Nga Halil RAMA
Autori meriton përgëzime jo vetëm për guximin hulumtues, por edhe për dritën që hedh mbi një krahinë të harruar dhe nënvleftësaur nga regjimet dhe administratat qëndore shqiptare. Në fund të fundit Shqipëria është një dhe mbetet një unison ballkanik me vitalitet që po testohet sërish në kohë lirie.
Pararendja e shkrimit
Elexova me shumë vemendje dhe interes të veçantë librin studimor të veçantë të Prof. Dr. Fatmir Terziut “Toponimia e Gollobordës: Diskursi i dygjuhësisë dhe derivati i origjinës”. Një analizë të mirëfilltë mjaft të detajuar i ka bërë këtij botimi Prof. Dr. Eshref Imeraj, i cili që në krye të pasthënies nxit lexuesin, kur shprehet: “Lexohet me shumë kënaqësi. Kjo është një vepër me vlera të jashtëzakonshme etnokulturore”. Por unë do të veçoja vlerat studimore, duke e konsideruar këtë një vepër të rëndësishme shkencore.
Tre dallesat tipologjike
Së pari: Që në fillim, autori trajton bindshëm dhe me finesë marrëdhënien mes gurit dhe zjarrit…duke pëshkruar “ …prodhimin e produktit të lindur prej gurit dhe zjarrit me produktin që në fakt kishte përdorim të dyfishtë, shëndetësor dhe estetik, të katër faktorët janë të pranishëm: toka, riprodhimi primitiv, puna dhe paraja, kombinimet e ndryshme të të cilave përbëjnë historinë e këtij produkti, që u ngjiz si gëlqere, një nga elementët më të rrëndësishëm, pas vetë grurit, baltës, rërës dhe drurit në një proces të ngritjes estetike të një banese. Por që nga momenti i shkuljes së tyre nga toka, deri në formëzimin e fundit të gurit e produktit të fundit të vënies në shërbim të obligimit njerëzor, si produkt i tij pas zjarrit, gëlqerja, vetvetiu sillen në mënyra gati se gjithmonë kundërshtojnë rrënjësisht lidhjen me zjarrin. Shtëpitë janë të tilla pas së gjithave, por kur zjarri dhe zjarrvënësi nuk kanë arsyen e dhimbjes, natyrisht kundërshtia shkon përtej dhimbjes në të gjitha rrëfenjat, këngët e rrjedhat. Në këtë kornizë të ardhur nga rrëfenjat guri i skalitur në duart e ustait e mbajti zjarrin në shpirt, në zemër e në tërë udhën e tij të ecjes jetike. Sakaq ustai forcoi dashurinë me gurin. ….” Për analogji, sipas një legjende: kur dibranët e Dibrës së Madhe u vendosën në Tiranë, pas eksodit të 1913-tës, lyen muret e shtëpive dhe të avllive me gëlqere dhe tiranasit u çuditën dhe kujtuan se po i lyenin me qumësht… Jo, ajo ishte gëlqerja që Prof. Terziu e sjell me rëndësinë që ka si element i pazëvendësueshëm në ndërtimtarinë shqiptare ku gollobërdasit dhe dibranët kanë në histori unike si njerëzit që sikur kanë ndërtuat cepe më cep të Shqipërisë duke vënë „vulën“ e qëndresës kombëtare edhe pse gjithmonë nën sulm dhe drejt „detdhedhjes“ nga fqinjët e pangopur..
