Nga Osman Xhili
Ka kohë që fermerët e Dibrës e kanë shpallur hapjen e vitit të ri, duke realizuar punimet sipas kalendarit bujqësor. Shërbimet në drufrutore, kujdesi për shërbimet në grurë, mbjellja e misrit, patates, jonxhës e shumë të tjera si këto, janë e do të mbeten pikat orientuese në punën e tyre.
Normalisht, e para në agjendë, për nga koha e realizimit, do të ishin shërbimet në drufrutore. Krasitja mbetet gjithnjë një shërbim i panegociushëm, që kërkon vëmendje dhe specialistë të aftë. Koha këtë vit ka qenë e përshtatshme për të realizuar këtë gjë dhe të gjithë fermerët e mbyllën në kohën e duhur. Duhet të theksojmë se krasitja e qershisë në këto vitet e fundit është bërë modë, pasi ekzistonte koncepti, se ajo nuk ishte e nevojshme në këtë kulturë.
Fill pas saj fermerët janë përqendruar tek plehërimi i drufrutorëve. Një pjesë e kësaj pune ka nisur që në vjeshtë me punime dhe pleh organik, për tu pasuar me plehra komplekse, dapin dhe shumë të tjera, që normalisht bëjnë pastaj diferencën në prodhim.
Por, gjithsesi nuk duhet harruar dhe një element shumë i rëndësishëm në punën sa të vështirë, aq dhe të bukur dhe eksperimentuese me drufrutorët. Po të mos ishte spërkatja e pemëve, shumë sëmundje e dëmtues si kroma, krimbi, kalbëzimi e të tjerë akoma, do ti zeronin hallkat e tjera të punës së bërë. Spërkatjet e para kanë nisur që herët me gurin e kalit dhe pastën bordoleze, si trajtime dimërore. Më pas do të vijnë trajtimi me shampion, vaj mineral, si dhe deçizin si insekticid. Lufta ndaj kromës së mollës, sigurisht që mbetet sfida më e madhe e fermerëve dhe nëse e bëjnë atë me sukses, kanë garantuar mbi gjysmën e punës.
Normalisht, duhen deri në gjashtë spërkatje për të luftuar kromën, të shtrirë në një hark kohor prej gati dy muajsh. E para fillon diku nga data 20 prill, për të vazhduar me një interval dhjetë ditor deri nga 15 qershori. Në bashkëpunim me fondacionin “Mada, janë ngritur tre stacione prognoze tek fermat e Veip Salkurtit, Medin Kryemadhit dhe Premtim Agollit. Në bazë të analizimit të temperaturës dhe lagështisë, përcaktohet afati optimal i spërkatjes dhe u dërgohet mesazh fermerëve të kontaktit për të realizuar spërkatjen e radhës.
Shërbimet në grurë janë shumë të rëndësishme në përcaktimin e rendimentit të kësaj kulture. Këtë vit shirat erdhën me pak vonesë, por sërish janë realizuar dy duar nitrifikimi me nga 15 – 20 kilogram nitrat ose ure për dynym .Pritet të bëhet dhe një tjetër në vatra , për ta plotësuar më së miri këtë detyrim ndaj kulturës së grurit. Duhet thënë se numri i bimëve të grurit për njësi sipërfaqe është mjaft i mirë këtë vit, duke garantuar dhe një rezultat të kënaqshëm. Disa fermerë të kujdesshëm po bëjnë dhe luftimin e barishteve të këqija, apo luftimin e disa sëmundjeve specifike të grurit, si fusarioza, septarioza, apo kalbëzimi i qafës.Mbjelljet pranverore janë dhe kryefjala e fermerëve, si në Dibër, ashtu dhe në të gjithë vendin. Vlen të përmendet mbjellja e misrit të shoqëruar me fasule, por ka dhe plot kultura të tjera, që zenë një vend të rëndësishëm. Ka një interes të fermerëve për të tërhequr farën e misrit nëpër farmacitë bujqësore. Farërat më të preferuara mbeten serbe,të Zemun Polje, llojet 555, 606, 434, dhe 344. Të pëlqyera mbeten dhe llojet kroate “Paidash”, “Maistor”, apo lloji amerikan”Golden”.
