Rrëfim emocionues i nënës së kampiones së Europës Luiza Gega
Gjithmonë kam qenë e lumtur për një vajzë si Luiza, por lajmi kur ajo doli kampione Europe më la pa frymë. Mezi e mora veten nga emocionet. Po ashtu, edhe burri. Edhe pse kishim disa halle me bashkëshortin nëpër spitale, m’u duk se dhimbjet dhe hallet na mbaruan. Telefonat tonë u bënë si central. Nga nuk na merrnin. Urime të pafund nga brenda dhe jashtë vendit. Qenka vërtet një kënaqësi e jashtëzakonshme të marrësh urime të tilla. Vajza ka vite që jeton në Tiranë dhe takohemi rrallë, por atë ditë m’u duk se e bëra nuse. Lotët e saj i kam akoma në sy. Ajo qante në pistë, ndërsa unë qaja në shpi. M’u mblodhën të gjithë njerëzit, komshinjtë dhe gëzonim. S’paska gjë më të bukur se të shohësh fëmijën tënd të të bëjë krenar ty dhe Shqipërinë. Jam krenare vërtet për Luizën. Unë kam 5 fëmijë, por Luiza tashmë nuk është vetëm e imja, por e gjithë shqiptarëve e sidomos dibranëve nga vijmë.