Së dyti: Gjatë vitit që punoja në ish-këshillin e rrethit Bulqizë për 7 vjet (1991-1997) kam shkelur pothuajse në shumicën e fshatrave të ish-komunave Ostren e Trebisht, ndërsa më parë, në ish – shtëpinë e oficerëve Bulqizë (1997-1991), edhe në disa fshtara të Steblevës, madje deri na Draganin majë maleve. Por veçanërisht, në gazetën “Bulqiza” që themelova dhe nxora rreth 90 nr të saj (1992-1996 në Bulqizë dhe 1015-2020 në Tiranë) kam botuar disa artikuj studimorë të autorëve të njohur nga Golloborda: Hilmi Sadikaj, Velo Cfarku, Agim Bekteshit, Besnik Rama etj, të cilët përveç pozitës gjeografike, pavarësisht dygjuhësisë argumentojnë se shumica e banorëve të kësaj zone janë shqiptarë autoktonas dhe kjo „dygjuhësi“ shpjegohet me tregun dhe etjen për punë të burrave të Gollobërdës historike.
Pa marrë parasysh vëshirësitë e ndërmarrjes së një studimi të tillë në një kohë kur parlamenti i Shqipërisë ka miratuar tashmë ligjin “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”, në të cilin ka përcaktuar se minoritetet në Shqipëri janë nëntë, përfshirë dhe pakicën bullgare, të cilësuar si të tillë popullsinë e fshatrave të zonës së Gollobordës, Prof. Dr. Fatmir Terziu, nëpërmjet referencave të shumta, ku unë veçoj prof. Kristo Frashëri, prof. Eqerem Çabej, Marin Barleti, Hilmi Sadikaj, arkivat britanike (sidomos mendimtarët e shquar si bizantologu francez Alen Dykelie (Allain Ducellier), dhe historiani anglez Noel Malkolm, etj, është më bindës në këtë kontekst. Kjo sepse argumenton bindshëm se si lëvizjet dhe pushtimet kanë sjellë ndryshime, jo vetëm në konstrukt, por dhe në ADN-në e popujve, krahinave e njërëzve veçmas në Ballkanin që duke qënë „shesh lufte“ shpesh ka përzjerë keqas gjuhëtdhe etnitë origjinale.Mjafton të perifrazojmë atë që shkruan në fq. 7: “Se kush janë banorët e një zone të tillë në derivatin e origjinës dhe në diskursin e gjuhës, apo dhe të dygjuhësisë, gjithashtu dhe përsëri për mendimin tim, mund dhe s’mund të përcaktohet nga gjuha që flet dhe shkruan, ndërtimet dhe shenjat e lashta që e rrethojnë aty ku jeton dhe gurët e shkruar nëntokë e mbi tokë. Këta komponentë popullit të kësaj zone, nuk i mungojnë, kur vjen fjala e këngëve të mbetura që edhe në gjuhën e grave dygjuhëfolëse këndohet dhe faktohet se “Rosa rosit vo arbanoshka zemja…” (vesa veson në tokën arbërore…) por i mungon dëshmia e shkruar, i mungon madje mjaft arsyeja e gjuhëve të shumta mbi këta gurë, i mungon, ajo që të tjerët në shekuj e bënë sipas rrethanave të tyre për të nxjerrë në pah “orrigjinën” dhe mbi të gjitha dhe “dominimin” e dëshirave të hershme të shtrirjes masive territoriale”.
Së treti: Këto teza autori i shtjellon duke sjellë fakte dhe argumenta në tre pjesët e para të kësaj vepre. Në pjesën e parë “Golloborda nga memorja”, nga artikulli “Emri, rrjedhat dhe gjuhët”, prof. Terziu ka si referencë “Defteri Osman” i vitit 1467, të cilin e solli në vëmendje për herë të parë në këtë drejtim historiani Hilmi Sadikaj (1999), duke theksuar se “kjo krahinë ka qenë e regjistruar me emrin “Dullgoberda ose Dollgoberda”. Pra, emri i kësaj krahine vjen nga bullgarishtja e vjetër dhe do të thotë në shqip “kodër (bordo) e gjatë (dollgo). Ky toponim gjendet i pranishëm pjesërisht në emërtime lokale vendesh, si në Trebisht (kodra përballë lagjes Kasaj të fshatit, që quhet “Borda” nga banorët vendas), në Steblevë (në formën Vetarno Bordo), në Rekë (Velebordo) dhe në Vollnisht (Ternino Nebordo) (fq.22).Gjithashtu autori, në pjesën e parë të kësaj vepre na njeh me traditat e shkëmbimit dhe mjeshtëritë, me njeshtrit duarartë të Gollobordës, me kostumet tradicionale të grave të kësaj krahine si dhe me ritet në dasmat, gëzimet dhe përcjelljet njerëzore.
