Ramiz Daci, dëshmor i luftës për liri e pavarësi


Me rastin e 100 vjetorit të vrasjes botohet libri bografik me autor Zabit Lleshi. Ramiz Daci në parlamentin shqiptar ishte shumë aktiv, merrte pjesë në diskutime, jepte mendime për legjislacionin, programet e zhvillimit që hartonte qeveria me instrumentet e saj për arsimin, politikën e brendshme dhe të jashtme, Asamblenë Kushtetuese etj.

Ramiz Daci: ”Kanë luftuar të parët tanë e ne na i kanë lënë ti gëzojmë këto troje. Sot që na i ka pushtuar serbi, do të luftojmë ne, që ti gëzojnë fëmijët tanë. Do të luftojmë or burra se na ka ardhë radha”.

Botimet M&B
ISBN: 978-9928-353-71-9
Formati: 15×22.5 cm
Faqe: 296
Çmimi: 1000 lekë
Viti i botimit: 04/2022

Ramiz Selim Daci me origjinë nga Zogjet, pinjoll i një familje të njohur patriotike u lind në Dibër të Madhe më 1883. Gjyshi i tij Said Daci veprimtar e pjesëmarrës aktiv në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, dha një ndihmesë të çmuar bashkë me familjen e tij të madhe në luftën për realizimin e detyrave të asaj Lidhje për Dibrën. Shtëpia e Dacit kishte përcjellë shumë ngjarje dhe lëvizje patriotike në gjirin e saj, kishin dalë jo vetëm luftëtarë, por edhe prijës të luftëtarëve dibranë si Mustafa, Cen, Lam, Said, Shaqir, Ibrahim, Qamil Daci etj.
Kullat e Daceve ishin vatra të vullkanit e zemërimit popullor në Grykë të Vogël e Dibër të Madhe, një shembull i trimërisë dhe mençurisë dibrane. Me këtë frymë u rritën brezi më i ri si Rushiti, Maliqi, Skënderi, Fatoni etj.
Mësimet e para i mori në Dibër të Madhe, fshehurazi e me vështirësi mjaft të madhe, në kushtet e ndalimit të shkollës dhe arsimit shqip nga ana e sundimit otoman.
Këshilli administrativ i prefekturës së Dibrës zgjodhi dy të rinj: Ramiz Dacin e Aqif Rusin, duke u akorduar të drejtën e studimit në shkollën ushtarake “Ashiret Mektebi” në Stamboll. Kreu me sukses studimet në shkollën ushtarake dhe fitoi gradën nëntoger.
Gjatë studimeve u njoh me shumë bashkëkombës, student në shkollat e larta, por edhe me patriotë të Rilindjes si Ismail Qemmali, Hasan Prishtina, Riza Tefiku, Maliq Tanushi, Dervish Hima, Hamdi Ohri, Ibrahim Tema, Haxhi Vildani etj.
Ramizi mori një kulturë orientale, studioi e zgjeroi njohuritë e tij politike e shoqërore. Njohu nga afër qëndrimet dhe politikën e Perandorisë Osmane ndaj Ballkanit e në veçanti ndaj Shqipërisë. Kulturën ushtarake, që fitoi gjatë studimeve i shërbeu për drejtimin e veprimeve luftarake kundër serbëve, bullgarëve, çetave epirote në Korçë etj.
Në vitin 1906 filloi punë në Rekë të Dibrës si nëntoger në administratën e xhandarmërisë turke. krijoi njohje për fshatrat e patriotët e Rekës si Josif Bageri, Anastas Allbaski, Hafëz Tanusha, Iljaz Hoxha etj.
