“Unë jam njëri nga ata banorë të Dibrës që kërcënohemi nga Skavica, – tha Haki Përnezha përmes lidhjes me Skype. Dibra ka 141 fshatra me rreth 86 mijë banorë, ndër to 27-34 fshatra mbyten, duke përfshirë 8 mijë hektarë tokë”
“Çmimi i vendosur nga 60 mijë lekë deri 100 mijë lekë, tani do ta lëmë për 200 paketa duhani. Tu ofrosh banorëve një shumë të tillë, është sa cinike aq edhe qesharake. Asnjë ekip qeveritar nuk ka ardhur të na tregojë se çdo të bëhet. Ekipet duhet të vijnë të ulen me banorët, të japin alternativa. Kjo nuk ka ndodhur”
“Një nga mënyrat që i irriton banorët atje është mënyrë se si qeveria po vepron në lidhje me ndërtimin e HEC Skavica. Që nga viti 2005 e në vazhdim, në mbyllje të mandatit ose në fillim fushatash, qeveria ka folur vazhdimisht për ndërtimin e HEC Skavicë, për projekte, për variante A e B, digën 443 metra e 385 metra, një digë e dy diga, por ajo që është e rëndësishme të theksohet, pavarësisht çfarë varianti do të vendoset për tu ndërtuar, fusha e Dibrës përmbytet”.
Me 7 dhjetor në mëngjes, emisioni Wake Up në Top Channel, i drejtuar nga Ori Nebijaj dhe Isli Islami, i kushtoi një kohë të rëndësishme çështjes së protestës së banorëve kundër HEC të Skavicës.
Pasi bëri një përshkrim të shkurtër të planeve të qeverisë shqiptarë ne vite për ndërtimin e HEC të Skavicës, Isli Islami pyeti se si do të jenë hapat e mëtejshëm për të kundërshtuar këto plane.
“Unë jam njëri nga ata banorë të Dibrës që kërcënohemi nga Skavica, – tha Haki Përnezha përmes lidhjes me Skype. Dibra ka 141 fshatra me rreth 86 mijë banorë, ndër to 27-34 fshatra mbyten, duke përfshirë 8 mijë hektarë tokë”
“Dëmi i madh ekonomik i çdo familje është i papërfillshëm nga qeveria, por dëmi tjetër është në pikëpamjen e zhdukjes që ne e quajmë hambari i gjithë Dibrës, Në këto fusha që do të mbulohen nga ujërat e Skavicës kanë ndërtuar jetën, jo vetëm banorët e këtyre fshatrave, por edhe banorët e tjerë. Zhduken të paktën 8 vendbanime historike” – tha mes të tjerash Haki Përnezha.
“Askush nga qeveria nuk ka shkuar atje, as nga kjo qeveri dhe as ato të mëparshmet, – tha Bujar Karoshi, redaktor i gazetës Rruga e Arbërit, i pranishëm në studio. Një nga mënyrat që i irriton banorët atje është mënyrë se si qeveria po vepron në lidhje me ndërtimin e HEC Skavica. Që nga viti 2005 e në vazhdim, në mbyllje të mandatit ose në fillim fushatash, qeveria ka folur vazhdimisht për ndërtimin e HEC Skavicë, për projekte, për variante A e B, digën 443 metra e 385 metra, një digë e dy diga, por ajo që është e rëndësishme të theksohet, pavarësisht çfarë varianti do të vendoset për tu ndërtuar, fusha e Dibrës përmbytet”.
Ai tha se me ndërtimin e Skavicës do të krijohen shumë probleme sociale, do të ketë imigracion dhe emigracion. Sipas tij 15 mijë banorë do të shpërngulen nga shtëpitë e tyre dhe rreth 40 mijë të tjerë do t’u përmbyten tokat e punueshme.
Ai vuri në dukje problematikat në lidhje me pronësinë.
“Toka që ata punojnë dhe me të cilën jetojnë, nuk e kanë në pronësi – tha Bujar Karoshi. Në vitin 1991 atje nuk u respektua ligji 7501 dhe gjithkush shkoi në tokat e trashëguara. Nuk pati probleme në ndarjen e tyre, por tani ato janë burim konfliktesh. Ato nuk janë të regjistruara dhe nuk e dinë se çfarë planesh ka qeveria për regjistrimin dhe vlerësimin e tyre”.
