Shohim në gazeta e media vlerësime të punës së mësuesve, të mjekëve, inxhinierëve, agronomëve etj., por shumë rrallë shohim të shkruhet për punën me vlera të rëndësishme të ekonomistëve që kanë ushtruar këtë profesion nëpër zyra, pa bërë zhurmë dhe larg syrit të njerëzve. Në këtë shkrim do ju njohim me z.Luftim Kuka, njëri prej financierëve që për 50 vjet e ushtron këtë profesion me shumë dashuri, ndershmëri e përkushtim në ndërmarrjet dhe dikasteret më të rëndësishme të ekonomisë së vendit tonë.
Babaj i tij Jonuz Kuka ka punuar gjithmonë në administratë si përgjegjës i gjendjes civile, sekretar gjykate, ku dallohej për përdorimin e makinës së shkrimit me shpejtësi që askush nuk e bënte. Jonuzi ka punuar më pas disa vite në tregti, ku për arsye shëndetësore ka ndërprerë punën dhe familja ka kaluar një gjendje ekonomike të vështirë në vitet 1959-1967. Babai Jonuz, nëna Sabrie Kuka (motra e Ali e Rexhep Dishës) i rritën fëmijët me vështirësitë e kohës, por gjithmonë me pikësynime të qarta që të bëhen për ti ngjarë kohës. Prindërit ngulmonin që fëmijët të shkollohen dhe ia arritën qëllimit, pasi Luftimin e dërgoj në UT për ekonomist e vajzën Lumturie e dërgoj në shkollën e mesme të mamive në Korçë, që pas mbarimit me sukses të shkollës punoi në Zogje e Shupenzë mbi 10 vjet, ndërsa pas martesës punoj në Tiranë tek spitali civil dhe ai ushtarak si k/infermiere e pavijonit infektiv. Jonuz Kuka vdiq i ri kur fëmijët kishin nevojë për të ndjekur shkollat, pasi Luftimi ishte student në Tiranë dhe të tjerët në shkolla të mesme e 7-vjeçare.
* * *
Luftim Jonuz Kuka ka lindur në Zerqan më 01.09.1943 në një familje me tradita ku dashuria për arsimin e shkollën ishte prioriteti më i rëndësishëm i kësaj familje. Luftimi arsimin fillor e shtatëvjeçar e kreu në vendlindje. Kujton me rrrespekt të gjithë mësuesit e kësaj shkolle për përkushtimin e tyre në punën edukative e mësimore me nxënësit. Në veçanti ai kujton mësuesin e matematikës, Daj Aliun, si dhe mësuesit Gafurr Dervishi, Riza Novaku, Myslim Brata dhe të paharrueshmin Idriz Biba, drejtor i shkollës në atë kohë. Në vitin 1957 e caktuan të vazhdoj shkollën teknike bujqësore në Kavajë dhe në pedagogjike të Peshkopisë që nuk i donte dhe në vitin 1959 e dërgojnë në teknikumin ekonomik “Nako Spiro” në Tiranë, ku vazhdoj rregullisht duke qenë nxënës me rezultate të larta. E mbaron ekonomiken në vitin 1963 në degën financë-kontabilitet. Në shkollën e mesme Luftimi thotë se ka qenë aktivizuar rregullisht në aktivitete artistike si këngëtar i këngëve popullore, por më pas nuk e ka ndjekur këtë prirje, veçse në gëzime familjare apo me shoqërinë e tij.
Pas diplomimit Luftimin e emërojnë në NFP Bulqizë, në sektorin Thekën-Martanesh, me detyrë llogaritar, që ai e donte shumë si profesion. Jeta e tij në gjirin e punëtorëve, duke njohur realisht vështirësitë e burrëruan atë para kohe. Aty mbushi tre vite pune dhe vendos të vazhdoj shkollën e lartë në UT, fakultetin ekonomik, degën financë-kontabilitet, që kishte mësuar edhe në shkollën e mesme. Gjatë viteve të shkollës së lartë ai arriti të jetë në dhjetëshen e studentëve me rezultate më të larta. Natyrisht që ishin të rëndësishme edhe shkolla e mesme edhe tre vite përvojë pune si llogaritar e financier. Jeta studentore gjithashtu ishte për Luftimin shumë e rëndësishme duke njohur shokë nga gjithë Shqipëria dhe gjithashtu jetën në kryeqytetin e vendit që i dha mundësinë të njohë edhe jetën e qytetit. Edhe kultura në vendlindjen e tij, Zerqan, ishte për të e shtrenjtë dhe e bënte të ndjehej mirë në grupet shoqërore. Me mbarimin e shkollës së lartë në vitin 1970 kryen gjashtë muaj përgatitje ushtarak në Berat, siç ishte programi për mbarimin e plotë të UT.
