Skavicë do të thotë më shumë mjegull, zymtësi dhe zhdukjen përfundimtare të Dibrës së Poshtme


Nga MAJLINDA HOXHA *

Nëse më herët emri Dibër të kujtonte qershitë, jufkat, arrat apo të tjera, tani ky emër të lidh menjëherë me problemin Skavica. 

E cilësoj si të tillë, se nëse për qeverinë apo disa të tjerë, ky emër do të thotë përparim, strategji, pavarësi; për Dibrën do të thotë sfidë për ekzistencë. 

Dhe meqë u njoftova se atje po bëhen disa takime me banorët në lidhje me këtë problematikë , vendosa të udhëtoj nga Tirana dhe të bëhem pjesë e këtyre bisedave. 

Në udhëtimet e mia të panumërta, e kam parë lumin Drin si një pjesë e pandashme e Dibrës dhe kam shijuar çdo reflektim dielli mbi të, apo shijuar çdo panoramë dallgësh që na është shpërfaqur. 

Çuditërisht, këtë herë, teksa shihja se si ecte në shtratin e tij natyral, më vinte vetiu një ndjesi e pazakontë keqardhje. Drini si viktima dhe xhelati Skavica mbi “trupin e tij” për të kryer ekzekutimin. 

Mund të duket i papërshtatshëm krahasimi, por a ka gjë më të papërshtatshme se shkatërrimi, dëmtimi i elementeve bazë të ekosistemeve që bën të mundur përshtatjen dhe jetesën tonë në to?!

Midis gjithë këtyre mendimeve arrita në fshatin ku mbahej takimi i radhës me banorët. 

Këto takime mbaheshin në kuadër të projektit “PO DIBRËS, JO SKAVICËS!”, mbështetur “Euronatur”, nga një organizatë mjedisore europiane, dhe zbatuar nga “North Green Association”, organizatë mjedisore vendase. 

Takimi mbahej te lokali në qendër të fshatit dhe kishte një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish. 

Pas prezantimit nga organizatorët të disa efekteve negative që sjell direkt projekti i Skavicës dhe referencave shkencore, radhën e kishin banorët të shprehnin opinionin dhe shqetësimet e tyre. 

Ajo çfarë vihej re ishte uniteti për një JO të madhe Skavicës. Të gjithë kishin një zemërim  të mbledhur ndër vite, duke pasur parasysh që ky projekt del në pah sa herë vjen një qeveri e re në pushtet. 

Të gjithë, pa përjashtim, sillnin në vëmendje dëmet e mëdha që do u bëheshin nëse ndërtohej ky hidrocentral. Bënin pyetje për mostransparencën, paqartësinë e krijuar nga projektimi më i fundit dhe ndikimin e financimeve të huaja.

Por nuk mund të mos evidentohej qartë revolta dhe tonaliteti i zërit kur thuhej: ”Do ta mbrojmë me ç’të mundim, edhe me jetën tonë”. Kuptohej që ishte luajtur shumë me durimin dhe qetësinë e tyre. Sipas disa banorëve, kjo ishte zgjidhja e vetme që kish mbetur, meqë askush nuk i kishte pyetur deri më sot. Mbrojtja e vatanit dhe varreve të të parëve ishte detyrë e tyre tashmë. 

Gjithkënd, kudo në botë, do t’a kishte çuditur ky raport qeveri-popull. Ku populli duhet të mbrohet nga qeveria, sikur të ishte duke u mbrojtur nga pushtuesi. Dhe qeveria, jo vetëm nuk pyet për sovranitetin e popullit që e voton, por e bën edhe plaçkë të interesave të të huajve. Ky ishte një tjetër konkluzion i një banori që foli në takim. 

Pati edhe nga ata që kërkonin me ngulm që organizata europiane që mbështeste projektin, duhet ta dijë mirë se çfarë dëmi po tentohet t’i bëhet Dibrës dhe dibranëve. 

Andej nga fundi e mori fjalën një banor rreth të 50-ave, i cili mbi të gjitha çfarë përmendi tha: 

– Na thonë do zhvillohet turizmi. Po turizmin e sjell infrastruktura o vllazën, jo lluca e ujit. E sjell Dibra si është sot me këtë natyre e klimë të mrekullueshme. Prandaj duhet BASHKIM PËR EKZISTENCË. 

Në të gjitha pohimet që kisha dëgjuar gjatë takimit, fjalia e fundit ishte KUSHTRIMI që dibranët i bën një dhe ua bashkon vuajtjet, dashurinë për vendin, nevojën për t’i mbijetuar këtij projekti dhe ruajtjen e identitetit dibran. 

Të nesërmen e me radhë do vijonin takimet nëpër fshatra të tjerë.  Por ajo çfarë nuk ndryshonte (e pohuar edhe nga organizatorët për takimet e mëparshme) ishte revolta e njëjtë te të gjithë banorët e fshatrave që cënohen direkt nga ky projekt, po ashtu edhe nga banorët e fshatrave përqark apo nga qyteti i Peshkopisë. 

Të gjithë kishin të njëjtin shqetësim: se si të ndalonin medoemos ndërtimin e hidrocentralit t të Skavicës, i cili personifikon më shumë dritë për shqiptarët, por për dibranët do të thotë më shumë mjegull, zymtësi dhe zhdukjen përfundimtare të Dibrës së Poshtme. 

* Aktiviste kundër ndërtimit të Skavicës