Përkujtohet 100-vjetori i vrasjes së Ramiz Dacit
Gjatë muajve mars-prill në Bashkinë e Bulqizës u organizuan disa veprimtari në kujtim të dëshmorit patriot Ramiz Daci. Sipas një programi të hartuar nga Drejtoria e Arsim Kulturës Rinisë dhe Sporteve u zhvilluan aktivitetet që synonin njohjen e jetës dhe veprës së patriotëve atdhetarë, sensibilizimin e opinionit nëpërmjet shtypit, medias, fletëpalosjeve, takimeve me veteranë, me familjet e dëshmorëve,të rinjve etj.
Me 10 prill në një cermoni përkujtimore u mbyllën këto veprimtari me një takim mbresëlënës ku morën pjesë:qytetarë të Bulqizës,të afërm të familjes së Ramiz Dacit nga Dibra e Madhe,Kryetarët e Shoqatave të Grykës Vogël dhe të Grykës Madhe Gollobordës,veteranë të punës, të luftës Nacionalçlirimtare etj.
Ishin të pranishëm: Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Valentina Haliti, Kryetari i Bashkisë Bulqizë Lefter Alla, Zv/Kryetari i Shoqatës Lidhja e Intelektualëve Dibranë z. Musa Riçku, Kryetari i Komitetit të Veteranëve të luftës Nacionalçlirimtare Bulqizë Xhevat Jella e të ftuar të tjerë.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar të pranishmit ndoqën një dokumentar kushtuar jetës dhe veprimtarisë së deputetit Ramiz Daci. Dokumentari tregonte ;origjinën e familjes së Ramizit nga Zogjet, arsimimin e tij, kontributin e dhënë në përkrahje të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të Lidhjes Pejës dhe të gjitha Lëvizjeve për pavarësi e shkollë shqipe në Dibër të Madhe.
Ramizi delegat në Kongresin e Manastirit, të Dibrës,bashkëpunimi me Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën, Kristo Floqin, Luigj Gurakuqin, Mihal Gramenon, Çerçiz e Bajo Topullin etj.Takimet dhe bisedat me ta lanë gjurmë të thella në ndërgjegjen e patriotit të ardhshëm i cili u rradhit në krye të kryengritjeve të mëdha të viteve 1911-1912,luftën kundër serbëve e bullgarëve për të mbrojtur pavarësinë etj.
Fjalën e rastit e mbajti Lefter Alla, kryetari i Bashkisë Bulqizë.
Ai u ndal në rolin e Ramiz Dacit si drejtues i kryengritjes antiserbe më 1913,komandant i kavalerisë në ushtrinë Shqiptare më 1914,deputet i Drinit në Kuvendin e dalë pas Kongresit të Lushnjës 1920. Ramizi përfaqësoi krahun patriot e demokratik në Asamblenë Kushtetuese.
Referuesi, Ramizin e cilësoi si njohës të mirë të interesave të fshatarësisë patriote e të vegjëlisë dibrane. Ai u rreshtua përkrah Elez Ysufit, Vehbi Dibrës, Mersim Demës, Bajram Currit, Hasan Prishtinës etj. U zgjodh një ndër drejtuesit kryesorë të qeverisë së Arrasit dhe Lëvizjes së marsit 1922. Mbajti lidhje të vazhdueshme me patriotët e Grykës Madhe e Bulqizës si: Destan Pucën, Hajredin Shehun, Mehmet Duriçin, Ramiz Alliun etj.
Me 9 prill të vitit 1922 Ramizi arrestohet prej Fiqiri Dines në Peshkopi.
Me 10 prill e nisin nga Homeshi nëpër Zerqan për në Tiranë.
Te ura e Xhitetit e merr në dorëzim Shefqet Korça, i cili me njerëzit e tij të xhandarmërisë shqiptare e qëllojnë pas shpine, duke e vrarë pabesisht patriotin atdhetar Ramiz Daci.
Ramizi punoi e luftoi për çështjen kombëtare, prandaj do nderohet e respektohet brez pas brezi.
RAMIZ DACI “Qytetar Nderi”
Një qytetar nderi i ri për Bulqizën u bë Ramiz Daci. Kjo u vendos unanimisht nga Këshilli Bashkiak i Bashkisë Bulqizë me propozim të Lidhjes së Intelektualëve të Dibrës, me Vendimin nr.315 datë 23.03.2022.
