Ndahet nga jeta në moshën 82 vjecare, ish ushtaraku i karrierës Bardhyl Manjani.
Dibra ka një histori të lashtë, me popullim të hershëm. Ajo renditet ndër qytetet e vjetra të banuara dhe ruan një popullsi të mirëfilltë qytetare.
Në vitin 1918, në Homesh të Grykës së Vogël, Dibër u hap shkolla e parë shqipe. Të gjithë mësuesit e Dibrës kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për formimin e brezave të tërë, kontribut i cili është i njohur nga historiku i arsimit shqiptar. Ndër emrat e shquar me përvojë 40 vjeçare në mësimdhënie e drejtim në këtë shkollë, është edhe mësuesi i mirënjohur, Hidër Manjani.
Pikërisht, në këtë familje të lidhur me arsimin, kontributin gjatë luftës nacional çlirimtare dhe rindërtimin e mirqenien e vendit, si edhe traditat e hershme dibrane, lindi në vitin 1938, Bardhyl Hidër Manjani.
I parëlindur në një familje me 6 fëmijë, ai u bë herët mbështetësi kryesor i prindërve të tij, Hidër e Libade Manjani në mbarëvajtjen e familjes.
Arsimin fillor e kreu në Zerqan në vitet 1945 – 1949, për të ndjekur më pas shkollën “Skënderbej” në Tiranë në vitet 1951-1955. Edukimi i tij vijoi me studimet në shkollën e bashkuar, të cilën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera.
Në vitin 1957, filloi punë si oficer i karrierës, duke dhënë shembull të shkëlqyer në çdo detyrë që i ngarkohej. Në fillim, u emërua në Elbasan, pastaj në Durrës. Nisur nga rezultatet e larta në punë dhe si kuadër me perspektivë, u dërgua në akademinë ushtarake. Me mbarimin e akademisë me rezultate të larta u emërua në detyra të rëndësishme, si: shef operativ në korpusin e Tiranës, etj… Për rezultate të larta në punë, u caktua komandant i njësisë (brigade) në Kavajë në vitin 1973. Doli në pension në vitin 1992.
Në të gjitha detyrat e ngarkuara, ka qenë korrekt dhe i ka kryer me devotshmëri. Për arritje dhe rezultate të larta në karrierën e tij 35 vjeçare në ushtrinë shqiptare, është vlerësuar me tituj e dekorata të ndryshme.
Ish kolegë e bashkëpunëtorë të tij, ushtarakë në pension e lirim, të cilët kanë bashkëpunuar me të, i kanë vlerësuar gjithnjë lart rezultatet profesionale të tij.
Ndërroi jetë në 27 Tetor 2020.
Mirjam Reçi