjekjet e saj për mbytjen e Dibrës. Sepse pa vullnetin e popullit të Dibrës, askujt nuk duhet ti shkojë në mendje ndërtimi i HEC Skavica dhe mbytja e luginës së Drinit të Zi”- thonë organizatorët.