Reka pararojë e luftës për hapjen e shkollave shqipe u ndesh vazhdimisht me pushtuesit osman, serb e bullgar kundër hapjes shkollave turke, serbe e bullgare në fshatrat e saj. Në Rekë Ramiz Daci forcoi më shumë lidhjet me Dibrën e Madhe, duke shpejtuar procesin e shthurjes së Perandorisë Osmane. Organizoi dhe nxiti fshatarët patriotë të Rekës, që mos të dërgonin ushtarë (nizamë), të mos paguanin taksat dhe të kundërshtonin çdo iniciativë të Turqve të Rinj pas viteve 1908. Refuzoi punën në administratën e re xhonturke, u largua në mënyrë demonstrative dhe iu kushtua çështjes kombëtare. Kundër reformave të xhonturqve, patriotët shqiptarë ngritën pranë qyteteve shqiptare Klubet Kombëtare, nën shembullin e udhëheqjen e klubit “Bashkimi” të Manastirit. Klubet ngritën me të shpejtë shkollat shqipe, shpërndanë pa pagesë literaturë shqipe në organet periodike, Brenda e jashtë vendit, madje në Korçë, Shkodër, Manastir filloi botimi i gazetave shqiptare1.
Ramiz Daci u aktivizua si antar i Klubit “Bashkimi” të Dibrës së Madhe, themeluar në dhjetor 1908 me kryetar Hafëz Sherif Lëngu. Me anë të artikujve të shumtë Ramiz Daci, në shtypin e kohës demaskoi propagandën e xhonturqve. Ai i bëri një shërbim të madh çështjes kombëtare si publicist, herë me emrin e vet, herë me pseudonimin në faqet e gazetave”Dituria”, “Shqypja e Shqypnisë”, “Drita”, “Shkumbini” etj. Për kontributin në fushën e publicistikës ai pa frikë vjen pas Said Najdenit, Josif Bagerit, Dervish Himës, Hasan Ballancës, Haki Stërmillit, Hasan Moglicës etj.
Për këto merita Ramiz Daci u zgjodh si përfaqësues i Dibrës në Kongresin e Manastirit, që u mbajt më 14-21 nëntor 1908. Ishte një besim e vlerësim i madh nga patriotët e Dibrës së Madhe për Ramiz Dacin, sepse në kongresin e Manastirit merrnin pjesë elita e intelektualeve të letrave shqipe si: shkrimtar, publicistik të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, veprimtar të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare2. Krahas forcimit të miqësive të vjetra, Ramiz Daci, krijoi miqësi të reja me Bajo e Çerçiz Topullin, Mihal Gramenon, Shahin Kolonjën, Nikollë Kaçorrin, Hilë Mosin, Mati Logarecin, Lef Nosin, Simon Shuteriqin, Refik Toptanin etj.Vendimet, përvoja dhe eksperienca që këmbyen klubet shqiptare në ditët e Kongresit e armatosën Ramiz Dacin dhe e mbushën me një optimizëm. Veprimtaria në shërbim të çështjes kombëtare e Ramiz Dacit vjen në rritje e pasurohet më shumë për angazhimin e shumë pjesëtarëve të familjes Daci në Kongresin e Dibrës më 23 korrik 1909 në Dibër të Madhe. Ai u organizua nga xhonturqit, por siç shkruan Josif Bageri “terezia rëndoi më shumë në anën e shqiptarëve, cilët ma kujtojnë dhe vendin e tyre e jo për botën3.
Një mbështetës i politikës xhonturke Ejup Sabriu e quajti Kongresin e Dibrës, “Guri themeltar i vetqeverimit të Shqipërisë”4.
Kongresi i Dibrës u kthye në një shkollë të madhe për delegatët, për njerëzit e thjeshtë e qytetarët patriotë të malësisë e fushës së Dibrës në prag të pavarësisë. Kryengritjet e viteve 1910, 1911, 1912, Ramiz Dacin e gjetën në Rekë, Grykë të Vogël, Grykë të Madhe, Bulqizë. Ai u bë një protagonist për vëllazërimin e popullit, bashkimin e tij për çështjen kombëtare. Komunikonte me krerët e Maleve, i nxiste ato në revolta e për kryengritje. Perandoria osmane e kishte mbaruar misionin e saj. Kishte ardhur koha e vetëvendosjes së popujve. Për popullin tonë kishte trokitur ora e pavarësisë.
