Copëza nga krijimtaria e popullit tonë


Në këtë vëllim autori Shaqir Skarra, që është një mbledhës dhe studiues i zellshëm i krijimtarisë popullore, historisë dhe trashëgimisë kulturore të popullit tonë, ka paraqitur një tufë legjendash dhe anekdotash që kanë vlera artistike e gjuhësore, letrare, historike e folklorike të padiskutueshme. Këto do t’i kuptojë lexuesi që në faqet e para të këtij botimi. Nga shumë legjenda, tregime popullore, anekdota e fabula që i ka gjurmuar me pasion dhe i ka vjelë me kujdes te persona të moshave të ndryshme, nga ato që i përdor me aq kujdes konaku i Dibrës dhe i trevave të tjera të vendit, nga ato që ka dëgjuar në Odat e Dibrës kohë pas kohe, ai ka zgjedhur disa nga më të mirat, që ka menduar se janë edhe të nevojshme, edhe të këndshme për lexuesin. Ndonjëra prej tyre edhe mund të jetë e njohur ose pak e njohur, por që është thënë me ndryshe, duke pasur parasysh se subjektet që janë shfrytëzuar për këtë qëllim, kanë qenë ose janë gojëtarë e të mençur, për ta thënë sa më bukur mendimin. Prandaj, mendojmë, se botimi ka origjinalitet në llojin e vet.
Disa nga legjendat, ndonëse janë të përhapura gjithandej, nga mënyra se si tregohen, nga vendi ku zhvillohet ngjarja që lidhet me to, nga forma dhe mjetet artistike që janë përdorur, si dhe nga gjuha dhe mënyra e ndërtimit, tregojnë se kanë veçoritë e tyre. Le të kujtojmë se si futet elementi fantastik në disa prej legjendave, si tek “Brezi i ndrikullës”, “Kali i nuses”, “Përse nuk këndon bilbili në Vleshë”, etj.
Në grupin e legjendave janë futur edhe disa tregime historike, që kanë personazhe historikë realë e ngjarje reale, por që, me kalimin e kohës, janë futur dhe elementë mitikë ose fantastikë e përrallorë, por që mbajnë në vetvete ngjarje të përjetuara, disa jo shumë të lashta. Populli këto ngjarje e këto figura të rëndësishme historike i ka veshur me petkun e legjendave, për t’u dhënë përmasa më të mëdha, përmasat e heronjve legjendarë, ashtu siç ndodh edhe me heronjtë e eposit të kreshnikëve.
Të kësaj natyre janë edhe disa tregime të tjera legjendare si “Bolla e Boçevës”, “Leka i Lashkizës”, etj.
Në disa legjenda autori ka vënë në fund edhe këngën popullore që lidhet me ngjarjen, kur ka pasur mundësi ta gjejë një të tillë, pasi shpeshherë të tilla këngë nuk kemi, veç ndonjë fragmenti që ka mbetur. Të tilla këngë janë më së shumti për ato ngjarje që nuk kanë një të kaluar të largët dhe kujtesa e popullit ka mundur t’i ruajë, siç është rasti i këngës për Hase Has Kaloshin , “Kënga e dullakut të kuq”, etj.
Në pjesën e dytë autori ka mbledhur dhe botuar disa nga anekdotat që s’e kanë humbur aktualitetin, ndonëse shpesh kemi dhe persona e ngjarje të përjetuara kohë më parë. Çdonjëra prej tyre ka një vlerë morale, është, si të thuash, një tregim që të mëson, që jep atë përvojë, që brezat tanë i kanë provuar, që kanë nxjerrë një mësim prej tyre. Kemi anekdota për shoqërinë në përgjithësi, për ngjarje e shëmbëlltyra nga koha në kohë, tregime të shkurtra e koncize me një përfundim të qartë moral. Mes tyre ka dhe anekdota historike, por shumica e tyre, ndonëse kuptohet qartë për atë që e njeh Odën e Dibrës, personazhi mbetet anonim. Kështu i ka pëlqyer autorit, sepse ngjarje të tilla janë shumë të zakonshme e mund t’u vësh çfarëdolloj emri.