Ai theksoi se banorët janë fyer nga mënyra se si institucionet po veprojnë dhe nga mënyra se si qeveria po sillet me ta. Ai theksoi se gjoba prej 50 milionë lekësh (të vjetra) për organizatorët e protestës është një mënyrë presioni dhe diskriminimi ndaj banorëve.
Moderatorja Ori Nebijaj tha gjatë një ndërhyrje në bisedë se “nëse do të ndërtohet ky HEC, rezervuari i tij do të fundosë nën ujë të paktën 8000 ha tokë nën kulturë, ose 64% të saj për tërë Dibrën.
“T’i heqësh Dibrës 64% të tokës nën kulturë në rajonin më pjellor që përbën bazën e ekonomisë bujqësore për të, a do të thotë edhe për ju të zbrazësh Dibrën nga dibranët?”, pyeti Nebijaj.
Të dy të ftuarit ishin dakord me këtë konstatim.
Haki Përnezha tha se “çmimi i vendosur nga 60 mijë lekë deri 100 mijë lekë, tani do ta lëmë për 200 paketa duhani. Tu ofrosh banorëve një shumë të tillë, është sa cinike aq edhe qesharake”.
“Asnjë ekip qeveritar nuk ka ardhur të na tregojë se çdo të bëhet. Ekipet duhet të vijnë të ulen me banorët, të japin alternativa. Kjo nuk ka ndodhur”, tha Haki Përnezha në lidhje direkte.
Isli Islami, duke iu referuar faktit se qeveria nuk ka folur me banorët, theksoi se kjo është “përmbytja e parë”.
“HEC i Skavicës e ndan Dibrën në dy pjesë, – tha Bujar Karoshi. Dibra është ndarë njëherë në dy pjesë në vitin 1913, herën e dytë ka ndodhur në vitet 1960-70, me ndërtimin e hidrocentralit të Dibrës, ku 15 mijë dibranë u detyruan të emigrojnë drejt SHBA dhe Turqisë. Tani do të ndahet për herë të tretë, dhe natyrisht që do të ketë një valë tjetër emigracioni apo imigracioni dhe do të ketë një ndarje të madhe kulturore, gjeografike, historike në rajonin e sotëm të Dibrës. Nuk do të ketë më rrugë komunikimi ose ato do të jenë shumë të largëta. Kështu që nga pikëpamja administrative dhe komunikimit, ato duhet ti bashkohen bashkive të tjera: Kukësit, Matit dhe Mirditës.”
Ai ngriti edhe shqetësimin e probleme që sjell në mjedis dhe në peisazhin dhe ekonominë e pjesës tjetër të Dibrës.
“Duke qenë se Skavica do të jetë një ushqyes me rezerva ujore për hidrocentralet e tjera mbi Drin, ajo do të jetë gjatë verës pa ujë, dhe 1 metër sikur të bjerë niveli, dhjetëra metra do të jetë në terren, duke sjellë një dëm të madh mjedisit. Ndaj nuk mund të propagandojmë një botë idilike me varka e anije, me zhvillim peshkimi e turizmi”.
Gjithashtu, ai vuri theksin edhe në ndikimin që do të ketë ekosistemi i ri në pjesën tjetër të ekonomisë së Dibrës, kryesisht në frutikulturë.
“Dibra, – tha Haki Përnezha, ka pasur malet në njërën anë dhe fushën në anën tjetër, të cilat kanë pasur një lidhje organike, kanë komunikuar njëra me tjetrën, kanë mbështetur njëra-tjetrën. Me ndërtimin e HEC, ky komunikim shkëputet, duke i sjellë një dëm të madh komunitetit”.
“Planet e një qeverie të denjë do të duhet të sillnin në sytë e banorëve të një vendi shkëlqim dhe rreze shprese – tha në mbyllje të emisionit moderatori Isli Islami, – dhe jo sytë e mbushur me lot, për shkak të gjithë dhimbjes që ky plan do të shkaktonte”.
Bujar Karoshi tha në fund të emisionit se “qeveria duhet të tregojë një vullnet për bisedime me banorët, dhe hapi i hapë është heqja e gjobës për dy organizatorët”.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni në Youtube në linkun e mëposhtëm:
https://www.youtube.com/watch?v=pM0zsBZbG0o&feature=youtu.be&fbclid=IwAR1fS-UzRGAo4lHUb1H76_mzuJJXH3Fyh16eRSCOQYxW2XZ8jFGilIsO74k
(Korr. Rr.A.)