Luftimi tashmë kuadër me arsim të lartë emërohet k/degës planit në ndërmarrjen e Minierës Kromit “11 heronjtë” në Batër Martanesh. Pas një viti e ngarkojnë me detyrën k/degës organizimit të punës e të pagave në këtë ndërmarrje deri në gusht të vitit 1975. Në këto vite Luftimi kujton me respekt drejtuesit e kolegët ku fitoj një përvojë të rëndësishme të ushtrimit të profesionit si financier-kontabilist duke bërë edhe kërkime e zbatime shkencore të njohurive të fituara gjatë shkollimit, por edhe gjatë punës në këtë ndërmarrje ekonomike të rëndësishme. Drejtues e specialistë të rrethit të Matit e vlerësuan nivelin profesional të Luftimit dhe i afruan disa pozicione në administratën e rrethit, por ai duke qenë shumë i lidhur me ushtrimin e profesionit në ndërmarrjen prodhuese të kromit, nuk i pranojë ato vende pune.
Në gusht të vitit 1975 e kanë transferuar për arësye të forta familjare në Ndërmarrjen e Minierës së Kromit në Bulqizë, në detyrën specialist në degën e financës. Në këtë kohë ai shpreh dëshirën të punojë në Kooperativën Bujqësore në Zerqan ku kishte banimin dhe e caktojnë k/degës së planit të kësaj kooperative. Aty ai u njoh nga afër me vështirësitë e mëdha të jetës e të punës në fshatin e lindjes e fshatrat e tjera dhe u befasua nga gjëndja e organizimit të punës me shumë probleme që bënin të vështirë për disa arësye ngritjen e nivelit ekonomik të kooperativës. Kontrasti ishte shumë i madh me organizimet në ndërmarrjet e minierës, por edhe rrugët për të dalë nga gjendja e dobët e të ardhurave ishte e vështirë. Personeli i administratës ishte me nivel të lartë shkencor si Hasan Okshtuni, Ilir Puca, Kasem Kaleci, Dalip Tollja, Sali Marku, që në nivelin e tyre profesional ishin shumë të përgatitur, por niveli i drejtimit lente shumë për të dëshiruar dhe ky kontrast bënte që puna e tyre të mos jepte efektin e duhur. Pesha për këtë divergjencë i bie edhe Luftimit që e largojnë nga puna për ta dënuar, por fati deshti dhe ndodhi ndryshe.
Luftimin e rimarrin në punë tek miniera e Bulqizës, ku kishte qene edhe më parë dhe e dinin mirë se sa i përkushtuar është ai për punën. Aty i ngarkojnë detyrën e specialistit në degën e kontrollit financiar, ku Luftimi gjen veten profesionalisht edhe për arsye se drejtuesit vizionar, si Martin Cukalla (drejtor) e Bujar Pata (k/inxhinier), Vasil Gruda, Vasil Jovani, Todi Sema, Jorgo Kola, etj., inxhinierë të talentuar, nuk i ndërhynin në realizimin sipas ligjeve të kontrollit financiar të kësaj ndërmarrje, pasi edhe ata e vlerësonin realisht rëndësinë e këtij kontrolli, që lidhej me zbatueshmërinë e ligjeve për investimet dhe studimin e efektivitetit të tyre në bilancin e suksesshëm të ndërmarrjes. Në këtë detyrë Luftimit ju dha mundësia të bëhet pjesë e ekipeve të kontrollit, që organizonte Ministria e Minierave në ndërmarrje të tjera nëpër Shqipëri. Në këto ekipe ai u njoh me përvoja të tjera të specialistëve të aftë që gjendeshin në ato ndërmarrje. Duke kontrolluar dokumentacionin dhe bilancet Luftimi vlerëson se ishte përvojë shumë e rëndësishme profesionale e zbatimeve financiare e të kontabilitetit. Përpilimi me vizion studimor i raporteve të kontrollit e bëri Luftimin shumë të njohur në dikasteret e larta të shtetit dhe me këtë angazhim ai njohu financier të shquar e përvojat e tyre nëpër Shqipëri, që i shërbyen për ngritjen e tij profesionale.
Në vitin 1980 del nga dikasteret qendrore dhe u bë edhe ligj i veçantë ngritja e “kontrollit të brendshëm financiar” nëpër ndërmarrje dhe në të gjithë dikasteret. Ministria e Financave të Shqipërisë organizon një seminar me financierët më të zgjedhur nëpër institucione e ndërmarrjet më të mëdha dhe Luftimit i ngarkohet të mbajë temën: “Mënyra e organizimit dhe funksionimit të kontrollit të brendshëm financiar në Minierën e Kromit në Bulqizë”. Kjo temë u vlerësua shumë nga auditori dhe drejtuesit e lartë, që morën pjesë, të cilët dhanë porosi që përvoja e organizimit e funksionimit të kontrollit të brendshëm financiar të Minierës së Bulqizës të jetë një shembull për të gjitha ndërmarrjet në Shqipëri. Në shtator të vitit 1981 Luftimi emërohet në detyrën “revizor” në drejtorinë e financë – kontrollit të Ministrisë së Industrisë e Minierave të Shqipërisë, ku ka punuar deri në vitin 1991 me përkushtim të vlerësuar në plotësimin e detyrës.
