Nga Osman Xhili
Vetëm pak ditë më parë përfundoi në qarkun e Dibrës, një projekt i GIZ-it për bimët mjekësore. E kush më mirë se dy shkencëtarët e bujqësisë dibrane, Dali Horeshka dhe Zyber Gjoni, do ta merrnin përsipër një barrë të tillë. Daliu, ekonomist me përvojë dhe njohës i shkëlqyer i bujqësisë, kurse Zyberi, doktor shkencash, ish pedagog i universitetit studiues dhe grumbullues i bimëve mjekësore.
Në cilësinë e nëndrejtorit të bujqësisë për qarkun e Dibrës, për gjashtë vite rresht, kisha marrë pjesë në dhjetëra e dhjetëra trajnime të fermerëve nga fondacione dhe organizata të ndryshme. Disa të shkurtër, një ditore e të tjerë më të gjata, të shtrirë dhe në muaj. Në përfundim, disa nga lektorët dhe trajnuesit dilnin në konkluzione “shumë interesante”. Dibra, sipas tyre, duhej të zhvillonte pemëtarinë dhe blegtorinë, gjëra për të cilat, as që nuk na kishte shkuar mendja më parë.
Trajnimi i kësaj radhe, në kuadrin e zhvillimit të qëndrueshëm rural, ndryshonte kryekëput nga shumë të tjerë të mëparshëm. Nuk erdhën fermerët tek trajnuesit, por këta të fundit shkuan në bazë. Nuk mbeti njësi administrative, pa u shkelur dhe gati çdo fshat u përfaqësua me vjelësit dhe kultivuesit më aktivë të bimëve mjekësore. Maqellara, Melani, Selishta, Arrasi, Fushë Bulqiza, Lura e shumë të tjera, u bënë stacione të ndalesës, të takimit, e bashkëbisedimit, të dy shkencëtarëve tanë me njerëzit, që vërtetë ishin të etur për të marrë dituri shtesë, në lidhje me bimët mjekësore. Po cilat ishin në të vërtetë përfitimet nga ky trajnim që zgjati gati dy muaj?
Dali Horeshka, njeriu që ka gati 40 vjet eksperiencë, që nga kooperativat e dikurshme dhe deri tek përvojat e shumta me fondacionet e huaja i bën publike shifrat. Ai tregon se u kryen mbi 20 takime gjithsej, me një mesatare prej 25 personash për çdo takim, duke e çuar në 500, numrin e përgjithshëm të atyre që morën pjesë. Po të llogarisësh që çdo person i trajnuar ka 2,4 pjesëtarë krahë pune në familje, ky numër shkon në 1200 persona.
Më tej ai vazhdon të tjera detaje të këtyre takimeve të shprehura në përqindje, duke paraqitur të dhëna vërtetë interesante. Në të gjitha takimet e organizuara, rreth 40 përqind e personave të trajnuar kanë qenë të rinj në moshë, 47 përqind e personave kanë qenë të kthyer nga emigracioni, kurse 20 përqind e personave të trajnuar kanë qenë gra. Në disa raste dhe në disa vende numri i grave ka shkuar në 70 përqind në Fushë Bulqizë dhe 50 përqind në Trepçë. 30 deri 70 përqind e familjeve në disa fshatra, grumbullimin e bimëve mjekësore e kanë si të ardhur bazë për familjet e tyre.
Të gjitha këto e të dhëna të tjera, që burojnë nga lapsi i mprehtë i shef Daliut, nuk janë të dhëna skematike, përpunuar, sa për tu mbushur mendjen drejtuesve të GIZ-it për efektivitetin e projektit në fjalë. Jo, ata materializohen në mesazhe shumë pozitive e shpresëdhënëse për ekonominë dibrane e më gjerë akoma. Ata tregojnë se në Dibër gjenden resurse të tilla, që mund të mbajnë në këmbë, familje të tëra, fshatra dhe zona të tëra, që ata të mos shpopullohen, por të shfrytëzojnë në mënyrë racionale ata mundësi e burime natyrore. Këto të dhëna tregojnë, që dhe vëmendja e të rinjve dhe grave është kthyer nga ky lloj aktiviteti, që në fakt e meritojnë një krye vendi, për nga të ardhurat që sjellin. Kështu shprehet, në mënyrë filozofike Daliu, që është dashuruar kaq shumë me këto bimë, aq të dobishme për ekonominë dhe shëndetin e njeriut.
