Nga Neki Osmani \ Osman Xhili
Historia shqiptare dhe ajo e Dibrës në mënyrë të veçantë, ka kaluar në periudha tejet të vështira. Njëra prej tyre, padyshim që do të ishin vitet 1913 deri më 1920, që përkojnë me mësymjet e shpeshta serbe, për të marrë Dibrën, e më pas për të dalë në zemër të Shqipërisë. Bilancet janë tronditëse dhe që ngelen gjatë në kujtesë. Ne nuk do shkruajmë për Dibrën në tërësi, pasi profesori Kristo Frashëri e më pas studiuesi Moisi Murra, kanë shkruar qartë e bukur për këtë. Ne do të mundohemi të trajtojmë efektet e kësaj tragjedie në fshatin e Grezhdanit, me protagoniste familjen e nderuar Hoxha.
Në tetor të vitit 1913 ofensiva serbe u shoqërua me djegien në masë të fshatrave, vrasjen e mijëra njerëzve të pafajshëm, dhunimin e grave dhe vajzave të pambrojtura. Nuk u kursyen as pleqtë e fëmijët. Serbia e konsideronte Dibrën si tokë sllave të pushtuar nga turqit. Po tu referohemi të dhënave të nxjerra nga arkivi i rrethit, panorama tronditëse e asaj kohe bëhet më e plotë. Në Grazhdan janë vrarë 17 veta, shumica e të cilëve janë groposur në një varr kolektiv, pak poshtë urës së Grazhdanit. Për më tepër, dy prej këtyre fatkeqëve ishin fëmijë të mitur. Janë djegur disa shtëpi, janë grabitur 40 lopë, 200 dhen, 4 kuaj dhe 56 ton misër e grurë.
Më 2 shtator 1920 ofensiva serbe u përsërit për të disatën herë në Dibër. Një varg fshatrash në zonën e Maqellarës patën një fat tragjik. Gratë e fëmijët braktisën shtëpitë, kaluan Drinin dhe u sistemuan përkohësisht në fshatrat matanë, deri në Selishtë. Një pjesë tjetër u ngjit në mal, te Guri i Erebarës. Dibranët e pritën serbin me luftë, duke bërë që të mos i arrinte objektivat e tij. Në librin “Lufta e Dibrës e vitit 1920”, në faqen 231 thuhet: “Karaman Ismail Hoxha(1890), ka marrë pjesë aktive në kryengritjen e vitit 1920. Gjatë këtyre përpjekjeve, u kap së bashku me të jatin, Ismailin dhe me dyqanxhiun e fshatit, që ishte nga Dibra e Madhe. Gjyshja e Karamanit, Hajria, ishte bijë Herbeli dhe e dinte gjuhën sllave. Ajo u lutet serbëve që t’i falin dhe ata në këmbim kërkojnë një sasi floriri. Hajria e gjen floririn dhe ua sjell, por ata nuk e mbajnë premtimin. Në fillim vrasin Karamanin, pastaj Ismailin dhe në fund tregtarin. Kufomat mbetën për një kohë pa u varrosur, pasi njerëzit kishin ikur e fshati ishte bosh. Vetëm disa gra plaka dolën më vonë dhe i varrosën si mundën në oborrin e shtëpisë”.
Me vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Dibër, numër 72, datë 23-05-1978, Karaman Ismail Hoxha, shpallet “Dëshmor i Atdheut”. Ai luftoi në mbrojtje të trojeve shqiptare dhe u përjetësua në histori.
Fisi Hoxha, siç është shquar për bujari e dituri, ashtu ka shkëlqyer dhe për trimërinë e treguar, sa herë ka qenë nevoja. Në luftë për mbrojtjen e Shkodrës nga pushtuesit malazezë kanë shkuar për të luftuar Sadik Hoxha, Shaban Hoxha, Mislim Hoxha dhe Hajredin Hoxha, bashkë me burra të tjerë të fshatit. Kontributi dhe trimëria e kësaj familje dhe e këtij fisi u shtri dhe përgjatë luftës nacionalçlirimtare. Nasuf Hoxha morri pjesë me armë në dorë në brigadën e pestë sulmuese. Ai ndërroi jetë në moshën 22 vjeçare dhe vendin e tij e zuri i vëllai, Shuipi. Në radhët e kësaj lufte për çlirim morën pjesë Hamdi Hoxha dhe Osman Hoxha, që u dalluan për guxim e trimëri.
