Individë apo grupe që janë krijuar deri më tani janë më shumë emocionalë dhe nuk kanë një strategji apo plan veprimi për të kundërshtuar. Falë njohjeve të tyre apo mbështetjes që kanë, apo aksesit në media, kanë bërë edhe ato aktivitete kundërshtuese që janë bërë. Por këto nuk mjaftojnë dhe sigurisht që, përveç zhurmës, nuk kanë ndonjë efekt te politikëbërësi, që është edhe vendimmarrës apo investitori.
Duhet të krijohet një strukturë e mirorganizuar, me përfaqësues nga të gjitha grupet e interesit që janë kundër HEC (përfaqësues të banorëve, bizneseve, intelektualë, shoqata, media, publicistë, emigrantë, politikanë etj). Ky grupim duhet të ketë një mision të qartë të punës së tij, duhet të ketë besimin e njerëzve dhe të jenë të guximshëm në misionin që kanë marrë, si dhe të pakorruptuar.
Këto ditë në New York do të mbahet një protestë kundër ndërtimit të HEC Skavica. Një ide e mirë, pasi organizohet në kryeqendrën e botës dhe ku jeton një komunitet i madh dibranësh. Ka vite që flitet për Skavicën dhe ka po aq vite që individë, personalitete, publicistë, shoqata, grupe intelektualësh kanë botuar apo organizuar protesta kundër ndërtimit të HEC Skavica. Shumë mirë që janë bërë gjithë këto gjëra, me një qëllim, që është ngritja e zërit kundër HEC dhe në mbrojtje të të drejtës së dibranëve dhe Dibrës. Deri më sot dukej që nuk ka qenë ndonjë nismë serioze, sepse gjithmonë ishte qeveria shqiptare në mes, dhe kur nuk ke një qeveri serioze, edhe çështja nuk merret seriozisht. Tashmë duket se gjërat janë më serioze me ofrimin e investitorit amerikan. Unë po jap disa opinione se si të jemi më të qartë për procesin e ndërtimit të HEC Skavica.
Çështja e parë është që duhet me qenë të përgatitur për dy skenarë:
- Jo, HEC Skavica nuk do të ndërtohet.
- Po, HEC Skavica do të ndërtohet.
SKENARI 1: JO, HEC Skavica nuk do të ndërtohet.
Individë apo grupe që janë krijuar deri më tani janë më shumë emocionalë dhe nuk kanë një strategji apo plan veprimi për të kundërshtuar. Falë njohjeve të tyre apo mbështetjes që kanë, apo aksesit në media, kanë bërë edhe ato aktivitete kundërshtuese që janë bërë. Por këto nuk mjaftojnë dhe sigurisht që, përveç zhurmës, nuk kanë ndonjë efekt te politikëbërësi, që është edhe vendimmarrës apo investitori.
E para: Duhet të krijohet një strukturë e mirorganizuar, me përfaqësues nga të gjitha grupet e interesit që janë kundër HEC (përfaqësues të banorëve, bizneseve, intelektualë, shoqata, media, publicistë, emigrantë, politikanë etj). Ky grupin duhet të ketë një emër: “Aleanca kundër HEC Skavica” apo diçka tjetër. Kjo strukturë duhet të ketë një mision të qartë të punës së tij, duhet të ketë besimin e njerëzve dhe të jenë të guximshëm në misionin që kanë marrë, si dhe të pakorruptuar.
E dyta: Ky grup duhet të përzgjedhë një grup ekspertësh dhe specialistësh që të analizojnë me tregues teknikë dhe profesionalë të gjitha dëmet që sjell ndërtimi i HEC, të përgatisin një dokument studimor për këtë qëllim, i cili të jetë i krahasuar me studimin e fizibilitetit që kanë paraqitur qeveria ‘pro’ ndërtimit të HEC. Ky studim duhet të jetë me fakte dhe shifra për të demonstruar të kundërtën dhe të jetë i matshëm dhe real. P.sh., një fakt se nëse miliona euro që investohen në ndërtimin e HEC, do të investoheshin në bujqësi dhe agro-turizëm për zonën e Dibrës, cili do të ishte më ekonomik dhe më social?
