Balluku: Qeveria nuk ka detyrime të pashlyera ndaj kompanisë. Rruga do të përfundojë brenda afatit.
Një vëzhgim në terren: Ja segmentet që kanë përfunduar dhe ku po punohet
“Mes rrugëve që duhen përfunduar gjatë 2021 është Rruga e Arbrit, e cila do të përfundojë përpara afatit të parashikuar”, tha Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, gjatë një analize vjetore mbi Infrastrukturën të mbajtur më 21 tetor 2020. Si një garanci se veprat infrastrukturore do të përfundojnë në afat, ajo theksoi se “është e rëndësishme që për të gjitha këto vepra Qeveria Shqiptare nuk ka detyrime të pashlyera duke i dhënë fund një praktike të hasur jo shumë vite më parë”.
Një javë më pas, më 27 tetor, gjatë një konference për shtyp, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se “qeveria shqiptare kishte paguar sot (27 tetor) 3 milion euro nga thesari për një kontratë me kosto dyfishe për PPP-në në rrugën e Arbri”.
“Monitor”, një revistë me fokus ekonominë, shkruan gjithashtu se edhe gjatë vitit të ardhshëm, kompania “Gjoka Konstruksion” do të marrë “pagesën më të lartë është për koncesionin e rrugës së Arbrit, që është në ndërtim e sipër, me 4.1 miliardë lekë të parashikuara”.
Kontrata për ndërtimin e Rrugës së Arbrit është miratuar nga Këshilli i Ministrave më 28 mars 2018. Afati i punimeve parashikohej të zgjaste 44 muaj dhe koncensioni parashikohej për një periudhe 13-vjeçare nga data e nisjes së punimeve.
Punimet nisën zyrtarisht në Klos më 17 qershor 2018, ku në ceremoninë e rastit, presidenti i kompanisë ndërtuese “Gjoka Konstruksion” premtoi se punimet do të mbarojnë brenda 2 vitesh, në pranverë 2021.
Këtij premtimi i ka qëndruar edhe kryeministri Rama, sa herë ka publikuar informacione mbi ecurinë e punimeve.
Në një video nga punimet e publikuara muajin e kaluar, theksohej se në rrugë janë realizuar mbi 60% e punimeve.
Gjatë punimeve ka pasur probleme me Tunelin e Murrizit, e cila është e vetmja vepër që nuk ka informacione të dukshme mbi ecurinë e saj.
Tuneli i nisur në fillim u shemb vitin e kaluar, duke e detyruar kompaninë të hapë në kantier tjetër në Bastar, punimet e të cilit thuhet se po ecin ngadalë, për shkak të terrenit të rrëshqitshëm.
Nevoja për të mbajtur premtimet e ka detyruar kompaninë në vazhdojë punën me një by-pass, 9.5 km të gjatë, e cila do të ndihmojë që rruga të hapet për trafikun në afatin e premtuar, pranverë 2021.
Një vëzhgim në terren: Si po ecin punime
Disa bashkëpunëtorë të gazetës kanë realizuar muajin e fundit një vëzhgim në terren për ecurinë e punimeve.
Segmenti 1, i cili fillon në dalje të Tiranes, aty ku mbaron rruga ekzistuese, dhe përfundon tek Ura e Brarit, me gjatësia 1.153 km është akoma në fazë ndërtimi.
Segmeni 2, nga Ura e Brarit deri në Zall Bastar, me gjatësi 5.46 km është hapur tërësisht si dhe në më shumë se gjysmën e segmentit është hedhur një shtresë asfalti. Kjo rrugë aktualisht është e hapur për qarkullimin e mjeteve që lidhin këto fshatra me Tiranën.
Segmenti 3, i cili fillon nga Zall Bastar deri te dalja e Urës së Vashës, me gjatësi 23.188 km është në ndërtim e sipër. Në këtë segment, 9.5 km, që përfshin By-passin është hapur dhe pothuajse është e shtruar me asfalt. Ndërsa vazhdojnë punimet nga hyrja e Tunelit në Xibër në drejtim të Urës së Fshatit Fshat. Në këtë segment është përqendruar edhe puna më e madhe aktualisht.Në një pjesë të këtij segmenti, në hyrje të Tunelit të Murrizit nga ana e Tiranës, ka pësuar muajin e fundit një rrëshqitje e dherave që ka krijuar probleme për ecurinë e punimeve. Ky segment duket se është më vonë me punimet, por një inxhinier i kompanisë, në kushtet e anonimatit, i tha gazetarit tonë se “aktualisht po punohet dhe me këtë ecuri, ky segment do të jetë i mundur për trafikun sipas afatit të premtuar”. Në këtë segment, gjithashtu, është përfunduar Ura e Vashës dhe inxhinierët e kompanisë thonë se brenda muajit janar do të bëhet e mundur edhe përfundimi i Urës së fshatit Fshat. Kjo e fundit është e vetmja vepër e rëndësishme arti e papërfunduar. Të gjithë urat dhe tunelet e vegjël në aksin e rrugës, janë përfunduar.
Në segmenti 4, nga dalja e Urës së Vashës deri në Bulqizë, me gjatësi 9.715 km, traseja është e hapur që në vitin 2013. Aty nuk ka pasur punime shtesë, por mendohet se me një përqendrim të punës në një afat të shkurtër, ajo do të jetë e gatshme për trafikun në prill 2021.
Segmenti 5, që është nga Bulqizë deri te Ura e Çerenecit, me gjatësi 20.12 km, konsiderohet i përfunduar që në vitin 2011.
Segmeni 6, që lidh Urën e Çerenecit me rrugën Maqellarë-Pika kufitare Bllatë, me gjatësi 9.1 km ka përfdunaur dhe është hedhur shtresa e asfaltit. Aktualisht ky segment, pavarësisht se rruga nuk është pajisur me sinjalistikën përkatëse, është e hapur për trafikun. Gjithashtu, është hapur edhe segmenti lidhës nga Maqellarë për në pikën doganore të Bllatës.
Qeveria shqiptare ka hapur së fundmi edhe procedurat për shpronësimet në segmentin nga Grazhdani në Peshkopi, ndërtimi i së cilës pritet të fillojë vitin e ardhshëm.
(Korresp. Rr.A.)