Vlora, Dibra, Kopliku dhe Korça i kthyen sovranitetin dhe territorialitetin e humbur shtetit shqiptar
Trajtohet për herë të parë në nivel akademik lufta heroike 9-vjeçare kundër pushtuesve serbë
Për herë të parë historia e luftës heroike 9-vjeçare të Dibrës kundër pushtuesve serbë bëhet objekt kërkimor në nivel akademik.
Më 20 dhjetor 2021 Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve të Historisë Ushtarake dhe shoqatën “Çidhna dhe Kastriotët” organizuan konferencën shkencore “100 vjet nga lufta e Dibrës”.
Akademik Skënder Gjinushi përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi institucionet bashkëpunuese për organizimin e konferencës shkencore “100 vjet nga Lufta e Dibrës”. Ai tha se kjo konferencë zhvillohet në vijim të veprimtarive të tjera për ngjarje jubilare që lidhen me dekadën e parë të shtetit shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë.
“Kemi përkujtuar e nderuar 100-vjetorin e themelimit të shtetit, 100-vjetorin e krahinës autonome të Korçës, 100-vjetorin e Kongresit të Lushnjes, 100-vjetorin e Luftës Kombëtare të Vlorës dhe sot jemi për të vlerësuar e nderuar 100-vjetorin e Luftës së Dibrës.
Kjo është dekada gjatë së cilës ndodhi procesi historik i kalimit nga shpallja e Pavarësisë tek njohja dhe rikonfirmimi i saj. Dhe në këtë kontekst Lufta e Vlorës dhe Lufta e Dibrës kanë qenë ngjarje që e bënë pavarësinë të vërtetë, sepse i kthyen shtetit shqiptar sovranitetin në gjithë territorin e tij, penguan copëtimin e vendit dhe vendimet e padrejta për rishikimin e kufijve të Shqipërisë caktuar më 1913.
Ashtu siç Lidhja Shqiptare e Prizrenit përgatiti Shpalljen e Pavarësisë, ashtu Lufta e Vlorës dhe ajo e Dibrës vulosën vetë pavarësinë.
Lufta e Dibrës qe një luftë popullore, që shfaqi të njëjtat ndjenja e veprime atdhetare si dibranët që kishte në krah themeluesi i shtetit shqiptar Ismail Qemali: dom Nikollë Kaçorri e Vehbi Dibra. Figura të tilla si Elez Isufi e Isuf Xhelili, Ismail Strazimiri, Jashar Erebara, Osman Paci, janë të përmasave kombëtare dhe meritojnë nderimin tonë.
Lufta e Dibrës dëshmoi se historikisht Shqipërinë e kanë dashur “të madhe” vetëm nëse do të ishte nën sundim dhe pavarësinë e saj kanë qenë të detyruar ta njohin vetëm kur dikush tjetër ka tentuar të shtrijë fuqinë e vet ushtarake dhe regjimin e pushtimit”, – tha akademik Gjinushi.
Më pas përshëndeti z. Mustafa Tola, kryetar nderi i shoqatës “Çidhna dhe Kastriotët”, i cili falënderoi Akademinë e Shkencave për konferencën që përkujton këtë ngjarje me rëndësi jo vetëm për historinë e Dibrës, por për gjithë shqiptarët.
Sipas një programi me larmi tematike, në 19 referate e trajtesa u evidentuan ngjarjet, prijësit, heronjtë dhe aspekte organizative e taktiko-luftarake të kësaj lufte legjendare.
Referuan akademikët Pëllumb Xhufi, Shaban Sinani, Beqir Meta e Marenglen Verli; profesorët e studiuesit e njohur Paskal Milo, Adem Bunguri dhe Bajram Xhafa; si dhe Bernard Zotaj, Zaho Golemi, Moisi Kamberi, Asllan Zemani, Dritan Murrja e Sali Kadria.
Kontribute paraqitën edhe historianët e studiuesit dibranë Xhafer Martini, Ali Hoxha, Mustafa Tola, Zabit Lleshi, Kadri Dauti, Haki Përnezha etj.
Akad. Pëllumb Xhufi e vlerësoi Luftën e Dibrës si një nga hallkat kryesore të lëvizjes për pavarësimin e Shqipërisë në përgjigje të kundërveprimeve për ndarjen dhe përcaktimin e kufijve nga Fuqitë e Mëdha, ndërkohë që Serbia po zgjeronte planet e saj për pushtimin e trojeve shqiptare.
