Nga Eglantina ALLIAJ
Pasi ka marrë më parë titujt “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës (Dekret Nr.11724, datë 17.09.2020), avokat (Liçensë nr.7979, datë 31.10.2014)dhe “Amabasador për paqe” (Dhënë nga Federata Botërore e Paqes Universale), shkrimtari dhe publicisti i njohur Halil Rama, më 21 qershor përjetoi emocionin e marrjes së titullit “akademik”, dhënë nga Bordi i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve me qendër në Nju Jork-SHBA.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Bibliotekën e Akademisë së Shkencave në Tiranë, me praninë e më shumë se 50 personaliteve akademike, të letrave, artit e kulturës, Kryetari i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve me qendër në Nju Jork, Prof.Dr.Skënder Kodra, ndërsa i ka dhënë Çertifikatën e anëtarësimit dhe të titullit “akadamik” ka vlerësuar veprën shumëdimensionale të Halil Ramës, të identifikuar në21 libra të botuar prej tij në harkun kohor të dy dekadave, të mirëpritur nga lexuesi dhe të promovuar bujshëm, si edhe gjashtë dokumentarët televizivë që mbajnë autorësinë e tij.
Në shërbim të librit në gjuhën shqipe
Për librin “Magjia e fjalës” botim i UET PRESS (Universiteti Europian i Tiranës), foli poeti, prozatori, analisti dhe politologu Preç Zogaj, i cili ka bërë dhe parathënien e këtij libri.Ndër të tjera Zogaj tha se “Të lexuarit për Halilin nuk mbetet në kuadrin e nevojave dhe kënaqësive individuale. Duke hedhur në letër e botuar rregullisht vështrimet e tij për librat që pëlqen, ai vihet në rolin e ndërmjetësit special mes librit dhe lexuesve. Merr kështu rolin e një shërbyesi publik, që ndërsa nuk ekziston në nomenklaturën zyrtare të funksioneve, i përgjigjet një kredoje më të lartë që përcakton vendin e intelektualit në shoqëri”. Sipas poetit, prozatorit, esseistit e analistit të mirënjohur Zogaj, “Magjia e fjalës”, përveçse një adresar titujsh për t’u lexuar dhe një koleksion citimesh që në lidhjen e tyre krijojnë një buqetë perlash për njohjen dhe kujtesën, është një shërbesë e madhe letrare dhe intelektuale në këto kohë të vështira për artin dhe kulturën. Nëse do të përfytyronim një “Urdhër” për mbrojtjen dhe promovimin e kulturës si pasuri e shoqërisë dhe njerëzimit, Halil Rama është aty në shërbim të librit në gjuhën shqipe.
Duke vijuar në të njejtën linjë, prof. Bujar Kapexhiu – Nderi i Kombit vlerësoi krijimtarinë rezultative të Halil Ramës, në arsenalin krijues të të cilit tashmë janë 20 vepra mjaftë cilësore, që nga monografitë “Një filozof popullor në oborrin mbretëror” (kushtuar mendimtarit dhe patriotit dibran Dine Hoxha), e “Muharrem Xhediku-kompozitori i tangos shqiptare”, “Rrahman Parllaku-një legjendë në kufirin e dy kohëve”, “Muhurri-histori dhe personalitete”, e deri tek më e fundit “AND-ja e pandryshuar e Shefki Karadakut, botuar dhe promovuar vetëm para disa ditësh.
“Për Halil Ramën, e para është Shqipëria”
Mbresëlënëse qe për pjesëmarrësit edhe fjala e shkrimtarit Shpendi Topollaj, i cili ndër të tjera tha se “Me shkrimet e tij për njerëzit që lanë gjurmë të pashlyera në fatet e krahinës apo atdheut, një intelektual i përkushtuar, i kulturuar dhe i ndershëm si Halili, qoftë edhe me ngjyrime letrare, ka dhënë ndihmesën e tij në saktësimin e historisë. Krijimtaria e tij me përmasa shkencore, si në gazeta ashtu edhe në librat e tij monografikë, me shembujt që ai ka zgjedhur dhe analizuar, është njëkohësisht edhe një kontribut i çmuar në rritjen e ndjenjës së dashurisë për vendin tënd, krenarinë për qenien shqiptar, përpjekjet për bashkim kombëtar, i prirjes për ta respektuar tjetrin si vëlla, i largimit të urrejtjes e përçarjes, dhe sidomos i besimit të palëkundur se Shqipërinë do ta bëjmë ne dhe vetëm ne, e jo të huajt, kushdo qofshin ata”.
