Emigracioni për pjesën më të madhe të të rinjve ka qenë dhe mbetet një nga zgjedhjet dhe zgjidhjet e shumë problemeve ekonomike. Vështirësitë e mëdha ekonomike kanë bërë që të rinjtë të vërshojnë drejt shteteve europiane akoma pa mbaruar 9- vjeçaren, krejtësisht e ndaluar nga ana ligjore për të punuar apo për të kaluar të vetëm kufirin. Qindra të rinj që nga vitet e para të tranzicionit vërshuan ilegalisht duke lënë çdo gjë në vendin e tyre dhe duke parë jetën e tyre në një tjetër vend. Shumë prej tyre sot janë të suksesshëm, por ka edhe nga ata që nuk dihet se ku janë më… Por sot, jo të gjithë mendojnë që të largohen, madje ka të tjerë që kanë vendosur të kthehen në vendin e tyre, për të punuar e kontribuar pranë familjares.
Një prej tyre është 28 vjeçari Eljon Ramku, i lindur në fshatin Staravec të Njësisë Administrative Tomin. Tashmë i martuar, babai i dy vajzave, ka vendosur që të kthehet pranë familjes së tyre duke mos pasur “turp” nga puna në bujqësi. Eljoni iku nga Shqipëria pasi mbaroi arsimin 8 -vjeçar, duke luftuar varfërinë dhe papunësinë. Ai ishte vetëm 15 vjeç kur mori një vendim të madh në jetën e tij, duke lënë pas shokët, shkollën, familjen dhe çdo gjë që ai kishte deri në ato momente. Ai mori rrugën e vështirë të kurbetit dhe bashkë më të vëllanë, punuan dhe ndërtuan një jetë më të mirë për fëmijët e tyre. Prej vitesh ai e ndan jetën mes Greqisë dhe Shqipërisë, duke punuar punë të ndryshme dhe duke investuar ato të ardhura në vendin e tij të lindjes.
Puna sipas tij nuk është turp, mjafton që ato para që fiton i merr me djersë dhe punë të ndershme. Çdo ditë shikojmë të rinj nëpër kafene, xhiro nëpër bulevard dhe u vjen turp të punojnë me një rrogë të vogël apo në bujqësi.
“Unë ika nga Dibra i vogël. Situata ekonomike në familje nuk më lejoi të vazhdoj shkollën dhe u detyrova që të largohem në këmbë, ilegalisht drejt Greqisë”, tregon Eljoni. Bujqësia dhe pemtaria janë fushat të cilën ai punon dhe merr fitimet.
“Sa më shumë kalonin vitet aq më shumë kupton që familja është gjëja më e shtrenjtë dhe e unë u detyrova që të kthehem në Shqipëri në kohën më të madhe. Traktori për mua është shoku i punës, sepse punoj më përkushtim dhe ndershmëri. Unë jam i kënaqur edhe me pak, siç themi ne dibranët, puna me djers kurrë nuk humbet ndërsa leku pa djersë nuk do ta gëzosh asnjëherë”, tregon Eljoni.
“Edhe të rinjtë e sotëm duhet ta kërkojnë punën. Është mirë të shkollohen dhe të bëhen të zotët e vetes. Nuk ka si vendi jonë dhe këtë e dinë vetëm ato që si unë janë larguar në kurbet. Të rinjtë nuk duhet të kenë turp nga puna e ndershme, nuk duhet tu vijë zor në qoftë se lëron tokën, mbjell patate, qershi, merren me bujqësi apo punë të tjera. Dihet që këto që sapo përmenda nuk janë punë të lehta por u siguroj që jetohet edhe me këto punë. Dua tu them të gjithë të rinjve që të ndjekin modele të shëndetshme suksesi dhe të punojnë fort për ndërtimin e një rruge të sigurt për ta”, thotë 28 vjeçari Eljon Ramku.
Si Eljoni po shohim gjithnjë e më pak të rinj që punojnë në punë të tilla. Tendenca për të qenë “të kohës” ose ndjekja e shembujve negative nga rrjetet sociale dhe media bën që rinia e sotme të ketë një tjetër këndvështrim për jetën.