Po të mos ishte roli dhe kontributi i doktorit të shkencave, Zyber Gjoni, aktiviteti i studimit, grumbullimit dhe përpunimit të bimëve mjekësore në qarkun e Dibrës, ndoshta do të ishte sa gjysma e vëllimit të sotëm. Pata kënaqësinë ti kushtoj një faqe gazete këtij heroi, që aq shumë po bën më këtë drejtim dhe gjithnjë e më tepër mendoj se është shumë pak. Ai meriton një libër të tërë. Nëse dikur Dibra kishte heronj që luftonin me pushkë për mbrojtjen e kufinjve, doktori i shkencave, Zyber Gjoni lufton me mendjen e tij, me punën dhe përkushtimin, me sakrificat e tij, të zonjës së tij të nderuar dhe gjithë stafit të tij të përkushtuar. Dikush mund të thotë se ata po përpiqen thjeshtë për të rritur të ardhurat e kompanisë së tyre, por unë kam bindjen absolute, që kjo është vetëm një arsye, bile tani jo më e rëndësishmja. Gjithmonë shkencëtari ka sakrifikuar veten dhe familjen për ide të mëdha dhe për humanizëm. I dashuruar me profesionin e tij, ai trishtohej, kur shihte se një pjesë vjelësish e korrnin bimën e qershiglës, e njohur si boronicë, për të sjellë frutin e saj te magazinat e tij. Atë masakër mjedisore- mjekësore, që ai e shihte në moment, fshatarët do ta kuptonin vetëm dy tre vjet më vonë dhe do ti binin kokës me grushte. Një rast të tillë pati në fshatin e bukur të Ilnicës, dhe pasi bisedon me kryetarin e këshillit dhe me gjithë banorët, problemi u fut në rrugën e rehabilitimit. Duke e shfrytëzuar sipas kritereve të duhura e të njohura,do ta kishin përjetë këtë bimë të vyer, për të tashmen dhe për brezat që do të vijnë.
Për hir të së vërtetës, duhet thënë se profesor Zyberi e kishte filluar që herët trajnimin e vjelësve, të cilët ishin pjesë organike e aktivitetit të tij. Sa herë që ata sillnin bimët mjekësore të vjela, duke i vlerësuar për punën e bërë, ai u thoshte ndonjë këshillë miqësore për ta bërë sa më mirë këtë lloj aktiviteti në të ardhmen. Gjatë takimeve të trajnimit ai kishte më shumë mundësi për ti thelluar këshillat e tij, deri në nivel shkencor. Ai u flet fermerëve se si të dallojnë saktë bimën, që realisht duhet vjelë, pa e ngatërruar me ndonjë tjetër të ngjashme. Sallat e takimeve u shndërruan në auditore shkencore, falë punës me projektor, me foto dhe pjesëmarrje masive.
U tregon se si nuk duhet ngatërruar murrizi i kërkuar me atë të ngjashmin, por që është i mbuluar me push, në frut apo në gjethe. Tek bima e Petasitas, apo Llapoi me kapelë, duhet vëmendje të mblidhet lloji me lule të kafenjtë dhe jo ai me ngjyrë të bardhë. Konfuzion mund të ketë dhe tek bima e Aguliçes, ku lloji i kërkuar është ajo me ngjyrë të verdhë në portokall dhe jo ajo me ngjyrë të bardhë. Ngatërresa të tilla, me apo pa dashje do të kishin pasoja të pariparueshme në të ardhmen. Kështu do të humbej besimi i kompanive të mëdha grumbulluese, por ca më keq akoma do të rrezikoheshin konsumatorët fundorë, ata që do të përdornin këto bimë, apo produktet e përpunimit të tyre.
