Lamtumirë miku ynë i mirë Hidër Daci


Një aksident i papritur, afër Shkallës së Tujanit më datën 22 nëntor 2020 i mori jetën Hidër Ibrahim Dacit. Njerëzit e afërm, kolegët e punës, dashamirësit erdhën pranë familjes për të lehtësuar sado pak dhimbjen për humbjen e njeriut të tyre të dashur.
E përcollën në varrezat e Grevës, në vendlindje pranë prindërve të tij qytetarë nga Peshkopia e fshatrat për rreth, punëtorë të mobilerisë “Erald sh.p.k.” ku Hidri punonte specialist prej shumë vitesh, miq e shokë nga Tirana etj.
Hidër Daci lindi më 10/05/1952 në fshatin Grevë, në një familje të madhe, atdhetare e patriotike. Prindërit e tij ishin mjaft arsimdashës dhe u përpoqën shumë që djali i tyre si më i talentuari të vazhdonte shkollën, por lufta e klasave dhe ato njollat e vogla që sajoheshin në biografi ia privuan të drejtën për të vazhduar studimet e larta. Megjithatë fëmijët e Ibrahim Dacit çanë vetë në jetë mes dallgëve të vështira, krijuan familjet e tyre dhe sot gëzojnë respekt në Peshkopi, Tiranë, Vorë,Durrës, Lushnje etj.
Hidri mbaroi shkollën fillore dhe tetëvjeçare në vendlindje, Grevë, shkollën e mesme, gjimnazin në qytetin e Peshkopisë. U dallua midis moshatarëve të tij. Ishte shumë i sjellshëm, tepër aktiv, kishte pasion letërsinë por edhe arkitekturën.
Kur pa se iu mohua e drejta e studimit për në universitet, në moshë mjaft të re filloi si nxënës praktikant në ekonomi, në ndërmarrjen e përpunim drurit në Peshkopi.
Ai u rrit bashkë me ndërmarrjen dhe repartin e zdrukthtarisë. Shumë shpejt u ambientua, përvetësoi zanatin e marangozit duke rënë në sy si novator e krijues. Punëtorët e vjetër dhe me mjaft përvojë e mbajtën e afër, e mbështetën dhe e nxitën për të realizuar projekte të vështira e të komplikuara. U afirmua si mjeshtër i rrallë i rimesos së arrës, vidhit e panjës. Mobiljet që dispononin familjet në Peshkopi, Bulqizë e fshatrat e Dibrës në vitet 1975-1995, mbajnë firmën e Hidër Dacit dhe shokëve të tij. Këto punime u bënë të njohura edhe në rrethet e tjera si Burrel, Rrëshen, Shkodër e deri në Tiranë.
Në sajë të punës dhe përvojës së mjeshtrave të Dibrës, mobileria e Peshkopisë doli në treg me punime të imta artistike. Hidri dha një ndihmë të pa zëvendësueshme për pasurimin e muzeve të kulturës popullore në Peshkopi, në muzeun e Shkodrës (pavioni i Dibrës) etj.
Në sajë të vullnetit, durimit e këmbënguljes, Hidër Daci u bë një mjeshtër i gdhendjes e përpunimit të drurit duke rikthyer traditën e mjeshtrave dibranë që ishin bërë të njohur në Ballkan e më gjerë.
Si mjeshtër i mirë, bashkë me kolegët përballoi një volum të madh pune, që erdhi si rezultat i kërkesave të mëdha për mobilje, orendi shtëpiake, dhoma gjumi, sallone pritje të cilësive shumë të mira për kohën. Ishte novator e krijues. Pak nga pak u larguan nga modelet standarte duke krijuar mobilje me projekte bashkëkohore, gjithnjë me përdorim të gjerë nga banorët e Dibrës.
Hidër Daci kishte kërkesa të mëdha ndaj vetes për zgjerimin e kulturës së tij të përgjithshme. Gjente kohë për leximin. Ishte antar shumë i rregullt i bibliotekës së Peshkopisë. Frekuentonte rregullisht institucionet kulturore të Dibrës si:teatrin, estradën etj.
Në muzeun historik të rrethit lexonte literaturë kryesisht historike që shfrytëzohej nga studiuesit e historisë pasi nuk gjendej në bibliotekë.
Megjithëse jetonte familjarisht në Grevë, ai çdo ditë udhëtonte nga qyteti i Peshkopisë natën për të vajtur në shtëpi, pasi kishte marrë ushqimin shpirtëror nga librat. Ky ritual i tij ishte bërë pjesë e kulturës së punës ditore dhe shumë vjeçare.
Kjo nuk ishte e mjaftueshme për lexuesin e librave ndër më të dalluarit në rrethin e Dibrës. Librat artistik, Hidër Dacit i ruheshin nën banak në librarinë e Peshkopisë, ku për arsye pune e shërbimi nuk ishte paraqitur për ti marrë.
