Një shkollë me emrin e Heroit të Paqes Klodian Tanushi


Nga Halil RAMA

Pas botimit të librit vjen edhe nisma e dy organizatave kombëtare të veteranëve. Klodiani ishte model qytetarie, ushtarak shembullor, familjar i përkryer. Ndaj, dhjetëra janë vlerësimet e nderimet institucionale, që i janë bërë major Klodian Tanushit, për së gjalli dhe pas vdekjes

Kemi dëgjuar për monografi që fëmijët ua kanë kushtuar prindërve të tyre të njohur në histori për akte patriotike e heriozimi. Kemi lexuar me interes monografi për heronj e dëshmorë të atdheut, të shkruara nga autorë të ndryshëm, për vetë misionin e tyre historik të edukimit patrioikt të brezave. Por me heroin e paqes Kodian Tanushi, ndodh e kundërta. Është babai i tij, Basriu, autor i veprës monumentale (me 358 faqe) “Klodian Tanushi, Heroi i Paqes”, botim shumë cilësor nga Botimet M&B.
Pikërisht vlerat e kësaj vepre janë motivi i propozimit që dy organizatat e veteranëve: Komiteti Kombëtar i Org.Veteranëve të LANÇ dhe OBVL i kanë bërë Këshillit Bashkiak të Tiranës për emërtimin e shkollës së re te “Fresku” (Lagje 12) me emrin e dëshmorit Klodin tanushi.
Është kjo një vepër që përjetëson Heroin që përfaqësoi vlerat më të larta të ushtarakut shqiptar, jashtë vendit të tij, në kuadër të NATO-s, që bëri sakrificën sublime, duke dhënë jetën e tij të re në krye të detyrës në Letoni, si komandant i Forcave Paqeruajtëse Shqiptare.
Dy vjet më parë, Kryeministri Edi Rama, solli në vëmendje të opinionit publik kujdesin që u tregua nga ish-ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka për dy djemtë e major Klodian Tanushit, rënë në krye të detyrës më 10 maj 2019 në Letoni.
Nëse dy vjet më parë kur shoqëroi për në shkollë dy djemtë e Heroit të Paqes, ditën e parë të fillim vitit të ri shkollor 2019-2020 Xhaçka u shpreh se “familja e madhe e Forcave të Armatosura i gjendet pranë çdo efektivi të saj, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra për atë çka kanë më të shtrenjtë në jetë”, tashmë është koha për ta konkretizuar këtë premtim. Dhe kjo arrihet fare mirë qoftë dhe duke mbështetur propozimin e organizatave të veteranëve për ta përjetësuar ish-ushtarakun e vijës së parë Klodian Tanushi në shkollën ku do të mësojnë fëmijët e tij. Kështu do tía lehtësojnë sadopak dhimbjen prindërve dhe familjes së tij që jetojnë pikërish në zonën e Freskut ku po ndërtohet kjo shkollë.

