Fushë Bulqiza – Katundi i enigmave, vendeve të shenjta, hambari bujqësor mes malesh


Fushë-Bulqiza është katund me pasuri, ku mbi 300 hektarët e fushës së saj pjellore përbëjnë hambarin e kësaj krahine. Fusha përshkohet mes për mes nga rruga e Arbrit, një arterie që do të gjallërojë ekonominë në të ardhmen, do të shtojë bizneset dhe do të rrisë të ardhurat.

Nga ADRIATIK BALLA*

Fushë-Bulqiza është fshati më i madh në sektorin e sipërm të luginës së Bulqizës, pozicionuar në pjesën lindore të saj. Në perëndim mbyllet tek kthesa e Bobet pranë fshatit Dragu, kurse në lindje përfundon tek Ura e Qytetit, duke u kufizuar me kreshtën e Temlës e më në jug nëpërmjet një përroske lidhet me fshatin Valikardhë. Në veri kufizohet me kodrat e Zhiranës dhe kodrat e Gropës, kurse në jug, territori i këtij fshati ndjek kreshtën e majës së Lopës, afro 2000 m. Brenda këtyre kufinjve, Fushë-Bulqiza ka një sipërfaqe 20 km katrorë, nga të cilat 8.5 km katrorë janë fushë e luginë, nën 900 m lartësi. Pjesa tjetër është mal që i përket krejtësisht malit të Lopës e pjesërisht kurrizit të Kaculit. Vetë katundi Fushë, i përbërë nga disa lagje, shtrihet nga 620 m në lindje e deri në 670 m në veri e perëndim.

PO SI ËSHTË FORMUAR FUSHË-BULQIZA E SOTME NË ASPEKTIN NATYROR? 

Ne dimë që lugina e Bulqizës është formuar përgjatë një shkëputje të madhe tektonike tërthore. Formimi i relievit në këtë sektor lidhet me tektonikën bllokore dhe sektori luginor është formuar në strukturën grabenore, tiparet e së cilës shprehen në karakterin e rrafshtë të fushës së Vajkalit dhe të Fushë-Bulqizës, simetria e shpateve etj. Arsyeja se gjerësia e luginës në Fushë-Bulqizë është më e madhe lidhet me konet e depozitimit të përrenjve, që e kanë zgjeruar fushën deri në 3 km. Zgjerimi ka ndodhur kryesisht falë dy përrenjve kryesorë: përroit të Balgjait dhe atij të Dushajt, por pjesërisht ka ndikuar edhe përroi i Thatë që vjen nga mali i Lopës. Pra Fushë-Bulqiza është formuar në një strukturë grabenore dhe është zgjeruar në nivelin e sotëm nga konet e depozitimit të përrenjve, që kanë moshë kuaternare. Më herët, në Pliocen, kjo luginë ka qenë një liqen, madje pranë Lepurakëve janë gjetur edhe depozitime liqenore (Gjeografia Fizike e Shqipërisë, 1991).

Të gjitha burimet, apo shtigjet e analizës që na japin këto burime, na çojnë në konkluzionin se Bulqiza e sotme nga qafa e Buallit e në urën e qytetit e kishte emrin Zeza, ndërsa Fushë-Bulqiza e ka pasur emrin Gropa.

Në regjistrimin austriak të vitit 1916, Fusha njihet me emrin Gropë, që përfshin lagjet Fushë, Pertej Zellini (Terzalla) dhe Keca (Kica), me 108 shtëpi e 113 familje, me 717 banorë. Nga këta, banorë 8 regjistrohen me besim ortodoks lindor, kurse pozicionimi i këtyre 8 banorëve si serbo-kroatë duket tërësisht i gabuar, nje lapsus, pasi nuk figuron në tabelën përmbledhëse. Madje dhe numri i ortodoksëve krahasuar me katundet e tjera duket i madh, pasi janë 19 ortodoksë (8 Fusha, 10 Lepuraku, 1 Vajkali) vetëm në Bulqizë,  në një kohë që e gjithë nënprefektura e Zerqanit ka të regjistruar 24. Kjo nuk shkon. gjithsesi, në rastin më të mirë kemi të bëjmë me dy ose tri familje të besimit ortodoks.

