Dy fjalë për Nehat Dacin, mikun tonë të hershëm dhe të vyer



in memoriam


S’më bindet dora të shkruaj për ikjen n’amshim të shokut tim të vegjëlisë, të rinisë dhe të gjithë jetës, Nehatit tonë të dashtun! Na hidhërove shumë, na pikëllove me këtë ikje të beftë e të papritur! Ti që gjithnjë je shquar për karakter të fortë dhe korrektësi në marrëdhënie me njerëzit, Ti që i ke dashur kaq shumë Grevën dhe njerëzit, të gjithë pa dallim, nga Greva në Reç dhe nga Reçi në Peshkopi e nga Peshkopia në Tiranë e Durrës, në ditën e fundit “na preve në besë”! “Më thuaj që nuk është e vërtetë” i lutesha mes lotësh Shaqir Skarës, shokut tonë të mirë, që i duhej të më jepte lajmin e hidhur! “Për fat të keq, është e vërtetë”, më thotë ai, po ashtu, mes lotësh. Vetëm 3 ditë para ditës fatale, u takuam si zakonisht, dhe diskutuam për shumë gjëra, por kryesisht për raportin e veçantë që kishe me Grevën, të cilës para pak kohësh, me librin tënd enciklopedik, i ngrite një monument pavdekësie. Me një kënaqësi të veçantë dhe dritë që të buronte nga shpirti yt i bardhë dhe sytë e qeshur, më tregove që kishe qenë në Grevë dhe në Peshkopi, se kishe takuar dhe ishe çmallur me shumë njerëz të dashtun, të cilëve u kishe dhuruar librin tënd mbi Grevën e bukur, se ishe ngjitur deri në Kuplane, ku Hamzai ka krijuar një bllok të ri pemësh frutore. Sikur kishe shkuar të përshëndoshesh me vendlindjen dhe me njerëzit! Aspak nuk fole për shëndetin tënd, që shihej se nuk ishte ai i duhuri. Sepse ti nuk dije të ankoheshe kurrë! Edhe pse kishe vështirësi në ecje të gjata dhe lodhja vinte shpejt. Vetëm ku të pyetëm për shëndetin, na tregove se mjekët e kardiologjisë, të kishin caktuar datën 29 korrik për të bërë një coronarografi. Por nuk qe e thënë të arrihej kjo ditë! Në takimet dhe kafet e përditshme me shokët e lagjes, sikur vetë ata me dhimbje kujtojnë, biseda do të fokusohej vetëm tek puna me librin e Grevës, ecuria, vështirësitë, burimet historike, fusnotat dhe bibliografia. Kishe shkuar me dhjetëra herë në Grevë, kishe takuar me dhjetëra herë banorë të shumtë të saj, vetëm për të marrë apo për të verifikuar nga burime të sigurta qoftë edhe një informacion të vetëm, që i shtojnë shumë vlerat e këtij libri të mrekullueshëm.
U gëzove shumë shoku dhe miku ynë, Nehat, kur më në fund, e botove librin enciklopedik mbi Grevën, fshatin tënd që e deshe më shumë se veten! U ndjeve shumë i gëzuar dhe i lehtësuar! Dhe gëzimi ishte më se i kuptueshëm! Që kur lindi shkrimi (rreth vitit 750 para Kr.) e deri më sot, botimi i një libri kishte qenë një ngjarje e gëzuar dhe njëherësh e rëndësishme. E gëzuar pasi autori, pas një pune të gjatë e të lodhshme, shpesh here rraskapitëse, kishte arritur më në fund, të pasqyroj në një libër, një copëz historie. E rëndësishme pasi në këtë libër memorizoheshin ngjarje zulmuese dhe histori drithëruese, që do t’i mësonin dhe t’i dinin brezat më të rinj. Libri vinte pas një pune sistematike shumëvjeçare gjurmuese e hulumtuese. Që kishte filluar me marrjen me shkrim të kujtimeve nga brezi i gjyshërve dhe i prindërve tanë, që prej kohësh kanë ikur n’amshim! Kujtime që sot janë baraz me një thesar historiko-etnologjik! Thesar që s’do ta kishim patur kurrë, po të mos ishte puna jote skrupuloze vlla, e përditshme, sistematike! Duke filluar nga Nëna Betë, mjekja popullore duarartë Beta e Dacit, që ne vërsnikëve të tu, na ngjante me teze Betsin e Dikensit. Një grua e urtë, fjalë pak dhe punë shumë, një doktoreshë e vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk kishte mbetur fëmijë dhe i ri nga Greva dhe nga fshatrat përreth dhe ato më të largëta, që të mos ishte mjekuar më se njëherë nga gjyshja jote e mirë, duararta teze Beta. Pastaj vinin kujtimet nga brezi i prindërve tanë, pa dallim, i të gjithë atyre që arrite të kapësh, në rrugëtimin e tyre drejt pafundësisë. Dhe këto janë shumë, shumë, thuajse të gjithë përfaqësuesit e gjeneratës së vjetër. Historitë dhe trimëritë e tyre, tashmë pjesë e historisë së Grevës, do të kishin mbetur krejt të panjohura, pa punën tënde profesionale dhe skrupuloze. Janë histori luftrash dhe qëndrese për të mbrojtur truallin e të parëve dhe identitetin tonë historiko-kulturor.
