Dibra nderon ish futbollistin dhe mësuesin model


Mirënjohje e qytetit dhe “Nderi i Klubit Korabi” i jepet Lutfi Manjanit pas vdekjes

Lutfi Manjani me familjen.

Lutfi Manjani është njëri prej ikonave të futbollit dhe sportit dibran që pak ditë më parë ndërroi jetë në Shtetet e bashkuara në Amerikë, ku jetonte prej vitesh. Por qyteti ku ai lindi dhe u rrit e kontribuoi fort në sport dhe në arsim, Peshkopia, ka ditur ta nderojë edhe në mungesë këtë mjeshtër të sportit dhe jo vetëm. Në sallën e pallatit të kulturës “Haki Stërmilli” janë bërë bashkë drejtues vendorë dhe qytetarë të thjeshtë, ish futbollistë dhe skuadra aktuale e Korabit, në shenjë mirënjohje për gjithçka ai bëri në sportin dibran.
Fillimisht është transmetuar një dokumentar i shkurtër i RTSH Sport për jetën dhe veprën e tij, ndërsa më pas kryetari i Bashkisë Dibër Rrahim Spahiu, përveç se ka folur për meritat e tij, e ka nderuar me mirënjohjen e qytetit Lutfi Manjanin pas vdekjes, titull ky që i është dorëzuar djalit të tij Afrim Manjani, që nuk i ka mbajtur dot emocionet. Më pas janë ngjitur në skenë dhe kanë pohuar vlerat e Manjanit kryetarja e qarkut zonja Valentina Haliti Doda, zoti Nexhmedin Shehu, prefekti i Dibrës, deputeti i qarkut të Dibrës zoti Lavdrim Krrashi, ish kryetari i bashkisë dhe ish nxënësi i tij Ilir Krosi, komentatori i mirënjohur i Radio Tiranës Rrok Preçi, trajneri i njohur i volejbollit dibran Fehmi Bulku, njëherësh ish koleg i tij, ndërsa më pas në sallë mikrofoni ishte për qytetarë, sportdashës e trajnerë të ndryshëm, që sollën kujtime e mbresa. Kulmi arriti kur në skenë është ngjitur stafi i ekipit të Korabit me presidentin Fehmi Mziu, trajnerin Shpendi Kumbarçe dhe kapitenin Sokol Mziu, të cilët e kanë dekoruar Lutfi Manjanin me titullin e larte: Nderi i Klubit Korabi dhe i kanë dorëzuar djalit të tij fanellën me Nr. 3, që ai mbante dikur kur luante si qendërmbrojtës i Korabit në vitet ‘55-‘65.
Një foto e përbashkët mbylli këtë takim, ndërsa më pas në stadiumin e qytetit në prag të ndeshjes Korabi – Partizani është zhvilluar një ceremoni, ku fillimisht trashëgimtari i Lutfi Manjanit ka bërë një gjest simbolik, duke i dorëzuar skuadrës një shumë financiare dhe më pas të dyja skuadrat, Korabi dhe Partizani, kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të ikonës së futbollit dibran. Kësisoj, mjeshtri i njohur i sportit dhe njëri prej yjeve të futbollit dibran, u përjetësua në mënyrën më të mirë, duke vlerësuar gjithë atë rrugëtim që ai bëri, duke i dhënë shumë Korabit dhe Dibrës në sport dhe në fushën e arsimit si njëri prej mësuesve më të dalluar në vite.

Afrim Manjani, i biri:

Lutfiu (djathtas) dhe Shemsi Manjani.

Mirënjohjen time do t’ia dedikoj atij qyteti, që i dha mundësinë babait tim dhe shumë të tjerëve, të demonstronin nëpërmjet kulturës dhe sportit, vlerat reale që në fakt i gjetën edhe falë të parëve të tyre që formuan atë qytet dhe e mbajtën aq të pastër dhe të bukur emrin e tij. Do t’ju lutesha brezave që atë traditë të bukur ta përcjellin dhe ta mbajnë ashtu si të parët tanë. Falenderoj Bashkinë e Dibrës dhe kryetarin Rrahim Spahiu, por dhe klubin Korabi, të cilët e vlerësuan me çmimet përkatëse punën dhe kontributin e babait tim, por edhe drejtuesit vendorë dhe të gjithë ata që morën pjesë në atë takim përkujtimor dhe shumë emocionues për tim atë, ku edhe dua të çmoj punën e palodhur dhe realizimin shumë profesional të të gjithë këtij aktiviteti të gazetarit të mirënjohur dhe dibranit tonë të palodhur Defrim Methasani.

Lutfi Manjani (djathtas)