E treta: Kjo strukturë ose ky grupim duhet të ketë një plan advokimi dhe masash të qarta që të kundërshtojë qeverinë dhe vendimmarrësit, që nga format paqësore demokratike (peticione, protesta, rezolutë në parlament etj.), në masat ekstreme demokratike që kapin ngushtë politikën (si p.sh., të gjithë anëtarët e PS të braktisin partinë dhe në votime masivisht kundër të majtës apo masa të tjera të ngjashme, kjo edhe për të djathtën nëse është vendimmarrëse), dhe pastaj një fushatë e mirorganizuar mediatike, ku të transmetohet mesazhi i saktë (jo njëri thumbit e tjetri patkoit), të lobohet në institucionet dhe forumet vendase dhe të huaja dhe të ketë një forcë kërcënuese personale dhe politike për të gjithë vendimmarrësit ose siç thotë shkrimtari i madh Agron Tufa te “Fabula Rasa”, “duhet të përdoren metoda vençe, siç i ka hije popullit të Dibrës”. Ky lloj presioni duhet të bëhet edhe jashtë Shqipërisë nga grupe apo përfaqësuesit e kësaj strukture në Amerikë apo kudo ku ka aktivistë.
SKENARI 2: PO, do të ndërtohet HEC Skavica.
Për këtë duhet të mbahet një qëndrim dhe të hartohet një strategji që dibranët të dalin me sa më pak humbje nga ndërtimi i kësaj vepre. Si në skenarin e parë, gjithmonë duhet të ketë të mirorganizuar strukturën që do të përfaqësojë dhe mbrojë banorët e Dibrës nga HEC Skavica. Struktura është ajo që thamë në skenarin e parë. Kjo strukturë duhet të:
– Të mbrojë alternativat që ndërtimi i HEC të sjellë sa më pak dëme. Kjo arrihet pas një procesi transparent dhe pjesëmarrës të përfaqësuesve të kësaj strukture në zgjidhjet teknike që jep kompania dhe qeveria për tipin dhe zgjidhjet teknike që jepen për HEC. Pra, në proceset e dhënies të alternativave të shkohet tek alternativa që bën sa më pak dëm, që mund të jetë një HEC me 3 diga dhe me 3 liqene të vogla, jo një digë dhe një liqen i madh. Këtu duhet të presion mbi kompaninë dhe qeverinë që të hapen konkurse për të dalë me disa alternativa teknike të HEC.
– Të mbrojë të drejtat e dibranëve si në aspektin social, ekonomik, mjedisor, politik për ato banorë që do të preken direkt dhe për banorët që nuk preken direk, por indirekt.
Banorët që preken direkt:
– Vlerësimi i pronës të jetë real, duhet të këmbëngulet. Kjo do të thotë se në listën e pronës të shkruhet tokë arë, kaq dynymë, në pronësi të “x” familje, dhe tokë pyll kaq ha, dhe në pronësi të “x” familje. Në një kolonë tjetër të shënohet nëse janë më dokument pronësie apo pa dokument pronësie, dhe masa e kompensimit të jetë për atë pronësi që ke në të vërtetë, jo për atë që ke apo nuk ke dokumente.
– Kompensimi duhet të jetë në disa mënyra:
E para, të kërkohet një kompensim sipas rregullave komerciale të tregut në Shqipëri apo në botë, kur zhvillohet një pronë, e cila ndryshon destinacion. Kjo do të thotë që banorët e prekur të jenë aksionerë në veprën e ndërtuar në përqindjen që ju takon. Për të negociuar për këtë duhet të përzgjidhen kompani biznesi që merren më këtë punë, për të dalë në modalitetet e pranuara. P.sh., pse në Tiranë kur ndërtohet një pallat i zoti i pronës merr 25-35% të pallatit, pse dhe banorët e kësaj zone mos jenë aksionerë në HEC?