Në Letoni, memorial për Klodian Tanushin dhe Zarife Hasanajn

Nësë në kampin e NATOS në Letoni është vendosur një memorial për Klodian Tanushin dhe Zarife Hasanajn, të cilët humbën jetën pas shpërthimit në bazën e NATO-s në Letoni, vendosja e emrit të Klodianit shkollës së re që po ndërtohet në zonën ku jeton familja e tij, do të ishte një vendim historik i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit. Nëse është mirëpritur nga opinioni publik emërtimi i i shkollës së Baldushkut me emrin e Feti Voglit dhe i një kopshti në Paskuqan me emrin e Zarife Hasanajt, e enjeta procedurë duhet ndjekur edhe për përjetësimin e emrit të Klodian Tanushit.
Në librin e babait të tij gjen mesazhe vlerësuese të personaliteve ndërkombëtare e vendase që e vendosin Klodian në panteonin e vlerave të kombit. Mjafton të perifrazojmë qoftë dhe Ministrin e Mbrojtjes të Letonisë Artis Pabriks se “Letonia është shumë mirënjohëse për aleatët tanë nga Shqipëria, për kontributin e tyre në praninë e zgjeruar të NATO-s në grupin e betejës”.
Nëse në ditën kombëtare të dëshmorëve në Letoni, përkujtohen dëshmorët më të rinj të Shqipërisë, major Klodian Tanushi dhe nëntetare Zarife Hasanaj, s’ka dyshim që në vendlindjen e tyre ata duhen pëkujtuar më me madhështi. Ndaj dhe emërtimi i një shkolle me emrin e Klodianit do të ishte vendimi i duhur.
Jeta e Klodianit, Zarifes dhe shumë të tjerëve që shërbyen dhe ranë heroikisht në në misionet paqeruajtëse flet për dinjitetin e gjakut që nuk bëhet ujë, për shembullin e krijuar që nga marrja e qumështit dhe këshillave të para të nënës e babait në djep, deri në përfshirjen në këtë familje të madhe të Forcave të Armatosura, e cila është e përkushtuar për të mbrojtur bashkësinë e madhe të njerëzve të këtij vendi dhe të Aleancës. Ata na tregojnë se paqja ka një çmim.
Dhe siç shkruan Kamber Faruku në parathënien e këtij libri: “Lapidari përkujtimor i djalit flokëverdhë dibran,majorit të NATO-s Klodian Tanushi, atje në Letoninë e largët, është një simbol i miqësisë mes popujve, që bën krenar jo vetëm familjen e Klodianit, nënë Lumen dhe babë Basriun, por çdo shqiptar. Ai lapidar I heroit të NATO-s është në sintoni me trimërinë dhe humanizmin shekullor të popullit shqiptar, i cili është ndezur si qiri edhe për lirinë e të tjerëve. Mijëra njerëz, në shekuj, do të qëndrojnë të heshtur dhe kuriozë para asaj pllake përkujtimore, si në një vend të shenjtë. Do lexojnë aty, do pyesin, do mësojnë dhe do nderojnë këtë luftëtar të përjetshëm të paqes”. Madje sipas redaktorit Faruku, ky është filli i kuq, i cili përshkon këtë libër, të shkruar me ndjenjë prindërore nga i nderuari dhe i papërkuluri me një karakter burrëror Basri Tanushi, shkëlqyer i Republikës së Shqipërisë.

Kontributi në Misionet Ndërkombëtare
të Paqes

Nuk ishte detyra e parë e Major Klodianit në misione ndërkombëtare paqeruajtëse. Kontributi i tij në këtë fushë është i shquar dhe i shtrirë në kohë. Pjesëmarrja e tij në misione ndërkombëtare është, si më poshtë:
Më 16 shtator 2012 deri më 6 mars 2013 ka marrë pjesë në misionin “Althea” në Bosnje-Hercegovinë, me detyrë komandant kontingjenti.
Më 19 qershor 2017 deri më 15 dhjetor 12017 ka marrë pjesë në misionin e NATO në Letoni, me detyrë komandant kontingjenti. Klodian Tanushi – Heroi i Paqes 283
Më 20 dhjetor 2018 deri më 10 maj 2019 ka marrë pjesë në misionin e NATO në Letoni, me detyrë komandant kontingjenti dhe përfaqësues i lartë ushtarak.
Më 6 maj 2019, gjatë një operacioni çminimi, ndodhi një incident i rëndë, ku mbetet e vdekur në vend nëntetarja Zarife Hasani dhe u plagos major Klodian Tanushi dhe nëntetar Julian Kapaj, nga shpërthimi i një mine. Pas katër ditësh, më 10 maj 2019, ndërron jetë edhe major Klodian Tanushi, duke mos iu bërë ballë plagëve të marra, me gjithë kujdesin e veçantë të mjekëve. Më 15 maj 2019, trupi i tij i pajetë u kthye në atdhe.
Më 16 maj u bë varrimi i dëshmorit Klodian Tanushi te Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Kur Klodiani kreu aktiv sublim të rënies në krye të detyrës ushtarake, ishte më pak se 39 vjeç, sepse ai kishte lindur më 31.10.1980. Major Klodiani u largua si burrat prej njerëzve të tij të dashur, prej miqve dhe shoqërisë, prej Forcave të Armatosura, kur ishte në më të mirën ditë, në më të mirën moshë, pikërisht atëherë, kur ai mund t’u jepte akoma më shumë kontribute familjes së tij të nderuar, shoqërisë dhe Forcave të Armatosura.

