Historiani dhe shkrimtari


Nga Xhafer Martini

Është një debat i hershëm dhe vazhdimisht ripërtërihet: kush e përshkruan jetën më mirë: historiani, apo shkrimtari? E shtruar kështu në formë pyetjeje, mbase nuk do të tingëllonte dhe shumë e drejtë, realiste, për arsye se historiani dhe shkrimtari janë profesione të ndryshme, se historia dhe letërsia janë disiplina të ndryshme që kanë mënyrat e veta për pasqyrimin e epokave të ndryshme. Megjithatë, e përbashkëta e tyre qëndron në faktin që këto, si historia ashtu edhe letërsia, kanë një objekt – njeriun. Po do të ishim prapë disi të pasaktë nëse thonim për të dyja- njeriun. Historia ka njerëzimin, pra njerëzit në përgjithësi, ngjarje, luftra dhe përpjekje të mëdha , kurse letërsia është ajo që ka si objekt vetëm njeriun, fatin e tij individual ose familjar, është letërsia ajo që hyn thellë, në psikologjinë e protagonistëve dhe të heronjve dhe bën atje zbulime dhe zhbirime të natyrave të ndryshe.
Ka dijetarë që pohojnë të njëjtën gjë, por me forcë dhe me kompetencë:
“Që të njihet një popull ose një epokë, në asnjë mënyrë nuk mjafton të lexohen vetëm historitë e shkruara për të. As historia e Francës në dhjetë vëllime nuk do na japë një pamje të qartë për jetën e shoqërisë franceze pa romanet e Balzakut. Pra bashkë me të ne mund të themi se e njohim shoqërinë franceze të shekullit XIX.
Historitë neve na njohin me ngjarjet, kurse romanet, eposet, (epet) poezitë, tregimet, legjendat dhe përrallat na tregojnë për jetën e një njeriu për atë që ka ndodhur me të vërtetë. Njëra është historia e jashtme, tjetra është historia e brendshme. Historia e jashtme më tepër është e pamjaftueshme, sepse më shumë flet për mbretërit dhe kralat dhe për ngjarjet e një grupi të kufizuar njerëzish, për oborrtarët dhe të tjerët rreth tyre. Prandaj unë nuk mund të them se e njoh historinë e një populli në qoftë se e di ç’mbretër ka pasur, ç’luftra ka bërë, ku ka fituar dhe ku ka humbur. Për më tepër unë nuk mund të them se njoh atë popull edhe sikur të njohë ligjshmërinë dhe kulturën e tij. Unë duhet të di se si ka jetuar individi në shtëpinë e vet, ç’marrëdhënie ka pasur me gruan e vet, me fëmijët, me shërbëtorët, me qeverinë. Kur harmonizohen këto dy pamje( e jashtmja dhe e brendshmja), unë mund të them se e njoh në një farë mase një popull dhe të kalurën e tij.” (Izetbegoviç: 2016: 126)
“Historia merret me ngjarjet, kurse romani me përjetimet. Subjekti i historisë është populli, shoqëria, bashkësia apo grupi; subjekti i romanit është personazhi. Historia do të ishte e keqe, në qoftë se do të shkruhej në bazë të romaneve ose të eposit, gjithashtu njohja jonë e plotë për një epokë do të ishte e pamundur pa romanin ose poezinë e asaj kohe. Sadoqë letërsia i tregon ngjarjet historike jo saktë, ajo është e vërtetë në vështrimin e ngjyrimin lokal, të klimës shoqërore, frymë së kohës, të ndjenjës dhe përjetimit subjektiv të ndonjë ngjarjeje historike, të cilën historia e ka regjistruar me saktësi, por nga jashtë. Prandaj t’ua lëmë historinë historianëve, ndërsa jetën poetëve. Këta të fundit, për kohën e kaluar do të na tregojnë shumë të vërteta të cilat në histori nuk mund t’i gjemë.” (Izetbegovç: 2016: 52)
Kështu si shembull, nga historia jonë ne e dimë dëshirën që kishte Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, që t’i ktheheshin në Shqipëri katër djemtë që i la peng tek sulltani dhe të ndrinte jo vetëm shtëpia e tij, por gjithë Shqipëria, siç ndodhi më vonë kur u kthye Gjergji. Të gjitha ne këto i dimë, por, kur poeti Naim Frashëri tregon e vajton me dhimbje:
“U ngrit Fati i Shqipërisë
Si i vdekuri nga varri
Mori udhën’ e Azisë
Duke rendur si i marri…”
emoconohemi tepër dhe tabloja e njeriut që ecën majë kalit nuk na harrohet kurrë.
