Tradita poetike dibrane


Tradita poetike dibrane nuk është shumë e hershme, por ajo nuk është as aq e vonë sa mendohet. Ajo ka filluar në shekullin e nëtëmbëdhjetë për të vazhduar deri në ditët e sotme, me cilësi të reja artistike, me ecje përpara dhe me kthime mbrapa, si për sa i përket nivelit, ashtu edhe performancave të profileve poetike. Tradita poetike dibrane ndoshta fillon me poetin dhe gazetarin Josif Bageri nga Reka e Dibrës së Madhe, si i pari poet që ka botuar një libër me vjersha dhe përgatiti për botim librin e dytë. Josif Bageri (1870-1914) qe një patriot i shquar dibran. Ai dha ndihmesën e tij në atë periudhë kur Lëvizja jonë Kombëtare për të krijuar shtetin shqiptar ishte në ngritje. Josif Bageri lindi në një familje të varfër të Rekës. Për papunësinë dhe ngushtësinë e jetës u detyrua që qysh në moshë fare të re të emigronte dhe të vendosej në kryeqytetin e Bullgarisë. Sofja ishte qytet i madh në krahasim me vendlindjen e tij. Tani djaloshi i ri, i djegur nga malli dhe dashuria për atdhe, e kishte edhe më të vështirë për të mbijetuar, mbasi ishte pa profesion dhe i pashkolluar. Do të vinte koha që ai të bëhej gazetar dhe poet, por gjer këtu ishte një rrugë e gjatë dhe e vështirë që filloi me njohjen me disa nga atdhetarët më të shquar të Lëvizjes sonë Kombëtare, të cilët ngjallën në shpirtin e djaloshit të ri dëshirën dhe entuziazmin që të vinte të gjitha forcat në shërbim të atdheut. Nuk kaloi shumë kohë dhe Josif Bageri i ri u bë aktiv në Lëvizjen tonë Çlirimtare. Ai qe një ndër themeluesit e shoqërisë “Dëshira” të Sofjes në janar të vitit 1893. Gjatë viteve 1909-1911 drejtoi gazetën “Shqypeja e Shqypnies”, në faqet e të cilës iu bë jehonë luftërave dhe përpjekjeve të popullit shqiptar për çlirim kombëtar nga zgjedha turke.
Josif Bageri shkruajti vjersha kryesisht me motive patriotike, që i recitonte vetë në masat e gjëra të popullit për të ngjallur tek ato ndjenjat e lirisë. Shumë prej këtyre vjershave ai i botoi në shtypin e kohës duke u bërë poeti më prodhimtar dhe më ndikues në rritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve. Në vitin 1910 botoi përmbledhjen “Kopsht shqiptari”, që u prit mirë nga bashkëkombasit.1) Me këtë vëllim ai eci në hullinë e traditës poetike atdhetare që hapën krijuesit e mëdhenj të Rilindjes sonë Kombëtare, si: Naim Frashëri, De Rada, Andon Zako Çajupi dhe të tjerë vjershëtorë të shquar të asaj kohe. Shumë vjersha i përmblodhi në një vëllim tjetër, por ato mbetën pa u botuar. Ngaqë vjershat e Bagerit nuk i kemi në duar, nuk jemi në gjendje të bëjmë ndonjë vlerësim për cilësinë e tyre artistike. Por, pavarësisht nga niveli artistik, ato iu përgjigjën kërkesës më imperative të kohës: mobilizimit të popullit për çlirim kombëtar.
Një tjetër patriot dibran që shkruajti vjersha është Haki Sharofi. Hakiu lindi në Dibër të Madhe në vitin 1894. Qe një personalitet poliedrik: Mësues i Popullit, gazetar, poet dhe lëvrues i gjuhës shqipe. Për të kuptuar madhështinë e këtij njeriu, mjafton të dish që nxënës të tij qenë intelektualët nga më të shquarit, si: Shaban Demiraj dhe Vexhi Buharaja. Pati edhe shkollim të mirë, por më shumë me zellin autodidakt arriti të marrë një kulturë të gjerë dhe të çmohet edhe si historian dhe përkthyes. Vexhi Buharaja, në formë dedikimi, shkruan për të: “Profesor Haki Sharofit, mësuesit tim të gjuhës amëtare e turqishtes, i cili më pat lëvruar në zemër dashurinë për Naimin, si shenjë kujtimi, mirënjohje dhe respekti të thellë”.2) Kurse ish-nxënësi tjetër, Prof. dr. Shaban Demiraj, me cilësinë e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, thotë: “Kam kënaqësinë që e marr fjalën (në njëqind vjetorin e lindjes së Haki Sharofit-xh. m.) dhe besoj se shpreh edhe mendimin tuaj për të përgëzuar organizuesit e këtij tubimi përkujtimor për vlerat madhore të mësuesit atdhetar, që, megjithëse ishte lënë në harresë, më në fund u vlerësua për punën e palodhur Mësues i Popullit. Dua të përgëzoj, gjithashtu, kumtuesit që me punën e tyre të papërtuar arritën të venë në dukje, nëpërmjet kumtesave, mësuesin e palodhur Haki Sharofi dhe, veçanërisht, jo vetëm si arsimtar por edhe si hulumtues. Dhe mund të pohoj si bashkëpunëtor se personaliteti i Haki Sharofit përputhet plotësisht me kujtimet që kemi ne ish-nxënësit e tij, miqtë e tij për të. Haki Sharofi, mbi të gjitha ishte njeri me ndjenja atdhetare, liberale, njeri me moral të lartë, përçues i së resë. “ 3)
Disa nga vjershat e tij janë botuar edhe në përmbledhjen me trajtesa me rastin e 100 – vjetorit të lindjes së tij. Njeri nga kumtuesit shkruan kështu për krijimtarinë poetike të Haki Sharofit: “Në çaste frymëzimi të veçantë, Hakiu provoi disa herë të thurë vargje. Vjershat e tij janë të ndjeshme dhe, në to, më shumë se sa vlerat artistike, bien në sy hovet e sinqerta të zemrës së Hakiut-poet, shqetësimet për hallet e vendlindjes, të atdheut dhe të njerëzve, shqetësimet për mangësitë në botën shpirtërore e morale të besimtarëve të kohës dhe të tjera”. 4) Në këto radhë duket që nuk ka një vlerësim të lartë për Haki Sharofin si poet. Për mendimin tim Haki Sharofi ka qenë poet si shumë të tjerë të asaj kohe. Madje ai ka ndonjë vjershë që të befason me cilësinë e lartë artistike dhe të kujton poetin e madh Naim Frashëri. E tillë është vjersha “Lavdimi hyjnor” me përmbajtje filozofike-fetare:

“Të përmendim Perëndinë,
Kurdoherë e në çdo vepër,
Që të gjejmë lumturinë
Dhe mëshirë në jetë tjetër.

Qofsh lavdue, zot i vërtetë,
Për të mirat që na ke dhanë,
E plotësove këtë jetë
Gja të metë s’i ke lanë.

Lusim, falim për Resulin,
Të kujtohet me respekt,
Dhe do t’ia mbajmë urdhnin,
Do ta njohim për profet.

Do t’punojmë si shokët e Tij,
Ndjesë paçin para Zotit,
Janë shembull për njerëzi
Sa të enden stinët e motit.

Kur të nisim të punojmë
Të kërkojmë hirin e Zotit
Punët tona mbarë shkojnë
Me përkrahje të Fuqiplotit.

Për të dalë nji punë në krye
Me sukses e me fitim,
Para Zotit ulim kryet,
Duhet me kërkue bekim.

Pse fuqia e të aftit
Pa u bashkue, s’bahet gja
Pa vullnetin e të Naltit
Gjithësia s’ban dot za.

Kur u shfaq vepra hyjnore
Mrekulloi çdo artist,
Se askujt s’i vjen për dore
Para saj të jetë kopist.

Gjeni nji fuqi të dytë,
Të krijojë nji gja të gjallë,
Të ketë kambët edhe sytë
Që të shkëlqejnë në ballë.