Dhjetra vlerësime e nderime institucionale
për Klodin Tanushin

Në librin “Heroi i heshtur i paqes”, referuar publicistit dhe shkrimtarit Fatos Daci, autori shkruan se “Klodiani ishte model qytetarie, ushtarak shembullor, familjar i përkryer. Ndaj, dhjetëra janë vlerësimet e nderimet institucionale, që i janë bërë major Klodian Tanushit, për së gjalli dhe pas vdekjes” Kjo sipas tij për faktion se mMajor Klodian Tanushi, pas rënies heroike në krye të detyrës, me vendimin nr.786, datë 13.5.2019, të Komisionit të Posaçëm Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, u shpall “Dëshmor i Atdheut”.
Me urdhrin nr.706, datë 31.5.2019, të Ministrit të Mbrojtjes, i jepet “Medalja e Nderit”ndërsa me urdhrin nr.554, datë 11.5.2019 të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë, i jepet Medalja “Luftëtari”.
Më 10 maj 2021, Presidenti i Republikës, Zoti Ilir Meta, me një ceremoni të posaçme solemne, dekoroi me “Dekorata e Artë e Shqiponjës” Dëshmorin, Major Klodian Tanushi (pas vdekjes).Kreu i shtetit vlerësoi kështu aktin sublim të Major Tanushi i cili lartësoi Shqipërinë dhe Forcat tona të Armatosura, si një anëtare e denjë e NATO-s, për t’u shndërruar, nëpërmjet profesionalizmit të tij të lartë dhe trimërisë së rrallë të dëshmuar, në një shembull të përhershëm frymëzimi për çdo shqiptar.
Gjatë karrierës së tij ushtarake qe vlerësuar: -Me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forcës; -Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm; -Medalje “Shërbimi në Mision jashtë vendi”; -Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga Ministri i Mbrojtjes; – Medaljen e “Mbështetjes” nga Komandanti i Komandës Mbështetëse.
Me vendimin nr.09, datë 23.12.2019, të Këshillit të Qarkut Dibër, Klodian Tanushi është shpallur “Qytetar Nderi i Qarkut Dibër”. Këtyre vlerësimeve të rëndësishme iu shtohet dhe një vlerësim tjetër me shumë vlerë. Një vit më parë, një vlerësim e nderim të lartë i bëri djaloshit trim dibran, major Klodian Tanushit, edhe Këshilli Bashkiak i bashkisë së Dibrës, me kryetar z.Sokol Sava. Ky këshill, me vota unanime, me vendimin nr.60, datë 10.4.2020, vendosi që rruga nga kryqëzimin i fundit i Bulevardit me rrugën e Pollozhanit, deri te ish Shkolla Bujqësore (Karburanti) të emërtohet “Rruga Klodian Tanushi”. Kësisoj, major Klodian Tanushi, “Dëshmor i Atdheut”, do të jetë përditë e për çdo kohë në mesin e banorëve të këtij qyteti, në kujtesën dhe shpirtin e tyre.
Major Klodian Tanushi shpalosi trimëri, guxim, përkushtim e profesionalizëm në kryerjen e detyrave ushtarake, që i ishin ngarkuar, si dhe dha kontributin e tij të vyer në mbrojtje të vlerave të paqes dhe sigurisë, kudo në botë. Ai përfaqësoi e vlerat më të larta të ushtarakut shqiptar, jashtë vendit të tij, në kuadër të NATO-s, bëri sakrificën sublime, duke dhënë jetën e tij të re në krye të detyrës në Letoni, si komandant i Forcave Paqeruajtëse Shqiptare. Më parë, për gati njëzet vjet, major Klodiani kishte dhënë kontributin e tij të çmuar edhe për forcimin e modernizmin e Forcave tona të Armatosura, duke komanduar në nivele të ndryshme me shumë profesionalizëm dhe përkushtim atdhetar. Major Klodian Tanushi ishte një djalë i ri, që gdhendi emrin e tij me shkronja të arta në historinë e Shqipërisë, është dëshmori më i ri nga ushtarakët shqiptarë, që ra në krye të detyrës në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në botë. Ishte një djalë i ri, me dashuri të madhe për jetën, për profesionin dhe për paqen, kudo në botë.