Kryengritja e përgjithshme e vitit 1912 ishte një kurorëzim i luftërave të gjata të popullit tonë për liri e pavarësi. Ramiz Daci ishte pjesë e shtabit drejtues të patriotëve dibranë me Elez Isufin, Mersim Demën, Vehbi Dibrën, Dan Camin, Jakup Canin, Qamil Dacin, Sheh Sulën, Zenel Hoxhën etj.
Vehbi Dibra u zgjodh delegat i Dibrës për në Vlorë. Si antar të delegacionit të Dibrës shkuan edhe Ramiz Daci e Hasan Dollmeni.
Për Ramiz Dacin ishte fat i madh të merrte pjesë në Kuvendin e Vlorës, jo me mandatin e delegatit. Si një patriot pati mundësi të krijonte njohje e miqësi të reja krahas figurave atdhetare, që kishte njohur në Kongresin e Manastirit e të Dibrës. Ndërkohë ndihmoi e dha propozime mbi funksionimin e xhandarmërisë e ushtrisë shqiptare që u formua pa humbur kohë nga qeveria e re e sapokrijuar. Shquhej për një kulturë të gjerë në fushën ushtarake falë studimit individual me pasion të eksperiencës ballkanike e botërore në fushën ushtarake.
Kthimi i delegacionit të Dibrës nga Vlora ishte i vështirë. Ushtria serbe kishte pushtuar Dibrën. Në këto kushte duhej organizuar rezistenca, protesta pranë Fuqive të Mëdha. Ramiz Daci me familjarët e tij u vu përsëri në krye të luftës kundër pushtuesve serb duke bashkërenduar veprimet luftarake me Mersim Demën, Dan Camin, Halit Lleshin, Destan Pucën, Mehmet Duriçin, Elez Isufin, Jakup Canin, Tush Shehun, Hoxhë Moglicën të malësisë së Dibrës me Shaqir Jegenin, Dervish Himën, Sefedin Pustinën, Sedulla Strazimiri, Riza Beu, Qamil Dacin të Dibrës së madhe.
Pushtimi serb i Dibrës u shoqërua me masakra të mëdha, që detyruan popullsinë dibrane të migronte në Tiranë e Elbasan. Erdhën dhjetë mijë muhaxhirë ku u pritën me një humanizëm e solidaritet.
Ramiz Daci për shkallën e njohjes, që kishte me shumë patriot të Tiranës e Elbasanit u interesua për sistemimin e strehimin e familjeve dibrane në Tiranë.
Është e njohur ndihma e Ibrahim Dalliut me të cilin Ramiz Daci njihej që në shkollë në Stamboll kur ishte student, në Kongresin e Manastirit dhe tashmë në përballimin e situatës pas pushtimit serb. Në fund të vitit 1913 Ramiz Daci shkon në Korçë përkrah Themistokli Gërmenjit e Mihal Gramenos dhe luftoi pranë tyre kundër shovinistëve grekë dhe pretendimeve të tyre për Vorio Epirin5.
Pas ardhjes së Vidit në mars, qeverinë e formoi Turhan Pasha. Ramiz Daci u thirr si ushtarak dhe u emërua komandant i kavalerisë shqiptare. Bashkëpunoi me kolonelin holandez Tomson duke mësuar nga përvoja dhe eksperienca e tij në përgatitjen ushtarake të kavalerisë.
Më 1 janar 1916 ushtria bullgare hyri në Peshkopi, pushtoi edhe Gollobordën, vrau patriotët Elez Koçin, Qazim Dukën, bashkë me 60 burra, gra e fëmijë në Sebisht. Ramiz Daci mbështeti luftën e fshatrave të Gollobordës dhe mbarë Dibrës për ruajtjen e shkollave shqipe, organizoi rezistencën kundër shkollave bullgare, por edhe veprimeve barbare të pushtuesve bullgarë ndaj popullsisë fshatare e qytetare të Dibrës.
Për të ndihmuar Dibrën dhe popullsinë e saj Ramiz Daci u punësua në administratën austriake, në prefekturën e Peshkopisë. Insistoi për hapjen e disa shkollave shqipe në Godvi dhe rihapjen në Zerqan, Homesh, Trebisht, në saj të njohjes që kishte me Luigj Gurakuqin si drejtor i arsimit në Shkodër.