Prof. dr. Paskal Milo foli për aspektin diplomatik të rezistencës dhe luftës së dibranëve kundër ndërhyrjes dhe pushtimit jugosllav (1918-1921) dhe e konsideroi këtë moment historik si rizgjimin kombëtar, ndërkohë që forcat serbe mbanin në vitin 1918 të pushtuar krahinat verilindore si dhe ato të Dibrës së Poshtme. Prof. Milo tha se ndërkohë që Serbia po ngrinte administratat e saj në trevën e Dibrës, kjo luftë frenoi vendosjen e regjimit jugosllav në Shqipëri. Lufta e Dibrës 100 vite më parë ishte akti i fundit i përpjekjeve për sigurimin e unitetit territorial të shtetit shqiptar. Ishte vijimi dhe pëmbysja e një procesi historik kombëtar që nisi me Kongresin e Lushnjës, vazhdoi me luftën e Vlorës e përfundoi e luftën e Dibrës
Akad. Beqir Meta foli për situatën e ndërkombëtare kur u zhvillua Lufta e Dibrës, ku vlerësoi fillimin e ndryshimeve pozitive në politikën britanike, që u shpreh edhe me mbështetjen e Shqipërisë për pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve.
Rreth figurës së Elez Isufit foli akad. Shaban Sinani në kumtesën “Lufta e Dibrës sipas Ismail Strazimirit”. Duke iu referuar librit me kujtime të Strazimirit, sipas tij, një protagonist parësor në Dibër e në gjithë Shqipërinë dhe dëshmuesi më i besueshëm i saj, akad. Shabani tha se Shqipëria e kujtimeve të Ismail Strazimirit është një republikë tribale, një shtet etnografik. Midis argumenteve themelorë ku shfaqet dëshmia historike e tij janë: përhapja e esadizmit nëpër Shqipëri; konflikti i anadollakëve me europeistët për qeverisjen e saj; vizitat e Esad pashës në Dibër dhe kthimi i tij nga Serbia po përmes Dibrës; vetëshpallja e Ahmet Zogut kryetar i Matit dhe Dibrës; grindjet e fabrikuara të tij për shenjat e flamurit kombëtar; lufta e Shkodrës, lufta e Kolesianit; shpallja e republikës së Mirditës; lufta e popullit të Dibrës për rikthimin në kufijtë e përcaktuar më 1913; ngutja e Hasan Prishtinës për të filluar një veprim luftues ndaj Serbisë para se ushtritë austrohungareze të zbrisnin më në jug të saj; gabimet e disa atdhetarëve me emër në viset veriore të Shqipërisë; lëvizja dibrane e marsit të vitit 1922 dhe rrethimi i qeverisë në Tiranë; qendresa e shtëpisë së Ndreut dhe vdekja e Elez Isufit prej plagëve. Mbi të gjitha ky është një libër për Elez Isufin, këtë hero popullor që bënte luftën dhe e fitonte dhe pastaj kthehej në kullë të tij. Ai jep shpjegimet më të vërteta dhe më bindëse për çdo veprim të Elez Isufit.
Prof. asoc. dr. Moisi Kamberi foli më gjerë për rëndësinë e Kuvendit të Arrasit dhe betejën e Lanë-Lurës, duke i quajtur si kulmin e zhvilimit të ngjarjeve shqiptare zhvilluar në Shkodër-Dibër-Vlorë dhe si një pikë kthese në zhvillimet shqiptaro-jugosllave. Ai tha se kryengritja e gushtit e 1920-së Lan Lurës shënoi dukuri e strategji të shkëlqyera të udhëheqësve popullorë e të forcave vullnetare dibrane kundër një armiku të pabarabartë të pajisur mirë me armatim e municion.
Kadri Dauti foli për Luftën e Sërpetovës, si hallkë e rëndësishme e zinxhirit të luftërave dibrane kundër serbëve, e qëndresës atdhetare dibrane, me ndikim të madh në vendimin e Konferencës së Ambasadorëve, më 9 nëntor 1921, e cila hodhi poshtë pretendimet jugosllave për “vijën strategjike” në perëndim të Dibrës. Me këtë luftë, populli dibran copëtoi propagandën dhe përpjekjet e bandës së Esad Toptanit për të manipuluar opinionin dibran dhe atë shqiptar, se Serbia ka ardhur në Shqipëri si vëlla.
Haki Përnezha foli për luftën e Çidhnës në vitet 1912-1921, ku shovinistë serbë, pasi pësuan humbjen më 22 shtator 1913 filluan hakmarrjen duke vrarë, prerë e shkatërruar gjithçka.
Akad. Marenglen Verli, në kumtesën e tij “Qëndresa kundër pushtuesve serbë në vitet 1912-1913” u përqendrua në argumentimin e shkaqeve që i detyruan shqiptarët e Dibrës e më gjerë që të organizojën një qëndresë shumëformëshe kundër pushtuesve serbë deri tek kundërshtimi me armë që arriti kulmin në kryengritjen e 1913-s.
