Abdurahim Ashiku: Është koha për një memorial që i bën nder Dibrës mbarë


 

E ndjej si obligim qytetar që t’ju përcjell respektin tim për nismën me të vërtetë madhore që arritët ta realizoni: 100 vjetorin e betejës historike të Lanë-Lurës dhe 100 vjetorin e vendosjes së kufijve që edhe sot kemi, me veprimtari të gjëra që nga rivendosja e lapidarit të Lanë-Lurës, Konferencës Shkencore në Peshkopi dhe tash të Konferencës Shkencore “100 VJET NGA LUFTA E DIBRËS”, Tiranë, 20 dhjetor 2021.
Ju falënderoj për ftesën që më bëtë, ftesë që kishte brenda edhe shpenzimet e udhëtimit dhe të fjetjes.
E kisha me dëshirë të madhe ardhjen, kumtimin e punimit tim të hershëm “Kryengritja dibrane e shtatorit 1913 në shtypin e kohës”, takimin me shokë e miq, shkëmbimin e mendimeve për veprimtari të tjera në vlerë të vendlindjes sonë, Dibrës, të kësaj e asaj ane të kufirit shqiptaro-shqiptar, të së sotmes dhe të ardhmes së saje, në veçanti të mbrojtjes së ditës nga “serbi” i ri, “serb” që e kemi brenda vetvetes, “serb” që ka vendos “artilerinë e rëndë” në Skavicë, për ta zhytë e mbytë Dibrën, për ta qit fare e për ti përcjellë njerëzit muhaxhirë si në vjeshtën e parë 1913.
E kisha dëshirë që tu bëja thirrje vlerave shkencore të Dibrës dhe më gjerë për ti thënë “JO SKAVICËS”.
Do të desha që ti propozoja Konferencës ngritjen e një kompleksi të madh historik të kryengritjes dibrane të 20 shtatorit 1913 me në qendër pesë dibranët që siç thotë gazeta “Përlindja e Shqipënies” vjeshtë e parë 1913, 18/1 me titull “Luftimet e shqiptarëve kundër serbëve”
“Më parë se të vijnë luftëtarët në Dibrë, ushtria serbe burgoi tetëdhet veta nga parësia e vendit, me qëllim që t’i vrasin dhe të nesërmen, Kur u rradhuan për me i plumbos, i arritën Malësorët, andaj s’munden me i vra të gjithë, por veç pesë shpirt.
Këta janë ata që ranë dëshmorë për lirimin e atdheut të vet, të cilëve historia meriton t’i shkruaj emënat e tyne për një kujtim të përjetshëm: Sheh Hyseni, Sadullah Strazimiri, Ramiz beu, Karafil beu, Numan Efendiu. U ndrittë shpirti”.
Mendoj se ka ardhë koha që Bashkia e Peshkopisë në bashkëpunim me Komunën e Dibrës së Madhe, në Këshllanë e Dibrës ku ranë dëshmorët të hapin themelet e një memoriali që i bën nder qytetit, Dibrës mbarë.
Mendoj se edhe mbështetja financiare, nisur nga degëzimi biologjik i dëshmorëve, do të jetë e lehtë.
Më vjen keq, nuk mundem me ardhë. Një problem shëndetësor ma këput këmbën, por jo shpirtin për të qenë mes jush në këtë ngjarje që unë e quaj Festa më e madhe historike e Dibrës e të gjitha kohëve.
Me respekt
Abdurahim Ashiku
Athinë 17 dhjetor 2021