Në vitin 2007 Fusha kishte 1494 banorë (768 meshkuj e 726 femra), me 399 familje, kurse në vitin 2003 rezultojnë të regjistruar 418 familje. Natyrisht, sot ka më pak banorë, pavarësisht se nga Fusha janë larguar më pak njerëz se fshatrat Dushaj e Koçaj që janë në zona më të thella.

Ky katund përshkohet mes për mes nga Zalli i Bulqizës e deget e tij, ndërsa bimësia është e kultivuar në sektorin verior dhe natyrore në  sektorin jugor. Fauna është relativisht e pasur, tokat janë kryesisht aluvionale e pjesërisht të kafenjta.

Fusha e madhe ka një sipërfaqe arë 120 hektarë, kurse fusha e vogël ka sipërfaqe arë afro 50 hektarë. Fshati Fushë-Bulqizë kishte të regjistruar në komunë 276 hektarë tokë, 22 hektarë pemëtore e 12 hektarë vreshtë. Gjithsej ky fshat ka mbi 330 hektarë tokë të punueshme, nga 708 hektarë që ka gjithsej komuna e Fushë-Bulqizës me katër fshatrat e saj.

Nga regjistrimet e komunave në vitet 2007-2009, në kuadër të planeve të zhvillimit, duke bërë krahasimet, mësojmë se Fushë Bulqiza del fshati i tretë më i madh në Bashkinë Bulqizë, pas Gjoricës së Sipërme dhe Homeshit që kishin respektivisht 2093 dhe 1535 banorë, por ka pak më shumë se Gjorica e Poshtme. Madje Fusha është  katund më i madh se tre lagjet e Trebishtit të marrë së bashku, apo se dy Ostrenët të marrë së bashku.

Për të folur për Fushë-Bulqizën e sotme ne së pari duhet të flasim për toponimin Bulqizë, nga vjen, si na shfaqet ai përgjatë historisë? Si emër i plotë na del vetëm në dokumentet osmane pas pushtimit otoman, po më përpara çfarë emri mbante?

Të gjitha burimet, apo shtigjet e analizës që na japin këto burime, na çojnë në konkluzionin se Bulqiza e sotme nga qafa e Buallit e në urën e qytetit e kishte emrin Zeza, ndërsa Fushë-Bulqiza e ka pasur emrin Gropa. Le t’i analizojmë këto dy toponime:

  1. ZESSIZA, OSE E ZEZA

Barleti përdor vetëm një emër, Vajkal, ose lugina vajkale, e cila siç dihet botërisht tashmë, është sektori i sipërm i luginës së Bulqizës nga qafa e Buallit në perëndim e deri në ura e qytetit në lindje.  Shpjegimin më të besueshëm për Vajkalin, në pikëpamjen time gjithmonë, e jep Eqerem Çabej, duke e zbërthyer nga latinishtja. Dihet qe Valle (Valley në anglisht), emërtohen luginat. Valle-Callis do të thotë rrugëkalim, ose rruga e luginës. Vajkali është i tillë. Edhe sot, në literaturën tonë gjeografike, njihet si luginë e Vajkalit. Më në lindje kemi Valle Carde, që për mendimin tim si vijim i termave latinisht, do të thotë  zemra ose qendra e luginës. Por, para se të shkruante Barleti veprën e tij për Skënderbeun, ne kemi një dokument shumë origjinal të 18 majit të vitit 1273, ku Karl i Anzhin, i dhuron Sevastit Pal Gropa disa fshatra në trevën e Dibrës, e konkretisht në Luginën e Bues, pra luginën e Bulqizës. Në aktin e dhurimit shkruhet: “Karli I, i dhuron Sevastit Pal Gropa, për shërbimet e tij, fshatrat Radikë e Madhe dhe Radikë e vogël (Kristo Frashëri i ka cilësuar si Gryka e Madhe dhe Gryka e Vogël), Kovashicën, Gjoricën, Zerqanin, Krajkën dhe Zesizën”. 