Kjo gja s’mund të bahet kurrë
Sa të vërtitet kjo tokë,
Nuk do të ketë as grue as burrë
Që t’i bahet Zotit shok.“ 5)

Haki Sharofi ka jo vetëm konceptin e vjershës strofike me rimë të alternuar a,b,a,b, por ka edhe konceptin e rimës, të ritmit, të vargut tetërrokësh. Në shumicën dërrmuese të rasteve ai shmangën rimat folojre dhe krijon një vjershë me bazament solid. Është përpjekja për ta çuar poezinë drejt modernitetit, po të kemi parasysh se moderninteti pranon të gjitha llojet e strofave dhe të vargjeve.Moderniteti qëndron në frymën poetike dhe tek poezia e Haki Sharofit ka vendin e vet.
Tek vjersha “Flamuri kombëtar” Sharofi ka edhe larmi strofike dhe larmi rimash dhe asonancash çka dëshmon për një poet të kultivuar:
“Shqiponjë, që historia
ta shkruen lavdinë,
Meriton të jesh kunorë,
Mbi flamurin arbënor,
Që pahiti botën mbarë
dhe Hindinë:
Flamur, që andrrat realizove,
Së parit në Vlorë,
Madhështor si shqiponjë
mbulove,
Kulmin arbnor”. 6)
Kjo vjershë edhe po ta citojmë krejt, nuk do të thoshim se ka ndonjë nivel të lartë artistik, sidomos për Himnin Kombëtar, siç e pat nisë poeti, por, sidoqoftë, këtu shfaqet dukshëm vetëdija e poetit për larmi strofash dhe rimash. Në katër vargjet e parë kemi rimën: a,b,b, a, kurse në katër vargjet e tjerë, kemi rimën e alternuar a, b, a, b. Strofën e kemi tetëshe. Pësa i përket vargut kemi kombinimin e dhjetërrokshit me gjashtërrokshin, sadoqë nuk është deri në fund konsekuent. Shkurt, pa hyrë në hollësi të një analize metrike, stilistike, kemi të drejtë të pohojmë që Haki Sharofi jo vetëm e ka pasë idenë e poezisë moderne (për kohën), por edhe e ka realizuar atë sipas potencës së tij poetike.
Një tjetër poet, me prirjen për të qenë modern është edhe Xhelal Ndreu (1911-1988). Ky ishte historian, publicist, romancier, dramaturg, përkthyes. Por veprat e tij nuk i kemi. Ne këto i marrim shënim sipas një libri të botuar në vitin 1994 me titull “S’ka qetësi në Lisivale”ku ka poezi dhe përkthime poetike, publicistikë, një histori të shkurtër të Dibrës dhe një shënim të shkurtër biografik ku tregohet edhe për shkatërrimin e veprës së tij në kohën kur ai ishte në burg. Gjykimin për të si poet do ta japim nga një tufë me poezi që janë botur në librin që përmendëm. Janë rreth njëzet poezi, gati një vëllim, megjithatë jo mjaftueshëm për të nxjerr një përfundim të paqortueshëm. Për mendimin tim është poet që, po të kishte pas një jetë normale, mund të ishte zhvilluar më tej dhe mund të ishte ngritur më lart. Por kjo puna e jetës është sipas njeriut. Ka plot njerëz me prirje poetike që, duke jetuar në luks, pasuri dhe rehati, e kanë mbytur talentin e tyre, siç ka të tjerë, që, me gjithë jetën e vështirë, i kanë dhënë perla letërsisë botërore. Kadare, kur trajton problemin e raporteve të krijuesit me jetën e tij, shkruan: “Askush nuk mund ta dijë, ndërkaq, se cili mjedis e nxit më fuqishëm prirjen e artistit të vogël: ai që e josh me praninë e tij gjithkund, apo tjetri, që ia shton etjen me mungesën e tij”. 7) Por, sidoqoftë, unë e gjykoj me dhembshuri Xhelal Ndreun, se mendoj që ai nuk pati kushte për të shkruar. Por kjo nuk më pengon të mendoj që poezia nuk ishte fusha ku ai mund të jepte më shumë. Proza e tij, qoftë edhe e këtij libri të vetëm që kemi në duar, është mbresëlënëse. Tufa me vjersha i përket lirikës, kryesisht lirikës së dashurisë. Ka ndonjë vjershë vërtet të frymëzuar, si: Pritëm mue:
“Pritëm mue nji ditë pranvere
Prit se unë vij plot gëzim,
Me atë vrull që bjen ujvari
Nëpër male të vendit tim.

Pritëm mue nji ditë vere
Prit se vij un’ n’fluturim
Si orteku me potere
E n’mos ardhsha, ban durim.

Pritëm mue nji ditë vjeshte
Kur bien shira pa pushim
Kur shqipja rreth nji bjeshke
Përmbi shkrepa fluturim.

