Shtegu është shumë i bukur dhe me plot kontraste. Në orën e parë të ecjes shpesh kalon nëpër pyje, pastaj shfaqen fusha të bukura, rrethuar nga një panoramë impozante kodrash. Në horizont dukej qafa e fundit para ngjitjes në kodrën e Korabit…
Nga Enver Robelli
Herën e fundit kur kisha kaluar nëpër Kukës me veturë, ende nuk ishte hapur autostrada, që quhet “Rruga e kombit”. Në qendër të Kukësit dominonte një reklamë: “Ngjyejmë lesh”. Kjo informatë tregonte se ky rajon jeton e mbijeton nga blegtoria dhe bujqësia. Reklama është zhdukur, Kukësi është bërë me aeroport dhe në rrethinë, sidomos në drejtim të Qarkut të Dibrës, po zhvillohet turizmi malor. Po vijnë turistë nga Spanja, Belgjika, Gjermania e vende të tjera, disa ngjiten në kodrën e Korabit, disa zbulojnë bukuritë e trevës me biçikletë.
Të shtunën në orën 06:00 bashkë me Granit Temajn dhe Mentor Latifin u nisëm nga Prishtina për në fshatin Radomirë, ku fillon shtegu drejt Korabit, me 2764 metra lartësi mbidetare maja më e lartë e Republikës së Shqipërisë. Haxhi Hima dhe i biri i tij Agroni kanë hapur në Radomirë një bujtinë – bash përballë tabelës me mbishkrimin “Rruga Turistike në Malin e Korabit”. Aty parkuam veturën, bekuam këmbët dhe morëm malin.
Shtegu është shumë i bukur dhe me plot kontraste. Në orën e parë të ecjes shpesh kalon nëpër pyje, pastaj shfaqen fusha të bukura, rrethuar nga një panoramë impozante kodrash. Ndërsa në horizont dukej qafa e fundit para ngjitjes në kodrën e Korabit, drejt nesh po vinte një burrë mbi kalë, pas tij një kalë tjetër, para tyre një qen që dukej si luan. “Nuk ju han, nuk ju han”, jehoi zëri i kalorësit, i cili na tregoi se atje lart ka një stan. Pastaj tha se kishte jetuar në Greqi e Angli e shumë vende të tjera të Europës, ndërsa tani merrej me blegtori.
Pas tij u ndeshëm me dy bjeshkatarë fjalëpakë gjermanë, mandej, afër qafës së malit, drejt Radomirit zbriste një grup turistësh spanjollë, shoqëruar nga një vajzë shqiptare, e cila doli të ishte udhërrëfyesja e tyre. “Kam qenë me ta edhe në Kosovë, në Gjeravicë”, tregoi ajo, duke përmendur me humor temën e pashmangshme se Spanja nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Në qafën e malit po priste një kalë i lidhur me sixhim për dy gurë (pak më poshtë do të shpjegoj se përse ky kalë ishte ngjitur atje lart).
Tashmë në fushëpamjen tonë të gjerë shihej flamuri me shqiponjën dykrerëshe mbi Korab. Shtegu shpie nëpër vijën kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në anën e majtë duket gati gjysma e Shqipërisë, në anën e djathtë liqeni i Mavrovës, bjeshkët e Radikës dhe treva deri në Gostivar.
Nën Korabin e famshëm një qen edhe më i madh se ai tjetri që pamë poshtë, një tufë me dele – dhe një bari. “Jam nga Librazhdi”, tha ai, “siç po e shihni: çoban. Dalim në bjeshkë në qershor dhe rrimë deri në nëntor. I kam 400 krerë dele”. Pyetja se “çfarë bëni me qumështin e deleve, si e transportoni në luginë, në Radomirë” duket se e habiti pak bariun. “Nuk i mjelim delet”, shpjegoi ai. “Qengjat i thithin. Pronari i shet delet e qengjat për mish”. Shqiptarët janë popull mishngrënës.
Në majën e Korabit së pari takuam tre djem nga Dibra e Shqipërisë. “E patë një njeri me dy kuaj gjatë rrugës”, pyeti njëri nga dibranët.
“Po”.
“Atij i morëm kalin e tretë me qira për 20 euro sepse ky djali s’mund të ecte”, tha dibrani duke bërë me gisht nga një dibran tjetër me kapelë kauboji. (Kur njeriu aterron në Aeroportin e Prishtinës më së shumti të bien në sy reklamat “rent a car”, rrugës për në Korab kjo është përkthyer në “rent a kalë”).
Një bjeshkatar kroat tregoi se ishte ngjitur në Korab nga ana e Maqedonisë (nga fshati Strezimir i Rekës së Epërme). “S’jam njeri i detit unë”, tha kroati dhe tregoi se do të vazhdojë me veturë për në Bullgari, ku do ngjitej në Musala, me 2925 metra kodra më e lartë e siujdhesës së Ballkanit.
Dy bjeshkatarë flisnin polonisht (ndoshta çekisht, mund të ishte edhe sllovakisht), por s’qemë aq të interesuar t’i pyesnim sepse kishim një prioritet tjetër: fjetëm rreth një orë në majën e kodrës së Korabit, herë pas here të penguar nga një këlysh që vraponte pas ushqimit që ia hidhnim. (Gjatë zbritjes ky këlysh do na shoqëronte një copë të mirë të shtegut, gjë që na nxiti të mendojmë sa sinonime i kemi në dialektet shqip për këlyshin: bubi, qenush, kutë. Ndoshta fjalë kutë rrjedh nga gjermanishtja: Köter i thonë qenit të vogël).