Gjatë luftës së parë botërore, territori i Shqipërisë dhe i Dibrës u kthyen në një shesh lufte. Në fillim të vitit 1918 Dibra u pushtua përsëri nga ushtritë serbe të cilat më 10 tetor hynë në Tiranë. Italia nga ana tjetër sulmoi veriun për të zëvendësuar pushtimin austro-hungarez. Serbia bëri përpjekje për ta paraqitur Italinë para Konferencës së paqes si shkaktare të tensionit në Shqipëri. Ramiz Daci u vu në krye të luftës kundër fushatës së presioneve e kërcënimeve ndaj popullit në zonat e pushtuara, “që të shprehnin vullnetarisht” bashkimin me Serbinë (mbretërinë serbo-kroate-sllovene)6.
Pavarësia u vu në rrezik, patriotët i vunë gjoksin për të shpëtuar Shqipërinë nga humbja e tërësisë territoriale, e gjuhës, nderit, zakoneve e traditave të kombit. Aqif Pasha, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Mihal Grameno, Iljaz Vrioni, Abdi Toptani, Hoxhë Kadria, Elez Isufi, Ramiz Daci etj, thirrën një kuvend të ri për të diskutuar gjendjen e Shqipërisë të krijuar pas luftës parë botërore që quhet në histori, Kongresi i Lushnjës.
Dibra në Kongres u përfaqësua nga patriotët Ramiz Daci, Dine Dema e Dine Maqellara (Nasufi) nga paria nacionaliste. Tre delegatë dibranë miratuan vendimin historik për të kundërshtuar çdo cënim tokësor të Atdheut dhe çdo mandat të huaj për Shqipërinë.
Delegatët dibranë u kooptuan si anëtar të Këshillit Kombëtar (deputet në parlamentin shqiptar). “Më aktiv, në saj të kulturës politike dhe ndërgjegjen patriotike ishte Ramiz Daci7.
Kongresi i Lushnjës zgjodhi një qeveri të kryesuar nga Sulejman Delvina dhe kryeqytet Tiranën. Në kuadrin e krijimit të administratës së re si rezultat i presionit të deputetëve dibranë e veçanërisht të Ramiz Dacit e popullit të Dibrës, qeveria e Sulejman Delvinës emëroi Ramiz Dibrën prefekt të Dibrës(Prefektura e Drinit).
Prefekti Ramiz Dibra kishte marrë porosi nga qeveria, që prefektura e Drinit të ushtronte autoritetin e vet deri në kufijtë e 1913. Administrata e prefekturës Ramiz Daci, Jashar Erebara, Osman Lita, Dine Maqellara, Dine Dema, Dulejman Çela, etj, erdhën në Arras, një fshat me të kaluar patriotike, përballë të cilit kishte një përqendrim të madh të trupave serbe(në krahun e djathtë të rrjedhës së Drinit).
Për të festuar fitoren e luftës së Vlorës më 7 gusht 1920, në Arras u mblodhën 3000 dibranë. Entuziazëm e gëzim i papërshkruar shihej në fytyrat e malësorëve të gatshëm për t’u hedhur në luftë kundër ushtrisë serbe, që kishin okupuar Dibrën për 8 vjet nga shpallja e pavarësisë Shqipërisë. Midis shumë personaliteteve dhe patriotëve e prijësve dibranë foli Ramiz Daci, deputet i prefekturës së Drinit, pjesëmarrës në disa ngjarje të rëndësishme të historisë së kombit. Ai evokoi luftërat e të parëve tanë gjatë historisë ku midis të tjerash tha:”Kanë luftuar të parët tanë e ne na i kanë lënë ti gëzojmë këto troje. Sot që na i ka pushtuar serbi, do të luftojmë ne, që ti gëzojnë fëmijët tanë. Do të luftojmë or burra se na ka ardhë radha”.