Biblioteka e tij shumë e pasur është një pasuri e madhe që me të drejtë duhet të mburren pasardhësit e tij.
Bisedat për librat, diskutimet për letërsinë dhe autorë të ndryshëm, vendas dhe të huaj, tregonin më së miri nivelin e lartë kulturor të Hidër Dacit. Shumë të rinj e bashkëbisedues e respektonin dhe admironin atë për vullnetin që manifestonte në punë por dhe në jetën e përditshme e marrëdhëniet me librin.
Nuk kishte panair libri që Hidër Daci të mos shkonte dhe të blinte libra. Një dëshirë e parealizuar e tij ishte të vizitonte shtëpinë botuese “M&B” si dhe librarinë e saj.
Në gusht të vitit 1995 erdhi familjarisht në Tiranë. Rekomandimin për të punuar në mobilerinë “Abaz Ulliri” e priti me kënaqësi dhe shumë shpejt fitoi besimin dhe respektin e punëdhënësit.
Ambienti i ngrohtë që u rezervonte njerëzve të punës Abaz Ulliri, marrëdhëniet e shëndosha e vëllazërore që ndërtoi me kolegët e nxitën Hidrin të rrisë më shumë mjeshtërinë e përpunimit të drurit. Në dru ai skaliti mjaft objekte të vështirësisë së lartë siç ishin rozetat e tavanit të bankës kombëtare shqiptare, të bankës së Beratit, tavane të gdhendura të teatrit “Metropol” etj.
Punimet e realizuara nga mjeshtri Hidër Daci bëjnë pjesë në trashëgiminë tonë kulturore duke e çuar më përpara kulturën e përpunimit të drurit të mjeshtërisë dibrane. Me ato punime firma “Erald sh.p.k.” ku punonte është paraqitur edhe në panairet kombëtare e ndërkombëtare, si në ato të Shkupit, Budvës, Kroaci, Kosovë, Serbi, Tiranë etj.Pa frikë ai zbërthente çdo projekt e objekt nga përvoja shqiptare e botërore. Mjafton ti tregoje një fotografi nga një revistë dhe ai ishte në gjendje të jepte objektin me detaje shumë të imta e cilësore.
Keqardhje që mjeshtra të tillë pak vlerësohen nga shoqëria, pak punohet edhe prej të rinjve që për të mësuar profesione e zanate siç është edhe ai i gdhendjes e përpunimit të drurit. Mjeshtri Hidrër Daci ndihmonte kolegët, kryente edhe punë të tjera kur duhej dhe lypsej bashkëpunimi e ndihma reciproke në procese të ndryshme. Mendja dhe duart e tij ishin të arta. Ai e bënte drurin të zbukurojë ndërtesën, sallën, ambientet ku banojnë e jetojnë njerëzit. Megjithëse me kushte jo të favorshme ekonomike në vitet e luftës në Kosovë ai mori një familje kosovare nga Peja për rreth tre muaj, duke kontribuar kështu sado pak në çështjen kosovare. Kanë kaluar 20 vjet dhe ai mbante lidhje e kontakte me këtë familje në kushte të reja të paqes, për të forcuar më shumë miqësinë me vëllezërit tanë kosovarë.
Kishte mjaft dëshirë të eksplorojë e të njoh botën, kulturën e vendeve të tjera, prandaj udhëtonte pothuaj se çdo vit dhe bënte vizita në vende të ndryshme si: Stamboll, Antalia, Kroaci, Mal i Zi, Itali, Gjermani, Francë, Spanjë, Maqedoni, Greqi etj. Shfrytëzonte guidat turistike për të njohur historinë dhe kulturën e popujve të tjerë.
Lidhjet me miqtë dhe me shokët përbënin prioritet në jetën e tij të përditshme. Nuk hezitonte asnjëherë për të ndihmuar njerëzit e veçanërisht dibranët.
Hidër Daci u nda nga jeta para kohe. Humbje e madhe jo vetëm për familjen, gruan, djalin, vajzën por edhe për miqtë, të afërmit, kolegët e punës, shokët.
Humbja e tij krijoi një boshllëk që nuk mund të zëvendësohet. Iku në një kohë kur të gjithë kishim nevojë për të, për punën, ndihmën, këshillat me mjaft vlerë, nipërit dhe mbesat, kujdesin e tij prindëror.
Të gjithë ata që e njohën nga afër Hidër Dacin, do ta kujtojnë gjithmonë si një punëtor shembullor, mjeshtër i talentuar i drurit, prindin e dashur, shokun dhe mikun model, njeriun human e zemër bardhë.
Lamtumirë i dashur Hidër Daci!
Adem Bunguri, Sulë Ulliri, Avni Kacnia, Agim Spahiu, Sokol Juniku, Zabit Lleshi, Arjan Muja, Nehat Daci, Shaqir Skarra.