Ai tha se politika e terrorit të shpërnguljes që ushtruan në ekstrem qarqet drejtuese të Beogradit nëpërmjet instrumentave të tyre të dhunës në Dibër dhe në trevat e tjera shqiptare, nuk u la alternativë tjetër shqiptarëve, pëveçse të rezistojnë me të gjitha mjetet e rezistencës. Ata nuk mund të pajtoheshin me alternativën e nënshtrimit dhe asimilimit. Me këtë kryengritje që zuri fill me luftën ballkanike në tetorin e vitit 1912 dhe vazhdoi për vite të tëra duke i kushtuar një humbje të jashtëzakonshme demografike popullsisë së trevës së Dibrës, dibranët e vijuan qëndresën edhe më pas edhe pas vitit 1920, kur u krijua mbretëria kroato- slloveve (jugosllave) dhe qëndruan gjithnjë pjesë e rëndësishme e lëvizjes shqiptare për çlirimin e bashkimin kombëtar.
Prof. dr. Bajram Xhafa mbajti temën “ Pse zgjati 9 vjet lufta e Dibrës?”.
“Krajlat e Ballkanit dhe të përtej Ballkanit deshën ta shkyenin copash Shqipërinë e shkatërruar plotësisht në Luftërat Ballkanike 1912-1913, të mbytur në gjak e të pambrojtur nga askush”, theksoi Xhafa në referimin e tij.
“Luftërat dhe pas-luftërat ballkanike qenë një genocid e pastrim etnik nga koalicioni i krishterë ortodoks ballkanik mbi shqiptarët. Shkaku i gjakderdhjes nëntë vjeçare të shqiptarëve ishte anatema e Evropës ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës më 1912-1913. Principata Shqiptare e Konf. së Londrës sipas diplomatit amerikan Ëiliams, qe vetëm një sundim tiranik dhe një despotizëm i deklaruar me urgjencë; mesa gjykohet, kjo qe një anarki për të shkaktuar revolucione. E tillë mbeti ajo edhe më pas dhe vazhdon edhe sot. Luftat dhe revolucionet u bënë kodi i fatit dhe jetës së shqiptarëve. Historia e Luftës së Dibrës (1918-1921) dhe fati i saj është shëmbëlltyra tipike e tragjizmit shqiptar. Këngët heroike të trimave të luftës, dibranët dhe gjithë shqiptarët duhet t’i shndërrojnë në këngë vaji”, theksoi prof. dr. Bajram Xhafa.
Prof. dr. Adem Bunguri mbajti referimin me temë “Barbarizmat serbe në Dibër në vitet 1913-1921”. “Vështirë të gjendet në Europë, një rast tjetër i ngjashëm, i krahasueshëm me urrejtjen patologjike të serbo-sllavëve ndaj shqiptarëve, i ardhacakëve ndaj autoktonëve” – theksoi në fillim të referimit të tij prof. Adem Bunguri.
“Sipas burimeve historike bizantine, serbët lidhen me valën e fundit të invazionit skllaven në gad. Ballkanik, rreth viteve 630-640 pas Kr., pra në periudhën e fundit të sundimit të perandorit Herakli. Kronikat paleobizantine janë të mbushura me krime të shumta të turmave skllavene e atyre barbare mbi ilirët autoktonë. Që atëhere e deri më sot, mund të thuhet se serbët kanë qenë dhe janë në armiqësi të hapët me ilirët dhe më vonë me shqiptarët autokton”, tha mes të tjerash prof. Bunguri.
Prof. asoc. dr. Zaho Golemi foli për udhëheqësit e kryengritësve në Luftën e Dibrës dhe theksoi se kjo kryengritje nisi kur qeveria e Beogradit vazhdonte t’i mbante forcat në kufijtë strategjikë me Shqipërinë dhe filloi të ndërtonte fortifikime e posta doganore.
Kumtesa e dr. Asllan Zemanit për armatimin, veshjen dhe organizimi e prapavijës në Luftën e Dibrës u fokusua tek krijimi i traditës ushtarake. Të tjera kumtesa vijuan nga prof. asoc. dr. Bernard Zoto për dukuri të artit ushtarak në Luftën e Dibrës; dr. Sali Kadria për profilin e nacionalizmit shqiptar në kontekstin e Luftës së Dibrës; dr. Dritan Murrja për krijimi i prefekturës së Drinit për mbajtjen e zgjedhjeve; Zabit Lleshi për betejën në Grykën e Vogël kundër serbëve në vitet 1912-1921 dhe Ali Hoxha për disa aspekte nga kryengritja e shtatorit 1913.
Në këtë sesion shkencor kishte referimin e tij edhe prof. dr. Halim Purellku, i cili nuk ishte i pranishëm, por tema e tij do të botohet në përmbledhjen e posaçme të kësaj konference.
Abdurahim Ashiku do të mbante temën e tij mbi jehonë e kësaj lufte në shtypin e kohës, por edhe kjo nuk u lexua për arsye kohe, ndërsa u lexua një mesazh i tij drejtuar konferencës.
Korresp. Rr.A.
Shënim: Materialet e plota do të botohen në numrat në vazhdim në gazetën “Rruga e Arbërit” si dhe në një botim të posaçëm.
Në qoftë se dëshironi të bëheni pjesë e projektit të botimit, mund të komunikoni për më shumë informacion në numrin 069 20 68 603.