Pritëm mue nji ditë dimni
Plot me borë e acarim
Posi vala që vjen prej Drini
Turbull, turbull dhe zemrim.

Si të ndrrohen stint’ me radhë
Ti tue pritë e tue shpresue
Po për t’ ardhë,
unë kam me ardhë
Vetëm prit e pritëm mue.

E n’kalofshin ditë e mot
Që t’mos kthehem unë kurrë
Atëherë ti të derdhish lotë
Tek ai varri me qivur. 8)
Nuk mund të thuash që nuk kemi të bëjmë me një poet, madje poet mjaft i ëmbël, i mallit dhe i dashurisë, me një simbolikë të fshehur, por edhe të hapur, po të kemi parasysh se autori i këtyre vargjeve ka bërë 20 vjet burg. Të presësh njëzet vjet është një gjë shumë e vështirë. Motivi i pritjes është i njohur shumë edhe në poezinë popullore, madje me një nga xhevahiret e llojit:
– Ti moj grue, e zeza grue
Sa do mbajsh zi për mue?
– Sa të marr ibrixhet
Me mushë ujë n’ krue.
– Ti moj motër e zeza motër
Sa do mbajsh zi për mue?
– Do bahem qyqe me pigrue
mal m’ mal e krue m’krue. .
– Ti moj nanë e zeza nanë,
sa do mbajsh zi për mue?
– Lot’t e mia s’do pushojnë
Njersa të thahet rrasa në krue.
Këtu motivi i pritjes është zëvendësuar nga motivi i zisë, por në aspektin social filozofik është e njejta gjë. Është dimensioni kohë që ka rëndësi.
Xh. Ndreu ka edhe poezi të tjera të bukura, por në tërësinë e tyre, ndonëse dëshmon që është poet, poezia e tij ka mbetur e parealizuar artistikisht deri në fund.
Prej analizës fare të shkurtër të këtyre tre poetëve del që në Dibër ka ekzistuar një traditë e mirëfilltë poetike, e poezisë refleksive, me një bazament mjaft të shëndoshë për t’u zhvillua më tej nga brezat e ardhshëm. Brezat e ardhshëm patën fatin e keq të jetonin nën diktaturë. Diktatura e ndërpreu këtë traditë poetike dhe, në vend të saj, inkurajoi rapsodinë, artin e përshtashëm për sistemin e ri. Diktatura komuniste burgosi dhe la për një kohë të gjatë në burg të parin gazetar dhe shkrimtar të Dibrës të pas Luftës II Botërore , Bajram Hysenin. Kontributi i tij kryesor është në prozën artistike, në gjininë e tregimit si dhe në publicistikë.
Vëllimi me tregime “Flaka” dhe libri “Vepra” dëshmojnë për prirjen krijuese të këtij autori, i cili ka shkuar edhe ndonjë vjershë brilante.
Diktaturat komuniste e shkatërruan letërsinë e shkruar dhe përgjithësisht artin e kultivuar. Ata u mbështetën kryesisht në letërsinë gojore, sidomos në rapsodinë, që edhe e botuan. Arti i popullit është shumë i fuqishëm, ai bëhet nga një armatë e madhe popullore, pa përmendur këtu bartësit, mbledhësit, studiuesit e këtij lloj arti. “Logjika e donte që ky univers, i kaluar gati si filtër nëpër gati krejt trurin e pastaj në gojën e njerëzimit, të ishte zotërues në këtë botë. Mirëpo nuk ndodh kështu. Zotëruese nuk është ajo armatë e pafund, por njëzet apo tridhjetë autorë, pa veprën e të cilëve kultura botërore nuk mund të përfytyrohej dot sot. Asnjë grumbull legjendash ose këngësh epike nuk mund ta zëvendësojnë dot një “Makbeth” ose një “Don Kishot”, ashtu si kurrëfarë këngësh popullore ose fetare, ose polifonike, s’mund të krahasohen me Simfoninë e Nëntë, e kështu me radhë në botën e pikturës, të filozofisë e gjithçka tjetër.” 9)
Pra, kultura botërore është e mjaftueshme për gjithë planetin. Diktaturat e shkatërruan një pjesë të saj siç ndodhi në Revolucionin Kulturor në Kinë, në vitet 1967-1977.
Në vendin tonë vazhdoi e egër lufta kundër ndikimeve të huaja në letërsi dhe arte. Arti popullor kultivohej për t’u vënë në shërbim të diktaturës. Gjëmonin festivalet, këngët dhe vallet se diktatura, në thelb e ngrysur dhe tirane, kishte nevojë për pak hare. Kadare shkruan: “Në vendet ballkanike, që ranë nën regjimin komunist, Rumani, Shqipëri, Jugosllavi e Bullgari, ndodhi diçka sa befasuese aq edhe tragjikomike. Traditën e pasur rapsodike, që, duke udhëtuar përmes shekujve , kishte mbërritur gjer në kohën tonë, regjimet komuniste u përpoqën ta shfrytëzonin për festat dhe festivalet e tyre të pafundme. Një pjesë e rapsodëve shëtitës gjysmëlypsarë, të mbetur nga e kaluara, u thirrën të bënin pjesë në grupet folklorike, duke ndryshuar, natyrisht, natyrën e këngës e duke i kënduar lavde komunizmit. Lindi kështu ai që mund të quhet “realizëm socialist homerik”, një nga talljet më të hidhura të letërsisë gojore. Por puna nuk u ndal me kaq. Duke parë se kjo punë ishte me leverdi, dhe sidomos synonte shpesh udhëtime jashtë shtetit, mjaft sharlatanë të rinj, kryesisht studentë të fakultetit të letërsisë, u kthyen e u bënë rapsodë”.10)