Kadri Tarelli, një tjetër shkrimtar i njohur nga Durrësi e vlerësoi Halil ramës si një personalitet që nuk resht të dojë dhe nderojë mëmëdheun. “Personalisht jam takuar rrallë, por kam njohur një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij letrare e publicistike, dhe ca më shumë ç’kanë thënë të tjerët për të, ku përfshihen pena të njohura të letrave shqipe. Besoj se të bëhesh personazh i ajkës letrare kombëtare, është nderim dhe lakmi për të gjithë krijuesit”, -tha Z.Tarelli. Një gjykim i shpejtuar, por jo i nxituar, e shtyn ta shtrydh mendimin se: Në të gjithë prodhimtarin e tij intelektuale, që dikush e quan, “Testament i vyer historiko-kulturor”, dominon atdhedashuria, si kumti më i qenësishëm për çdo shqiptar. Fjalia e, shkurtër se, “Atdheu fillon nga familja”, në mënyrë lakonike flet shumë, duke jetësuar një fjalë të urtë Amerikane, që thotë: “Dashuria e madhe për atdheun, lind nga dashuritë e vogla për vendlindjen”. Të gjitha më çojnë në mendimin logjik, se “Për Halil Ramën, e para është Shqipëria”.
Halil Rama i ka dhënë shoqërisë vlera cilësore krijuese në disa zhanre njëkohësisht
Mbi aktivitetin dhe veprimtarinë e z.Halil Rama foli akademik Fatos Daci, i cili moderoi këtë event, ndër të tjera tha se “Tashmë, Halil Rama është aktor dhe faktor i vlerësuar në fushën e gazetarisë dhe të monografisë, ku nuk është rastësor, ku nuk është kalimtar, pasi me dekada, në vijimësi, ka qenë dhe është një zë i fuqishëm dhe i afirmuar, duke i dhënë shoqërisë vlera cilësore krijuese në disa zhanre njëkohësisht”. E rëndësishme , -sipas tij, është se, në gazetari, nuk ka kryer detyra të dorës së dytë e të tretë, apo të korrespondetit e kronikanit të thjeshtë, pasi ka kryer detyrën e gazetarit-redaktorit në dy nga gazetat më të mëdha ditore të vendit dhe detyrën e kryeredaktorit e të drejtorit në 5 (pesë) gazeta të tjera periodike, punë që aktualisht e kryen edhe sot.
“Mjeshtri i Madh Halil Rama është qëmtues i hollë i ngjarjeve e fenomeneve shoqërore dhe politike, kërkues i palodhur i personazheve të tij, të cilët mbartin vlera përgjithësuese, shoqërisht të dobishme.Personazhet e këtij autori, asnjëherë nuk kanë qenë rastësor dhe të çfarëdoshëm, por janë të përzgjedhur dhe me vlera e kontribute në fushat e tyre”, tha botuesi i gazetës “Dibra” Fatos Daci.Kjo sipas tij për faktin se Halil Rama ka lëvruar me sukses, si shkrimtar, edhe fushën e monografive historike për fshatra, krahina dhe personazhe.Deri më tani, ka shkruar e botuar 20 monografi, që të gjitha të mirërealizuara dhe me vlera ideo-artistike, të cilat kanë përcjellë te lexuesi i shumtë vlera të padiskutueshme letrare, historike e shoqërore.
Vlerat publicistike, letrare e qytetare të akademik Halil Rama, Mjeshtër i Madh, u shpalosën para pjesëmarrësve dhe nga:akademik Arjan Hamiti, prof.dr. Bernard Zotaj, prof dr.Ylber Bezo-President i Kolegjit Universitar të Biznesit, prof. Shefqet Hoxha, prof.Jashar Demiri, Gjinovefa Kadriu-Këshilltare e kryebashkiakut Veliaj;, Bashkim Lami-kryetar i shoqatës “Bulqiza”, inxh.Munir Hoxha, akademik Xhelal Marku etj.
Ndër të tjerë, të pranishëm ishin edhe poeti, shkrimtari dhe politikani Besnik Mustafaj, Presidenti i këshillit Atlantik të Shqipërisë, Dr.Arian Starova, gjeneral Piro Ahmetaj, Prof.asoc.dr.Bernard Zotaj; Prof.dr.Shefqet Hoxha, Prof.dr.Ylber Bezo-President i Kolegjit Universitar të Biznesit; Prof dr.Jashar Demiri, Muharrem Gjoka-Mjeshtër i Madh, President i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”-Nderi i Kombit; sipërmarrësit e suksesshëm Musa Riçku, Faik Bruçi, Latif Miha e Astrit Kuçi; shkrimtarët dhe poetët Sakip Cami e Demir Rusi, botuesi Bujar Karoshi, gazetari i njohur Dëfrim Karahasani, etj.
Kësisoj, Halil Rama ndau me miqtë, kolegët dhe personalitete e krijimtarisë letrare e publicistike në vend dy gëzime: përuroi librin “Magjia e fjalës”dhe mori titullin “akademik”nga Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve, me seli në Nju Jork – SHBA.