Studimi me baza shkencore
Pjesa e dytë e librit si zanafilla e studimit na sjell në vëmendjen e lexuesit e sidomos të studjuesve Vajtimet e Gollobordës, ndërkohë që më pas në artikullin “Trazim kulturash” nguron ta japë përgjigjen shpejt dhe përciptazi. Kjo sipas tij për faktin se, studimi duhet të kalojë së pari në të gjitha pikat ku ravijëzohen ritet familjare, lindja, dasma, lamtumira, mbyllja e rrethit të jetës njerëzore, të gjitha ato që bëhen momentet më të rëndësishme në tërësinë e një treve, ato që shënojnë tranzicionet e saj kulturore më të rëndësishme.
Interes paraqesin për lexuesin edhe ato çfarë shkruan autori për vllehët dhe “jevgjit” e Gollobordës. Mendoj se impresiunuese është pjesa e tretë dhe më e rëndësishme e veprës mbi “Toponimet si Qasje Etimologjike”. Bazuar në toponiminë si kërkim shkencor të emrave të vendeve, origjinës së tyre, kuptimeve, përdorimeve dhe tipifikimeve, prof. Terziu sjell fakte se si mjaft vende të krahinës së Gollobordës kanë marë emërtimet e tyre nga toponimet. Pa u zgjatur, për këtë mjafton të lexojmë artikujt e kësaj pjese të veprës me tituj mjaftë intrigues: “Vajtimi i kukuvajkave”; “Guri i lotit”; “Tre lisat”; “Dardha e bekuar”; “Zogu i jargavanit”; “Guri i Xhemos”; “Qershitë e Lamos”; “Raven” u ngjiz nga i Huaji” ; “Radec’, toponimi që flet qartë”; “Kodra e Shutecit”; “Krasta’ emri që rrëfen”; “Arra budallaqe”; “Rebori”; “Smilen”;“Kallogjeri”; “Presllop”; “Dragalicë”; “Truku i Bellavodas”; “ etj. Ndërsa për Kështjellën e Trebishtit, ndër më të njohura e kësaj zone autori shkruan se: “Një nga emrat më të lakuar prej kohësh, që ka ngjizur toponimin më befasues dhe më tipologjik të kësaj treve lidhet me toponimin ‘Gradishtë’, që do thotë qytezë. ‘Gradishtë’ quhet vendi në fshatin Trebisht Çelebi, për të cilin hamendësohet se kohë më herët e kanë cekur në shkrimet e tyre Dhimitër Frangu dhe Marin Barleti”.
Vështrimin etnokukulturor të autorit për zonën e Gollobordës e ndeshim në pjesën e 4-t të këtij libri “Ballkani përtej “njëjësit”. Këtu, veç të tjerash prof.Terziu na njeh me vallen pa ‘njëjës’ “Pajtushka”, me origjinën e këngës “72 ditë”, ku e gjithë kënga interpretohet kështu: “Shtatëdhjetë e dy ditë/Ka një plagë në zemrën time/Nuk është plagë nga sëmundja/Tashmë është plagë dhe pikëllimi./Merre pushkën dhe më vrit mua/pastaj më thuaj se s’të dua”.
Në këtë vepër të rëndësisë shumëdimensionale (studimore, etnokulturore) autori argumenton edhe “Këngët si mesazh unik” si dhe Gollobordën si zonë shumëgjuhëshe.
