Maqellarë, situatë alarmante nga mbetjet


kazan plehrash para shkollës 9-vjeçare, Maqellare.

“Mungesë në mjete transporti dhe gjendje e amortizuar e mjeteve ne dispozicion, fuqi punëtore e pa mjaftueshme dhe shpenzime të tjera financiare të pa përballueshme”, shkruan bashkia Dibër në përgjigjen e saj.
Në fshatin Popinar dhe Pocest, situata muajt e fundit është bërë edhe më e rëndë, kjo për faktin se një banorë i zonës që më parë kundrejt një pagese prej 100 lekësh për familje, me traktor bënte grumbullimin e mbetjeve, nuk e bën më. Mbetjet hidhen grumbuj – grumbuj nëpër fshat dhe ju vendosin flakën, duke shkaktuar tymra dhe helme që përhapen në atmosferë.
Shumica e njësive administrative të bashkisë Dibër nuk e ofrojnë shërbimin e pastrimit të territorit. Fusha e depozitimit të mbetjeve në Peshkopi është ndërtuar në vitin 2003, ndodhet 2 kilometra larg nga qyteti dhe është planifikuar të jetë funksionale për një periudhë 25-vjeçare, me një kapacitet deri në 1000 ton mbetje në muaj.
Banorët e zonës janë organizuar vetë, duke paguar një banorë të fshatit që ka një traktor që të bëj pastrimin e mbetjeve, të cilat depozitohen buzë një përroit. “Ne paguajmë nga 100 lekë për çdo shtëpi, afro 200 ekonomi familjare dhe vjen çdo të dielë traktori dhe i hedh diku këtu afër, në përrua”, na tregon Qoku. Por situatës së rënduar me mbetjet nuk i ka shpëtuar as edhe shkolla 9-vjeçare e këtij fshati. Në hyrje të shkollës na pret një grumbull mbetjesh i djegur, tymi kancerogjen që çlirohet nga djegia e mbetjeve deporton edhe në klasat e kësaj shkolle. Mësuesit na tregojnë se sanitarja e shkollës, që paguhet me lekët e nxënësve, paguan një shumë prej 100 lekësh, ashtu si edhe banorët e zonës që mbetjet të merren nga traktori, por që në shumë raste digjen në hyrje të shkollës.

Pirgjet me plehra të urojnë mirë se ardhjen në Maqellarë. Kjo panoramë e shëmtuar të ofrohet që në qendër, aty ku kalon edhe rruga nacionale Peshkopi – Tiranë. Njësia administrative Maqellarë pas reformës administrative të 2015-s është pjesë e bashkisë së Dibrës. Ka afro 13, 900 banorë të regjistruar pranë zyrës së gjendjes civile pranë kësaj njësie në përbërje të së cilës janë 22 fshatra (Maqellarë, Bllatë e Poshtme, Bllatë e Sipërme, Burim, Çernen, Fushë e Vogël, Katund i Vogël, Kërçisht i Sipërm, Kërçisht i Poshtëm, Kllobçisht, Kovashicë, Majtarë, Pocest, Pesjak, Podgorc, Vojnik, Dovolan, Erebarë, Grezhdan, Herbel, Popinar, Gradec.)

