Blija karamele zana në dyqanin e Hysen Devës, kur isha cullak. Ndërsa Llan Devën trupmadh, veshur me tirqe të bardha e me gjetana të zes, xhamadan leshi, brez të kuq mbështjellë për mesi me kësulën e bardhë si borë bjeshke. Ndërsa Rustemin e ri, trupgjatë, fytyrëhequr, bardhosh, paksa të zgjatur, veshur pastër, elegant, hijshëm, siç i kishin hije një mësuesi. E më vonë funksionar partie në Peshkopi e fshatra të ndryshme të Dibrës së Poshtme.
Ndërsa unë vetëm kujtime, përshtypje të përthara të njërit e tjetrit për këtë burrë simpatik me taban të fortë në fisin Deva. Kisha lexuar shumë herë artikujt e tij, në shtypin e përditshëm të atyre kohëve. Po kështu, pulsin e zgjuarsisë, karrierën si mësues e si luftëtar i luftës kundër analfabetizmit, apo si ndër të parët djem në fshatin malor Hurdhë-Muhur, i cili mbaroi shkollën pedagogjike. I kisha dëgjuar por edhe… Më ndihmoi libri, me autor Sami Dodën “Dritë diturie në Muhurr”, ku në faqen 51, shkruan: “Në vitin 1958 emërohet mësuesi Rustem Deva, bir i këtij fshati, i cili shërbeu deri në gusht të vitit 1967”.
Jam i detyruar ta kujtoi me shumë mall, por dhe me shumë dhimbje takimin tim të parë, e fatkeqësisht të fundit, mëngjesin e 14 korrikut 2019. Në bllokun tim të shënimeve gjej revoltën e tij të thellë, mbi prerjen e arrave në brezaret e Gjarecës nga fëmijët muhurakë në vitin 1992. Ku ai kujtonte me hollësi dhe me një përshkrim plotë dhimbsuri, sikur po ndodhte gjatë bisedës tonë.
Pastaj ajo kaloi natyrshëm te ish nxënësi i tij, i ndjeri Selim Leka. Zgjuarsia e tij, aftësia e këtij djaloshi, i cili filloi shkollimin në klasën e dytë fillore, ndërsa kur kaloi në klasën e tretë e të katërt i jepja leje që të shpjegonte mësimin bashkënxënsve. E kur i shkova në shtëpi babait të tij Zenelit, për t’i kërkuar që ta dërgonte që të vazhdojë shtatëvjeçaren me tha: “Po dhajt, kush t’i ruj”. Rustemi më shikonte plot dhimbje, sytë po rridhnin lot nga pamundësia për t’u shkolluar e ish nxënësit të tij të shkëlqyer. Ishin lotët e mësuesit që dashuron dijen njeriun e shkolluar, se ajo është si drita e syve.
Ndërsa përpjekjet e zgjuara plot dashuri hyjnore për dijen, për shkollën, për të ndriçuar mendjet e zemrat e vogëlushëve bashkëfshatarëve të tij, komisari i dritë diturisë, Rustem Deva arriti të shkollojë të ndjerin Zenel Mani (ish nxënësin e tij), derisa ai kreu Universitetin për Agronom. Ndërsa Rustemi tani ishte krejt tjetër, fytyra i ndriste nga gëzimi. Ai dukesh si një gladiator i dijes, triumfator ne ringun shkollimit.
Dëgjoja me shumë kujdes, shikoja me endje sytë e tij plot shkëlqim, ballin e tij të hequr me flokët pak të rëna, zëri plot kumbim, zgjuarsi, thesar i madh kujtimesh. Ai më rrezatonte si një edukator e familjar i shkëlqyer, me një potencial intelektual të madh, duke më zgjuar krenarinë e ligjshme për bashkëfshatarin tim plot zgjuarsi, mprehtësi e nëpunës me peshë në shoqërinë muhurake e dibrane.
Rustem Deva, që u largua nga jeta me datën 04.03. 2021, bën pjesë te ai brez i artë muhurakësh që hodhën farën e parë të dijes në brezat muhurak, duke mbjellë kulturë e dije, zhvillim ekonomik, si Mexhit Prençi, Ramadan Xhemal Lika, Kurt Hoxha, Sinan e Tahir Mëziu, Xhemal Berisha e Hazis Rama etj.
Kulla e Llan Devës, mbështetur mbi shkëmb, me qoshe të gdhendura trekatëshe, ndërtuar nga mjeshtrit gurgdhendës e murpunues Gani e Sinan Mëziu, qëndron hijerëndë, krenare. Kështu do të mbeten të skalitur si emri i Llanit, edhe shqiponja mbi gur, edhe Rustemi, si mësuesi i parë i fshatit, si shërbyes i dijes e kulturës, i skalitur në zhvillimin ekonomik të Dibrës, që nuk mund të harrohet kurrë, se e tillë është vepra e tij, përshtypjet e tij të shkëlqyera, të lëna kudo ku ai punoi e jetoi.
Firence 04.03.2021
IKE RUSTEM DEVA,
MIK E SHOK I TË GJITHËVEElegji nga Abdurahim Ashiku
Ike edhe ti mik,
Rustemi i kullës së Deve
Ike për të mos u takuar,
për mos me folur,
për mos me u përqafuar.
Pash dhimbje në fjalët e Altinit,
dhimbje djali për babanë.
Oh sa dhimbje kishte…
Dua ti marr pak,
për vete ta mbaj,
larg, syrgjyn tretur,
ku jeta na ndau,
shpirtin na thau…
Ta kam pirë kafen,
në Kullën e Deve,
kripën e bukës,
në deje e kam.
Nuk e di si t’i ngushëlloj
Altinin, Asijen, miqtë…
Ata që i deshe…
Dhe të deshën.
Disa nga shumë foto,
mall nga malli im
Foto në trojet e lashta,
në Hurdhë-Muhurr
mes miqsh e shokësh,
udhëtimesh bashkë…
po ua përcjell…
Gjakut tënd,
Miqve tuaj…
Të rrojnë,
Të të kujtojnë…
Të të nderojnë…Athinë, 4 mars 2021