Faris Cibaku, sfidanti i pamposhtur


Mësues Farisi po shijon pensionin mes Dibrës dhe Tiranës. Ai nuk është mësuar të qëndrojë pasiv as në mundje, as në arsim dhe askund tjetër. Ai ka krijuar një fermë interesante me të gjitha llojet e pemëve frutore dhe kalon aty kohën e lirë. Ka mbjellë dhe 90 rrënjë arra turke, që tashmë janë në vitin e tretë dhe kanë filluar të prodhojnë kokrrat e para. Është kjo një parajsë e vogël, dhuratë nga Zoti, për atë kontribut që mësues Farisi i ka dhënë shoqërisë për shumë e shumë dekada.

Nga Osman Xhili

Mësues Farisi nga Sohodolli i Dibrës nuk është shumë i madh në trup, por është i madh në karakter, në vepra e vlera njerëzore. Ai diti ti fitojë këto vlera, si dhe respektin e të gjithë njerëzve që e rrethojnë, falë punës dhe përpjekjeveqë ai bëri, që nga fëmijëria e deri më tani. Që i vogël i pëlqente sfida. Donte të sfidojë notën e mirë, të sfidojë malin e Korabit, ku bënte dru me mushkë.
As vetë nuk e diti se si kaluan vitet e rinisë dhe mbarimi i gjimnazit të Peshkopisë. Një ditë e pa veten me bursën e fituar për gjuhë-letërsi në Shkodër. U nis me një valixhe druri në dorë, siç ishin gati gjithë moshatarët e asaj kohe. U nis me premtimin se do të bëhej dikushi në jetë.
Ishte viti i parë, kur ata bënë zborin ushtarak në Bardhaj të Shkodrës. Aty, nëpër kashtë, studentët e rinj kapeshin në mundje me njëri-tjetrin dhe Farisi, trupimët, ra në sy, pasi lëshonte në tuç dhe disa me peshë më të madhe. E gjitha kjo ishte krejt natyrale, pasi deri atëherë nuk kishte qenë asnjë ditë në stërvitje të këtij lloji. Kur u kërkuan studentë për mundjen në spartakiadën kombëtare universitare, u përzgjodh dhe Faris Cibaku për të përfaqsuar Universitetin e Shkodrës. Mjeshtra të mëdhenj të kohës, si Iljaz Guri dhe Naim Pepa, e stërvitnin tre orë në ditë dhe studenti i ri i fitoi deri në perfeksion shumë reflekse të sportit të mundjes. Në muajin shkurt të atij viti ai fitoi vendin e dytë në shkallë republike.
Në mars të atij viti, dy dajallarët e babës së tij u dënuan me pushkatim nga regjimi i kohës. Me shumë ndërhyrje, kjo masë u kthye në dënim të përjetshëm. Në raste të tilla, jo vetëm familja, por i gjithë rrethi familjar “infektohej” politikisht. Një re pluhuri do të binte dhe mbi studentin Faris Cibaku, në dilemë për ta përjashtuar nga shkolla dhe nga sporti.Sjellja e tij e mirë, rezultatet e larta në mësime e në mundje i mundësuan atij vijueshmërinë e punës. Shumë shpejt, ai u shpall kampion kombëtar në peshën e parë dhe më pas dhe në të dytën. Emri i tij do të lakohej me shumë respekt në federatën e mundjes dhe në shtypin e kohës. Por, dhe pse bënte gati tre orë stërvitje në ditë, studenti i ri, kurrë nuk do të harronte qëllimin primar, mbarimin e universitetit me rezultate të shkëlqyera. Mësues Farisi dhe sot e kësaj dite përmend emrat e atyre kolosëve të gjuhës dhe shkencës të asaj kohe, profesorë të tillë si Jup Kastrati, Kolë Ashta, Tomor Osmani, Simon Pepa e shumë të tjerë. Ata u mësuan studentëve, jo vetëm shkencën, por dhe dashurinë për profesionin dhe të respektonin njerëzit. Në korrik të vitit 1975 studenti Faris Cibaku diplomohet për gjuhë dhe letërsi. Në nder të tij, klubi i sportit në Shkodër shtrojnë një banket, duke i bërë dhe disa dhurata simbolike, kostum, këmishë me vija, kollare dhe një termus. I blejnë dhe biletën e udhëtimit për tu kthyer në Dibër. Ishte mbyllur një kapitull mjaft i bukur me Shkodër loken, për të hapur një tjetër në vendlindjen e tij.
Mundja tashmë kishte zënë vend në tërë qenien e tij dhe ai nuk ju nda këtij sporti për më se çerek shekulli. Vazhdoi të marrë pjesë si mundës i Korabit,duke zënë disa herë vende nderi dhe duke ndikuar pozitivisht në renditjen e ekipit. Më tej, Faris Cibaku merr përsipër detyra si drejtues i ekipeve të moshave të ndryshme. E shohim atë të si trajner i ekipit të Korabit për të rritur, duke debutuar me sukses në kampionatin e organizuar në Vlorë. Për më se dy vjet të tjera provoi detyrën e trainerit të të rinjve, ku mundësi Musa Gjura u shpall kampion në Berat. Shumë kënaqësi i dha mësues Farisit detyra e trajnerit të para të rinjve. Fshati i tij, Sohodolli, u bë epiqendër e këtij sporti për të rinjtë e pasionuar pas mundjes. Aty sollën dhe një tapet mundje profesional, ku ushtroheshin të rinjtë. Në kampionatin kombëtar të zhvilluar, Korabi u përfaqsua dhe me tre të rinj të talentuar, si Xhelal Haraçiu, Seit Huta, Ermir Tafa dhe shumë të tjerë. Në vitin 1990, Faris Cibaku u shkëput nga sporti i mundjes, ku la aq shumë gjurmë me medalje të fituara, apo me breza mundësish të rinj, të cilëve u dha gjithë eksperiencën e tij, të fituar ndër vite.