Detajet e analizave mbi emrat do t’ua lëmë historianëve, por ne do të nisemi nga radha e përmendjes së fshatrave. Ka një logjikë, ata radhiten në dokument nga lindja në perëndim, e vijnë me radhë … Gjoricë, Zerqan, Krajkë, Zessiza. Me këtë trend, pas Zerqanit dhe Krajkës në radhë vijnë Peladhia dhe Valikardha, por ato nuk korrespondojnë e nuk afrojnë me toponimin Zesiza. Prandaj Zesiza është padiskutim Bulqiza. Kurse Fushë-Bulqiza është Fushë-Zeza, ose Fusha e Zezës. Këtë e përforcon edhe një tjetër dokument, shumë më i vonë në kohë (servirur nga biblioteka “F.Fusha”), por që mbart domethënie e që shoqëron këtë status, ku një oficer i inteligjencës angleze përmend në gjuhën shqipe emrat e vendeve që kalon kur udhëton nga Tirana drejt Dibrës në vitin 1920 (vijohej të bëhej luftë me serbët në ato vite). Ai shkruan se pasi zbresim nga qafa e Buallit kalojmë nëpër luginën Vito Zezë, e më pas kalojmë në Urën e Qytetit në Peladhi. Pra, Bue-Zessiza = Bue Zeza = Bulqiza sot.

  1. GROPA

Rrjedhur nga ajo që cilësuam në variantin 1, Gropajt, kjo familje fisnike arbërore e njëherësh krahu i djathtë i Skënderbeut, kishin në pronësi ndër të tjera edhe Bulqizën. Para se të dalim në konkluzionin përfundimtar është mirë të njihemi me një tjetër vepër madhështore (sipas mendimit tim), që është e karakterit letrar por tregon historinë e Bulqizës. Është “Kënga e Sprasme e Balës”, e Gavril Dara i Ri. Që në hyrje mësojmë se këngët janë të plakut Balë dhe janë ruajtur ndër breza. Vepra flet kryesisht për betejën e Vajkalit. Ku përmenden dhe dy emra heronjsh, Nik Peta dhe Pal Golemi.

Emra dhe vende të poemës që lidhen sot me Bulqizën:

-Vajkal, toponim lapidar i historisë tonë. Në Vajkal u shkrua historia e Arbërisë dhe fama e fitoreve të Vajkalit frymëzoi të gjithë Europën.

-Nik Peta (Peti, kullat e Peteve, mbiemër fisi sot në Fushë-Bulqizë).

-E bukura e Lalës (në Bulqizë nuk ka Lalë, por kështu është kënduar në këngët e dasmave).

-Lisi i Helmit (sot qafa e Helmes ose Helmit, pasqyruar në hartën topografike italiane).

-Mali i Gropës (sot Pylli i Gropës, ruajtur si toponim edhe në hartat topografike të shekullit XX, nga lagjja Kice e deri tek gurët e Skënderbeut në Vajkal). 

-Brinja (sot brinja e Dusheve në JL të Terzallës, pyll dushku e dëllinjash, pasqyruar në hartat topografike italiane e shqiptare, pra që para 1940).

-Çardhak (vend që mban të njëjtin emër edhe sot në shpatin perëndimor të Temlës, pra Çardaku pranë Kullës së Skënderbeut).

-Ugarët e Fushës (këtu është fjala për tokë e kthyer ose punuar në Fushë-Bulqizën e sotme).

-Rin, ose Rina (edhe sot ka mbiemër Rina në Dragu).

-Gjergj Mirëshpia (Mira edhe sot ka një fis me këtë mbiemër, kurse në fshatin Dushaj ndodhet një vend që quhet kodra e Mirakut, pra, Mira-Miraku), që ndërtoi i pari bashkë me Ballën katund arbëresh më 1482.

Të tjera: Plaku Balë, maja e Plakthit (Balë), Bala, Balja, Ballë-Balla, ka sot plot në të gjithë Bulqizën.

Siç shihet, në këngët e trashëguara arbëreshe, të mbledhura nga Dara, flitet për emra vendesh dhe njerëzish në Bulqizë, e ndoshta mbriemri Peta=Peti dhe Nika flasin shumë, sepse këta mbiemra dhe toponime janë njësoj sot në zonën e Bulqizës. Janë të paktën 5-6 mbiemra fisesh që i kemi nga mesi i shekullit XV.