Më 13 gusht kuvendi i Arrasit zgjodhi Komitetin e mbrojtjes së Dibrës me anëtar: Ramiz Bej Dibra, Ramiz Daci, Dine Maqellara, Jashar Erebara, Isuf Xhelili, Ismail Strazimiri, Riza Lusha, Destan Puca, Dulejman Çela, Rushit Sina, Shaqir Dema, Dan Cami, Osman Lita, Llan Destani. Komandant i komitetit luftarak për drejtimin e kryengritjes u zgjodh Elez Isufi.
Planin e mësymjes për kryengritjen e Dibrës kundër serbëve e hartuan Ramiz Daci, Ramiz Dibra e Dulejman Çela si ushtarak që ishin. Bashkë me Elez Isufin caktuan kohën dhe fillimin e kryengritjes8. Kryengritja e Arrasit, organizimi i vullnetarëve dibranë nga Reçi në Gollobordë, zemërimi popullor kundër agresorëve, që masakruan fshatrat e popullsinë e Dibrës, i detyruan ushtritë serbe të tërhiqeshin nëpërmjet Radikës deri në Gostivar. Pas ripushtimit serb të Dibrës, në shtator 1920 Ramiz Daci erdhi në ndihmë të muhaxhirëve në Tiranë. Kujdes të veçantë ai tregoi për strehimin, ku familjet tiranase hapën dyert, ndanë kafshatën e gojës, siguruan ndihmat humanitare etj.
Kontribut të veçantë dha Ramiz Daci për regjistrimin në shkollat e Tiranës të fëmijëve dibranë, të etur për dije e kulturë.
Me atdhetarët Hasan Prishtina, Hoxhë Kadria, Bajram Curri, Elez Isufi, bëri përpjekje të mëdha si me komitetin e mbrojtjes Kosovës, delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes për sensibilizimin e opinionit kombëtar e ndër kombëtar, që emigrantët ti fitojnë të drejtat e tyre për t’u kthyer në trojet e veta.
Ramiz Daci në parlamentin shqiptar ishte shumë aktiv, merrte pjesë në diskutime, jepte mendime për legjislacionin, programet e zhvillimit që hartonte qeveria me instrumentet e saj për arsimin, politikën e brendshme dhe të jashtme, Asamblenë Kushtetuese etj. Ai ishte bashkëpunëtor i shumë organeve të shtypit si:”Shqypnia e Shqypnisë”, “E vërteta”, “Shkumbini”, “Gjergj Kastrioti” etj.
Ramiz Daci është protagonist i “Lëvizjes së marsit 1922” së bashku me demokratët Elez Isufi, Bajram Curri, Halit Lleshi, Dan Cami, Bajram Xhani, luftuan për të reformuan Qeverinë shqiptare që mbronte feudalët dhe çifligarët (konservatorët), për të hapur rrugë zhvillimeve të reja demokratike në vend, zëvendësimin e marrëdhënieve feudale me atë kapitaliste. Pavarësisht dështimit ajo e tronditi nga themelet pushtetin e klasës konservatore dhe qeverinë shqiptare. Këtë luftë e këto sakrifica do ti paguante me jetën e tij atdhetari Ramiz Daci bashkë me shumë patriotë e demokratë të tjerë.
Me porosi të Ahmet Zogut, ministër i brendshëm, disa ditë pas Lëvizjes së marsit, togeri Fiqiri Dine arrestoi në Peshkopi Ramiz Dacin dhe e përcolli për në Homesh. Të nesërmen, gjatë rrugës për në Tiranë nga Zerqani në Valikardhë e merr në dorëzim Shefqet Korça, i cili me bashkëpunëtorët në tradhti, mbas shpine e vranë Ramiz Dacin më 10 prill 1922, në vendin e quajtur “Ura e xhitetit”. E vranë forcat regresive e konservatore që luftonin për pushtet, për të forcuar shtypjen dhe shfrytëzimin e popullit, mbështetur tek pushtuesit e armiqtë e deklaruar të Shqipërisë gjatë gjithë historisë.
Komiteti Ekzekutiv, i Këshillit Popullor të rrethit të Dibrës, me vendim Nr 72, datë 25/05/1978 e ka shpallur Ramiz Dacin “Dëshmor të Atdheut”.