Djalim jetim, akoma i palindur
Me vrasjen e Karaman Hoxhës, bashkë me të atin, u duk sikur u shua jeta dhe aktiviteti i kësaj familje të shquar. Por Zoti nuk kishte thënë të ndodhte kështu. Gruaja e tij e re, Xhilja, kishte vetëm pak muaj shtatzënë dhe po priste ardhjen në jetë të një fëmije, që do të dëshironte shumë të ishte një djalë. E donte djalë se dëshironte që të rritej e zhvillohej trungu familjar, por dhe që ti vinte pikërisht emrin e të shoqit, Karaman Hoxha. Sërish Zoti i plotësoi dhe këtë dëshirë, duke i dhënë një djalë të shëndetshëm e kështu filloi të rritej Karamani i ri . I pashëm, i zgjuar e punëtor, ai shpejt mori drejtimin e familjes së madhe, siç ishin të tilla në atë kohë. Si rezultat, familja e madhe u rrit dhe u zhvillua ekonomikisht, derisa erdhi momenti i ndarjes së saj. Mani, siç i thërrisnin shkurt, më pas u kujdes për familjen e tij më të vogël, duke u dhënë edukatën e punës dhe dijes.
Mani gëzonte respekt të madh në shoqëri e miqësi, pasi bënte shumë për të afërmit dhe shoqërinë. Kështu, trungu i Karamanit të vjetër, jo vetëm nuk u shua, por u shtua dhe u fuqizua shumë më tepër me fëmijë, nipër, mbesa e shumë breza të tjerë. Një nga këta stërnipër, është dhe Lirim Hoxha, që ka mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë.
Lirim Hoxha, zëri i ngrohtë
i këngës dibrane
Thonë që talenti lind bashkë me njeriun. “Ka qenë diku nga klasa e pestë, – tregon Lirimi, – kur zysha e muzikës, Fatbardha Osmani, e pikasi talentin tim muzikor, nëse vërtet mund të quhej i tillë”.
Lirimi ndiqte festivalet e këngës në radio televizionin shqiptar, i mësonte këngët përmendësh dhe mundohej ti imitonte sadopak. Zysh Bardha e vinte t’i këndojë para klasës këngët e motrave Libohova, Parashqevi Simakut, Tonin Tërshanës, Bashkim Alibalit e shumë të tjerëve. Lirimi përjetonte kështu emocione të veçanta. Përfytyronte klasën si një skenë të vërtetë dhe shokët e shoqet, si një publik të zjarrtë që e duartokisnin pa fund.
Për momentin, jeta e tij nuk mundi të marrë drejtimin muzikor. Vazhdoi shkollën e mesme në gjimnazin e Maqellarës, por sërish nuk i ndahej këngës. Aktivizohej në korin e shtëpisë së kulturës në Maqellarë, në drejtimin e mjeshtrit Medat Burnazi. Ishte ky një ngushëllim, për të mos u shkëputur përfundimisht nga kënga, që aq shumë e pati dashur në fëmijërinë e tij. I doli e drejta e studimit për në shkollën e lartë, në fakultetin e inxhinierisë, dega gjeologji miniera. Tani dukej se çdo gjë kishte marrë fund në aspektin muzikor. Do të shtegtonte maleve të Dibrës e Shqipërisë, me çantën e gjeologut në shpinë, në kërkim të mineraleve të çmuar e do të merrte ndonjë melodi nëpër dhëmbë, shoqëruar me vargjet e këngës. Gurët, drurët e zogjtë e pyllit do të ishin publiku dhe juria që do të gjykonin për nivelin artistik të këngës.
Me shumë vështirësi të kohës, Lirimi pati siguruar një kitarë të zakonshme. Në fillim me gabime, pastaj duke u perfeksionuar, falë një pune këmbëngulëse e plot pasion. Në vitin 1995 mbrojti gjuhën angleze me notën maksimale, dhjetë, dhe kjo e njohu më nga afër me këngët e Beatles, Rolling Stones, Deep Purple, Pink Floyd, Metallica, The Doors, Nirvana e shumë të tjerë si këto.
