Humbi jetën në detyrë, Dibra nderon kapitenin e FA


Dibra do të kujtojë përherë kapiten Floran Delia, pilotin e Forcës Ajrore, i cili humbi jetën në një aksidenti ajror 2 vjet më parë.
Në një ceremoni të zhvilluar në mjediset e Pallatit të Kulturës në Peshkopi, me vendim të Këshillit Bashkiak, ku merrnin pjesë familjarë, kolegë dhe qytetarë të Peshkopisë, kapiteni Floran Delia u nderua me titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes).
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në fjalën e rastit u shpreh se kujtimi i heronjve të FA të rënë në krye të detyrës është njëherësh angazhim për vëmendjen që meritojnë ushtarakët shqiptarë.
“Ky angazhim solemn që në fakt më takon ta marr edhe personalisht në cilësisnë e ministres së Mbrojtjes, na detyron të gjithëve të kujtojmë me shumë respekt sakrificën e të gjithë atyre që nuk jetojnë më.
Njëherësh është edhe angazhim për të nderuar të gjithë ushtarakët që i shërbejnë atdheut, që kanë marr përsipër të rrezikojnë edhe jetën e tyre për të bërë profesionin shumë të nderuar të ushtarakut, por edhe profesionin e rrezikshëm të pilotit”, tha Ministrja në fjalën e saj.
Ministrja e Mbrojtjes falenderoi qytetarët e Dibrës për këtë gjest bujar:
“Shumë faleminderit qytetarëve të Dibrës për këtë gjest bujar por shumë të merituar për heorin tonë. Dhe duke nderuar Floranin njëherësh keni nderuar vlerësuar kontributin e secilit prej 8 mijë efektivëve të FA për të kontribuar për sigurinë e vendit dhe për jetën e çdo qytetari të Republikës të Shqipërisë”.
Me vendim të Këshillit Bashkiak, edhe rruga Ceren – Radomirë do të mbajë emrin e kapitenit të lindur e rritur në Dibër. Kapiten Floran Delia dhe toger Donald Hoxha, ranë në krye të detyrës në mesditën e 6 prillit të vitit 2016 gjatë një fluturimi stërvitor në Grizhë të Malësisë së Madhe.
Të dy ushtarakët janë shpallur ‘’Dëshmorët e Atdheut’’ nga Komisioni Shtetëror për Dëshmorët./a.ç