Para disa ditësh përcollëm në banesën e fundit Bajkenin, njeriun tonë të dashur të zemrës.
U nda nga jeta në mënyrë kaq të shpejtë e të papritur e në moshë të re, duke lënë në pikëllim të thellë prindërit, vajzën, Imeldën, vëlla Dritanin, kushërinjtë, miqtë dhe gjithë shokët e punës, të cilët e kishin si vëlla. Na la pas hidhërim e dhimbje. Ike në kulmin e moshës. Pse kaq shpejt? Pse ky fat i zi? Pse, për ty e për ne? Edhe gurët e sokakut do e ndjejnë mungesën tënde, do të kërkojnë e do t’i marrë malli, o Bajken. Po ku e le vajzën që e deshe aq shumë?
Bisedë me gurët e sokakut
– A e morët vesh se ka ndërruar jetë Bajkeni? – tha një nga gurët e sokakut.
– Po, – thanë të tjerët – e morëm vesh, biles ka pesë muaj që ka qenë i sëmurë. E dëgjova rastësisht në rrugë kur kaloi Xhimi që po i thoshte Almës.
– Aaaa, prandaj ka pesë – gjashtë muaj që s’vjen të na shohë – thotë tjetri – që kur ka ikur në Tiranë, në çdo 2-3 javë do na vinte e të na shihte, Xhimin e ne.
Na ra shumë keq, jo vetëm mua, por të gjithëve – thotë njëri gur.
– Më shumë më ka rënë mua – thotë guri pranë derës së shtëpisë, – se këtu ka shkelur më shpesh.
Gurët afër avllisë thonë: – Po, por kur ishte i vogël, më shumë hynte nga avllia në shtëpi se nga dera.
E Guri më i vjetër ndërhyn: – Të gjithëve na ka ardhur keq, do ta kërkojmë e do të na marrë malli.
– E kujt nuk i ka ardhur keq për Bajkenin, kur neve, po njerëzve?
– Mos u qaj hallin njerëzve, – thotë tjetri – se njerëzit i ka bekuar Zoti, se çfarë nuk i ra njeriut e nuk e mbajti. Atyre natyra u dha privilegjin të qajnë të nxjerrin lot e me lotët që nxjerrin ata pastrojnë shpirtin e lehtësojnë dhimbjen.
– Lotët janë të vlefshëm si gurët e diamantit, madje më të vlefshëm, se diamantët dalin nga thellësia e tokës, kurse lotët dalin nga thellësia e shpirtit, por pale a e vlerësojnë njerëzit këtë gjë.
– A e dëgjuat si tha një burrë, D. Shehu?-tha një gur – se dhe gurëve të sokakut u ka ardhur keq. I vetmi që na ka kuptuar neve, se të tjerët nuk i kanë parë të çarat tona që kemi pësuar ndër vite.
Ky sokak ndër vite ka parë shumë morte të rënda. Ka filluar me Metin, Skënderin, Mufitin, Lufta, Leta, Sadeti, Yllka, Krenari e Bajkeni.
Në morte, sidomos në ato të rënda, njerëzit bëjnë shumë pyetje. Po ç’na bëre mo Bajken? Po pse ike, mo Bajken? E shumë pyetje të këtij lloji. – Po pse, a Bajkeni e zgjodhi atë rrugë? Se të ishte për Bajkenin, ai edhe 100 parajsa nuk do t’i ndërronte, por do të rrinte me vajzën e me Xhimin. Pra, duke qarë ngarkohen edhe me gjynaf, po ajo gruaja tjetër – ç’na bëri ai voc, mi Zime.
– Mos e tepro, – thotë guri tjetër – se në këtë rast ajo i dha të kuptojë Zimes, se ajo, jo vetëm merr pjesë në hidhërim, por po merr gjysmën e hidhërimit të saj. E siç e thashë edhe më përpara, prej të keqit bëhen lloj-lloj pyetjesh, por që përgjigje s’mund të marrin nga mendje njerëzore. A një pyetje është me vend. Pse ky fat zi? Sepse kjo është gjysëm ngushëlluese dhe do të thotë që jeta e çdo njeriu është në fije të perit, që nuk i dihet se si, kur, e ku pritet, ndërsa për dhjetëra pyetje të tjera ka vetëm një përgjigje: Fatit të parashkruar në qiell nuk i gjendet dermani në tokë (sentencë greke).
