Donika Mustafaj: Ju rrëfej dibranët e mi


Donika Mustafaj

Brezat e rinj, jo vetëm ata dibranë, por në përgjithësi e njohin pamjaftueshëm historinë dhe traditat e vendlindjes së tyre. Historia, pjesë e rëndësishme e të cilës janë traditat, formon identitetin, qytetarinë. Një lënie e tillë pas dore e Historisë, një shpërfillje e tillë e rrënjëve, dëmton rëndë jo vetëm të sotmen, që jetojmë, por sidomos të ardhmen tonë si bashkësi dhe si komb
Dibranët janë sot të shpërndarë anembanë botës, janë gjithnjë e më të përzier me martesa jo vetëm me shqiptarë të viseve të tjera, por edhe më të huaj. Pra, kemi njëfarë shumëfishimi të “hapësirës dibrane”. Unë vërej me kënaqësi se kudo ende bien në sy si punëtorë të mëdhenj dhe njerëz që i kushtojnë vëmendje të veçantë pastërtisë dhe rregullit dhe sidomos njerëz që i merr malli për njeri tjetrin dhe kërkojnë mundësi për t’u takuar e për të ndarë sëbashku të paktën shijen për artin. Jo rastësisht ka shoqata të dibranëve që nga Tirana e deri në New York.

Nga Entela Resuli*

Në Odën dibrane. Fragment nga filmi.

“Kush është “dibranët” është filmi i ri dokumentar i Donika Mustafajt, prodhuar nga RTSH. Më parë ajo është bërë e njohur për publikun dhe vlerësuar lart nga kritika për veprat e saj si “Jetë pezull”. “Magjia klarinetë”, “Ustai i fundit”, kushtuar mjeshtrit të madh Laver Bariu, “Një amerikane në Tiranë”, “Fëmijëria peng”, “Autografi” apo “Marramendja”.
Ndërsa në veprën më të fundit, Kush është “dibranët”?, Donika Mustafaj përqendrohet tek një nga bashkësitë krahinore më të spikatura të Shqipërisë, dibranët, të cilin ajo nuk e ka zgjedhur rastësisht. Ajo vetë është dibrane.
Autorja nuk e fsheh që nxitjen e pare për këtë vepër e ka marrë nga “borxhi” që ndjente ndaj vendlindjes së vet. Pra, është një vepër e konceptuar në zanafillë si një himn për virtytet e dibranëve. Por himn në gjuhën artistike të Donika Mustafajt nuk do të thotë zbukurim dhe as rënie në folklorizëm. Ajo ka qëmtuar me seriozitet dhe realizëm në trashëgiminë e pasur kulturore dhe zakonore të kësaj krahine, e cila ndahet përgjysmë nga kufiri shtetëror midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke nxjerrë në pah kryesisht ato virtyte me vlerë të dyfishtë: edhe si përbashkuese të dallueshme midis dibranëve, edhe si arterie lidhëse jetike me identitetin kombëtar të shqiptarit.
Nëpërmjet një paradikme gjuhësore të theksuar qysh në titull, autorja synon të tërheqë vëmendjen te fakti se “dibranët” nuk janë një grumbull njerëzor me një fytyrë të përbashkët, por janë secili veç e veç individualitete me personalitet të qartë.
Duke u kujdesur për të mos rënë në kultin e të shkuarës, Donika Mustafaj shqyrton rrethanat historike dhe kulturore gjatë të cilave ka ndodhur rrënjosja e këtyre virtyteve në karakterin dhe në mënyrën e jetesës së dibranit. Ajo është e vetëdijshme se këto rrethana nuk gjenden më në realitetet e sotme shoqërore ku jetojnë dibranët. Por kjo nuk e lëkund aspak bindjen e saj se një trashëgimi e tillë përbën një thesar shumë të çmuar dhe të dobishëm për edukimin e brezave të rinj në përballjen e tyre të natyrshme me sfidat e zhvillimit të shoqërisë së konsumit në kontekstin e hapjes dhe të globalizmit. Një trashëgimi e tillë duhet të jetë për brezat e rinj sot siç është rrënja për pemët.
Filmi dokumentar Kush është “dibranët”? përbën një arritje të re në krijimtarinë e Donika Mustafajt dhe shënon rritje të dukshme në pjekurinë e saj si artiste.

