Nga ILMI DERVISHI
Promovimi e librave “Andrra e qiellit do jetojë” poezi dhe “Radomira jonë” me reportazhe nga vendlindja, të poetit Jahe Delia Selmani, në mjediset e Muzeu Historik Kombëtar, u shndërrua në një festë të librit, ku krahas diskutimeve rreth librave, u lexuan poezi, u kënduan dhe këngë nga këngëtarë të njohur me tekste po nga Jahe Delia Selmani.
Për librin “Radomira jonë” botuar nga Botimet “M&B” foli shkrimtari Xhafer Martini, njëherësh dhe redaktor i librit. U fol rreth librit, por dhe për autorin e krijimtarinë e tij, ku shkrimtari solli para auditorit një fakt. Kur shkrimtari filloi mësues, e kishin emëruar në Radomirë, e nxënës në ciklin 8 vjeçar ishte Jahe Delia. Kur Jahe Delia mbaroi studimet, ai filloi si mësues dhe ishin kolegë me shkrimtarin dhe tani po bashkë me krijimtarinë e tyre.
Për librin me poezi “Andrra e qiellit do jetojë..”, një libër me 207 faqe, foli poeti dhe studiuesi Qazim Shehu, ku evidentoi disa nga veçoritë artistike dhe arritjet nga libri i katërt i botuar.
Mësuesja poete Adriana Cili, një zë i bukur poetik nga Pogradeci i Lasgushit, përveç përshëndetjes, lexoi dhe poezi nga libri.
Moderatori i talentuar Defrim Methasani prezanton kryetarin e shoqatës “Korabi” z. Hasan Domi, përveç fjalës së tij për librat dhe autorin i dha “Mirënjohje” për kontributin e dhënë me botime dhe në shoqatën “Korabi”
Ndërsa moderatori Defrim Methasani po prezanton dy bilbilat e këngës të zonës Myfterim Kupa e Fatmir Daku, me një karrierë mbi 40 vjeçare në këngë shkon vetë në sallë dhe shoqëron drejt skenës këngëtaret, “A e di” Myfterim Kupa, siç e ka cilësua në reportazhet e tij autori Jahe Delia.
Salla e shoqëroi gjatë me duartrokitje, para këngës, gjatë këngës dhe në mbarim të saj. Ishte një këngë e njohur, kënduar rreth viteve ’80, me titull “Lule bjeshkatore”, me tekst po të Jahe Delia Selmanit.
Edhe këngëtarët Musa Dauti e Arif Madana kënduan disa kënge me tekst të Jahe Delisë.
Të pranishëm në sallë ishin miq e dashamirës të autorit, personalitete të artit e kulturës, poetë, gazetarë e botues. S’kishte si të mos ishte dhe ikona e muzikës popullore Lirie Rasha e Sajhe Poleshi. Emocione solli në auditor përshëndetja nga vendi i këngëtares Lirie Rasha, ku këndoi lajv, posaçërisht për auditorin këngën “Oj Fusha e Korabit” dhe “Cuca e Radomirës”.
Fjalëpak, emocione e duartrokitje shumë pati fjala e autorit Jahe Delia Selmani dhe kur moderatori mbushi podiumin me nipa e mbesa të autorit, mbushur duart plot me tufa lulesh, mes tyre dhe mbesa, vajza e djalit, pilotit Forian Delia, Dëshmor i Atdheut. Në vendlindje ka një rrugë “Rruga Florian Delia”, por do perifrazoja nga vargjet e poetit I. Cani ku shkruan… të gjitha rrugët e qiellit kanë emrin e tij…
Në mbyllje u dha një koktej, ku u shkëmbyen libra, u bënë fotografi dhe duke i uruar shëndet e krijimtari njëri-tjetrit!