Kjo rrugicë ka parë shumë tërmete, por dhe ne gurët e sokakut jemi bërë për t’u ngushëlluar e do të na mungojë Bajkeni. Po pse, a është kujtuar njeri për ne? Sa budalla që bëhesh, por tërmeti më i madh për ne gurët ka për të qenë kur do të na varrosin duke na mbuluar me beton e asfalt, në emër të progresit e qytetërimit, pa e menduar gjatë se ndërkohë kështu njerëzit varrosin kujtesën e tyre. E ç’është jeta e njeriut pa kujtesë? Kujtesa mban të gjallë të vdekurit e të gjallët.
Morti
As koha e ftohtë e acartë, as bora e era e temperaturat e ulta nuk i penguan ato lumë njerëzish, që erdhën për të përcjellë e respektuar për në banesën e fundit Bajkenin. Erdhën shokët e femijërisë, të shkollës e të sokakut. Në këtë ngricë e me rrugë të bllokuara e bënë gjithë atë sacrificë duke vënë dhe veten në rrezik. Por ç’u ke bërë, mor voc, që të dashkan kaq shumë e të respektuan.
Po lumi i njerëzve nuk u ndal as në Itali, që për dy muaj ndejte për kurim, kushërinj shokë e të njohur erdhën e të panë. Si dhe të njohur e të panjohur që ishe në Itali erdhën të panë, të dhanë kurajo e të qëndruan pranë, e të mbështetën me sa kishin mundësi. A u harrohet atyre të gjithëve, e vëllezërve Vani me bashkëshortet e tyre. Po kushërinjt e tu, që dy muajt e fundit nuk u ndalën asnjë ditë e asnjë natë, e nuk të lanë vetëm, e të mbajtën me biseda, humor e kurajo, e më duket se ta zgjatën jetën. Po shokëve të punës, mor Bajken, kolegë e shoqe, ah Zot më fal se gabova.
Po ato nuk ishin shokë, por vëllëzerit e tu. Ato nuk ishin shoqe, por motrat e tua. Ato nuk ishin kolegë, por ishin Dritanët e tu. Po nuk mbeti asnjë prej tyre pa qarë, mor Bajken, me lot në sy. Po ato ma hijeshuan mortin, mor Bajken. Po s’di ç’të them më shumë, s’di si t’ua shpërblejë se më duket shumë pak një faleminderit e thënë nga goja, edhe pse e them me zemër. Por vetëm lutem: Zoti i bekoftë e mos paçi fatkeqësi të tilla në shtëpitë e tyre.
Si nip të kisha përzemër, por nuk ia fal vetes që s’të kam njohur tamam. Kjo besoj është për të gjithë ne. Mua kjo brengë do më shoqërojë gjithë jetën. Kjo do të jetë një arsye më shumë, si dhe kujtimet që kemi së bashku, që nuk do të harrohesh. Se njeriu nuk konsiderohet i vdekur për aq kohë sa kujtohet nga të tjerët. Ra ky mort dhe kuptova se kush qenke. Respekti i treguar nga njerëzit dhe lotët në sytë e tyre nuk tregonin vetëm dhembshuri, ata ta bënë respektin si NJERI QË MERITOJE RESPEKT. Për mirësinë që kishe, për urtësinë, me ty flitej e debatohej me kënaqësi për librat, për artin, për muzikën, kishe diapason për jetën, mbi të gjitha ishe person që s’të mungonte guximi e kurajo, të cilat unë i kisha provuar tek ty. Akoma më shumë ngushëllimet e marra nga Facebook-u si dhe të shokëve që vinin për ngushëllim evidentonin respekt e dhimbje të shoqëruara me shkrimet e tyre, si dhe të treguara nga gojët e shokëve të tu, duke treguar cilësitë e tua më të mira e gjithë vërtetësi. I falenderojmë nga zemra gjithë ata që na ngushëlluan. Qofshin të bekuar!
Jeta
Në një mbasdite, kur rrinim deri vonë të mbledhur, kryesisht të afërm të Bajkenit, në mort, duke bërë biseda, Shpëtimi shprehet: Me e dit se më percjellin kaq shumë njerëz e me një mort kaq të hijshme sa kjo, ku të gjithë lotojnë, nuk më ngelet merak me vdek prej nesër. Por kam frikë se kur të vdes unë, pale do mblidhen njëzetë a tridhjetë veta me më përcjell.
Ja pret një tjetër: – Prap më duken shumë, o Shpëtim.
