Vjeshtë në Dibër
Rriten prodhimet, por tregu vazhdon të jetë problem


Nga Osman Xhili

Vjeshta ka kohë që ka ardhur dhe njerëzit rendin të vjelin e të grumbullojnë prodhimet e stinës. Një pjesë frutash ka muaj që i kanë mbledhur si qershitë,vishnjat, kumbullat, apo ndonjë mollë të hershme verore. Tashmë është radha e mollës, rrushit, arroreve dhe ndonjë tjetër, që në fakt përbëjnë dhe pjesën më të madhe të tyre.
Të thuash të vërtetën, ky vit ka qenë i mbarë me prodhime. Molla, si zakonisht mban peshën kryesore të këtij prodhimi, me një rendiment në total mbi gjashtë mijë ton. Por ka një paradoks, pasi vitin që prodhimi është më i madh, kërkesat për produktin janë më të vogla. Pas shumë përpjekjesh fermerët arritën t’i shisnin prodhimet e tyre me një vlerë prej 30 deri 40 lekë, duke u ndjerë të lehtësuar, për tu marrë me pjesën tjetër të fushatës.
Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga fillimi, në varësi të tregut dhe shijes së konsumatorit. Varietete të tilla si Starking, Gold, Hajdaret, po zëvendësohen nga të tjerë Gold Melina, Fuxhi, Piklet e ndonjë tjetër dhe natyrisht, që këto ndryshime kanë kostot e tyre. Kjo kërkon që në të ardhmen të ketë studime të mirëfillta shkencore, në mënyrë që tu paraprihet gjërave e jo të mbetemi në fund të karvanit.
Pati fermerë, që këtë vit prodhuan mbi 100 ton mollë secili, si Veip Salkurti, Adriatik Kaja, Premtim Agolli, duke u bërë promotorë të këtij aktiviteti për fermerët e tjerë. Vlejnë të përmenden vëllezërit Kryemadhi, vëllezërit Mehmeti, apo dhe vëllezërit Tifeku, që prodhojnë sasi të konsiderueshme, por dhe prodhime cilësore, duke i pasur të prenotuara që më parë nga tregtarët.
Këtë vit qenë të mbara dhe prodhime të tjera si patatja dhe qepa, madje dhe tregu për to ka qenë shumë i leverdisshëm. Ato po shiten me një çmim shumë të leverdisshëm, që e kalon vlerën e 50 lekëve për kilogram.

MBJELLJET E VJESHTËS

Krahas mbledhjes së prodhimeve, vjeshta hap dhe një front tjetër shumë të madh angazhimi, siç janë mbjelljet e kësaj stine. Është pikërisht tetori, muaji vendimtar, që përcakton nëse do të korrim diçka për vitin tjetër. Të gjitha këto mbjellje futen në termin “të lashta”, por kuptohet që peshën kryesore e ka gruri. Ishte krijuar një trend rënie i kurbës së mbjelljes së grurit, në këto vitet e fundit. Nga tre mijë hektarë që mbilleshin para pesë gjashtë vitesh, ra nën nivelin e dy mijë hektarëve të mbjellë. Ndoshta ngritja e çmimeve në tërësi, por sidomos ajo e bukës, i bëri fermerët disi më të ndjeshëm, për tu kapur sërish pas kësaj kulture,që po shkonte në harresë. Këtë vit, dhe pse fushata akoma nuk ka përfunduar, mendohet se do të mbillen 500 hektarë më tepër me të lashta. Preferohen të mbillen varitete të tilla si ato italiane, Altezia dhe Antile, pobjeda serbe, ato franceze, Soisons dhe Apash. Ka dy vite që po kultivohet me shumë sukses dhe variteti francez Eusilda, që po kënaq dëshirat e fermerëve.
Ka shumë kohë që fermeri Ramazan Kaza po mban kreun e fermerëve, duke mbjellë gati çdo vit rreth 20 hektarë me grurë. Ai ka ekskluzivitetin e trajtimit të varitetit Apash, si farë gruri për fermerët e tjerë. Të shumtë janë ata fermerë që këtë vit kanë mbjellë më shumë se një hektarë me grurë. Në zonën e Maqellarës mund të përmendim fermerë të tillë si Pajtim Asllani, Çlirim Sallai, Qatip Doda, Gëzim Shamku, Miri Turshilla, Gëzim Toçi e shumë të tjerë si këto. Ndofta dhëna e subvencionit të naftës për fermerët ka qenë një shtysë jo e vogël në këtë drejtim. Ishte risi këtë vit dhënia e një mijë litra naftë për çdo hektarë tokë të mbjellë. Numri i fermerëve përfitues të naftës ishte plot njëmijë veta.
Vërtetë që gruri ka peshën kryesore tek të lashtat, por fermerët kanë shtuar disi mbjelljen e thekrit dhe elbit, pasi kanë një rezistencë më të madhe ndaj fusariozës dhe disa sëmundjeve të tjera. Një interes të veçantë kanë zgjuar përzjerjet foragjere , që vijnë nga Italia, që kanë si përbërës burxhakun, thekrën, loliumin dhe grurin. Ky kombinim i këtyre kulturave jep një masë të jashtëzakonshme mase të njomë, deri në 600-700 kuintalë për hektarë. Mund të jenë mbi 20 fermerë, që e kanë eksperimentuar këtë gjë dhe kanë mbetur shumë të kënaqur.
Nuk mund të lëmë pa përmendur një fermer të shquar të Maqellarës, Selim Kosiqin. Prej vitesh ai përpiqet që të mos heqë dorë nga mbjelljet tradicionale. Këtë vit ai mbolli katër dynym misër me fasule, duke marrë rendimente vërtetë fantastike, mbi 40 kuintalë misër dhe mbi 7 kunjtalë fasule. Fasulen e shiti me tre mijë lekë kilogramin dhe në total nga katër dynymë të mbjellë mori 3,5 milion lekë.