Kujtojmë që është gjetur edhe dokumenti që autoritetet në Palacio Adriano në Itali, i japin lejen Zahari Gropës  (në origjinal Zaharia Cropa) bashkë me shoqëruesit e tij të nguliten në këtë vend. Dihet që pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit turk, ndaj skënderbegasve nisi gjuetia e shtrigave dhe ata që s’pranonin të ktheheshin në fenë muhamedane viheshin përballë vështirësive. Kjo detyroi fisnikërinë dhe ajkën politike, ushtarake e rininë e vendit të emigronte masivisht në More (Peleponez), në ishujt jonianë, në Kroaci etj, e natyrisht me shumicë në Itali. Plaku Balë, veteran i ushtrisë skënderbejane ishte nga kontigjenti që mori me vete Zahari Gropa. Ka dhe një konfirmim tjetër, por që duhet gjurmuar: këta që shkuan atje u vendosën vendeve (maleve, kodrave e brinjave) emrat e vendeve nga ikën. Studimi i këtij aspekti do të ishte me shumë interes.

Fushë-Bulqiza është fshati më i madh në sektorin e sipërm të luginës së Bulqizës, pozicionuar në pjesën lindore të saj. Në perëndim mbyllet tek kthesa e Bobet pranë fshatit Dragu, në lindje përfundon tek Ura e Qytetit, në veri kufizohet me kodrat e Zhiranës dhe kodrat e Gropës, kurse në jug, territori i këtij fshati ndjek kreshtën e majës së Lopës, afro 2000 m. Brenda këtyre kufinjve, Fushë-Bulqiza ka një sipërfaqe 20 km katrorë, nga të cilat 8.5 km katrorë janë fushë e luginë, nën 900 m lartësi. Pjesa tjetër është mal që i përket krejtësisht malit të Lopës e pjesërisht kurrizit të Kaculit. Vetë katundi Fushë, i përbërë nga disa lagje, shtrihet nga 620 m në lindje e deri në 670 m në veri e perëndim.

Historiani Kristo Frashëri thotë se origjina e Gropajve ishte nga rrethinat e Zerqanit, por pa e specifikuar në cilën rrethinë. Kujtojmë që Bulqiza jetë e mot ka pasur lidhje me Zerqanin, dhe është në periferi të Zerqanit. Pra, eshte nje alternative.

Për ta bërë të besueshme që fshati Fushë-Bulqizë quhej Gropa, nuk na mjafton vetëm regjistrimi austriak ku Gropa jepet bashkë me lagjet e saj, në kufinjtë e Fushë-Bulqizës së sotme.

Dihet që në këtë zonë ka një katund të banuar jetë e mot që quhet Gropë, sot lagje e fshatit Dushaj, e me gjasë është vendbanimi më i vjetër në të gjithë Bulqizën, që disponon edhe një kishë. Mendoj se Gropa quhej ndër shekuj fshati që sot quhet Dushe, por kjo ha shumë diskutim. Emri Fushë-Bulqizë si fshat takohet për herë të parë në vitin 1832. Në dokumentin osman për pleqësitë e Dibrës (1836), për Bulqizën jepen Bajram Fera (Karaj) e Fejzë Cupi nga fshati Kocaj, Veli Xhaferi nga lagjja Kome, Ismail Ҫakalli nga lagjja Ҫire, Bajram Terziu nga fshati Dushaj, Tuç Ismaili nga Lepurakët dhe Ali Hati nga Draguni. Siç shihet, nga 7 vetë që përbënin pleqësinë e Bulqizës, nuk kishte asnjë nga Fusha. Kjo tregon se Fusha është banuar vonë. Edhe nëse ka pasur shtëpi, ato kanë qenë të pakta, pra nuk ishte formësuar mirë si fshat. 

NGA JANË BANORËT E FUSHËS? 