Mua më kujtohet që edhe në rrethin e Dibrës, gjatë përgatitjeve për Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, merreshin melodi të bukura të vjetra dhe u veshej një tekst i ri që t’i këndonin socializmit fitimtar. Një nga këngët perla të asaj kohe: “O mirë se na erdhe”, që e këndonte Saje Poleshi, e kishte burimin pikërisht tek kënga e vjetër popullore “Xhurdina me thekë”, që iu vesh një tekst i ri. Rruga për rapsodinë qe hapur.Tradita e poezisë refleklsive u ndërpre nga sulmi rapsodik. Kjo ka ndodhur qysh në vitet e para pas çlirimit.
Në Dibër këtë traditë e hapi një rapsod i fuqishëm, Islam Vani, që botoi librin “Sokolat e rinj” në vitin 1958. Islam Vani ishte matjan, por ai jetoi, krijoi dhe vdiq në Peshkopi. Familjen e ka dhe sot e kësaj dite aty ku hodhi rrënjë. Qe drejtori i shtëpisë së kulturës së Peshkopisë. Ishte njeri i shkolluar dhe me talent poetik. “Sokolat e rinj” është një poemë rapsodike me mbi 2000 vargje. Me siguri do të jetë krijimi më i gjatë rapsodik i të gjithë kohërave, duke përjashtuar sigurisht poemën e Naim Frashërit “Histori e Skënderbeut” dhe “Lahuta e Malcis” e Gjergj Fishtës, që janë tjetër gjë.
Poema rapsodike e Islam Vanit afrohet shumë me poezinë e kultivuar dhe qëndron në mes të saj dhe rapsodisë tipike. Thuhet që ky poet ka lënë shumë krijime të tjera poetike por ne nuk mund të gjykojmë për cilësinë e tyre, sidomos për rrugën e zhvillimit, meqë atë krijimtari nuk e kemi në dorë. Për fat të keq krijimtaria e tij e begatë ka humbur ose ka përfunduar në duar të tjera. Me sa di unë, familja nuk e ka. Tek ne as sot e kësaj dite nuk ekziston koncepti i trashëgimisë së pasurisë shpirtërore si për çdo pasuri tjetër. Por le të merremi me analizën e kësaj që kemi në dorë. Poema “Sokolat e rinj” u kushtohet luftëtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare, partizanëve dhe partizaneve; në të trajtohet edhe si përjetohet kjo luftë në popullin e thjeshtë, nga ata që i dhanë përkrahje, por edhe si përjetohet nga ata që e kundërshtuan, duke konsideruar jo si luftë çlirimtare, por rrënimtare. Sipas këtij autori, Lufta Civile nuk ka filluar pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, siç thonë historianët tanë, por fill mbas pushtimit të vendit nga Italia. Kur njeri prej partizanëve flet për luftën kundër pushtuesve italianë, Nikollë Shkura, që përfaqëson forcat kundërshtare, thohtë kështu:
“Mos na thuej, or djalë, përralla
Sot fashizmit i pret palla,
Dhe nuk len jo diell me le,
Për pa i tretun gur e dhe,
As kushtrimin me marrë vrull
Për pa i therun gra e cullë
Andej ju o këlyshë Rusie
Dam po i bani ksaj Shqypnie
Kundër kralit n’mal me dalë
Por ta dini veç nji fjalë
Se kush merret me këto punë
Do t’përkulet me përdhunë”.11)
Përgjigjja vjen e ashpër:
– Nikollë Shkura, bre tradhtar
Me milicë tre muej më parë,
Ti ke hikë prej Vlorës trime,
Ku grabite e bane krime
Dhe kudo fashizmi t’grishi
Ti je turr si qen mbas mishi-
Iu drejtue në gju Jordani
Me kërcënim sa i mujti zani.
Plaku i malit Sokol Shpata,
Për t’ju shue n’oxhak shamata,
Dhe me nda kuvend me çokë
Si zakon e ka ndër shokë
Sikur flet gjithmonë malsori
Urtë e butë fjalën e mori:
– Nikollë Shkura bre lum shoqi
Të vraftë krypa e kollomoqi
Të vraftë fjala, të vraftë besa
Si me m’sjell n’oxhak ngatrresa
Si me u zanë me vllazën tu
Që për vend jan’ tuj luftue?
Fol Jordan, bre burri i dheut
Fol mbi fatin e atdheut
E na thuej ndoni gja të re
Për njat diell që paska le. 12)