HALLET NUK KANË TË SOSUR…

Fermeri dibran përpiqet ta mbajë traditën e të parëve në bujqësi dhe blegtori, por ndjen që toka po i rrëshqet nën këmbë. Qatip Doda,përgjegjësi i bujqësisë në Qarkun e Dibrës, numëron disa arsye që kanë çuar në këtë situatë.
Uji për vaditje mungon në gati gjysmën e sipërfaqes të tokës arë dhe kjo i vështirëson mjaft gjërat. Shumë liqene e kanale vaditës, të ndërtuar që para viteve nëntëdhjetë, janë jashtë funksionit, ku shumica e tyre për probleme mjaft të vogla.
Një tjetër problem është largimi i të rinjve nga vendi, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë menaxhimin e fermave. Ka raste fushatash si vjelja e qershisë, rrallimi dhe vjelja e mollës, që kërkojnë forca pune dhe pse jo dhe me njëfarë specializimi.
Nëse përmendëm që u bë një punë e mirë me naftën për fermerët, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për subvencionet,ku deri tani vetëm 20 përqind e aplikantëve kanë përfituar.
Me gjithë zhurmën mediatike që bëhet, subvencionet e shtetit kanë qenë si me pikatore. Krahasuar me Kosovën dhe fqinjin tjetër, Republikën e Maqedonisë së Veriut, jemi shumë prapa. Atje ndihmohet fermeri për mbjellje, për bujqësinë dhe frutikulturën në një masë shumë të kënaqshme. Kur të kujtohemi ne ti kthehemi bujqësisë dhe të investojmë në të , njerëzit do jenë larguar masivisht e nuk kthehen më.
Shpesh problem mbeten farërat e pakontrolluara, që vijnë nga shtete të ndryshme. Pika fundore që e pëson, natyrisht që është fermeri. Askush nuk e kompenson në rast humbje dhe pse ai i ka bërë të gjitha shërbimet e duhura teknologjike. Problemet janë dhe me pesticidet, janë apo nuk janë të çertifikuara, e kështu me radhë.
Padyshim që dhe tregu është një mister në vete dhe nuk ka asgjë të garantuar. Kemi parë të hidhen mollët e kalbura, nganjëherë hidhen qepët e patatet e herë tjetër hidhet qumështi në rrugë. Kur do ti eliminojmë të gjithë këto faktorë negativë, që sfidojnë suksesin e fermerit? Kur do ta kuptojmë se akoma një pjesë e mirë e popullatës jeton në fshat dhe nuk kërkon asnjë lloj punësimi? Fermerët vetëm prodhojnë e prodhojnë për qytetin, duke punuar në shi e në diell, në të ftohtë e në të nxehtë. Le tu kushtojmë pak vëmendje këtyre heronjve, që nuk kanë orar pune e nuk kanë pushim në fundjavë. Pak kujdes për to do të na shpërblehet shumëfish prej tyre dhe e ardhmja jonë dhe e fëmijëve tanë do të jetë më e mirë.