Në vitin 1991 Luftimin e kanë transferuar në Ministrinë e Arsimit në po të njëjtin pozicion si më parë. Luftimi kohën që punoj në Ministrinë e Arsimit kujton me respekt ministrin Ylli Vejsiu, Qamil Talka, drejtor i drejtorisë ekonomike dhe specialistin e mirënjohur Baki Berberi në këtë ministri me të cilët ka punuar në kohën e tranzicionit dhe kanë lënë gjurmë profesionale në hartimin e projekt ligjeve mbi trajtimin e studentëve, duke plotësuar kërkesat emergjente të kohës, që janë në fuqi e zbatim edhe sot.
Në vitin 1992 – 2006 Luftimin e emërojnë si financier me emër të mirë në Degën e Tatimeve në Tiranë, në detyrën “inspektor dhe përgjegjës sektori” ku puna e tij në vazhdimësi ka pasë vlerësimet më të larta për ndershmëri, saktësi e përkushtim në përmbushjen e detyrave të ngarkuara. Në vitin 1992 ka filluar punë në sistemin fiskal në Drejtorinë e Tatimeve të Tiranës, si inspektor mbi të ardhurat personale. Aty kujton me respekt drejtorin Robert Çeku, që e ka mbështetur për realizimin e reformës fiskale të kohës. Po kështu edhe Florian Mimën me të cilin së bashku hartuan rregulloren e sistemit fiskal mbi mënyrën e organizimit e funksionimit të këtij sistemi, që ka mbetur në përdorim edhe sot. Kujton gjithashtu Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Kujtim Brovina, që ka qenë drejtues me kohën më të gjatë aty, pasi ishte organizator dhe vlerësues real i punës së specialistëve në të gjithë sektorët duke i trajtuar ata jashtë opinioneve partiake, por vetëm nga niveli i punës që mbulonin, duke ju dhënë edhe shpërblime për realizimin me sukses të detyrave. Drejtori Brovina çdo organizim të ri e bënte duke u konsultuar me specialistët më me përvojë. Në vitet 1992-1995 këtu u punua intensivisht në hartimin e dokumentacionit të tatimeve, si “faturat tatimore” dhe ngritja e sektorit të evazionit fiskal e hartimi i pasqyrave financiare vjetore të cilat janë në përdorim edhe sot, ku specialist si Xhavit Çuni, Niko Lera, Artur Papajani, Fatmir Kazazi, etj. që ishin në nivel të lartë profesional, Luftimi e konsideron shumë me fat që punoi me njerëz të tillë, për realizimin e hartimin e disa ligjeve e dokumentacioneve të rëndësishme për sistemin fiskal, nga mund të mësoje shkencë ekonomike dhe qytetari. Luftimi është vlerësuar vazhdimisht për realizimin e revizioneve dhe të detyrave të tij, duke punuar për disa vite edhe pas arritjes së moshës pensionit dhe tani vazhdon të ushtroj detyrën e ekonomistit në studion e tij të licensuar nga Ministria e Financave, “Kontabilist i Miratuar”, ku u shërben me korrektësi disa kompanive private.
* * *
Jeta familjare e Luftim Kukës gjithashtu ka qenë në vëmendjen e tij. U martua me Lumturie Ali Kaçanin dhe krijuan një familje tradicionale me taban, ku mirërritja e fëmijëve dhe dashuria për të afërmit e shokët ishin vëmendja e tyre në çdo kohë pa harruar detyrat që mbulonin me profesionet e tyre. Bashkëshortja e Luftimit, Lumturia ka mbaruar arsimin e mesëm për mamije në Shkodër me rezultate të shkëlqyera dhe në vitet 1964 – 1981 ka punuar në spitalin e Zerqanit ku mbulonte me kontrollin shëndetësor njëmbëdhjetë fshatra. Pas vitit 1981 familja u vendos në Tiranë dhe Lumturija punoj në spitalin ushtarak deri sa doli në pension. Bashkëshortët Kuka rritën me përkujdesje dy djem, ku barra më e rëndë në familje mbeti tek Lumturia pasi Luftimi e kishte punën me shërbime të gjata në revizionin e ndërmarrjeve të mëdha industriale në Shqipëri. Djali i tyre Edmondin ka mbaruar arsimin e mesëm dhe punon tek ndërmarrja e trajtimit të studentëve nga viti 1992 duke qenë i përkushtuar në përmbushjen e detyrës së tij. Djali tjetër Jonuzi ka mbaruar me rezultate të larta UT në fakultetin ekonomik dhe më pas është vendosur në Kanada, ku edhe atje ka mbaruar specializim për ekspert kontabël dhe e ushtron këtë profesion me sukses. Luftimi me familjen jetojnë në Tiranë dhe janë të kënaqur, që arritën të përmbushin misionin e tyre si qytetarë të denjë, pavarësisht problemeve që sjell shëndeti që edhe ato do të tejkalohen me përkujdesjen që nuk mungon. Familja e Luftimit dhe Lumturies bashkë më djemtë e tyre respektohet e nderohet në rrethin shoqëror të vendlindjes Zerqan e të vendbanimit në Tiranë, si familje shembull në sjellje, komunikim, përkushtim e kontribute të paharruara në shoqëri.