– Më duket se ke të drejtë – përgjigjet Shpëtimi. Do t’ju tregoj një histori, si i thoni ju me shkollë, një episod nga jeta. Në Peshkopi, në lokalin e punës, berberhane, ishin katër–pesë kolegë. Lokali ishte plot me njerëz. Hyn dhe një katundar, i cili ulet si gjithë të tjerët dhe pyet: “Ku qenka usta Jahja?” Nuk vjen sot i përgjigjet, se është paqejf , por është i biri, e më tregojnë mua me gisht. U pyetëm si zakonisht: Si je, nga je, etj. Ai fillon me pyetjen për sëmundjen e Jahjes e unë i përgjigjesha me indiferentizëm, si pa interes. Ndërkohë fillojnë ngacmimet dhe nga kolegët e tjerë. Katundari shumë shpejt ra viktimë e ambientit përreth shpotues e ngacmues, dukej se ishte shumë i drejtë e i sinqertë. Shpejt ai po binte viktimë e ngacmimeve tona. Por më i zellshmi isha unë e duhet të luaja rolin e brezit të ri që nuk çaj kokë për prindërit. Biseda thellohet hidh e prit me kolegët dhe shikonim me verejtje që katundari po nevrikosej, se nuk i përputhej koncepti i tij me fjalët tona. Nuk i mbaj mend të gjitha çka thamë. Erdhi koha që të ulej te karrigia ime, ndërkohë biseda vazhdonte e unë them se ku ka si gruaja, të kem cullët mirë, të jem rehat, pa për të tjerët, a s’kan shku në …
Ndërkohë po i vija përparësen e bardhë për qafe, ai shifte majtas djathtas, por asnjëri s’po qeshte, se po ta merrte vesh se po talleshim, nuk i dihej fundi. Unë flisja në dukje me seriozitet. Sa i vura pecetën, ai brof nga karrigia, heq nga qafa pecetën e hedh në ndenjësen e karrikes e më drejtohet gjithë inat: Jazik, mor të qoft, i kujt babe je e flet kështu, por Jahjen e njeh dhe e nderon gjithë Dibra, edhe ti flet kështu, jazik, jazik të qoftë! Ec e fol derisa shkoi te dera. E hapi të dilte e drejtohet me fytyrë nga unë e më thotë: – Po për ty edhe vorr s’ka për të pas, mor jezit! E përplas derën e ikën. Fillojmë të qeshim, por pamë se e tepruam pak … Kjo histori gati 50-vjecare, ndër vite ishte harruar. Kur erdha të banoja në Tiranë, një ditë të bukur, duke ngrënë dreke me një teke raki përpara, gjithë qejf me televizorin ndezur, kur shoh në lajme se Bashkia e Tiranës njofton se për disa kohë janë mbyllur varrezat, derisa të sqarohet konflikti midis bashkisë dhe pronarëve të tokave të Tufinës e Sharrës. Vazhdova të ha bukë gjithë qejf apo s’kisha dhe spece të mbushme, e them me vete: Eh Tiranë, o bir! Pas nja dhjetë minutash se si më erdhi në tru e nëmura e atij katundari, se për ty s’ka për të patur vorr. Filloi truri ta përpunonte e mua filloi të më kapte jo frika, por ankthi. Mendoja se mos po më zë e nëmura e atij katundarit e po vdes këto ditë që s’ka varre. Ndejta gjithë kohën me frikë, edhe shokëve të mi nuk u dëftova frikën, por Zot shyqyr nuk zgjati më shumë se dy jave kjo situatë. Fillova të qetësohem e ta marr veten. E ndërkohë, gjatë bisedës që bëhej, njerëzit përreth ishin në ilaritet gjatë tregimit, kur befas ia pret një nga nuset e reja: O Timi, kot je merakos aq shumë, veç të vdisje se flori do pagunim e një vend do ta gjenim.
Nga ilariteti plasën të qeshurat me lot. Po ç’emër t’u vinim këtyre lotëve? Kur akoma s’ishin tharë lotët e mortes. Janë lot që nxjerrin në pah se jeta e vdekja janë udhëtare. Se është në bashkejetesë dhimbja me paqen dhe janë pjesë e jetës e hidhura dhe e ëmbla.
U preHsh në paqe, Bajken!
I paç lënë jetë vajzës, edhe pse në çdo aspekt të jetës kujtimi yt do të jetë prezent, përsëri do na mungosh ti, humori dhe ironitë e tua. Nuk do të shikojmë për së afërmi përkujdesjen e përkëdheljet e tua ndaj Xhimit. E trajtoje atë sikur s’ishe djali i saj, por vajza. Do ta ndjejmë përgjithnjë mungesën tënde, o DJALË, o BABA, o NIPÇE.
Daja Selamiu