Maqellare, qender

Rrethuar nga fëmijët, kazanët e mbetjeve në hyrje të oborrit të shkollës 9-vjeçare Maqellarë, duket sikur janë po kaq të “lumtur dhe të buzëqeshur” si fëmijët e kësaj shkolle. Të mbushur plot e për plot, mbeturinat janë shpërhapur edhe përqark kontenierëve, duke krijuar një imazh shumë të keq dhe një burim infeksionesh dhe sëmundjesh për fëmijët që kalojnë një pjesë të madhe të ditës në këtë ambient. Kazant e mbetjeve të vendosur në hyrje të shkollës janë kthyer në një problem shumë shqetësues edhe për prindërit dhe drejtorinë e shkollës. Me anë të një shkresë drejtuar bashkisë Dibër dhe njësisë administrative Maqellarë, që ne disponojmë, drejtuesit e shkollës kërkojnë që këto kontenier të mbetjeve të largohen nga hyrja.
“Kazanë të hapur, pastrimi rrallë i tyre dhe shpërndarja e tyre nga qentë e rrugës, ato shërbejnë si burim infeksionesh e sëmundjesh të rënda për nxënësit, mësuesit dhe të gjithë komunitetin. Prandaj ne si institucion dhe qendër komunitare kërkojmë largimin e kësaj pike grumbullimi mbeturinash në një vend tjetër”, shkruhet në shkresën që mban firmën e drejtuesit të shkollës Gëzim Qoku. Por edhe pse shkresa është dërguar pak ditë përpara fillimit të vitit shkollor 2018 – 2019, ende bashkia Dibër nuk ka marrë asnjë masë për zgjidhjen e këtij problemi.
Përparim Allçiu, specialist i bujqësisë pranë njësisë administrative Maqellarë shprehet se në eksperiencën e tij disavjeçare si punonjës administrate, më parë si komunë e sot si njësi administrative, menaxhimi dhe trajtimi i mbetjeve historikisht ka qenë problem. Sipas Allçiut, aktualisht bëhet tërheqja e mbetjeve nga bashkia e Dibrës vetëm përgjatë aksit nacional, në qendër të Maqellarës dhe në disa fshatra ku janë vendosur kontenierët. “Është realisht shumë problem kjo pjesë. Era e rëndë, djegia e mbetjeve që krijojnë një imazh shumë të keq për Maqellarën. Ky problem është mbartur me vite. Edhe në ato fshatra, ku komuniteti është angazhuar vetë në mbledhjen e mbetjeve, ato sërish ose hidhen në tokë të përbashkët ose në shumicën e rasteve pranë përrenjëve”, shprehet Allçiu.

Fshatrat e Maqellarës, situata e menaxhimit të mbetjeve
edhe më e rëndë

Në vëzhigimin tonë në disa prej fshatrave me numrin më të madhë të banorëve në Maqellarë, mbetjet janë shoqëruesit në tërë rrugën që përshkrojmë, ku bukuria e natyrës dhe njerëzit shumë miqësor dhe mikpritës – nuk e fshehin dot një problem të tillë. Banorët e disa fshatrave kanë zgjedhur një mënyrë vetë si komunitet për menaxhimin e mbetjeve, duke punësuar banorë të zonës që me traktorë të bëjnë grumbullimin dhe depozitimin e tyre pranë tokave djerrë, por në shumicën dërrmuesë pranë përrenjëve.