Ndërkohë, duke u ndalur tek “Rregjistrimi i Tetorit 2020” lehtësisht evidentojmë shqetësimin e autorit për kushtin bullgar në lidhje me marrjen e një date për negociatat nga Tirana që ka të bëjë plotësisht me të drejtat reale të pakicës kombëtare bullgare. Prof. Terziu, jo më kot sjell për lexuesin një artikull të plotë dhe të pandryshuar nga origjinali, thuajse jashtë procedurës së referencimit, të shkruar nga Prof. Dr. Spasse Tashev, me qëllim mosndërhyrjen në disa pika që mund të quhen të plotëkuptueshme në një situatë të tillë. Është fjala për problemin e mosgjetjes së „origjinës bullgare” për mjaft nga ata që aplikojnë për pasaportën e këtij shteti, në kushtet e sotme të komplikuara ekonomike, por që vetëm me këtë mundësi ata mund të lëvizin e të punësohen diku në vendet europiane. Dhe konkluzioni i autorit: “Përgjigjja është mjaft kuptimplote, nëse nuk do të ishte kjo pasaportë, ata nuk do të kërkonin të ishin ndonjë lloj minoriteti”. Siç shkrova në fillim, mjaft bindëse e bëjnë veprën e Terziut referencat nga arkivat britanike, të sintetsizuara në pjesën e 5-të “Arkivat Britanike për Gollobordën”.
Tjetri në këtë vepër tejet dinjitoze
Kjo vepër tejet dinjitoze, me interes të veçantë për lexuesin, mbyllet me pjesën e 6-të “Figurat dhe vlerat”. Këtu autori na njeh me personalitete emërndritur në histori të kësaj zone. Ndërsa evidenton origjinën shqiptare të Qemal Ataturkut, Terziu shkruan për Kapitenin e Parë Qazim Kasa – Drejtuesi ushtarak i Prishtinës, për “Piktorin e Popullit” Nexhmedin Zajmin, sidhe piktorët tjerë si, Bajram Mata, Tahir Zeneli, Duro Ibrahimi etj. “… Lexoja kujtimet e Hasan Shahinajt, Dail Halilajt, Ibrahim Allës, Islam Ramës, Fatmir Selimit, Velo Cfarkut, Fidan Markut, Halil Hoxhës etj., dhe ndjehesha kryelartë, komentoja poezitë e dhjetra poetëve të Gollobordës dhe bëhesha letrar ndryshe, shikoja skulpturat e Hamza Halilit, Fitim Sulës, Bashkim Sadikut dhe përhumbesha në to, shikoja filmat dhe skenaret e Esat Musliut dhe s’kisha të ngopur, pastaj shkrimet e studimet e Hilmi Sadikut, Myqerem Tafaj, Ramazan Hoxhës, Besnik Ramës, Cfetan Maznikut, Kujtim Boriçit, Mehmet Hasanit, Kristaq Trajës..”,shkruan autori (fq.145). Prof Terziu vlerëson gjithashtu veprën e Doktor Arif Hasanit – “Qytetar Nderi i Dibrës”, të këtij kirurgu duarartë që shpëtoi qindra jetë njerëzish.
Konkluzioni i konkluzionit
Në pjesën e 7-të të librit janë konkluzionet e autorit. “Të dhënat e mbledhura në punën në terren gjatë viteve dëshmojnë se njerëzit e kësaj treve shprehin lidhjen e tyre të origjinës në mënyra të ndryshme. Disa e sqarojnë me një fjali që përcaktohet sipas tyre me shprehjen “mije zborime bugarsko”, dhe disa të tjerë me një tjetër që bazohet tek “mije zborime nashincki, nashki”. E para shkon ndoshta më larg në vitet kur sundonte dhe dominonte kultura dhe gjuha bullgare në rajon, duke lënë kështu kuptimin e fjalisë së parë “ne flasim bullgarisht” dhe kuptimin e shprehjes së dytë “ne flasim gjuhën tonë, tonën”. Dhe kështu kur mbetet zgjidhja nga toponimet kjo e fundit flet më së miri në këtë pikë, po aq sa e para. Pra, hipoteza jonë se toponimet ndikuan në këtë bashkësi në mënyrë të ngjashme në përvojën e identitetit të tij të pakicës është vërtetuar e gabuar. Për të forcuar këtë përfundim, komuniteti i Gollobordës që nuk kanë të njëjtën fe si bullgarët dhe maqedonasit duhet të ekzaminohet”,-shkruan prof. Terziu.