“Kush është “dibranët”

Nëpërmjet një paradikme gjuhësore të theksuar qysh në titull, autorja synon të tërheqë vëmendjen te fakti se “dibranët” nuk janë një grumbull njerëzor me një fytyrë të përbashkët, por janë secili veç e veç individualitete me personalitet të qartë.
“Për të treguar se është e qëllimtë, unë kam përdorur thonjëzat. Kam dashur kështu të tërheq vëmendjen qysh në titull te një fakt. Ne, dibranëve, na drejtohen gjithmonë në shumës: “Ju, dibranët” a thua se, si bashkësi, ne kemi një fytyrë dhe një karakter të përbashkët me veset dhe virtytet, që përsëriten të shumëfishuara nga njëri te tjetri…
Dibranët janë, secili veç e veç, individualitete njerëzore të dallueshme qartë njëri nga tjetri. Në këtë film kam synuar edhe të tregoj si është krijuar ky stereotip me kalimin e kohës duke shqyrtuar ngjarjet historike dhe manifestimet artistike të njerëzve që banonin në territorin e quajtur Dibër deri në vitin 1990 duke i parë bashkë dhe jo të ndara dy Dibrat për të parë se si ata i kanë ushqyer apo mbështetur këto stereotipe që janë pjesë e identitetit kulturor dibrane.

-Zonja Donika, si lindi ky film ?
Kam një jetë në Tiranë, në fillim si studente, pastaj si grua, si bashkëshorte, si nënë, me një jetë të larmishme profesionale dhe private. Reagimi më i shpeshtë që kam ndeshur kur kam thënë se jam dibrane, ka qenë: “Ah! Dibrane, po!”. Kam shumë kohë që e mbaj në kokë dëshirën artistike për të bërë një vepër, ku të tregoja nga vjen ky perceptim i veçantë nga të tjerët për ne, dibranët. Mesa duket, tani që po i afrohem fundit të karrierës, u “poq” lënda, frymëzimi dhe i hyra punës.

-A e dinë dibranet historinë e tyre?
Mendoj se brezat e rinj, jo vetëm ata dibranë, por në përgjithësi e njohin pamjaftueshëm historinë dhe traditat e vendlindjes së tyre. Historia, pjesë e rëndësishme e të cilës janë traditat, formon identitetin, qytetarinë. Një lënie e tillë pas dore e Historisë, një shpërfillje e tillë e rrënjëve, dëmton rëndë jo vetëm të sotmen, që jetojmë, por sidomos të ardhmen tonë si bashkësi dhe si komb. Ky është mesazhi i filmit tim dokumentar: Kush është “dibranët”. Ata, qe ndërtuan nëpër kohë lë të themi imazhin e dibranit, kishin një mënyrë jetese, e cila po bëhet sot gjithnjë e më e rrallë. Sot po ndodh me shpejtësi njëfarë spastrimi kulturor gati – gati i dhunshëm në kujtesën tonë kolektive. Do të doja që ne si prindër të uleshim me fëmijët tanë tashmë të rritur për të shtruar pyetjen: A do të ishin krenarë të parët tanë për atë që ne kemi bërë me trashëgiminë e tyre? Ose: A duhet që fëmijët tanë t’i brejë sadopak meraku për t’u ndjerë të denjë për paraardhësit e tyre? Në kërkim të përgjigjeve për pyetje të tilla me siguri do e shohim më qartë dhe do e kuptojmë më mirë standardizimin që po pushton mënyrën tonë të jetesës.

-Nisur nga përvoja juaj në këtë rast, a është më lehtë apo me vështirë të bësh një film dokumentar për një vend e komunitet me të cilin ke lidhje të shumëfishta njerëzore, shpirtërore, kulturore?
Më besoni, lehtësia ishte vetëm në dukje, para se të filloja punën. Nëse ishte vërtet e thjeshtë për mua te identifikoja virtytet e dibranëve, nuk ishte aspak e tillë qasja për t’i deshifruar e për t’i rindërtuar ato me gjuhën e filmit dokumentar, ku duhej të tregoja në mënyrë bindëse për një publik jo dibran si u rrënjosën këto virtute në mendësinë dhe në mënyrën e jetesës së përditshme të këtyre njerëzve gjatë rrjedhës së kohës historike. Meraku im fillimisht si skenariste e pastaj si regjisore ishte për të thënë disa të vërteta pa zbukurime folklorike. Po ju sjell vetëm një shembull: pastërtia. Ajo është rezultat i një rrjeti detyrimesh, zbatimi i të cilave ka një çmim, e ku më kryesoret janë disiplina dhe bindja. Nuk po përmend dobinë e pastertisë për shëndetin. Atë e di gjithkush. Por, si praktikë, ashtu siç na është edukuar ne nga nënat qysh në vegjëli, historia e saj lidhet drejtpërdrejt sa me nocione racionale aq edhe me automatizma padyshim kufizues: jemi mësuar me një prag të lartë kërkesash, nën të cilat nuk ndihemi rehat. Zbërthimi i një vlere në dukje kaq shtëpiake dhe të pafajshme, e megjithatë kaq zbuluese, ishte i vështirë dhe delikat.