Ose të marrim si shembull, Napoleonin, figurë shumë e njohur, për të cilin janë shkruar shumë libra, monografi. Historianët e japin me data dhe me fakte jetën e tij që kur lindi e derisa vdiq. Njeri prej tyre, nga më skrupulozët, është Tarle. Ai sikur ka jetuar bashkë me Napoleonin dhe ka shënuar gjithçka nga jeta e tij. Megjithatë, unë për Napoleonin kam mësuar më shumë nga monografia e Cvajgut se sa nga vepra e Tarles dhe e historianëve të tjerë. Kjo për vetë faktin se Cvajgu na e jep Napoleonin edhe si njeri, me dilemat e tij, me ato brerje shpirti dhe ndërgjegjjeje, me atë ambicie dhe vendosmëri për ta realizuar atë, me dashurinë dhe zhgënjime që kishte ai për femrat me të cilat u lidh, në marrëdhëniet me pjesëtarët e familjes etj. Vetëm kur mësojmë këto gjëra intime ne mësojmë kush ishte në të vërtetë Napoleoni. Po kështu për një njeri tjetër të madh të historisë, për Çezarin, më shumë kam mësuar nga tragjedia “Jul Cezari” e Shekspirit se sa nga gjithë historitë e shkruar për Romën e lashtë. Ose meqë jemi tek Shekspiri, ç’do të ishte historia e shekullit XVII të Anglisë pa pasur Shekspirin? Po kështu ç’do të ishte Skënderbeu pa atë veshje që i bën populli me kujtime, me legjenda, me mite, me këngë, me të gjitha format e artit popullor? Po ta zhveshnim nga këto, do të bënim të njejtën gjë sikur një peme t’ia hiqnim lëkurën nga trungu deri në majë, t’i hiqnim klorofilin dhe lëngun jetësor dhe ajo do të thahej. Prandaj përpjekja për ta çmitizuar Skënderbeun është përpjekje për t’ia hequr atij mbështetjen popullore jo vetëm në fushat e betejës sa qe gjallë, por edhe në artin e tij pas vdekjes. Me të drejtë Filip Hauard ka thënë: “Pjesa më e madhe e historisë është dokumentimi i triumfeve, shkatërrimeve dhe budallallëqeve të personaliteteve më të lartë. Ajo që mbetet e paplotësuar në të, si një vrimë e zezë, është jeta e burrave dhe e grave të heshtura, të palavdishme, që nuk kanë bërë zhurmë për vete në këtë botë”.
Kam lexuar shumë libra historikë për Gjermaninë dhe pikërisht për atë periudhë që po përgatitej fashizmi për të ardhur në pushtet. Sigurisht që kam mësuar prej tyre, por mësimin më të vlefshëm e mora nga romani “Ora e gjermanishtes” i Zigfrid Lenc, në themel të të cilit është të kuptuarit e detyrës dhe që gjermanët e asaj kohe ose nuk e kuptuan atë – për ta dështuar nazizmin që në vezë- ose nuk e bënë këtë nga frika dhe indiferentizmi.
Romani “Ora e gjermanishtes” fillon me një detyrë konkrete mësimore të një nxënësi shkolle, në një kënd të Gjermanisë, por, ndërkohë, shkrimtari, si mjeshtër i madh që është, krahas detyrës së këtij nxënësi që po zgjaste pambarim, me vite, jep se edhe populli gjerman dhe inteligjenca e tij janë para një detyre të madhe- të pengojnë ardhjen e nazizmit në pushtet.
Detyra nuk u krye dhe nazizmi dhe Hilteri bënë atë që tashmë dihet nga historia.