Kjo është pyetja që merr përgjigje më të lehtë e madje e ka përshkruar mjaft mirë autori Ymer Keta në librin e tij. Fiset Demiri, Hida, Snalla, Balla, Duva, Llani, Liçi, Laçi, Doga, Daka, Gjura, Pjetri (i shuar), Kuka etj, kanë zbritur nga Gropa; Hupi, Marini, Gjimi, Hoxha, Peti, Llorja, Tahiri etj, kanë zbritur nga Lepurakët; Terziu, Aliu, Xhafa etj, kanë zbritur nga Dushet; Dedja, Dani etj, kanë zbritur nga Kodër Dani. Edhe fiset që janë në Terzallë, në pjesën dërrmuese të tyre kanë zbritur nga Gropa, Koçet, Kodër Dani e Dushet, që janë katunde ngjitur me Fushën. Pra siç shihet, fiset dhe lagjet që shtoheshin në mal zbrisnin në fushë. Nga kjo analizë kuptojmë që shumica e pronave të Fushës së Madhe (gati 2/3) i përkasin fiseve të Gropës, pra Fushë-Bulqiza e sotme ishte pronë e katundit Gropë. Pra Fusha është sinonim i Gropës dhe lidhet me pronësinë e Gropajve në mesjetë. Edhe Pylli i Gropës, është pyll i katundit Gropë. Më vjen keq që po e banalizoj, por një nga pleqtë e fisit tim, Balla, i lindur në kohën e Zogut, pasi erdhi demokracia dhe shkoi prona tek i Zoti, mori mushkën e shkoi për gjeth atje ku janë sot Kicet dhe Bobet. Atje e kishin përzënë duke i thënë c’punë ke ti këtu? “Ka ra toka në t’Zot, or lum miku, kam pyllin e babës e të fisit tim këtu”. Pra miq, Gropa ka qenë katund i vendosur ku janë sot lagjet Gropë, Lepurakë e Dushe e që lidhej me emrin e Pal Gropës. Ka qenë katund i madh e jo i vogël, gjë që na e dëshmojnë fiset, e vendosur poshtë kodrave të Gropës. Interesant janë edhe disa emra fisesh që nuk ekzistojnë më aty si Boka, Loka, Tatina, Marku, Nika etj, me domethënie qartësisht të krishterë. Një nga arsyet e vendosjes së vendbaninimit aty ka të bëjë me burimet e ujit, marrjen e më shumë orëve me diell, vend më i ruajtur në raste fatkeqësisht natyrore dhe vend i futur rrëzë maleve për t’u ruajtur nga plaçkitjet dhe nga rruga ku kalonin ushtritë pushtuese, sikurse ndodh me aksin Terzallë-Bobe-Vajkal-qafë Buall, e cila ka qenë rrugëkalimi e pabanuar.

ÇFARË ËSHTË VRAMI?

Vendi ku është sot lagjja Tejzallë i thoshin më parë Vram. Po nga vjen emri Vram? Nga analiza e Barletit kuptojmë se beteja e parë e Skënderbeut me Ballabanin është është bërë pikërisht në këtë vend. Për shkak se e kam të pamundur të kuptoj vendosjen në formacione luftimi për kohën, ngaqë nuk jam specialist i fushës, kam zgjedhur trekëndëshin Fushë Bulqizë-Terzallë-Valikardhë, si vendbetejë e parë me Ballabanin. Vram – rruga e Vramisë – Vorre  T’vrame, me siguri që këto toponime kanë lidhje me atë ngjarje. Fillimisht beteja në Terzallë, në Vram (të vramët, të vrarët). Më pas skënderbegasit arritën deri në kampi i Ballabanit pranë Urës së Qytetit, e ranë në pritë në përroin e Kazjakut, ose pranë lagjes Shpellaxhi në Fushë-Bulqizë e deri tek Shkëmbi i Qytetit.  Kurse beteja e dytë vajkale mes Skënderbeut dhe Ballabanit, nuk kam aspak dilemë që është aty ku janë sot gurët e Skënderbeut. Kuptohet, historianë e studiues të ndryshëm kanë pikëpamje të ndryshme, por në fund të fundit ne shprehim mendimet tona. Emërtimi “Tej Zellini”, ose “Tejzalla”, është krijuar nga Gropasit për të identifikuar territoret që ishin në krahun tjetër (të djathtë) të Zallit të Bulqizës.