Fshati Pocest

Në afërsi të shkollës fillore të fshatit Bllatë e Poshtme digjen dhe hidhen mbeturinat. Jo vetëm mbeturinat që krijohen nga nxënësit e kësaj shkolle por edhe banorë të zonës që i hedhin mbetjet në hyrje të oborrit të shkollës. Një mësuese që po merrej me grumbullimin dhe me djegien e mbeturinave shprehet se djegia e mbeturinave bëhet pasi nuk kanë se ku ti depozitojnë “Ose do ti mbajmë kapic këtu ose do ti djegim dhe më pas ti mbulojmë me rërë se rrugë tjetër nuk ka. Këto janë mbeturinat e shkollës, por edhe banorët në disa raste këtu i hedhin. Kjo është situata, nuk kemi se çfarë bëjmë”, shprehet ajo, identiteti i së cilës nuk dëshiron që ti bëhet publik.
Vetëm pak metra nga shkolla fillore e fshatit Bllatë e Poshtme, në një rrugë fshati, rrethuar nga pemët, ngjan tamam si e shtruar me mbeturina, pasi syri të shikon vetëm qese të mbushura me mbetje dhe dy mace që po “inspektojnë” ato se çfarë mbajnë këto qese në brendësi. Përgjatë segmenti të rrugës kryesore që të dërgon në doganën e Bllatës, pika lidhëse me Maqedoninë dhe deri në fundin e fshatit syri nuk të shikon asnjë kontenier për hedhjene mbeturinave.
Ato pak biznese që gjenden në këtë fshat, kryesisht pika tregtimi ushqimesh dhe tek-tuk ndonjë kafene; pronarët e tyre, në kushtet e anonimatit shprehen se problemi në menaxhimin e mbetjeve në fshatin e tyre, por edhe në tërë Maqellarën është me vite dhe asnjëherë, pushteti vendor dikur komunë dhe sot si pjesë e bashkisë së Dibrës nuk i kanë dhënë zgjidhje këtij problemi. Edhe banorët e pyetur shprehen shumë të shqetësuar për një problem të tillë. “Nëse dikë e ke inat në Maqellarë, apo do që të bësh sherr me të nuk ke nevojë të bësh llafe, hidhja mbeturinat në oborr dhe i ke hapur shumë punë. Na ka ardhur laku në fyt. Madje një pjesë, mbeturinat i hedhin edhe në afërsi të oborrit të shkollës, aty ku lozin fëmijët.” shprehet një zonjnë, që sa me ironi dhe sa me seriozitet mundohet ta përshkruaj situatën përsa i përket menaxhimit të mbetjeve në fshatin e saj.
“Ne pagesën e taksës për pastrimin dhe gjelbërimin ja japim bashkisë. Kjo taksë mbahet edhe tek personat që trajtohen me ndihmë ekonomike çdo muaj, pra, që bashkia të bëj pastrimin e mbetjeve. Këtu po ta vësh re me kujdes, nga Maqellara e deri në qendër të fshatit nuk të zë syri një kosh mbeturinash, pra ne paguajmë një shërbim që nuk e marrim”, këto janë fjalët e Ulsi Qokut, banorë i fshatit Kllobçisht në një njësinë administrative Maqellarë. Kllobçishti është një fshat vetëm 7 minuta larg nga qendra e Maqellarës, njëri nga fshatrat më të mëdha të kësaj njësie administrative.
Banorët e zonës janë organizuar vetë, duke paguar një banorë të fshatit që ka një traktor që të bëj pastrimin e mbetjeve, të cilat depozitohen buzë një përroit. Kjo situtatë e krijuar nga menaxhimi i mbetjeve është prej vitesh. “Ne paguajmë nga 100 lekë për çdo shtëpi, afro 200 ekonomi familjare dhe vjen çdo të dielë traktori dhe i hedh diku këtu afër, në përrua”, na tregon Qoku. Por situatës së rënduar me mbetjet nuk i ka shpëtuar as edhe shkolla 9-vjeçare e këtij fshati. Në hyrje të shkollës na pret një grumbull mbetjesh i djegur, tymi kancerogjen që çlirohet nga djegia e mbetjeve deporton edhe në klasat e kësaj shkolle. Mësuesit na tregojnë se sanitarja e shkollës, që paguhet me lekët e nxënësve, paguan një shumë prej 100 lekësh, ashtu si edhe banorët e zonës që mbetjet të merren nga traktori, por që në shumë raste digjen në hyrje të shkollës.
Në afërsi të një tabele prej druri që do të duhej të shërbente për vendosjen e posterave dhe njoftimeve apo edhe si një kënd informimi për turistët e huaj, përbri, mes erës së rëndë qëndron një grumbull me plehra, jo shumë larg banesave të fshatit dhe përroit. Ramadan Hamzai, banor i fshatit Popinar na tregon se mbetjet dhe menaxhimi i tyre ka qenë problem prej shumë vitesh, por që asnjëherë nuk mori zgjidhje. Hamzai na tregon se kanë pasur edhe përplasje mes lagjeve të fshatit, sepse askush nuk pranon që ta ketë grumbullin e mbetjeve afër banesës së tijë. “Kemi pasur disa vend-hedhje të mbetjeve, por gjithmonë i kemi hedhur ose buzë përrenjëve ose në një tokë djerrë. Ere e keqe boll, shpërhapur mbeturinat gjithëandej qese – qese. Me këtë projektin që po zbatohet nga Behari sikur jemi vënë pak në lëvizje, është mirë që komuniteti të bëjë shumë më shumë në lidhje me menaxhimin e mbetjeve. Që pushteti vendor të bëjë punën që i takon dhe për të cilën paguhet” shprehet Ramadani.
Në fshatin Popinar dhe Pocest, situata muajt e fundit është bërë edhe më e rëndë, kjo për faktin se një banorë i zonës që më parë kundrejt një pagese prej 100 lekësh për familje, me traktor bënte grumbullimin e mbetjeve, nuk e bën më. Mbetjet hidhen grumbuj – grumbuj nëpër fshat dhe ju vendosin flakën, duke shkaktuar tymra dhe helme që përhapen në atmosferë.
Banorët e fshatit Fusha e Vogël në njësinë administrative Maqellarë të Dibrës, prej më shumë se 5 vitesh e bënin vetë administrimin e mbetjeve. Një veprim i tillë kryhej nga banorët e këtij fshati që numëron afro 50 familje, por që prej disa javësh nuk kryhet më një gjë e tillë, pasi banori i fshatit të tyre që bënte pastrimin me traktor është larguar në emigrim, duke krijuar një situatë shumë alarmante lidhur me mbledhjen e mbetjeve.

