108 vite shkolla shqipe në Dibër


U mbajt në Peshkopi konferenca shkencore kushtuar arsimit në gjuhën shqipe.

Zyra vendore e arsimit parashkollorë (ZVPA) në bashkëpunim me Myftininë dhe Bashkinë e Dibrës, në përkujtim të 108 vjetorit të shkollës së parë shqipe në Dibër, organizuan me datë 23 prillë 2022 një konferencë shkencore. Në këtë konferencë ishin ftuar të kontribuonin me kumtesat e tyre, studiues dhe mësues e drejtues me përvojë të spikatur të arsimit në Dibër dhe Tiranë. Zhvillimin e konferencës e ndoqën Kryetari i Bashkisë, z. Rahim Spahiu, Myftiu i Dibrës, Mois Kurtulla, përgjegjësja e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar në bashkinë Dibër, znj. Brigena Dani, personalitete të fushës së arsimit etj. Kjo konferencë kish si qëllim kryesor të rikthejë traditën e dikurshme të organizimit të këtyre formateve të diskutimit e të përpunimit të mendimit të thelluar e shkencor, në funksion të përmirësimit të të gjithë komponenteve të sistemit të arsimit në Dibër. Në këto konferenca bëheshin objekt diskutimesh problematikat e shqetësimet e gjetura në etapa të ndryshme të zhvillimit të arsimit në rreth, shkëmbeheshin përvojat, sukseset në nivel kombëtare dhe të arriturat më të reja shkencore në procesin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies. Rikthimin e kësaj tradite synonte edhe organizimi e mbajtja e konferencës “108 vjet shkolla shqipe në Dibër”.
Konferenca e meritoi cilësimin “shkencore”, sepse në të sollën kontributet e tyre mbajtës të titujve e gradave shkencore, të cilët sollën punime të përgatitura mbi parimet e punës kërkimore dhe duke sjellë mendim dhe gjetje të reja në trajtimin e tematikave të zgjedhura për studim.
Paraqiten kontributet e tyre në këtë konferencë 12 studiues, të cilët kishin zgjedhur të trajtojnë kryesisht tematikë nga historia e zhvillimit të arsimit në Dibër, që evokonin hapjen e shkollës së parë në Peshkopi dhe rolin e Mësuesit të Popullit Haki Sharofi, trajtesë të cilën e paraqiti ish – myftiu Ahmet Çaushi – njëkohësisht dhe një ish nxënës i Sharofit; Rolin e klerit dhe të fesë islame në hapjen e shkollës shqipe, trajtesë të cilën e paraqiti Myftiu i Dibrës Musa Kurtulla.
Me shumë interes u pritën kumtesa e paraqitura nga prof. dr. Adem Bunguri: “Internati i Kastriotit”, si dhe kumtesa e prof.as.dr. Moisi Kamberi, “Përpjekjet për përhapjen e arsimit në Dibër deri në shpalljen e pavarësisë”.
Mësuese Teuta Qosja paraqiti kumtesën “Gjuha shqipe – simbol i identitetit kombëtar” dhe mësuesja Miranda Zuna kumtesën “Kushtet që çuan në hapjen e shkollës së parë shqipe në Dibër”.
Kumtesën “Zhvillimet i arsimit në Dibër në vitet 1944-1990 – vështrim kritik në funksion të proceseve reformuese e integruese në BE” e mbajti studiuesi Hysen Uka.
Mësuesi veteran Faris Cibaku, kishte bërë objekt të trajtesës së tij “Personalitete të spikatura të arsimit në Dibër”. Mësuesi dhe menaxheri me përvojë, Blerim Lazimi, trajtoi temën: “Kleri islam dhe roli i tij në përhapjen dhe zhvillimin e arsimit”.
Trajtesë interesante paraqiti edhe mësuesi me përvojë dhe specialist në ZVAP, nismëtari dhe kontributori kryesor në organizimin dhe zhvillimin e konferencës, z. Mezin Shehu, i cili në trajtesën “Arsimi dibran, ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, vuri theksin në arritjet dhe në mangësitë që shfaq sistemi arsimor aktualisht në Dibër, por jo vetëm, dhe listoi disa gjetje e rekomandime kuruese për tejkalimin e problemeve dhe përmirësimin e ngritjen e standardit të arsimit në Dibër.
Konferencën e përshëndetën edhe Kryetari i Bashkisë, Rahim Spahiu, i cili vlerësoi lart punën e bërë nga studiuesit dhe e konsideroi produktin e kësaj konference si një referencë në punën e tij drejtuese për të ndryshuar gjendjen në sistemin arsimor në Bashkinë Dibër. Kryetari i bashkisë premtoi se çështjet e arsimit do të jenë në krye të listës së përgjegjësive dhe përpjekjeve të tij për të kthyer arsimin në Dibër, në krenarinë e famën e mirë të dikurshme.
Materialet e konferencës, pas vlerësimit të një redaksie të specializuar, të ngritur posaçërisht, do të rishikojnë materialet e paraqitura sipas kritereve të botimeve shkencore dhe do gjejnë mundësinë financiare që të botohen të plota, nën logon e konferencës.
Korresp.Rr.A.