Ndarja e Fushës në dy pjesë, e Madhe dhe e Vogël, lidhet me konceptin e përmasës, ku njëra është më e madhe se tjetra e që ndahen nga zalli i Kokërdhakut, në Shelqatë. Duke u shtuar në numër, vit pas viti, Fushë-Bulqiza arrin të bëhet në vitin 1950 fshati më i madh i Bulqizës dhe në vitin 1990 kishte afërsisht 1500 banorë. Në regjistrimin që ka bërë komuna Fushë-Bulqizë, në vitin 2007, Fushë-Bulqiza del me 1494 banorë. Natyrisht, sot ka diku tek 1 mijë banorë, e ndoshta më pak, pasi emigracioni i këtyre viteve ka qenë mjaft i lartë.

Fusha, sikurse të gjithë fshatrat e Bulqizës, ka qenë baza e punëtorisë se minierës së kromit Bulqizë. Nga ky fshat kanë lënë jetën në aksidentet e ndryshme minerare afro 10 vetë. Fusha ishte gjithashtu fshati që u godit më rëndë nga tërmeti i 30 nëntorit të vitit 1967 (6.7 ballë Rihter), ku u dëmtuan shumë shtëpi, e në Terzallë humbën jetë dy vetë. Në dhjetor të po atij viti, në shenjë ngushëllimi e solidariteti, këtë fshat e vizitoi Enver Hoxha.

Fushë-Bulqiza është katund me pasuri, ku mbi 300 hektarët e fushës së saj pjellore përbëjnë hambarin e kësaj krahine. Fusha përshkohet mes për mes nga rruga e Arbrit, një arterie që do të gjallërojë ekonominë në të ardhmen, do të shtojë bizneset dhe do të rrisë të ardhurat. Në lindje është Kulla e Skënderbeut, një destinacion interesant që në të ardhmen do të sjellë shumë vizitorë dhe është krenari e kësaj zone. Infrastruktura rrugore është përmirësuar, po ashtu dhe e ujësjellësit. Në krahun jugor, ku lartësohet mali i Lopës (sipas hartes italiane 2024 m), Fusha ka kullota mjaft të pasura, si dhe pyje të mrekullueshëm, por që vitet e fundit janë dëmtuar së tepërmi, madje mund të pranojmë se është bërë një masakër në mjedis. 

Pranë majës së Lopës kanë qenë deri në vitin 1900 të paktën 6 liqene akullnajore. Më 5 korrik të vitit 2021, unë personalisht gjeta me ujë vetëm dy prej tyre, shumë të vegjël, njërin prej të cilëve në Fushë të Ndërmjetshme po e paraqesim me një foto këtu. Ai quhet liqeni i Luleve, (i mbushur me zambakë të bardhë të ujit). Një tjetër liqen i vogël me ujë ndodhet rrëzë kreshtës më të lartë të Lopës, i formuar nga shkrirja e borës, por që mban ujë thuajse gjatë gjithë vitit. Por të gjithë liqenet e vegjël të majës së Lopës po shkojnë drejt zhdukjes përfundimtare.

Fusha ka njerëz punëtorë, të arsimuar e të udhëtuar, nga ku kanë dalë mësues, inxhinierë, ushtarakë, mjekë të zotë, zejtarë të ndryshëm.  

Ndoshta mund të përmendnim shumë emra të spikatur të këtij fshati, por do veçoja vëllezërit Jashar dhe Agim Demiri, për kontributin e tyre, Agimi me atë vepër të madhe si “Fjalor nga e folmja e Bulqizës”, kurse Jashari, Profesor Doktor në Psikologji e që ka punuar edhe në detyra të rëndësishme shtetërore.

Fusha ka pasur 3 mullinj uji, njëri prej të cilëve funksionon ende.

Ndër pasuritë kulturore përfshihen disa objekte kulti (teqetë), që janë të njohura edhe jashtë zonës për vlerat e tyre. Vlen të përmendet Teqja e Dervish Caushit, fare pranë rrugës nacionale, një vend i mirë, me fuqi mistike. 

Fushë-Bulqiza ka sot shkollë fillore, shkollë 9-vjeçare e duke qenë njëherësh qendër komune e bashkim fshatrash ka edhe shkollë të mesme. Shkolla mban emrin e dëshmorit “Asllan Keta”.

E ardhmja e këtij fshati duket e begatë.

* Adriatik BALLA është Doktor i Shkencave Gjeografike. Marrë nga profili i tij në FB