Profesor Qazim Xhelili, një jetë në shërbim të arsimit në Shqipëri


Profesor Qazim Xhelili u lind në Dibër në vitin 1941. Pasi mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën pedagogjike, punoi për disa vjet si mësues në rrethin e Dibrës.
Shqipëria sapo kishte mbyllur plagën e madhe të analfabetizmit dhe para mësimdhënësve në vendin tonë u shtrua një detyrë e madhe, që nuk njihte orare, por kurajo dhe përkushtim dhe falë këtyre njerëzve kurajozë të dijes, u ngrit një sistem i organizuar i arsimit dhe përgatitën shoqërinë për një një sistem të ri shoqëror.
Profesor Qazim Xhelili në vitin 1967 përfundoi studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega Histori- Gjeografi në Universitetin e Tiranës. Falë punës së tij me shumë pasion dhe përkushtim dhe rezultateve të larta në mësime, fitoi të drejtën e mësimdhënies në Universitetin e Tiranës. Aty u hap rruga e tij akademike, në studimin e shkencës së Historisë.
Në fillimet e tij u muar kryesisht me metodikat e studimit të Historisë dhe përgatitjen e mësuesve të rinj. Ka kryer një sërë studimesh shkencore, ka referuar në shumë shkolla të larta brenda dhe jashtë vendit për tema të rëndësishme të Historisë. Ka marrë pjesë në grupet e punës të historianëve në përgatitjen dhe botimin e Historisë së Shqipërisë.
Krahës punës së tij shkencore dhe të mësimdhënies prof. Qazim Xhelili ka qenë edhe një aktivist i shquar shoqëror. Ai në vitin 1978 drejtoi në një turne të gjatë jashtë shtetit Ansamblin Artistik “Migjeni”, ku korrën sukses të jashtëzakonshëm, falë artistave të rrallë që kishte ky ansambël, ku për nga përmasat artistike vinte pas Ansamblit të Shtetit.
Falë punës së tij shkencore prof. Qazim Xhelili mban gradën shkencore “Doktor i Shkencave Historike” dhe titullin “Asistent Profesor”.
Pas shumë botimesh në disa organe shkencore dhe të shtypit të përditshëm periodik, prof. Qazim Xhelili doli para lexuesit me monografinë mbi jetën dhe veprën e personalitetit të shquar të lëvizjes sonë kombëtare dhe të teologut të devotshëm, Vehbi Dibra.
Duhet theksuar se prof. Qazim Xhelili ka qenë një hulumtues i rregullt i historisë së lavdishme të Dibrës, trevave prej të cilit ai vjen, ku ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, me studimet e tij shkencore, bazuar në prova dhe fakte për luftën në Dibër dhe krejt krahinës së Pollogut.
Veprimtaria patriotike e Vehbi Dibrës ishte lënë disi në harresë dhe ka qenë vlerësuar në mënyrë të njëanshme nga historiografia jonë, ashtu siç ka ndodhur dhe me mjaft figura të tjera të ndritura të pavarësisë, luftëtarë të shquar, atdhetarë e demokratë të tjerë dhe kështu prof. Qazim Xhelili bën një thirrje që më në fund historia jonë duhet të reagojë dhe t’u japë vendin e merituar këtyre njerëzve që dhanë gjithçka për pavarësinë e Atdheut.
Ngjarja më e rëndësishme në jetën dhe veprimtarinë patriotike të Vehbi Dibrës është pjesëmarrja e tij në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe që e zgjodhi këtë burrë të nderuar të Dibrës e të mbarë vendit kryetar të Pleqësisë (Senatit) të parë shqiptar. Caktimi i Vehbi Dibrës si delegat për në Kuvendin e Vlorës, nuk qe thjeshtë një gjest nderimi si misionar i fesë, por ishte një barrë e madhe që i ngarkoi populli i krahinës për të çuar fjalën e maleve të Dibrës në Vlorë.
Vehbi Dibra u bë bashkëpuntori më i afërt i Ismail Qemalit. Akti i parë që mori Vehbi Dibra në qeverinë e Vlorës ishte që çdo dokument do të nxirrej në gjuhën shqipe. Në kohën kur Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, dom Nikoll Kacorri e të tjerë ishin në udhëtime jashtë vendit, në kancelaritë e Europës për njohjen e shtetit të ri, Vehbi Dibra drejtoi shtatë mbledhje të Qeverisë, ku mori shumë akte e vendime të rëndësishme në ruajtjen e kufijve të Shqipërisë.
Interesante na e sjell prof. Xhelili “Fetfanë”, që i jep Vehbi Dibra për shpalljen e Pavarësisë, ku e bekon atë. “Fetfaja” e mbajtur në kuvendin e Vlorës nga Vehbi Dibra nuk ishte një lutje fetare, as një përshëndetje e thjeshtë, por një dekretim i aktit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë e shkëputjes së saj nga perandoria dhe kalifati osman, një thirrje për të ngritur e mbajtur lart flamurin kombëtar.Vehbi Dibra nuk i reshti përpjekjet për ngritjen dhe fuksionimin e shtetit shqiptar. Ai e urrente anarkinë, prandaj luftoi gjithë jetës së tij që shqiptarët të kenë shtetin e tyre ligjor dhe të pavarur.
Mbas vitit 1912 dallgët e luftës për Shqipërinë shtohen: lufta e parë botërore, lufta ballkanike vërshojnë për të copëtuar trojet shqiptare. Në këtë periudhë Vehbi Dibra është i angazhuar i tëri në veprimtari patriotike.
Prof. Qazim Xhelili në këtë periudhë të pasluftës së parë botërore, Vehbi Dibrën e sjell si një proamerikan të devotshëm. Principet e Ullsonit nuk janë veçse një të shfaqur i vullnetit të zotit që predikonte me forcë Vehbi Dibra para shqiptarëve. Ai luftoi për vendimet e Kongresit të Lushnjës, bashkëpunoi me qeverinë e Suljeman Delvinës, ku duket fare qartë fryma e patriotizmës, në të cilën ai donte që të ishin të pajisur njerëzit e qeverisë, që t’i shërbenin si duhet vendit dhe popullit.
Edhe në rolin e tij si klerik e kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, prof. Xhelili na e bjen Vehbi Dibrën si një ideolog i fesë islame evropiane. Ai ka luajtur një rol të veçantë me kontributin e tij për organizimin mbi themele kombëtare të fesë muslimane në Shqipëri.
Si një klerik patriot dhe veprimtar politik-shoqëror, aktivitetin e tij fetar ai e vuri në shërbim të vendit, duke mos hequr dorë e duke zhvilluar një veprimtari të gjithanshme për çështjen kombëtare. Kjo lidhje e ngushtë e misionit të tij fetar me aktivitetin patriotik, për vetë kushtet që kalonte vendi, ishte për ‘të një domosdoshmëri për momentin dhe për të ardhmen e shtetit shqiptar.
Edhe pse nuk e jetoi sistemin totalitar komunist Vehbi Dibra bënte pjesë në plejadën e dijetarëve muslimanë që i bënë një kritikë të goditur ideologjisë komuniste, sigurisht në kushtet e Shqipërisë së atëhershme, kur idetë dhe lëvizja komuniste ishin në fillimet e veta.
Prof. Qazim Xhelili ka meritën e tij se na e sjell veprimtarinë patriotike e teologjike të Vehbi Dibrës, të bazuar në një studim të hollësishëm shkencor e të dyja këto cilësi i vuri në shërbim të Atdheut në ditët më të vështira të tij.
Jona Demiri, mësuese historie
Shkolla 9-vjeçare Kolegji “Turgut Ozal” Tiranë.