Përveç këtyre, ti, si një shkencëtar i vërtetë, shfrytëzove arkivat dhe burimet historike dhe gjithë literaturën e nevojshme për një botim të tillë akademik! Një libër i shkruar me të gjitha kriteret akademike, me aparatin shkencor, fusnotat, bibliografinë, fjalorthin e termave etj, një botim për të cilin, çdo institucion shkencor, do të ishte i nderuar të të vlerësonte me më shumë se një gradë shkencore! Ti i shkruajte të gjitha këto dhe shumë e shumë të tjera, pa menduar për tituj e grada, dhe botimin e librit e konsideroje si një mision të shenjtë. Ashtu si e konsideroje të shenjtë arsimin, ndriçimin e mendjes dhe edukimin shkencor dhe patriotik të brezave të rinj.
E shkruajte dhe e botove librin, e plotësove misionin dhe ike! Një ikje e beftë dhe e papritur për të gjithë ne! Edhe pse Ti, në të vërtetë, na kishe lajmëruar me librin tënd, na kishe folur me gjuhën qiellore…
Dhe ashtu në heshtje, pasi kishe pirë kafen e fundit me shoqen tënde të jetës, me Zanën fisnike, në mesditën e 21 korrikut, pa i thënë askujt, u ngjite në qiellin e yjeve të ndritshëm, për t’i dhënë Grevës më shumë dritë…
Dritë që buron nga vetë jeta jote e ndershme dhe pasionante si dhe nga libri yt që i bën nder Grevës, nga mesazhet që përcjell në ardhmëri… Dhe ike! Ike duke lënë të pikëlluar familjen dhe gjithë të dashurit! Ike kur kishe shumë punë të tjera të rëndësishme në duar!
Dy ditë para këtij largimi, Dori ishte kthyer nga Kanadaja, ndërsa Klodi mezi priste që të mblidheshit në shtëpi të gjithë bashkë! Si një familje e plotësuar dhe e lumtur! Lumturi që ishte shtuar shumëfish nga ardhja në jetë e fëmijëve të Dorit, Endit dhe Mishelës, drita e syve të tu, Nehat! Të gjithë prisnin me ankth datën 29 korrik, analizën e coronares, dhe pastaj të festonin të gëzuar, të gjithë bashkë! Por nuk kishte qenë e thënë! Natën e fundit të jetës tënde në këtë botë të rrejshme, në mbrëmjen e 20 korrikut, kur kishe folur të telefon me vëllain në Peshkopi, Hamzain, për të parën dhe të fundit herë, i kishe thënë se ”nuk ndjeheshe mirë!”.
Më kot mundoheshim ne, shokët e tu, të të bindim, se duhet të bënim një promovim të këtij libri të mrekullueshëm. Nuk ia dolëm! Sepse Ti nuk doje tamtame dhe publicitet, edhe pse ato i meritoje më shumë se shumë e shumë të tjerë.
Do të na ndjejmë përjetësisht mungesën tënde, miku ynë i hershëm dhe i vyer, që ike kaq papritur n’amshim! Dhe Ti, sikur ta parandjeje këtë ikje të shpejtë e të parakohshme, shkruajte testamentin tënd për Grevën, dashurinë tënde të përjetshme. Për të na dhënë një mesazh lamtumire, jo vetëm ne shokëve të tu, që të deshëm shumë, por të gjithë banorëve të Grevës, të gjithë nxënësve të tu të shumë gjeneratave, të gjithë miqve e bashkëpunëtorëve të shumtë. Ashtu si shkruante i madhi Dritëro, “dhe kur të jesh mërzitur shumë, në raft të librave kërkomë, aty i fshehur do të jem unë, në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë”. Dhe libri “GREVA E DIBRËS” me autor NEHAT DACI, gjendet sot si një testament në bibliotekat e shumë banorëve të Grevës, me banim në Grevë, Peshkopi, Tiranë, Durrës, Elbasan etj si dhe atyre në SHBA, Britani, Francë, Itali, Gjermani, Suedi, Danimarkë, Finlandë etj. Kudo ku ka familje nga Greva.

Ndrittë kujtimi yt brez pas brezi, vëllau dhe miku ynë i shtrenjtë NEHAT DACI!
Allahu xh.sh. të shpërbleftë me xhenetin Firdeus për gjithë dashurinë e fortë dhe përkushtimin tënd të pafund për njerëzit dhe vendlindjen!

Adem Bunguri, Rakip Dançe, Petrit Spahiu, Zabit Lleshi, Esat Ruka, Ismet Abdiu, Shaqir Skarra, Fejzullah Gjabri, Ahmet Çaushi, Luan Kaba, Meleq Kaba, Esat Bunguri, Mevlud Buci, Reshat Kola, Elmaz Lala, Demir Kica, Ymer Saraçi, Baftiar Çerra, Xhafer Shehu, Shahin Leka, Ramazan Kalia, Agim Prençi, Shahin Lazri, Idriz Bulku, Afrim Kurtaga, Lavdrim Shehu, Bujar Karoshi.