Homazh për qytetarin me vlera humane, Fitim Islamin


Më datën 4 shkurt 2023, pas një sëmundje të rëndë e të pashërueshme u nda nga jeta në moshën 64 vjeçare Fitim Islami. I madh dhe i vogël në qytetin e Bulqizës e njohin Fitimin si qytetar i dashur e i sjellshëm me të gjitha kategoritë e moshave për më shumë se dy dekada në vitet 1982-2005.
Ai erdhi nga Grazhdani i Maqellarës si një pjesë e madhe e punëtorëve të minierës së Bulqizës. U lind më 1 prill 1959. Pasi mbaroi shkollën e mesme në Maqellarë, punojë për dy vjet në kooperativën bujqësore të Dovolanit. Në repartin e xhenjos, në Tiranë kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Për të qenë më i lirë, për të vendosur për fatin e jetës së tij, në vitin 1983vendosi të vijë të punojë në minierën e kromit “Todo Manço” Bulqizë si vagonist. Ndër më të dalluarit, ashtu si të afërmit, por edhe bashkëpatriotët e tij nga Maqellara i kishin vënë shpatullat ndërmarrjes më të madhe të minierave.
Në vitin 1985 për disa aftësi e cilësi individuale u zgjodh të punojë si magazinier i ndërmarrjes së kromit. Miniera e kromit ishte ndër më të mëdhatë në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve në vendin tonë. Magazina e pjesëve të ndërrimit quhej punë e lodhshme dhe me shumë përgjegjësi. Fitimi jo vetëm që e përballoi me sukses por ndihmoi me orar e pa orar minatorët, zjarrmëtarët, vagonistët të mos kishin pengesa në furnizimin me materialet që u duheshin për të realizuar detyrat e planin e nxjerrjes së kromit. Këtu u shfaqën virtyte e cilësi të Fitimit si njeri i palodhur, me iniciativë, i drejtë, kurajoz e human. Për një kohë të shkurtër siguroi një simpati e respekt të merituar. Si një njeri human u shqua në përpjekjet për t’u siguruar sektorëve të nëntokës, njerëzve të punës gjithçka që u duhej pa u humbur kohë dhe sorollatje për eliminimin e pengesave dhe avarive në punë. Ai ndër kohë njihte nevojat e niveleve, puseve, galerive, brigadave, në thellësi e sipërfaqe. Detyra e lidhi me njerëzit, gjithçka që lidhej me punën në minierë, i papërtuar, i shkathët, me integritet duke e zgjeruar rrethin shoqëror e miqësor.
Fitimi është nip në familjen e Dan Çukut në Mazhicë, familje patriote brez pas brezi, bazë e luftës nacional-çlirimtare.
Në Bulqizë krijoi familje, u martua me Lutfie Samet Lokën, një familje e vjetër punëtore dhe qytetare. Mori shtëpi në qytetin e ri duke u integruar shumë shpejt në gjirin e klasës punëtore. Bulqiza shquhet për dashurinë dhe respektin reciprok, çiltërsinë në marrëdhëniet shoqërore dhe qytetare, ambientin e ngrohtë që u krijojnë familjeve të reja etj. Rritën e trashëguan dy djem dhe një vajzë; Eugenin, Ledionin dhe Manjolën. Ata kanë mbaruar arsimin e lartë dhe punojnë në profesionet e fituara në Universitet.
Në vitin 2005 erdhi me familje në Tiranë, në lagjen “Don Bosko” bashkë me vëllezërit. Punoi rreth dy vite pranë ndërmarrjes pastrimit e gjelbërimit Nr 1, pranë bashkisë Tiranë.
Erdhi si një nëpunës me përvojë e eksperiencë, krijoi marrëdhënie shumë njerëzore me punonjësit në ndërmarrjen e re që vinin nga shumë rrethe të Shqipërisë.
Në vitin 2007 shkoi me punë në Drejtorinë e përgjithshme të Transportit rrugor shqiptar si përgjegjës i arkivës dokumentare të mjeteve të transportit. Si kudo, edhe këtu, u bë një shembull i mirë në punë, u dallua për marrëdhënie korrekte e miqësore me kolegët, për shpirtin e madh dhe human në kontaktet dhe shërbimet ndaj qytetarëve. Atij iu dha mundësia të njihej me qytetarë nga e gjithë Shqipëria duke marrë prej tyre konsiderata e mirënjohje. I gatshëm të tregojë humanizëm në çdo kohë, pa kursyer asgjë. Humanizmi nuk tregohet vetëm kur ndihmon njerëzit me vlera monetare por kur bën gjithçka për tu qëndruar afër, kur u jep rrugëzgjidhje, ndan hallet bashkë, këmben mendime e merr këshilla.
Këtë nuk e kurseu asnjëherë, për këtë do të mbahet mend e do të kujtohet Fitim Islami.
Në vitin 2022 fatkeqësisht u prek nga një sëmundje e rëndë. Pak ditë pa mbushur 64 vjeç, më 4 shkurt 2023 u nda nga jeta para kohe, kur ende familja dhe fëmijët e tij kishin nevojë për këshillat e dashurinë prindërore. Sëmundja nuk e përkuli, ai ishte optimist dhe ruajti lidhjet me shokët dhe miqtë e tij. Humbja e Fitimit ka pikëlluar shumë njerëz, shokë, miq e dashamirës, qytetarë të Bulqizës e Tiranës, kolektivi ku punonte etj. Përcjellja prej tyre për në banesën e fundit ishte një tregues për emrin e mirë e veprën humane, për ato vlera shoqërore e njerëzore që la pas Fitim Islami.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
U preftë në paqe!

Shpëtim S. Lleshi, Fadil Cani, Ramiz Halili, Qerim Tomja, Drilon Lleshi.