Rruga e Arbrit, punimet deri në Klos mbyllen brenda verës


Në foto: Punimet pranë Urës së re të Vashës, Klos. Prill, 2021

Rreth 150-200 makina në ditë shfrytëzuan fushatën elektorale për të bërë më të afërt Tiranën me Dibrën, por në fillim të majit rruga është e mbyllur plotësisht për kalimin e makinave

Punimet vazhdojnë normalisht që nga Xibri deri në Klos dhe parashikohet që brenda muajit korrik ky aks të bëhet i kalueshëm, përmes by-passit.

Rruga e Arbrit pati një hapje të lehtë të trafikut që shoqëroi edhe fushatën elektorale, por tashmë rruga është e mbyllur plotësisht. Rreth 150-200 makina në ditë shfrytëzuan fushatën elektorale për të bërë më të afërt Tiranën me Dibrën, por në fillim të majit rruga u mbyll plotësisht për kalimin e makinave, përveç atyre që transportojnë punëtorët.
Ndër të parët që kaloi këtë rrugë ishte kryeministri Edi Rama, i cili nga Tirana për te Ura e Fshatit e kaloi për më pak se 55 minuta.
“Sot pata mundësinë që ta shikoj gjatë gjithë gjatësisë rrugën e Arbrit, cila është drejt përfundimit, por tanimë është një aks i lidhur. U gjenda shumë shpejt, si asnjëherë më parë, në Mat e Burrel”, tha ai gjatë takimit elektoral në Peshkopi.
Sapo fushata elektorale mbaroi, është ndërprerë edhe kalimi i makinave në këtë aks. Barrierat prej betoni kanë zëvendësuar trarët e vendosur në segmente të ndryshme të rrugës, duke e bërë të pamundur kalimin në rrugën e Arbrit.
Punimet vazhdojnë normalisht që nga Xibri deri në Klos dhe parashikohet që brenda muajit korrik ky aks të bëhet i kalueshëm, përmes by-passit.
Presidenti i kompanisë Gjoka Konstruksion i tha kryeministrit Rama gjatë inspektimit të punimeve në mes të prillit, se segmenti rrugor deri në Klos do të jetë i përfunduar brenda dy muajsh.
Nga Tirana në Klos rruga është 34 kilometra dhe ky segment në gjysmën e gjatësisë së rrugës është i asfaltuar. Ndërsa pjesa tjetër janë në punimet e fundit para asfaltimit. Punimet për zgjerimin e rrugës, që do të bëjë të mundur lidhjen me Klosin pritet të fillojë së shpejti. Ky aks rrugë, prej 3 km do të jetë një zgjerim dhe rikonstruksion i rrugës aktuale që lidh fshatin Fshat me rrugën nacionale Burrel-Peshkopi.
Ndërsa segmenti Shupenzë – Maqellarë është i hapur për kalim, pavarësisht se punimet nuk është vendosur sinjalistika e duhur.
Gjatë një vizite në kantier gjatë muajit prill, punimet po vazhdojnë edhe në segmentin Ura e Vashës – Qafa e Buallit.
Burime brenda kompanisë thonë për gazetën se “punimet po vazhdojnë normalisht edhe në Tunelin e Murrizit, 3.8 km, i cili pritet të hapet në fund të këtij viti”. Ndërsa i gjithë aksi i rrugës pritet të jetë i hapur normalisht për qarkullimin në pranverën e vitit të ardhshëm.
(Korresp.Rr.A.)