Duhet përmendur se ndonjëherë, fermerët janë zhgënjyer nga farërat e pakontrolluara, duke marrë rendimente qesharake. I takon ministrisë së bujqësisë nga qendra në bazë, apo anasjelltas, të bëjnë përzgjedhjen e farërave në mënyrë profesionale, të bëjnë provën e mbirjes, të çertifikohet rezultati dhe vetëm atëherë të kalohet për mbjellje. Në raste kur nuk zbatohen këto procedura, kompanitë importuese duhet të vihen para sanksioneve të rënda nga inspektoriati fito sanitar.
Do të donim të përmendnim një traditë të hershme të instituteve të ndryshme, si ai i misrit dhe orizit në Shkodër, ai i patates, apo i foragjereve në Fushë Krujë. Për hir të vërtetës, duhet thënë se ata bënin një punë të lavdërueshme duke i dhënë bujqësisë shqiptare lloje e kultivarë vitalë, rezistentë e me prodhimtari të lartë. Nëse nuk prodhojmë makina dhe nuk kemi gati asnjë lloj industrie, të paktën të prodhojmë farën e misrit, të grurit, të patates, jonxhës e shumë të tjera si këto.
Sot ka dy tendenca nga fermerët, si në Dibër dhe më gjerë akoma, në lidhje me mbjelljet, kryesisht për grurin dhe misrin. E para është tërheqja nga mbjellja e këtyre kulturave, duke i mëshuar idesë se nuk ka fitim, pasi janë ngritur ndjeshëm nafta dhe plehrat. Nëse një kuintal nitrat, vitin e kaluar shitej me 35 mijë lekë, këtë vit ai është më shumë se trefishuar, duke kapur kuotën e 115 mijë lekëve. Po kështu ngritje galopante kanë pësuar ureja, dapi dhe plehra të tjera komplekse. Duke i shtuar kësaj panorame dhe dyfishimin e naftës, ata kanë zgjedhur tërheqjen dhe lënien e tokës djerr.
Por, duhet thënë se ka dhe një kategori tjetër fermerësh, që e shohin më me optimizëm këtë situatë. Sa i përket naftës, ata mendojnë se subvencioni që jep qeveria me dhjetë litra për dynymë e zbut sadopak koston e lartë të punimeve. Ata kanë dhe një argument tjetër për tu ingranuar në mbjellje. Vërtet është ngritur ndjeshëm çmimi i plehrave, por mos harrojmë se është ngritur ndjeshëm dhe vlera e misrit dhe e grurit në treg. Sot, një kuintal misër shitet me 55 mijë lekë, kur vitin e kaluar ishte vetëm 30 mijë. Ndoshta, ashtu si në blegtori, ku fermat më të mëdha po lënë në hije mbajtjen e një, apo dy lopëve, dhe tek mbjellja po vihet re diferencimi i fermerëve.
Agronomi në pension, ish shefi i shërbimit të ekstensionit për qarkun e Dibrës, Qatip Doda, na jep disa emra fermerësh, që guxojnë të mbjellin sipërfaqe disa hektarëshe me grurë dhe misër. Së pari, mund të përmendim vetë shembullin e tij, që këtë vit ka mbjellë 25 dynym me grurë. Ai i ka kryer të gjitha shërbimet në këtë kulturë dhe pret rezultate mjaft të kënaqshme. Një tjetër fermer i suksesshëm në zonën e Maqëllarës është Ahmet Sala. Ai zotëron një fermë me dhjetë krerë lopë, si dhe ka mbjellë 15 dynym misër, 15 dynymë grurë dhe një tjetër sipërfaqe të konsiderueshme me foragjere. Këto shembuj po ndiqen dhe nga fermerë si Alltan Sala, Siri Xhika, Pajtim Asllani e të tjerë si këto. Vlen të përmendet rezultati i fermerit Selim Kosiqi, nga fshati Obok, që në katër dynymë të mbjellë me misër, mori dhe tetë kuintalë fasule si bimë shoqëruese.
Të gjithë këto shembuj tregojnë, se ku ka përkushtim, punë dhe vizion, rezultatet janë mjaft të mira, por gjithsesi dhe ndihma e shtetit duhet të jetë më e madhe, që të mos i lëmë tokat djerr dhe të mos boshatisen fshatrat, që i kemi amanet dhe trashëgim nga të parët tanë.