Çmallesh kur kujton vitet…


Nga Destan Rama

Shkolla fillore Peladhi

Në një ditë të bukur Maj po rrija në ballkonin e shtëpisë sime.Fshatin e kisha, si i thone fjalës, si në pëllëmbë të dorës . Kënaqesha kur shihja atë pamje të bukur natyrore të fshatit tim.Çdo gjë e ka mbuluar ngjyra jeshile.Në mes të këtij gjelbërimi dalloja”Rrugën e Arbërit”e cila bollëron mes për mes fshatit.Ajo s’rrinte e qetë për asnjë minut.Makinat vozitnin në të dy krahët e saj me shpejtësi për të shkuar në destinacionin e duhur.Fshatarët ngrihen herët, akoma pa dalë dielli, dhe shkojnë në parcelat e arës, të livadhit të jonxhës për të kryer punët e stinës.Tufa e deleve doli të kullosë në shpatin jugor të Temlës.Blegërimat e qingjave të vegjël të kombinuar me atë të deleve, si edhe bariu me shkopim në dorë që u prin, i japin fshatit një pamje magjike si për të thënë se këtu ka jetë ka gjallëri, ka traditë. Sa i bukur është fshati im!
Ky gjelbërim, këto lule të bukura e të shumëllojëshme, më ngacmuan kujtesën time dhe më cuan në ato vite të largëta të shkollës fillore.Kishte ardhur momenti të testoja kujtesën.Ajo sikur lozte me mua;herë afrohej, herë largohej, ndonjëherë edhe bllokohej.
Doja t’i kujtoja ato vite, pasi për ta kisha shumë nostalgji, kisha shumë mall.Këta ishin vitet e para që na hapën udhën e rrugëtimit shkollor. Ata na çelën sytë, na hapën zemrën, na çelën shpirtin e dashurisë për mësimin.Ne atëherë ishim vetëm 7-10 vjec, fëmijë me mendje të kthjellët që prisnin të thithnin në trurin tonë të vogël çdo fjalë të mësuesit, dhe të lexonim me kureshtje çdo fjalë në faqet e librit.E filluam klasën e parë unë Destani, Fadili, Sheqerja, Fiqiriu, Hazbija, Fatimja, Hysniu Bashkimi, Kadifja, Lulja.
Çdo ditë mblidheshim në cepin e bahçes, ngjitur me oborrin e shkollës, për të rikujtuar mësimet që kishim atë ditë.Kontrollonim pastërtinë, detyrat e shtëpise dhe mjetet mësimore.Kujdestari i klasës i raportonte mësuesit pë çdo gjë.Tingujt e ziles na ftonin për të hyrë në klasë, në mësim.Mezi e prisnim këtë moment. Secili kërkonte të lexonte i pari abetaren, të mblidhte, të zbriste, të shumëzonte e pjestonte numrat në orën e aritmetikës, apo të zgjidhte problemën.Po kështu bënim në lëndën e historisë, të dituri natyrës, të vizatimit, këngës, punëdorës, edukim fizik dhe të asaj që ne e quanim më të bukurën, Bukurshkrimi.
Mjaft mbresëlënëse dhe që më ka mbetur pa u fshirë nga kujtesa ime ishte ajo ditë fundmaji që do të zhvillonim provimin në klasën e katërt. Në provim merrnin pjesë edhe nxënësit e shkollës Godvi.Ishte një biçim gare që zhvillohej në heshtje.
I merrnim pyetjet e provimit në fillim të muajt maji.I studionim ato, konsultoheshim me mësuesit për çdo paqartësi.
I kam mësuar të gjitha pyetjet e provimit, -thoshte Fadili, Sheqerja, Lulja etj.Nja dy a tri pyetje nuk i kam të qarta, ishalla s’më bien mua, lutej Fiqiriu, Fatimja…
Ditën e provimit visheshim me rrobat më të bukura që kishim në atë kohë.Mblidhnim lulet më të bukura në atë gjelbërimin pranveror.I lidhnim, i bënim tufë dhe i vendosnim në një kavanoz në tavolinë, përpara komisionit të provimit.Secili nga ne kërkonte të përgjigjej sa më mirë dhe më saktë.Në fund të provimit ne ndiheshim të kënaqur, pasi kishim marrë produktin e punës sonë, duke kaluar të gjithë klasën e katërt.