E dyta, të kërkohet një mënyrë kompensimi sipas traditës në Dibër apo vençe, që kur zihet një sipërfaqe toke për ndërtim, kompensohet me të njëjtën sasi toke diku tjetër me të njëjtat kushte, nëse është më e keqe në raport 2 ose 3 herë më shumë. Pra, të kërkohet që, nëse këto banorë të lëvizin të ikin diku në luginën e lumit Erzen, Tiranë, Shkumbin apo diku tjetër dhe të kompensohen si me tokë arrë, kodrinë, pyll apo tjetër me raporte që do të bien dakord. Kompensimi i shtëpive apo pasurisë tjetër sipas normave dhe kokë më kokë. Pra, nëse ke humb shtëpi, të marrësh shtëpi, nëse ke humb plantacione me fruta, të marrësh plantacione me fruta, etj.
Banorët që preken indirekt.
Këto janë gjithë banorët e tjerë të Dibrës, të cilët në rastin e parë do të ndryshojë relievi, do të ndryshojë klima, do të vështirësohet lëvizja, do të zvogëlohet tregu vendas, do të bjerë fuqia blerëse, sasia e prodhimit dhe do të zvogëlohen mundësitë social-ekonomike. Për këta banorë, mënyra e kompensimit është komplekse dhe kërkon një marrëveshje të përhershme qeveritare, e cila konsiston në:
– Dibra të ketë një status të veçantë të trajtimit social, ekonomik dhe politik nga qeveria. Ky status i veçantë të zgjidhet me modalitet dhe të bëhet pjesë e ligjeve, procedurave dhe masave qeverisëse. Ata të paktën duhet të sigurojnë:
– Program zhvillimi të veçantë me fonde të dedikuara për Dibrën për zhvillimin e bujqësisë, turizmit, sipërmarrjeve dhe ekonomisë lokale në përgjithësi;
– Investim për të rritur aksesimin me rrugë dhe ura apo vepra të tjerë për të mos mbetur xhep i një territori me liqen në mes.
– Për banorët/familjet me të ardhura të vogla të ketë bonuse të veçanta për të siguruar me ushqim dhe nevojat e tjera jetike. Këto të jenë me status të veçantë vetëm për Dibrën.
– Bursa dhe forma të tjera të mbështetjes së fëmijëve për edukim, pasi zvogëlimi i numrit të nxënësve do të çojë në mbylljen e shumë shkollave dhe vështirësi për arsimin e nxënësve. Një politikë e veçantë për arsimimin e fëmijëve duhet për Dibrën.
– Fonde të veçanta të dedikuara për sipërmarrjet e reja dhe inovacionin. Për të zhvilluar degë apo sektorë të tjerë të ekonomisë, të lidhura më shumë më ekoturizmin dhe mjedisin.
Këto ishin disa ide dhe mendime që desha t’i ndaja sot. Një pjesë e tyre janë të mbledhura nga diskutime me miq dhe shokë që e duan Dibrën dhe nuk kanë vetëm autorësinë time (sidomos me inxhinierin Edmir Sula), dhe një pjesë janë listë dëshirash, por që këto të jenë sa më afër realitetit duhet patjetër të ketë një strukturë të fortë që të përfaqësojë dibranët për këtë çështje dhe një strategji të saktë dhe me plan veprimi. Përndryshe, do të bëhet siç u ka dashtë qejfi qeverisë dhe interesave të një grupi të vogël njerëzish që përfitojnë, dhe ne do të jemi dëshmitarë të një liqeni të madh. Në fund ne duhet të përpiqemi të dalim sa më të mbrojtur nga kjo vepër, por asnjëherë të hyjmë në luftë mes vetit, me rajonet e tjera siç duan të na fusin apo të na faturojnë idenë se po lemë Shqipërinë pa rezervë energjetike, apo historira të tjera….