Pak nga pak, Lirimi po e kuptonte se jeta e tij do të ishte përfundimisht e lidhur me muzikën, dashurinë e tij të parë. E kishte nxjerrë ëndrrën e vjetër nga sirtari, për të mos e futur kurrë më aty. Këndonte nëpër gëzime familjare, me një grup amator dhe shihte që këngët e tij po pëlqeheshin gjithnjë e më shumë. Një ditë, teksa këndonte një këngë të Aleksandër Gjokës, u afrua Agim Skara, që kishte nuhatur talentin muzikor të Lirimit. I tha se mund të vinte e të këndonte me estradën e Peshkopisë.
Ishte dalja e parë në një skenë akoma më profesioniste. Lirimi kujton se ka kënduar një potpuri të Afrim Muçiqit, shumë e njohur në atë kohë. Përgjegjshmëri e madhe para publikut, por që u prit mjaft mirë, mjaft ngrohtë, falë atyre duartrokitjeve, që nuk kishin të sosur. Pastaj vazhdon pjesëmarrja e Lirimit në çdo premierë të Estradës, si dhe në festivale popullore, brenda dhe jashtë vendit, Maqedoni, Kosovë e më tej akoma.
Moment i rëndësishëm në karrierën e tij artistike ka qenë pjesëmarrja në Festivalin e këngës qytetare në Pallatin e Kongreseve. Këndoi bashkë me kolegun e tij të njohur, Dritan Jashari, këngën “Bana brof e rashë në mal”, popullore e përpunuar nga kompozitori i talentuar dibran, Përparim Tomçini. Suksesi dhe mbresat e këngës ishin vërtet në lartësitë e pritshme. Pjesëmarrja në festivalin e këngës në Elbasan, ishte një tjetër kënaqësi e frymëzim për Lirimin, për të vazhduar më tej akoma.
Edhe pse tashmë ishte lidhur ngushtë me muzikën, një brengë e vogël sillej e pështillej në qenien e tij. Vërtet kishte mbaruar shkollimin e lartë, por jo për muzikë. Ishte i sigurt, se krahas dinjitetit, ajo do ti jepte akoma më shumë njohuri, që do ti shërbenin punës dhe jetës artistike në të ardhmen. Në vitin 2009, pas një përgatitje profesionale me profesor Burhan Spahiun, konkuron dhe fiton të drejtën e studimeve për kanto në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Duke qenë akoma student i kantos, aktivizohet me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, me shfaqje, koncerte e programe, brenda dhe jashtë vendit. Përveç Maqedonisë e Kosovës, skenat e Italisë, Gjermanisë, Suedisë dhe shumë shteteve të tjera u bënë normale e familjare për Lirim Hoxhën dhe shumë miq të tij artistë.
Realizimet e tij artistike janë të shumta, por ne po përmendim vetëm disa prej tyre: “Dibra e vogël, Dibra e madhe”, plot dhjetë këngë dibrane, krijuar e përpunuar prej mjeshtrit Tomçini, “Ta kërcejmë vallen dibrane”, “Moj dibrane, lulja e blinit”, “Inshallah, ti bohesh mbret”, “Beqarnisë ia grise kmishën”, “S’ka jetë pa dashni”, “Zemra ime fal veç dashuri” e shumë të tjera si këto.
Vetëm pak ditë më parë, Amari, djali i Lirimit, pati ditëlindjen. Lirimi u mendua gjatë se cila do të ishte dhurata më e bukur dhe më e denjë në këtë përvjetor. Diçka që nuk prishej, nuk digjej, nuk konsumohej. Një tortë do të konsumohej shpejt e do humbiste bukurinë e momentit, një tufë lule do të vyshkej në vetëm pak ditë. Një tufë të hollash do të shpenzoheshin në fare pak kohë. U mendua dhe ca më tepër dhe një ide i shkrepi në mendje. Do t’i bënte një dedikim krejt të veçantë, një baladë, që do t’i kushtohej djalit dhe do të titullohej, “Më e shtrenjta pasuri!”.
Të shumta janë idetë dhe projektet e artistit të talentuar Lirim Hoxha, të këtij vullkani gjithmonë aktiv e shpërthyes, por ne po e përmbyllim duke i uruar suksese në karrierën e tij artistike, jetë të gjatë djalit Amar dhe përherë lumturi në familjen e tij.