Poema përbëhet nga këto këngë: “Tym e flakë në brigjet tona”, “Kris kushtrimi”, “Çeta trime”, “Shteg në shteg e zemër në zemër”, ”Peza kreshnike”, “Prita”, “Rrethimi”,”Kënga e çlirimit”. Këto këngë ruajnë një farë pavarësie formale nga njera-tjetra. Me pak fjalë, ato qëndrojnë edhe në vete, por, ashtu si është konceptuar poema, janë pjesë të saj dhe plotësojnë njera-tejtrën. Në këtë poemë ka protagonistë jetësorë, figura historike, por ka edhe mjaft personazhe të krijuara nga autori, që i shërbejnë për të përçuar idenë e tij poetike. Personazhet e krijuar janë nga të dy palët: edhe nga partizanët, që janë më të shumtë, por edhe nga forcat kundërshtare, domethënë të atyre që luftojnë kundër tyre.Figura qëndrore në poemë nuk është ndonjë protagonist historik, por një personazh i krijuar, plaku patriot Sokol Shpata, që del në të gjitha këngët duke u bërë kështu organizatori i poemës në rrafshin kompozicional. Kënga në tërësi boshtohet rreth tij.
Poema ka edhe figura të njohura historike si Mujo Ulqinaku e Kajo Karafil. Në të jepet mirë kuadri historik, jepen malet, shtigjet dhe vendet ku luftohet, “gjeografia” e poemës është mjaft e pasur. Poema nuk është strofike por e shkruar në monokolonë. Vargu është tetërrokshi rapsodik, por me plot inkosekuenca. Rima është e puthur aa, bb.
Po japim pjesën e parë të këngës “Çeta trime”, për të krijuar një ide më të plotë për ndërtimin e poemës. Poeti vetë këto këngë i ka titulluar “Vjersha”, por dihet që në një villim me vjersha secila prej tyre nuk ka asnjë varësi nga tjetra, duke përjashtuar faktin se në një vëllim poetik ka një unitet përmbajtësor duke u nisur nga individauliteti krijues i autorit. Por le të kthemi tek fragmenti i këngës “Çeta trime”:
“Heret çue Soklol Shpata
n’tre sahati si then nata
kambë kryq në krye t’oxhakut
tue përdredh at’ deg’ mustakut
mendja larg i treti plakut.
I pikon po zemra gjak,
Kah mendon kreshniku plak,
Se sa zi në jetë i ra,
Për vend t’vet ai vetë me pa
Si n’dor t’huej ky popull ngeli
Si fashizmi vendin shkeli,
Mendon brengat e vatanit
Me thith kaf’ e tym duhanit
Siç ka mbetur brij caranit
Se nuk asht ma sot i zoti
Për me thithun tym baroti
Siç ka qenë dikur moti.
Sokol Shpata burr’ malsor
E pat prit me armë n’ dorë
Çdo ushtri të huej mizore
Që sulmoi kët tok’ arbnore.
Si ma zi mendon i shkreti
Se as bir as bijë s’i mbeti
Që ta fali për atdhe;
Si zakon asht ndër ne
Pse Turqia la nji vragë
Në malsi të mnershmen plagë
Animiqsi, ngatrresa e haqe
Njenin tjetrin mbyll në gjaqe
Kështu djelmt e Sokol Shpatës
Do prej pushke e do lëngatës
E lanë vetëm në pleqni
Me nji nip sokol të ri.
Mbyllun mbrend për koh’ të gjata