Ndërkohë ai sqaron lexuesin se puna kërkuese e këtij studimi është e një natyre skematike.Ai nuk pretendon se botimi është një përpjekje për të shterruar këtë temë, as nuk mendon „se kontrastet kulturore, sociale dhe historike të theksuara midis efektivitetit tjetër të madh kulturor të traditës Gollobordës janë të gjitha aq sa absolutja e dukurive kulturo-sociale është ekstremisht komplekse, dhe larmia e faktorëve që i përcaktojnë ato shkaktojnë që ato të ndryshojnë shumë gjatë zhvillimit të tyre, nganjëherë ndryshimet i bëjnë ato të duken plotësisht të kundërta. Sidoqoftë, në thelb kontrastet që kam theksuar ekzistojnë.Idetë e përshkruara në këtë punë dhe faktet mbi të cilat ato bazohen mund të mbështeten nga një dokumentim i plotë dhe sistematik në shënimet e mbajtura nga rrëfimet, por duke pasur parasysh natyrën e punës kam preferuar të shtoj disa elementë plotësues. Ata merren me një temë themelore të tyre, por mbajnë disa aspekte themelore të pikës së parë të Gollobordës dhe do t’u interesojnë lexuesve që kujdesen të hyjnë më thellë në këtë temë”. Parë në një këndvështrim të përgjithshëm, Prof. Dr. Fatmir Terziu trajton gjerësisht në këtë vepër madhore fenomenin shoqëror të transkulturimit dhe rëndësinë e tij në Gollobordë.
Të „ripërtypësh“ qetësisht tezat e guximshme që hedh Fatmir Rerziu në librin e vet mbi Gollobordën, këtë krahinë me tradita historike në vetë ekzistencën kombëtare shqiptare, duhet që librin to lexosh dhe rilexosh, sepse ka shumë kuptime mes rreshtave. Sikurse thamë më sipër pa marrë të mirëqënë faktin që Terziu i thotë të gjitha në këtë vepër studimore me tezat e një „doktorature universitare“, autori hap për diskutim akadamik një çështje të mprehtë shqiptare: kush jemi dhe cila është pjesa jonë më ekzistenciale. Shqipëria duke qënë „kërthizë“ e gadishullit më të trazuar të kontinentit europian, natyrisht ka shumë për të thënë dhe sqaruar duke konfirmuar devizën se autoktonia shqiptare jo vetëm që nuk diskutohet, por studime të mëtejshme do të kristalizojnë të vërtetën e „turbulluar nga koha“. Studimi i Fatmir Terziut nga Londra është një sfidë e hapur ndaj vetë Akademisë Shqiptare, që në monotoninë e vet përgjumëse ende nuk ështe kthyer në „gardën kombëtare“ të mbrojtjes me „zjarr akademik“ të të vertetave gjithëshqiptare që shpesh mbulohen nga mashtrime ulëritëse nga fqinjët tanë.
Autori meriton përgëzime jo vetëm për guximin hulumtues, por edhe për dritën që hedh mbi një krahinë të harruar dhe nënvleftësaur nga regjimet dhe administratat qëndore shqiptare. Në fund të fundit Shqipëria është një dhe mbetet një unison ballkanik me vitalitet që po testohet sërish në kohë lirie.