-Ju e paraqisni sikur kjo është një kriter kryesor vlerësimi…
Është një vlerë pozitive, legjitimiteti i të cilës vështirë të vihet në dyshim. Dibranët besojnë fort në pastërtinë, është një bast i sigurt. Ndikimi i saj vihet re në sjelljen tonë, në mënyrën e rregullimit të hapësirës, në vlerësimin që kemi për të tjerët, në ndjenjën e mirëqenies ose të parehatisë.

-A ka diçka që nuk shkon në titullin e filmit tuaj?
Kush është “dibranët”? përmban një mospërputhje morfologjike, keni të drejtë. Për të treguar se është e qëllimtë, unë kam përdorur thonjëzat. Kam dashur kështu të tërheq vëmendjen qysh në titull te një fakt. Ne, dibranëve, na drejtohen gjithmonë në shumës: “Ju, dibranët” a thua se, si bashkësi, ne kemi një fytyrë dhe një karakter të përbashkët me veset dhe virtytet, që përsëriten të shumëfishuara nga njëri te tjetri. `Ky është një stereotip pa ngarkesa negative. Por stereotip mbetet gjithsesi. Kurrë s’më ka ndodhur që dikush të më drejtohet në numrin njëjës: “Ti, dibrania”. Ndërsa e vërteta, në realitet, paraqitet krejt ndryshe. Dibranët janë, secili veç e veç, individualitete njerëzore të dallueshme qartë njëri nga tjetri. Në këtë film kam synuar edhe të tregoj si është krijuar ky stereotip me kalimin e kohës duke shqyrtuar ngjarjet historike dhe manifestimet artistike të njerëzve që banonin në territorin e quajtur Dibër deri në vitin 1990 duke i parë bashkë dhe jo të ndara dy Dibrat për të parë se si ata i kanë ushqyer apo mbështetur këto stereotipe që janë pjesë e identitetit kulturor dibrane.

-A ka një kufi midis së vërtetës dhe stereotipit?
Ka gjithmonë një bërthamë të së vërtetës. Por duke e bërë këtë lloj vëzhgimi një parametër identiteti, riprodhohen stereotipet. Është e gabuar të thuhet se dibranet në përgjithësi ndajnë të njëjtin koncept për pastërtin, nderin, besën e shumë të tjera pa dashur të bëj një listë të gjatë. Disa karakteristika transmetohen midis brezave, por ato duhet të riinterpretohen vazhdimisht.

-Të jesh dibran, çfarë do të thotë sot?
Është gjithmonë më e lehtë të shohësh qartë të kaluarën sesa të ardhmen. Sot dibranët nuk janë më si dikur, të bashkuar pse flasin të njëjtin dialekt dhe banojnë në të njëjtin territor, ndajnë bashkë gëzimet dhe hidhërimet e që rrjedhimisht e njohin njëri – tjetrin me rrënjë e me degë, dinë për njëri – tjetrin edhe sa lugë e pirunj ka në shtëpi. Ata janë sot të shpërndarë anembanë botës, janë gjithnjë e më të përzier me martesa jo vetëm me shqiptarë të viseve të tjera, por edhe më të huaj. Pra, kemi njëfarë shumëfishimi të “hapësirës dibrane”. Unë vërej me kënaqësi se kudo ende bien në sy si punëtorë të mëdhenj dhe njerëz që i kushtojnë vëmendje të veçantë pastërtisë dhe rregullit dhe sidomos njerëz që i merr malli për njeri tjetrin dhe kërkojnë mundësi për t’u takuar e për të ndarë sëbashku të paktën shijen për artin. Jo rastësisht ka shoqata të dibranëve që nga Tirana e deri në New York.

