Tërhiqen kinezët, oferta e tyre nuk pranohet nga qeveria


Nga B.Karoshi

“Kompania kineze China State Construcion ka tërhequr ofertën e bërë në qeverinë shqiptare në lidhje me ndërtimin e Rrugës së Arbrit” shkruan revista Monitor, e specializuar për lajmet në fushën e ekonomisë, më 28 tetor 2016. Sipas revistës, “kjo lëvizje e papritur duket se do të vërë në vështirësi premtimin e qeverisë shqiptare për të nisur punimet në pranverën e vitit 2017”.
Burimet zyrtare kanë thënë për “Monitor” se zyrtarët kinezët kanë 6 muaj që janë shprehur se nuk do të ndërtojnë këtë rrugë, pasi dhe vetë pala shqiptare këmbënguli në uljen e kostos së ndërtimit.
Për ndërtimin e 27 kilometrave të rrugës së Arbrit, kinezët dhanë një ofertë prej 300 milion dollarësh, e cila nëse nuk arrihej të përfitohej nga taksa e rrugës, do të subvencionohej nga buxheti i shtetit”.
Revista thekson më pas se tani “qeveria shqiptare duhet t’i drejtohet Kuvendit për të shfuqizuar kontratën e nënshkruar gati një vit më parë”.
Në këto kushte ekzekutivi duhet të marrë në konsideratë angazhimin e firmave shqiptare. Mësohet se kompania Gjoka Construction ka propozuar të përfundojë të gjithë pjesën e mbetur të rrugës së Arbrit, dhe jo vetëm 27 kilometra të saj, për një vlerë prej 190 milion dollarësh. Një komision i ngritur në Ministrinë e Transporteve është duke marrë në shqyrtim këtë ofertë, e cila me sa duket do të jetë fituesja e ndërtimit e rrugës së Arbrit.
Me anë të një emaili në adresën zyrtare të kompanisë Gjoka Konstruksion, ne kërkuam më shumë informacion rreth ofertës së tyre.
“Kompania jonë operon në infrastrukturën e qarkut Dibër dhe veçanërisht ka qenë e angazhur në ndërtimin e Rrugës së Arbrit prej më shumë se 7 vitesh”, shkruan një përgjigje për gazetën Erind Gjoka, drejtor i përgjithshëm i Gjoka Konstruksion.
“Deri më tani ne kemi ndërtuar rreth 16 km të Rrugës Arbrit, pavarësisht vështirësive financiare të atyre viteve”, shkruan Erind Gjoka. “Dëshira jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë, që pavarësisht se kush do jetë kompania që do e marrë përsipër, ajo rrugë të përfundojë dhe të vihet në operim. Si rrjedhojë e kësaj dëshire të madhe, ne i kemi bërë një propozim qeverisë Shqiptare para disa muajsh, për ndërtimin e plotë të të gjithë pjesës së mbetur të Rrugës së Arbrit. Koha e realizimit të punimeve 3 vjet dhe me një kosto shumë më të ulet se ajo e kompanisë kineze dhe standard më të lartë teknik”. Lidhur me kërkesën tonë për më shumë informacion, Gjoka shkruan se “Ne e kuptojmë kërkesën tuaj ku doni të dini sa më shumë detaje, por ne duhet të ju informojmë që në këtë fazë nuk mund të japim më tepër detaje. Ajo që duhet të theksojmë është që, sipas mendimit tonë, shanset që pjesa e mbetur e Rrugës së Arbrit të fillojë para pranverës 2017, janë më të mëdhaja se asnjëherë”.
Gjoka Konstruksion është duke ndërtuar tashmë dy lote të Rrugës së Arbrit nga ura e Vashës deri në Bulqizë. Ajo ka operuar edhe në ndërtimin e veprave të tjera në Dibër, si në rrugës Maqellarë – Peshkopi, ndërtim sistemi të furnizimi me ujë të fshatrave Melan, Grevë, Trenë, Pekë, Pjeçe dhe vepra të tjera të infrastrukturës në Qarkun e Dibrës, si dhe po ndërton me koncension Hidrocentralin e Okshtunit. Sipas revistës Monitor, “vetëm në vitet 2013-2015 qeveria aktuale ka investuar 6 miliard lekë, ndërkohë që kërkohen edhe mbi 200 milion euro për të përfunduar segmentin kryesor prej 26.7 km të kësaj rruge”.
Ky projekt është iniciuar në vitin 2008, dhe parashikon një gjatësi prej 72 km nga Tirana në Dibër të Madhe, krahasuar me lidhjen e vjetër ekzistuese që është rreth 140 km dhe ka një gjerësi të planifikuar prej 10.5 m. Deri më sot janë investuar nga kjo qeveri 6 mld lekë, në vitin 2013 është investuar në vlerën e 3 miliardëve duke paguar dhe borxhet, 2014 janë investuar 1,4 mld dhe në 2015 shifra shkon në 1,34 mld lekë”.