Z.Gëzim Xhafa, Kryetar i atij Këshilli duke i dorëzuar përfaqësuesit të familjes dekoratën u shpreh: “Jam shumë i privilegjuar që sot po deklaroj para jush Vendimin e Këshillit Bashkiak Bulqizë për shpalljen “Qytetar Nderi”, atdhetarin e njohur, luftëtarin e lirisë e të demokracisë Ramiz Dacin (pas vdekjes). Jeta dhe vepra e tij do të rrojë në shekuj në mendjen dhe zemrat e popullit dibran”.
Në emër të familjes foli Namik Daci: “Falenderoj Këshillin Bashkiak, Bashkinë Bulqizë, organizatorët për nderimin që i bëtë njeriut tonë, Ramiz Dacit. Sot ndjehem më shumë krenarë.Na krijuat emocione, për pritjen, fjalët e ngrohta dhe të sinqerta që na përcollët për të parët e familjes sonë dhe për Ramizin.
Mirënjohje dhe respekt për të gjithë Ju, popullin e Bulqizës, Grykës Madhe e gjithë Dibrës”.
Pjesmarrësit i përshëndetën: z. Nexhbedin Shehu, Valentina Haliti, Xhevat Jella, të cilët vlerësuan rolin e Ramiz Dacit si: ushtarak, politikan,deputet dhe luftëtar i paepur kundër pushtuesve, në mbrojtje të pavarësisë e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, në kufijtë e përcaktuara në vitin 1913. Ata vunë në dukje punën e lëvdueshme që bën vazhdimisht Bashkia Bulqizë, Drejtoria e Arsimit, Kulturës dhe Sporteve që drejtohet nga znj. Lediana Gjoka, në përkujtimin e ngjarjeve historike, patriotëve, dëshmorëve, vlerësimin e njerëzve të shkencës, punëtorëve e qytetarëve model në jetën e përditshme të qytetit të minatorëve.
Në kudër të këtij jubileu Botimet “M&B” përgatitën dhe nxorën në qarkullim monografinë “Ramiz Daci” me autor z. Zabit Lleshi.
Prof. dr. Adem Bunguri, si recensues i monografisë, tha se kjo monografi plotëson një boshllëk të ndjeshëm për njohjen e plotë të figurës patriotike të Ramiz Dacit, këtij vigani liberator. Kjo monografi është e lexueshme lehtësisht nga një audiencë e gjerë qe kalon shumë përtej studiuesve të interesuar për historinë e Dibrës dhe atë të Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit XX.
Profesor Ademi solli në vëmendje përvojën e mirë të Bashkisë Bulqizë në tërheqjen e mendimit të historianëve, specialistëve të ndryshëm e kompetent që japin mundësi që të merren vendime unanime për të rezistuar në kohë. Kështu vendimet nuk kontestohen e bëhen më jetëgjatë. Bashkëpunimi me Shoqatat, grupet e interesit, Lidhjen e Intelektualëve Dibranë përbëjnë një shembull që duhet ndjekur nga Bashkitë dhe Njësitë Administrative të Qarkut të Dibrës e më gjerë.
Nxënësit e shkollës “Xhevdet Doda” recituan pjesë nga folklori dibran për familjen Daci.
Këngëtari amator Hajri Alimani u përcoll me duartrokitje me këngën për Lam Dacin.
NJE LAPIDAR I RI
Në vendin e vrasjes së dëshmorit patriot Ramiz Daci te ura e Xhitetit, tashmë është ngritur një lapidar i Ri, kontribut i Bashkisë Bulqizë në kujtim të atdhetarit, fatosit të demokracisë, Ramiz Dacit.
Ai do të nderohet e kujtohet brez pas brezi.
Prania e mjaft të rinjve me flamuj kombëtar e rriti ndjeshëm solemnitetin e veprimtarisë e na mbushi me emocione të forta. Vizita te lapidari dhe vendosja e kurorave në emër të: Prefekturës, Këshillit të Qarkut, Bashkisë Bulqizë, Lidhjes së Intelektualëve Dibranë dhe familjes, mbylli nderimet në kujtim të 100 vjetorit të vrasjes së Ramiz Dacit.
U larguam nga Bulqiza duke marrë me vete kujtimet e një dite të paharruar për Ramiz Dacin, të bindur se aktivitete të tilla do të zhvillohen edhe në të ardhmen me moton: “Pa njohur të kaluarën nuk mund të ndërtojmë të ardhmen”
Faleminderit Bulqizë. Ju urojmë më të mirat dhe suksese.
Morena Ruçi,
Drejtore e Muzeut Historik të Dibrës