Profesor Zyberi ligjëron me të njëjtin seriozitet, që pati dikur si pedagog në sallat e universitetit. Ai u tregon për kohën optimale të pjekjes së frutit që dëshirojmë. Tek trëndafili i egër (Rosa Canina), fruti duhet ketë arritur ngjyrën e kuqe, por as nuk duhet të jetë i qullur, ta ketë kapur brryma. Rrënjët e bimëve zakonisht mblidhen në fazën e qetësisë relative, pra kur të ketë mbaruar aktiviteti fiziologjik, që zakonisht përkon me fundin e vjeshtës.
Shumë të rëndësishme janë dhe rekomandimet për vendin dhe mënyrën e tharjes. Kjo procedurë duhet bërë në hije, pra një tharje graduale, për të mos shkatërruar ingredientët e rëndësishëm mjekësorë, që përmban bima. Vendi për tharje duhet të jetë i rrethuar, me pamundësi hyrje dhe ndotje nga kafshët dhe shpendët, mundësisht duke vënë kompensatë poshtë materialit për tharje. Jo pak i rëndësishëm është dhe hapi tjetër, ai i amballazhimit. Duhet futur në thasë të pastër, pa u ngjeshur, pasi ndodh ndezja e masës gjethore, apo lulore.
Profesor Zyberi ndez një dritë të kuqe, një sirenë alarmi për disa specie bimësh mjekësore në zhdukje. Përdorimi i kmesës, prerja e degëve, apo gjithë bimës tek dëllinja dhe tek bimë të tjera, do të ishte katastrofale. Do të duhen më pas, jo më pak se 20 – 30 vjet për tu rigjeneruar bima në fjalë. Po kështu, mbledhja e rrënjëve dhe kriteret e tjera jokorrekte të grumbullimit, i asgjësojnë bimët mjekësore, duke i futur në listën e kuqe dhe ca më keq akoma, në zhdukje totale. Është pikërisht njeriu, që me ndërgjegjen, idetë dhe punën e tij e shmang këtë fenomen dhe garanton vijimësinë e shfrytëzimit të tyre.
Problemet me bimët mjekësore janë të shumta e të panumërta, por profesor Zyberi nuk mund të qëndrojë pa ndarë me vjelësit dhe një ide shumë të rëndësishme. Ai don që vjelësit e bimëve mjekësore, partnerët e tij strategjikë, të mos kenë vetëm këtë status, por të bëhen dhe fermerë, pra kultivues të bimëve mjekësore. Kultivimi i tyre e zgjeron shumë gamën e llojeve, sasinë e grumbulluar dhe për pasojë, sasinë e parave në xhepat e njerëzve, duke e shndërruar Dibrën në një potencial të madh eksportues të bimëve mjekësore. Të shumta janë llojet e bimëve që mund të kultivohen. Sherebela, Ciani, Mëllaga, Aguliçja, Shtogu e shumë të tjera, presin që fermerët ti fusin në projektet e punës së tyre në vitet në vazhdim. Kjo gjë nuk është utopi, por në disa raste i realizuar në praktikë .Është viti i dytë që fermeri Rexhep Ilnica po punon me bimën e cianit, duke realizuar jo pak të ardhura në një sipërfaqe prej gati pesë dynymësh. Bedri Topuzi ka punuar me mëllagën, Atli Mani me Aguliçen, kurse Avdi Puci në Venisht të Sllovës ka mbjellur dy hektarë me shtog. I kthyer nga Italia, ai po përpiqet të japë një model, se Italinë e kemi këtu, se dhe këtu punohet e jetohet, kur kemi vizion e përkushtim.
Tani është radha e vjelësve, e fermerëve, që këto këshilla, këto mësime të vyera të këtyre dy shkencëtarëve, që për fat i kemi në Dibër, ti venë në zbatim, për të pasur suksese akoma më të mëdha në të ardhmen.