-Në vitin 2022 a është e vjetruar ideja e një identiteti dibrane? A po shkohet drejt një identiteti më të pasaktë?
Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj duhet të identifikojmë faktorët që kanë influencuar me shumë mbi Dibrën dhe dibranet pas viteve ’90. Emigrimi, migrimi, influencat e kulturave të ndryshme etj. Megjithate do të ishte e vështirë të parashikohen me saktësi efektet e këtyre faktorëve afatgjatë në përkufizimin e asaj se çfarë është sot te jesh dibranë. Sot dibranet duan të ruajnë përkufizimin e identitetit të së kaluarës. Ata kanë nevojë për një ndjenjë përkatësie ndaj një entiteti kulturor të mirëpërcaktuar. Kjo besoj ka ccuar në përjetesimin e namit të mirë.

-A shërben mësimi për kulturën e Dibrës dhe dibraneve për të përjetësuar stereotipet apo çon në mirëkuptim dhe tolerancë?
Do të kisha thënë të dyja. Takimet dhe veprimtaritë e përbashkëta kulturore, komunitariste, dashje pa dashje ushqejnë në sytë e të tjerëve stereotipet. Por unë, të them të drejtën, në gjithë këto vite jete jashtë Dibrës, në marrëdhënie familjare, shoqërore dhe profesionale me “jo dibranë”, kam vënë re me kënaqësi se ka shumë pak stereotipe negative për ne dibranët. Nga ana tjetër, këto veprimtari të përbashkëta i shërbejnë gjallërisht ushqimit të mirëkuptimit dhe tolerancës, cilësi këto që janë në substancën e kulturës jetësore të dibranit. “Oda dibrane” ishte një tempull i respektit dhe tolerancës për tjetrin.

-Sikur babai juaj te ishte gjalle, çfarë do të dëshironit t’ju thoshte pasi ta shihte filmin?
Babai im i ndjerë ishte një burrë shumë kërkues, ishte një perfeksionist në mënyrën e tij. Unë i kam pritur gjithnjë duke mbajtur frymën vlerësimet e tij për punët e mia. Ai ishte njësoj serioz si atëherë kur donte të sigurohej se i lava duart me sapun para së të ulesha në tryezë për të ngrënë edhe shihte dëftesën e notave të shkollës. Dëshira ime e parë në këtë rast do të ishte ta shihja me fytyrë të qeshur kur të ndizeshin dritat e sallës. Kështu do të mund t’i afrohesha duke e parë drejt në sy me shpresën se do të më thoshte se po, i kisha kuptuar dibranët.

-Ju jeni autore e afro njëzet filmave dokumentarë. Nëse do të detyroheshit të zgjidhnit vetëm njërin për t’ua lënë trashëgim brezave të ardhshëm, a do të ishte ky për Dibrën?
E kam sinqerisht të vështirë përgjigjen për një pyetje të tillë. Si çdo autor, edhe unë kam një lidhje të veçantë me secilën nga veprat e mia. Por, nisur nga fakti se këtu flas për njerëzit e mi, pra i laj një borxh vendlindjes, trashëgimisë time, do të thosha se këtë vepër e kam bërë jo vetëm me mendje, por edhe me zemër. Rrjedhimisht do të thosha se po, ky është filmi që po u lë brezave të ardhshëm. Duke e zgjeruar pak arsyetimin për të dalë përtej qasjes sentimentale, pra për t’i shkuar te mesazhi, unë këtu shtroj problemin e rëndësisë që ka tradita për të ushqyer krenarinë identitare, domethënë krenarinë kombëtare. Një ndjenjë të tillë e shoh si jetike për t’u përballur me sfidat e mëdha të progresit teknologjik dhe të zhvillimit globalist. Mbetem e bindur se tradita si këto, që kam pasqyruar unë këtu nuk janë për t’u mbyllur në muze. Pra, ato janë një ushqim i shëndetshëm për mënyrën e jetesës së njeriut shqiptar të sotëm dhe të nesërm. Ato çojnë tek modelet pozitive, për të cilat ka nevojë jetike edhe njeriu modern, pavarësisht se shumë punë ai i kryen dhe do t’i kryej nëpërmjet arritjeve të inteligjencës artificiale. Tradita dibrane është shenjtërim i moralit.

Marrë nga gazeta “Dita”