Kulla Hupi, një nga kullat më unike në Shqipëri


Adriatik Balla: “Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka të regjistruar Kullën Hupi, e famshmja dhe unikja kulla e Sul Hupit, si një ndërtesë me vlera arkitektonike dhe historike.
Kjo kullë, që siç shihet është pasqyruar edhe në Filatelinë Shqiptare, si pullë postare që në vitin 1982, dëshmon për vlerat arkitektonike dhe historinë e saj.”

Në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve, zyrtarisht me 18 prill, Adriatik Balla, doktor i shkencave gjeografike, kujtoi në faqen e tij në FB kullat e Bulqizës, përfaqësuar prej Kullës Hupi.
“Në vendlindjen time, vend kullash madhështore e mistike, – shkruan Balla, – Instituti i Monumenteve, sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, ka të regjistruar edhe këtë objekt me vlera arkitektonike dhe historike, e famshmja dhe unikja, kulla e Sul Hupit”.
“Kjo kullë, që siç shihet është pasqyruar edhe në Filatelinë Shqiptare, si pullë postare që në vitin 1982, dëshmon për vlerat arkitektonike dhe historinë e saj.
Nga të dhënat që kam mbledhur e disponohen edhe zyrtarisht, për herë të parë është restauruar në kohën e Mbretërisë me porosi direkte të mbretit Zog, kurse në sistemin monist është restauruar dy herë.”
Balla e vlerëson këtë kullë si një nga më uniket në Shqipëri.
“Vallë, pse gjithë ky interesim? Sepse kjo kullë nuk dëshmon vetëm histori, por ajo është njëherësh një prej ndërtimeve më unike të këtyre ndërtesave në Shqipëri – shkruan Adriatik Balla”.
“Traditë, histori, nder e lavdi. E denjë dhe autoritare, e që i bën nder listës së objekteve të trashëgimisë tonë kulturore. Simotrën e saj, në të njëjtin vend e me të njëjtat vlera (shihni fotot), e vizitoi në vitin 2019 kryeministri i vendit, Edi Rama”, mbyll postimin doktori i shkencave gjeografike Adriatik Balla.

Kulla Hupi – kulla që pret turistë nga e gjithë bota

Kulla Hupi në Lepurakë, në Bulqizë, është kthyer në një destinacion turistik në Bulqizë. Ata që pëlqejnë turizmin malor gjejnë të Kulla Hupi mikpritjen dhe bujarinë e tyre të madhe.
Lulzim Hupi, pronari i kësaj cope të vogël parajse, ka nisur një biznes që ndeshet me pasiguri dhe vështirësi, por i ka dhënë jetë kullës 200 vjecare.
Jo larg Kullës ndodhet monumente kulture të shpallura në këtë zonë, siç janë Kalaja e Grezhdanit, Kalaja e Lashkizës, Kalaja e Dodës, Gradishta e Bellovës, Qyteti i Skënderbeut, Kisha e Shën Sotirit, Kisha e Shpërfytyrimit, Banesa e Tasho Markos, Xhamia e Allajbegisë, banesa e Zef Doçit e shumë monumente të tjera që e bëjnë Rajonin e Dibrës një zonë atraktive për turistët vendas dhe të huaj.
Kohët e fundit në turizmin malor janë shtuar shumë të pasionuarit e udhëtimit me biçikletave, tepër i përshtatshëm për relievin. Me bukuritë natyrore, pyjet me shtigje për ecje, liqenet e vegjël natyrore, kullat e vjetra plot histori nga e kaluara, ushqimi tradicional me bazë mishi dhe prodhime bujqësore të zonës, rajoni i Dibrës ka shumë për t’i ofruar turistëve përgjatë gjithë vitit. Dhe Kulla Hupi është një ndër referencat kryesore të turizmit në këtë rajon.