N’taksa t’randa e vise t’thata
Kish ra vaktit plak Sokoli
………………………………
Edhe Gjergjin, dja’ i djalit
qi për mall e kish plaku i malit
hysmeqar e pat pajtue
veç të mujte me jetue 13)
Islam Vani edhe pse shkroi dhe botoi kaq shumë vargje, mbeti i panjohur se ai krijimet e veta nuk i recitonte vetë, madje edhe nuk di që t’i kenë recituar të tjerët. Më vonë rapsodët u shtuan dhe ata i recitonin vetë krijimet e tyre çka bëri që kjo krijimtari të përhapej më shumë me gojë se sa me shkrim. Tradita rapsodike e Islam Vanit u pasua më vonë nga një tjetër rapsodë dibranë.
Tradita poetike e poezisë së kultivuar u hap vonë, në fillim të viteve gjashtëdhjetë. Askush tani nuk kujtohet për të, por ka qenë një poet, Haxhi Lusha, nga Gjorica, që pat botuar vjersha dhe cikle me vjersha nëpër organet e shtypit të asaj kohe. Ai pat mbaruar fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega gjuhë dhe letërsi shqipe, dhe e emëruan mësues në gjimnazin e Peshkopisë. Për shkak të injorancisë provinciale një vjershë e tij nuk u kuptua siç duhet kuptuar çdo krijimi poetik dhe i shkaktoi poetit konflikt me disa njerëz. Kaq u desh që seksioni i arsimit, në vend që t’i dilte në krah poetit, e transferoi për në Shupenzë, ku Haxhiu, si natyrë e butë dhe jo qëndrestare, u nda me poezinë, u dha pas pijes dhe vdiq në një moshë të re. Kështu “vrasjesh” diktatura ka bërë shumë në Dibër. Kështu vdiq, i mbytur nga avujt e alkolit, edhe piktori gjenial Bajram Mata. Jetoi tetë vjet në Reç ku shikohet vetëm një hektar qiell, profesori i Universitetit të Tiranës, okulisti i shquar Basri Neziri, derisa edhe ai u dha pas pijes dhe e humbi gjenialitetin nga i cili karakterizohej. Kështu mbahej në Peshkopi mjeku tjetër gjenial, gjinekologu i famshëm Rrahim Gjika, me librat e të cilit studionin studentët e Fakultetit të Mjekësisë, kurse atij nuk i hapej rruga për të qenë në stafin akademik ose të operonte në kushte më të përshtatshme. Kështu… ka edhe shumë të tjerë. Por qëllimi i këtij shkrimi nuk është ky. Kujtoj se po bëj një shërbim të vogël lexuesve të “Rrugës së Arbërit” duke përkujtuar disa poetë ta lënë në harresë.

1. “Dibra dhe dibranët”, Peshkopi 1981. (Në shkrimin “Rreth figurës së Josif Bagerit dhe veprimtarisë së tij për çlirim kombëtar”- nga Zymbyle Zeneli).
2. “Haki Sharofi dhe vepra e tij”, f. 28, Tiranë 2000
3. Aty, f. 79
4. Aty, f. 14
5. Aty, f. 240,241
6. Aty, f. 234
7. Ismail Kadare: “Vepra 19”, f. 298, “Onufri” 2009
8. Xhelal Ndreu: “S’ka qetësi në Lisivale”, f. 12, Tiranë 1994
9. Kadare: vepër e cituar, f. 29
10. Aty, f. 41
11. Islam Vani: “Sokolat e rinj”, f. 10, Tiranë 1958
12. Aty, f. 10
13. Aty, f. 16