Por nuk mund të jemi sot, këtu ku jemi;mësues, inxhinierë, economist, mjek etj, pa ata që quhen’Mësues’.I kujtoj si të isha në ato vite mësuesit e mi të dashur.Jam mirënjohës dhe gjithmonë dashamirës për ta. E si të mos kujtosh mësuese Hbibe Shehun(Dervishi), ose”Mimozën e Grykës së Madhe”.Qe e para që theu normat zakonore në trevën tonë, të cilat shtypnin të drejtat e vajzave e të grave ndaj me të drejtë u quajt Mimoza e Grykës së Madhe. I pëlqente shumë profesioni i mësueses, ndaj vazhdoi shkollën dhe ia doli.Erdhi mësuese në shkollën tonë. Një mësuese e kompletuar me njohuritë e sakta metodiko-shkencore.Ajo la mbresa të thella me punën dhe sjelljen e saj tek ne. Thuajse çdo ditë që vinte në këmbë nga Krajka, ne i dilnim përpara në oborrin e shkollës dhe e përshëndesnim. Ajo na përshëndeste me dashurinë e motrrës, të nënës dhe të mësues, duke na ledhatuar flokët dhe përkëdhelur faqet.Na merrte përdore dhe bashkë me të shkonim në klasë për të filluar mësimin.
Po këtë dashuri dhe respekt ruan kjo mësuese edhe në vitet kur ne u rritëm, u shkolluam dhe një pjesë u bënë kolegë me të.Dhe ne sot ia shpërblejmë me fjalën’’Mësuese”.
Kujtoj me dashuri dhe mall mësues Isuf Fikun.Zëri i tij kumbues edhe sot më vjen në vesh.Shkrihej në të shpjeguar, kërkonte shumë, këmbëngulte në të interpretuarit e mësimit nga nxenësit.Kërkonte vazhdimimisht rregull e disiplinë tek ne nxënësit.Na mbante afër, na edukonte, si të ishim fëmijet e tij.Ishte njeri i thjeshtë, modest, i zgjuar, sakrifikues që i jepnin vërtet vlera njerëzore.Unë në këtë shkrim dua ta kujtoj me shprehjen popullore”I vdekuri kujtohet për çka bërë nderohet”.
Mësuesi Fadil Shehu gjithmonë i dashur me ne gojëëmbël, fjalë pak e punë shumë.Me atë shkrimin e tij të bukur na bënte për vete, duke u bërë kështu model për ne.Motoja e punës sonë ishte:”Të shkruajmë edhe ne si mësues Fadili”.Korrekt në punën e tij, i përpiktë në shpjegimin e mësimit, i ngrohtë në komunikim me nxënësit.Vitet kanë kaluar dhe ai është në pension, për ne është i paharruar dhe i nderuar.Me mall mirënjohje dhe respekt kujtoj mësues Aqif Muren.Ai ishte tamam shpirt njeriu.Ne nxënësve na donte shumë.Ai dinte te futej në botën shpirtërore të cdo nxënësi.Njihte dhe lidhej me prindërit tonë komunikonte me ta, diskutonte për problemet e mbarëvajtjes së mësimit, njihte shumë mirë gjendjen ekoniomike, kushtet e punës të familjes së cdo nxënësi.Ai ishte kërkues ndaj vetes, bënte përpjekje të vazhdueshme për ngritjen profesionale, gjë që e pasqyroi edhe në kualifikimin e mësuesve të trevës, si përgjegjës i saj.Sot ky mësues nuk rron më, por ka mbetur në mendje dhe zemrën tonë i paharruar.
Nuk mund të lë pa përmendur mësues Tahir Roçin.Shkurt ne i thirrnim mësues”Tiri”.Kështu në pamje të jashtme dukej pak si i sertë, serioz, por në shpirt i dhembshur dhe dashamirës.Kur ndonjëri nga ne nuk e kishte bërë detyrën atë ditë ai i thoshte:Mirë, për sot të kam falur, por ruaju se mos na e bën rrugë.Nxënësi ndiente ngrohtësi në këtë moment dhe zotohej se nuk do ta përsëriste më.Me shumë takt e kulturë na qortonte kur shfaqnim ndonjë veprim jo të mirë, si fëmijë që ishim.
Kanë kalur vite e vite. Ai nuk jeton më, por mbeti për t’u kujtuar. Unë si ish-nxënës i kësaj shkolle çmallem sot kur i kujtoj ato vite, të cilët ikën shpejt si vesa para diellit.