Si alpinist me përvojë Granit Temaj kishte paraparë që zbritjen të mos e bënim nëpër shtegun e njëjtë, por t’i silleshim kodrës rreth e rrotull. Sërish e takuam çobanin nga Librazhdi që po i çonte delet drejt stanit. Nën majën e Korabit gjendet Fusha e Panairit (në Radomirë banorët treguan se i thonë Fusha e Punait). Një faqe në Facebook me emrin “Visit Dibër” shpjegon se Gropa (fusha) e Panairit gjendet në 2115 metra mbi nivelin e detit, është 800 metra e gjatë dhe deri në 230 metra e gjerë dhe ka formën e një amfiteatri të madh. Një shpjegim të logjikshëm mbi toponimin Fusha e Panairit ndoshta mund të ofrojnë ekspertët e gjeografisë dhe toponomastikës. E sigurt është se në këtë trevë dominon delja e racës rudë, të cilës i kushtohet edhe një këngë e bukur popullore (një ndër interpretimet më të bukura është ai i Elina Dunit).
Fusha tjetër që na pret gjatë rrugës është Fusha e Korabit. Edhe kësaj fushe i këndohet një këngë: e famshmja “Moj Fusha e Korabit” (ndër interpretimet më të bukura është ai i Liri Rashës). Kënga përshkruan vuajtjen e vajzës së dashuruar për bariun që kalon me muaj të tërë në stane duke ruajtur delet.
Katër vargje sa për të ilustruar përmbajtjen:
“S’asht nji ditë a dy – e, oj, mjera un-o,
Janë gjashtë muej të zi – e, oj, mjera un-o!
(…)
Kur t’ vijshë n’Fushë të Matit, oj mjera un-o,
Lëshoja frenat atit, oj, mjera un-o!”
(Më vonë një banor i fshatit Radomirë do përpiqej të na bindte se kënga për Fushën e Korabit ka të bëjë me luftë, me patriotizëm e me beteja. Por atij i ndërhyri pronari i bujtinës Haxhi Hima duke i thënë: “Leje, o burrë, se nuk është punë lufte…”). Edhe më bukur: punë dashnie!
Zbritja nga Fusha e Korabit deri në Radomirë zgjat e duket se s’po përfundon kurrë. Duhet durim. Për të motivuar veten dëgjoj një kapitull nga libri “Orient-Express” të shkrimtarit amerikan John Dos Passos. Një udhëpërshkrim mahnitës. Kapitulli tregon me hollësi ecjen e John Dos Passos nëpër Persi (Irani i sotëm), fshatrat e qytetet, dinjitarët fetarë, adetet dhe një kalë me jele e bisht të ngjyrosur me shafran.
Në hyrje të Radomirit befas kalërojnë drejt kodrës disa bujq. Mbi samarët e kuajve dhe mushkave ata kanë ngarkuar edhe disa kusi të thella me kapak. “Po dalim të marrim qumështin e lopëve, kthehemi nesër në mëngjes”, tha njëri. Një kalorës mezi e mbante drejtpeshimin duke shtrënguar një gjë që dukej si dërrasë e mbështjellë me një cohë. Na tregoi se ishte panel solar, “nga java tjetër do të kemi rrymë atje lart”, tha ai dhe i bërtiti kalit me krejt fuqinë e zërit që kishte.
Pas 10 orë ecjeje, 1600 metra ngjitjeje dhe rreth 22 kilometrave të kaluara, pas qindra përshtypjeve, përjetimeve e pamjeve ndjellamirë – arritëm te bujtina “Korabi” e Haxhi dhe Agron Himës.
E kishim ndërmend që menjëherë të hiqnim djersët nën currilat e dushit, por planin e ndryshoi pak Jani, një arsimtar gjeografie dhe historie nga Belgjika. Jani po e eksploronte Shqipërinë me biçikletë. Kishte aterruar në Korfuz dhe nga Saranda përpjetë dyrrotëshi e kishte sjellë gjithandej nëpër Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Tani kishte arritur në Radomirë dhe na la gojëhapur duke treguar se ka ecur me biçikletë në Iran, në Afrikë, nga Sllovenia në Shqipëri (vitin e kaluar), në Gjeorgji, në Armeni, në Turqinë lindore. Dhe në Taxhikistan. “Taxhikistani është vendi më i bukur në botë”, tha Jani. “Armenia më kujton Shqipërinë”, tregoi ai.
Dikur, të freskuar e pastruar nga uji i bekuar i dushit, u ngjitëm për tavolinën ku Agroni na kishte shtruar darkën: supë, sallatë, djathë, patate, kos deleje, byrek, jufka me mish qengji. Të gjitha shumë të shijshme!
Pastaj, rreth orës 21:30, na përkundi në gjumë gurgullima e lumit që kalonte afër bujtinës. Pas 10 orë ecjeje gati 10 orë gjumë. Dita filloi rreth orës 08:00 me vezë të fërguara, djathë, kos me boronica, mjaltë, reçel e çaj mali. Para se të niseshim, Agroni hyri në lokal me një kusi. “Erdhi qumështi”, tha ai. Dhe ne u nisëm drejt Prishtinës – pafundësisht të lumtur nga përvoja e kësaj ecjeje. Pjesën tjetër të këtij rrëfimi e ilustrojnë fotografitë. (Jani, ai belgu me biçikletë, kishte thënë se të dielën do të ngjitet në Korab – pa biçikletë).
*Marrë nga profili në Facebook i autorit. Titulli është i redaksisë. Titulli origjinal: “Në Olimpin e Shqipërisë: Korab, 2764 metra lartësi mbidetare”. Fotot janë të autorit.