Pse u krijua Grupi i Aktivistëve Ruralë të Dibrës?


Një ftesë për të gjithë ata që duan të kontribojnë për vendlindjen

Dibra është një rajon me shumë potencial dhe tradita, por me një shoqëri civile jo shumë aktive. Kjo për shumë arsye dhe pa asnjë lënie faji.

Përpos sfidave që shoqëria dibrane ka hasur këto 30 vite tranzicion, prej dy vitesh përballen me sfidën më të madhe; rrezikun e ndërtimit të Hec Skavica.
Kjo, jo vetëm i shkundi dibranët, por një pjesë të mirë e ndërgjëgjësoi se çfarë i priste. Pati shumë nga ata që nisën të jenë më aktivë dhe të duken ne media e terren. Ndërkohë që grupi i aktivistëve prej 20 vitesh vijonin luftën e tyre kundërshtuese.
Të gjithë këta aktorë nisën të krijonin lidhjet mes tyre për të vijuar një kauzë të fuqishme përballë një qeverie dhe një propagande mediatike tëpër e fuqishme duke përdorur edhe krizën energjitike të 2022-it.
Pa hyrë në detaje, mund të themi që ky rrjetëzim nisi të krijonte shkëputjet e para dhe vijuan kështu ndasitë dhe “lufta” për udhëheqje.
Pavarësisht përpjekjeve të njëpasnjëshme dhe bashkëpunimeve edhe me organizata ndërkombëtare, prap uniteti ishte jo ai i duhuri. Përpos kësaj, një tjetër fakt që na e bënte këtë bashkim edhe më të vështirë, ishte mospasja e një hapësire tonën ku të mblidheshim dhe të diskutonim mbi idetë e përbashkëta, ndasitë, qoftë për çështjen Skavica, por edhe për problematika të tjera.
Prandaj, pasi u diskutua gjatë mes një pjesë prej nesh, u vendos që duhej bërë i mundur ky mjedis, për t’u dhënë mundësinë të gjithëve të bëheshin pjesë e një grupi me të drejta të barabarta.
Pas ndihmës që na dha EED me qendër në Bruksel, zyra e GARD u bë e mundur të hapej me 1 Mars 2023.
Përzgjedhja e emrit “Grupi i Aktivistëve Ruralë të Dibrës”, nuk është i rastësishëm, por ka për qëllim ftesën ndaj të gjithë atyre që duan të kontribojnë për vendlindjen e tyre. Dhe mbi të gjitha, për të gjithë ata/o që jetojnë në zonat rurale dhe nuk kanë pasur diçka që t’u përkasë atyre.
Ky mjedis është një Qendër Komunitare në shërbim të shoqërisë civile dibrane dhe OJQ-ve, të cilat bëjnë një punë të pandalshme me komunitetin.
Pjesë e këtij grupimi aktivistësh janë organizata të ndryshme dhe aktivistë të pavarur që janë aktivë në kundërshtimin e projektit Skavica. Për t’i respektuar të gjithë, pasi ne nuk prononcohemi me emër të përveçëm, nuk do i përmendim këtu, por të gjithë këto do keni rastin t’i shihni në aktivitetet e ardhshme. Megjithatë, nuk mund të rrimë pa përmendur Shoqatën për Mbrojtjen e Drinit të Zi, si një ndër zërat kyç në këtë çështje dhe mjediset e GARD nuk do ishte asnjëherë të plota pa prezencën e tyre, me të gjithë kontributin 20-vjeçar për Dibrën.
Ne kemi qëndruar shumë neutralë gjatë kësaj periudhe meqë ishin zgjedhjet vendoe, sepse GARD është jopartiake. Duam që ky mjedis t’u përkasë të gjithëve njëlloj.
Zyra është e hapur çdo ditë për të na vizituar dhe t’iu bashkëngjitur nismave tona.
Çdo fundjavë do të mbahen takime me një numër më të madh pjesëmarrësish.
Jeni të mirëpritur të na vizitoni dhe të na bashkangjiteni në nismën tonë për të kontribuar sa më shumë për Dibrën!
Ju mirëpresim në adresën: rruga “Mit’hat Ademi’, ngjitur me derën e pasme të shkollës “Demir Gashi”.