Një pjesë të rëndësishme të vëllimit zënë anekdotat. Tematika e tyre është e larmishme. Kemi anekdota për jetën shoqërore, për probleme sociale, për marrëdhëniet në familje e ato bashkëshortore, për ngjarje në jetën intime, për moralin në përgjithësi, anekdota historike me ngjarje reale e përvojë jetësore, pyetje problemore që ishin e janë akoma të pranishme në Odat e Dibrës etj. Disa herë këta anekdota marrin ngjyrime satirike e humoristike, duke i bërë të ngjashme me barceletat e zakonshme. Autori është treguar i vëmendshëm që këta të jenë sa më aktuale dhe të shërbejnë edhe si mësim, sidomos për të rinjtë.
Shumica e anekdotave kanë brenda tyre persona realë, të njohur gjithandej për mençurinë e tyre, për veprimet e tyre, ku shquheshin në dhënien e mendimeve me vlera jetësore, me një gjuhë të bukur, të thjeshtë dhe lakonike. Të tillë mund të përmendim Mane Kacanin, Tafë Kolën, Elez Isufin, Salë Demirin, Selim Mandrin, Selim Sulën, Majrë Skarrën, Llan Kaloshin, Marka Brungën, Haki Memën, etj. Në shumicën e rasteve autori na jep dhe vendin ku lindi anekdota, si Luznia, Zerqani, Vlesha, Dardha, Reçi etj. Kjo mënyrë, mendojmë se u jep më tepër vërtetësi anekdotave, duke i bërë më tërheqëse dhe duke shprehur një mendim edukues.
Ashtu si në legjendat, por më tepër tek anekdotat, autori është munduar t’i qëndrojë sa më afër gjuhës, duke shmangur disa nëndialektalizma që e vështirësojnë kuptimin e tyre.
Por është pasur kujdes që të ruhet leksiku origjinal, sidomos disa shprehje frazeologjike që janë tipike në të folmen e kësaj treve ose disa shprehje që tashmë janë bërë proverbiale e përdoren dendur në ligjërimin e zakonshëm. Kështu mund të përmendim: “Shorti jem – fati im”, “o një fjalë, o një djalë” (“Gruaja e mirë të le ose një fjalë të mençur, ose një djalë të zot”), “të mos lefshin (lindshin) në derë”, “mos shij në lamën e tjetërkujt”, ose siç e kemi në këtë dialog:
– A janë të rritur, a veç për mullë?
– Hem për mullë, hem për llullë.
Është pasur kujdes, veçanërisht në dialogje, të ruhet sa më shumë e folmja origjinale, duke përdorur një gegërishte të kuptueshme.
Le të sjellim disa vargje nga ato që i thotë e reja të vjehrrit, për t’i shprehur mendimin që ka për të shoqin tek “Gruaja e mençur”:

Ah, mor babë,
Shkove e vdiqe,
Kumonën si kishe
E kujt ia vare,
Se për gjal’ (djalë) si lae
Nuk të ban nji pare…

Të tilla anekdota interesante me tematikë nga më të ndryshmet ka me shumicë vëllimi, i cili, veç vlerave që sjell në përmbajtje, sjell dhe vlera letrare e gjuhësore. Ne mendojmë se Shaqir Skarra me këtë botim të ri, që nuk është libri i tij i parë, ka sjellë disa nga krijimtaria e pasur e popullit tonë, nga proza e tij, e cila, sidomos në këtë gjini, pasurohet vazhdimisht duke sjellë risi dhe vlera artistike.
I urojmë autorit që të na sjellë të tjera botime, sidomos ato që burojnë nga gurra e pashtershme e popullit tonë.
Eraldë Skarra (Xhafa)