Është shumë e vështirë të fusësh në një emrues të përbashkët, kaq shumë obligime, sa pati Faris Cibaku. Ai vazhdonte sportin e mundjes, ndërkohë, që shërbente si mësues në fshatin Vranjt. Për gati tetë vjet ai bënte pesë orë rrugë në këmbë dhe më pas vazhdonte tre orë stërvitje. Natën vonë i takonte të shkojë te shtëpia e tij, ku i duhej të bënte planet dhe përgatitjen për ditën e nesërme. Por dhe në këto kushte disi të vështira, ai përpiqej të gjente kohën për fëmijët e shkollës, që e prisnin me padurim për të diskutuar një tregim, apo një libër të riqë kishin lexuar, për të bërë analizën e pjesëve të fjalisë, apo si do të organizonin konkursin e fjalës artistike. Vetëm një pale u kishte hyrë në hak, fëmijëve dhe familjes së tij. Kur ai bëhej gati për të nesërmen, fëmijët i kishte kapitur gjumi dhe babait nuk i mbetej tjetër, vetëm se tu jepte nga një puthje të lehtë, si një falje për kohën, që nuk u kishte kushtuar.
Kështu kishin ikur vite të shumtë dhe mësues Farisi përplasej sa në një stacion në tjetrin dhe kudo linte gjurmë të pashlyera, në kujtimet e fëmijëve të shkollës. Në vitin 1985 Faris Cibaku shërbente si mësues në Vranjt, ndërkohë, që vjen një ekip pune i ministrisë së arsimit, i cili qëndroi për tre ditë te shkolla e tyre. Ekipi i ministrisë vlerësoi mjaft punën e kolektivit të mësuesve të kësaj shkolle, kurse mësues Farisi meritoi medaljen “Naim Frashëri”, si një shembull, që duhej të ndiqej nga të tjerët.
Faris Cibaku shërbeu si mësues edhe në Sohodoll, në gjimnazin e Kastriotit, në gjimnazin e Peshkopisë, në shkollën “Demir Gashi” dhe kudo dha më të mirën që kishte nga shpirti dhe përvoja e pasur. Duke parë cilësi të tilla dhe aftësi organizative, jo pak kohë dhe jo pak herë, ka qenë si lidership i disa shkollave elitare të rrethit. Plot kompetencë, ndershmëri e profesionalizëm, Faris Cibaku shërbeu si drejtor i shkollës së Sohodollit, i shkollës “Demir Gashi”, i gjimnazit të Peshkopisë, apo i shkollës Pedagogjike të qytetit. Mësues Farisi ka dhënë ndihmesën e tij si formator në seksionin e arsimit, si inspektor i gjuhës dhe letërsisë, si kryeinspektor i D.A.R. sëdhe si përgjegjës i sektorit të kualifikimit të mësuesve për qarkun e Dibrës. Të gjitha këto pozicione, sa të vlerësuara e të merituara, aq dhe të vështira për ti menaxhuar me sukses, janë diamante që varen në qafën e tij, siç vareshin dikur trofetë e sportit të mundjes.
Familja e mësuesit Faris Cibaku shkëlqen nga vlerat dhe shkollimet që ka. Dy prindërit, Farisi me të shoqen dhe katër fëmijët e tyre kanë mbaruar universitetet. Dy vajzat, Edlira dhe Jurida kanë ndjekur rrugën e babait, degën e gjuhës dhe letërsisë. Sot janë mësuese, përkatësisht në gjimnaz dhe në shkollën “Demir Gashi”. Djali i madh, Gentiani, ka mbaruar akademinë e sporteve dhe atë ushtarake. Ai ka qenë në misione paqeruajtëse në Afganistan, Bosnje, specializime në Amerikë, Gjermani dhe shumë shtete të tjera dhe sot mban gradën e majorit në forcat e armatosura. Riza Cibaku, vëllai tjetër i tij, ka mbaruar universitetin e sporteve në Tiranë dhe jep mësim në gjimnazin e Peshkopisë.
Në luftën e Kosovës familja e tij i hapi dyert cep më cep, duke treguar se bujaria nuk është një simbol i të kaluarës, por një gen i gjallë dhe i pavdekshëm i familjes shqiptare. 42 persona nga Vushtria e Kosovës qëndruan për tre netë në familjen e tyre, kurse 17 prej tyre vazhduan të strehohen aty dhe për dy muaj e gjysëm të tjerë.
Mësues Farisi po shijon pensionin mes Dibrës dhe Tiranës. Ai nuk është mësuar të qëndrojë pasiv as në mundje, as në arsim dhe askund tjetër. Ai ka krijuar një fermë interesante me të gjitha llojet e pemëve frutore dhe kalon aty kohën e lirë. Ka mbjellë dhe 90 rrënjë arra turke, që tashmë janë në vitin e tretë dhe kanë filluar të prodhojnë kokrrat e para. Është kjo një parajsë e vogël, dhuratë nga Zoti, për atë kontribut që mësues Farisi i ka dhënë shoqërisë për shumë e shumë dekada.