Shuhet Kujtim Neli, njeriu i pasionuar pas punës e shkencës.


Më 6 janar 2023, në mënyrë të beftë, u nda nga jeta shoku ynë i fëmijërisë dhe i shkollës, kolegu i punës, Kujtim Neli, njeriu i pasionuar pas punës e shkencës.
Ai lindi më 15 nëntor 1949 në fshatin Cerjan, në gjirin e një familje të madhe patriarkale e me gjendje të mirë ekonomike. Babai, Iljazi, iku i ri, kur Kujtimi ishte 5 vjeç, por mbështetjen e kujdesin atëror ai dhe tre vëllezërit e gjetën te nëna e tyre burrneshe, Sulbia; te gjyshi, Hani dhe te dy xhaxhallarët, Perviz e Dalip.
Shkollën fillore Kujtimi e kreu në fshatin e lindjes, kurse 7-vjeçare dhe gjimnazin në qytetin e Peshkopisë. Shquhej si nxënës inteligjent e me rezultate të mira në mësime. Pas mbarimit të gjimnazit, Kujtimi bën një vit punë në Ndërmarrjen e Ndërtimit Peshkopi, si stazh maturanti në vitet 1969-1970 . Më pas vazhdoi shkollën e larte në ILP 3-vjeçar të Shkodrës në degën biokimi. Në shtator 1973 filloi punën si mësues biokimie në shkollën 8-vjeçare Bellovë, ku punoi e jetoi 10 vjet. Në punën e tij si mësues u shqua për përdorimin e metodave të reja në procesin mësimor, në ngritjen e një kabineti të pasur kimie, në eksperimente e prova të shumta shkencore në fushën e biologjisë e të kimisë si dhe për arritje të mira në formimin shkencor të nxënësve. Në mes të viteve ‘70, Kujtimi u martua me mësuesen e re, Fiqirete Stojku. Jeta bashkëshortore solli dhe dy fëmije të bukur si engjëj, por ky gëzim familjar nuk zgjati shumë, pasi në vitin 1996, Fiqireti, në moshën 43 vjeç, u nda para kohe nga jeta. Kujtimi nuk u martua më, por u kujdes për mirërritjen e edukimin e fëmijëve. Kujtimi pas kësaj dite “u martua” me shkencën, me studime të thelluara në fushën e mikrobiologjisë mjekësore.
Pas largimit nga Bellova, Kujtimi punoi si mësues biologjie në Greve dhe më pas në Kabinetin Pedagogjik të rrethit Dibër (1988-1992). Në vitin 1993 ai largohet nga puna për pikëpamje politike. Shpërngulet me banim në Tiranë, ku u mor kryesisht me punë shkencore në studimin e florës shqiptare, të bimëve mjekësore e në përgatitjen e ilaçeve të ndryshme. Në shtëpine e tij, një dhomë, ishte studio e tij e punës, ku shihje të ekspozuar në rafte lloj-lloj bimësh e gjethesh, rrënjë, epruveta e mikroskop, shishe me ilaçe etj. Kujtimi ishte një kërkues i madh në këtë drejtim, studiues i zellshëm i shkencave mjekësore.
Kujtimi ka marrë pjesë në shume ë ekspedita shkencore të organizuara nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Fakulteti i Pyjeve etj. Me ilaçet e përgatitura nga bimët mjekësore, Kujtimi ka kuruar e shëruar mbi dhjetë mijë pacientë në këto 20 vitet e fundit.
Gjatë viteve 1990-2000 , Kujtimi ka dhënë mbi 50 emisione televizive në televizonet të ndryshme kombëtare dhe lokale. Për bimët mjekësore dhe kurimin e sëmundjeve të ndryshme ka shkruar me dhjetëra artikuj shkencorë në disa organe të shtypit shqiptar. Ai përgatiti dhe patentën e duhanit mjekësor “Rotgines” me 6 bimë mjekësore, e cila shëron gëlbazen, kollën, azmën bronkiale, epilepsinë. Kujtimi punoi në fushën e tij si mjek biolog për parandalimin e sëmundjeve të kancerit. Për arritjet e tij shkencore, ka marrë titullin “Doktor” në fushën e mikrobiologjisë. Kujtimi njihte e fliste mirë 4 gjuhe si: anglisht, italisht, rusisht e serbo-kroatisht.
Kohët e fundit ai u mor me shkrimin e një libri për vendlindjen e tij të dashur, Cerjanin, por fatkeqësisht, vdekja i preu jetën Kujtimit dhe kjo dëshirë e zjarrtë e tij nuk e ka parë ende dritën e botimit.
Lamtumirë shoku ynë i shtrenjtë Kujtim! Dheu i tokës mëmë qoftë i lehtë për ty!
Besnik Lami