Pushteti vendor “ngre duart lart” përballë një situate të tillë

Duke ju përgjigjur një kërkese për informacion depozituar pranë bashkisë Dibër, lidhur me këtë problem; bashkia e pranon faktin se në fshatrat e njësisë administrative Maqellarë nuk ofrohet një shërbim i pastrimit të mbetjeve. Bashkia në përgjigjen e saj shkruan se shërbimi i pastrimit të mbetjeve, kryhet vetëm përgjatë rrugës nacionale dhe në disa fshatra afër rrugës ku janë vendosur kontenierë dhe bën tërheqjen e tyre me makinë teknologjike. “Mungesë në mjete transporti dhe gjendje e amortizuar e mjeteve ne dispozicion, fuqi punëtore e pa mjaftueshme dhe shpenzime të tjera financiare të pa përballueshme”, shkruan bashkia Dibër në përgjigjen e saj.

Studime mbi mbetjet në Dibër

Sipas një studimi kryer nga ALCDF (Fondacioni Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale) në vitin 2015-të qarku i Dibrës gjeneronte rreth 17,136 ton në vit. Pjesa më e madhe e mbetjeve në këtë qark gjeneroheshin nga bashkia e Dibrës (qyteti) me rreth 8,300 ton mbetje urbane dhe inerte në vit, ose 49% e gjithë sasisë dhe në Maqellarë me afro 2000 ton në vit.
Po sipas këtij studimi çdo banor në qarkun e Dibrës gjeneron afërsisht 0,6 kg mbeturina në ditë ose 215 kg mbeturina në vit. Kjo shifër në qytetin e Peshkopisë është më e lartë, ajo varion rreth 415 kg mbeturina në vit për çdo banor.

Ndikimi në shëndetin e njeriut nga djegia e mbetjeve

Nga shumë studime në fushën e mjekësisë dhe nga specialistë të fushës, shprehen se procesi i djegies së mbetjeve është shumë i dëmshëm për shkak se liron substanca nga më të rrezikshmet që janë dioksinat, që shfaqin probleme si në sëmundjet respiratore e deri në sëmundjet kanceroze.
Për Prof. Asoc. Dr. Arjan KORPA, nga departamenti i Kimisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, në një artikull të gjatë botuar në gazetën “Sot” lidhur me mbetjet, liston një sërë dëmesh që i vijnë organizmit të njeriut nga djegia e mbetjeve dhe mos trajtimi si duhet i tyre.“Nuk ka dyshim që, në varësi të llojit të materialit të pranishëm në mbetje, ekziston një potencial i konsiderueshëm për ndodhjen e ekspozimit të dëmshëm, veçanërisht të individëve që merren me menaxhimin e mbetjeve dhe të komuniteteve që jetojnë në afërsi të zonave të trajtimit të mbetjeve. Një individ mund të ekspozohet ndaj një substance me anë të një ose disa rrugëve, p.sh. nëpërmjet frymëmarrjes, ujit, konsumimit të ushqimeve që e përmbajnë substancën dhe kontaktit të substancës me lëkurën.”, shkruan Prof. Korpa.
Me një Vendim të Këshillit të Ministrave, njësitë e qeverisjes vendore, duke filluar që prej fillimit të vitit 2016-të duhet të kishin filluar diferencimin e mbetjeve që në burim. Por në Dibër një gjë e tillë nuk ka filluar të ndodhë dhe nuk duket dritë në fund të tunelit, se në të ardhmen mund të fillojë një proces i tillë.
Shumica e njësive administrative të bashkisë Dibër nuk e ofrojnë shërbimin e pastrimit të territorit. Fusha e depozitimit të mbetjeve në Peshkopi është ndërtuar në vitin 2003, ndodhet 2 kilometra larg nga qyteti dhe është planifikuar të jetë funksionale për një periudhë 25-vjeçare, me një kapacitet deri në 1000 ton mbetje në muaj.
Lidhur me këtë problem, njëri nga banorët e Maqellarës, Behar Dema aplikoi si individ në thirrjen e pestë të Lëviz Albania për zbatimin e projektit për monitorimin e menaxhimit të mbetjeve urbane në “Njësinë Administrative Maqellarë”. Dema shprehet se një lëvizje e tillë vjen, për të advokuar tek pushteti vendor, në këtë rast bashkia Dibër që të bëj punën për të cilën paguhet nga taksapaguesit, që është menaxhimi i mbetjeve urbane.
(Shënim: Fotot ilustruese janë të autorit)