JALLA LEMA… “LUNGO ARBRIN”


Më në fund “Rruga e Arbrit”, aq e lakuar, aq e dëshiruar, nga kjo anë e ajo anë e kufirit shqiptaro-shqiptar; nga tiranasit, matjanët, dibranët këtej e dibranë andej, tetovarët, gostivarasit… doli e para.
Më në fund fleta u përmbys dhe rruga doli në krye të listës…
U tha me gojë të plotë në “Një biliard” dhe u shpërnda në efir nga toka në qiell e nga qielli në tokë, në valë satelitore e tokësore.
Gazeta “Rruga e Arbërit” që ka njëmbëdhjetë vjet që thërret e bërtet, që argumenton se ajo duhet të ishte prioritet i shumë viteve më parë, që ka përcjellë fotografi “prerje shiritash” e fjalime me “rrahje gjoksi” që në fushatën zgjedhore të vitit 2005 (Fatos Nano) e me radhë Berisha në tetë vjet e Rama në tre vjet, në momentin kur do të kalonte në printim ndryshoi faqen e parë…
Titull, mbi titull, nëntitull…
Para zgjedhjeve nisin punimet…
Rruga e Arbrit përfshihet në programin “Një miliardë për ndërtim”…
Kryeministri Edi Rama: Rruga e Arbrit është në procedurë. Është projekti i parë që do të realizohet me Programin “Një miliardë të rindërtimit” dhe kam shumë besim që, në se nuk do të tradhtojnë procedurat, shumë shpejt do të fillojë puna edhe për Rrugën e Arbrit…
Kishte deklaruar se nuk do ta linte karrigen e kryeministrit pa ndërtuar “Rrugën e Arbrit”.
Kishte deklaruar… por “në se nuk do të tradhtojnë procedurat”, hallva dibrane ftohet e lugët mbeten futur në brez.
Kishte deklaruar…por “në se nuk do të tradhtojnë zgjedhësit”… ikën karrigeje, ikën edhe “Rruga e Arbrit”.
Gazeta me emrin e rrugës historike të Dibrës, e tej e tej deri në ultësirat e Detit të Zi, do ti mbushë faqet e saj me dhimbjen e dibranëve për rrugën e tyre që në shekuj e shekuj “rrugë pedonale” mbeti.
Pas pedonaleve…“Lungo Mare”. “Lungo Fiume”, rruga më e gjatë “pedonale” shqiptare është “Rruga e Dibrës”, “Lungo Dibra”, e pa kurorëzuar zyrtarisht në tubime…
“Rruga e Arbrit” ka dalë në krye të listës: ”është projekti i parë që do të realizohet me Programin “Një miliardë të rindërtimit”…
Jemi mësuar të ngopemi me fjalë…
Deri në grykë sa nuk marrim dot frymë…
Ruajna Zotmos përmbyset fleta dhe “Rruga e Arbrit” përfundon jo në fund por “prapa listës”, siç ka qenë në gjithë këto vite.
I vetmi urim është “Ruaje Zot Edi Ramën mos bie nga karrigeje”.
Të paktën kemi “kashtë në lumë” ku të kapemi.
Se deri tani pas kashtërash jemi kapur e na kanë zhyt e mbyt…
Një ish ministër projektin “Një miliardë të rindërtimit” e quajti”: “PASTRIM PARASH!”
Ish ministri me mbiemër Dibre, ve kështu “gurin e parë” nën rrotat e “Rrugës së Arbrit”. E gjeti ditën të flasë kur kaq vite në politikë, kaq vite deputet, e kaq kohë ministër i Ministrisë së Drejtësisë, askush nuk e ka dëgjuar të shqiptojë një herë të vetme dyfjalë-shin “Rruga e Arbrit”.
Dibranët tundin kokën e thonë: “Jalla lema”…