Tuneli në 400 metrat e fundit, por nuk japim afate për mbarimin


Belinda Balluku, zv. kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës: Studimi gjeologjik i cekët. Çështjet e sigurisë janë shumë më të rëndësishme se dëshira për të mbaruar sa më shpejt.

Berberi: Gjatë kësaj vere kemi një përfundim total të punës në të gjitha kantieret e ngritura, përjashtuar tunelin. Në fund të muajit korrik, javën e parë të muajit gusht, ne hapim përfundimisht për regjimin e trafikut të plotë, rrugën nga dalja e tunelit në shkallën e Tujanit deri në Murriz dhe nga dalja e tunelit deri në Maqellarë.

“Ecuria tani është konstante dhe ka rëndësi që të përfundojë hapja e tunelit. Ne sërish nuk do të japim afate për tunelin e Murrizit, pasi ky është rast, që siguria rrugore, çështjet e sigurisë në të ardhmen, janë shumë më të rëndësishme se dëshira për të mbaruar sa më shpejt”.

Znj. Belind Balluku (në mes) dyke inspektuar punimet brenda galerive të Tunelit të Murrizit. Foto: MEI/FB

“Puna në tunelin e Murrizit po vijon. Janë metrat e fundit që edhe kjo vepër, më e rëndësishmja e Rrugës së Arbrit, të jetë plotësisht e hapur dhe e aksesueshme për të gjithë drejtuesit e automjeteve. Gjeologjia solli vonesat në ecurinë e këtij projekti, por puna nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet deri në përfundimin dhe hapjen e plotë të tunelit, i cili bën të mundur që i gjithë qarku i Dibrës të jetë akoma edhe më afër me Tiranën”, shkruante me datë 30 maj 2023 në profilin e saj në Facebook znj. Belinda Balluku, zv, kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Një ditë më parë, më datë 29 maj 2023, Balluku, e shoqëruar nga z. Evis Berberi, drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar si dhe punonjës të kompanisë “Gjoka ‘87”, inspektuan punimet në tunelin e Murrizit, duke e përshkruar në këmbë dhe në makinë të gjithë gjatësinë e tunelit, si dhe duke sjellë për herë të parë para publikut një video mbi ecurinë e punës dhe problematikat e shfaqura.
Videoja prej 30 minutash u publikua në Facebook-un e ministres së Infrastrukturës, e cila, së bashku me drejtorin e ARRSH u munduan të japin sqarime për të gjitha vonesat e deritanishme në grafikun e punimeve në tunelin e Murrizit, duke e lidhur këtë me problemet gjeologjike të paparashikuara.

“Puna në terren në disa fronte”

“Ashtu siç e kemi premtuar, për të bërë një inspektim edhe për të informuar qytetarët, të cilët tashmë me përfundimin e pothuajse gjithë segmenteve të Rrugës së Arbrit, janë shumë të interesuar për të ditur ecurinë e këtij tuneli, i cili ka nisur në 2018, por për shkak të gjeologjisë shumë komplekse që kemi pasur këtu, na është dashur që të përballemi me situata që sigurisht kanë marrë më shumë kohë nga sa ishte parashikuar”, tha Balluku ndërkohë që po hynte në galerinë kryesore të tunelit të Murrizit në hyrjen nga Tirana.
Tuneli i Murrizit ka dy tuba kalimi, të gjatë 3.78 km secili, të cilat lidhen përmes tyre me 11 tunele bashkuese.
“11 tunelet bashkuese janë të gjitha të hapura ashtu siç është edhe tuneli i emergjencës i gjithi i hapur”, – tha Balluku.

Një stacion pompimi në brendësi të tunelit të Murrizit. Foto: MEI/FB

Duke folur për punimet brenda tunelit, Evis Berberi tha se “në tunelin e emergjencës janë betonuar 650 metra dhe vazhdohet me ritme të mira për ta çuar deri në fund betonimin”, ndërsa në tunelin kryesor betonimi ka ecur më shpejt. Sipas tij, nga dy kantieret e ngritura në dy anët e tunelit “janë betonuar nga 1.1 km në secilën anët, në total 2.2 km, ndërsa është duke u punuar në 400 metrat e fundit në tunelin kryesor”. Berberi la të kuptohej se, meqë puna vazhdon në të dy frontet, tuneli avancon çdo ditë nga 3 metra.
Balluku gjatë vizitës në kantier tha se “është kënaqësi të shikosh se ka fronte të hapura gjithë kohën, duke filluar nga të gjitha makineritë dhe punëtorët, të cilët kryejnë procese të ndryshme nga gërmimi tek armatimi, tek ankorimi dhe gjithçka tjetër, dhe kjo është diçka që ne duhet ta themi”.
“Tuneli do të ketë dy korsi lëvizje me 3.75 metra si dhe trotuare me gjerësi 1.5 metra. të kombinuara me 11 galeritë lidhëse me tunelin e emergjencës. Parashikohet që trafiku në tunel të mos bllokohet asnjëherë, sepse nëse ndodh një defekt në mjete apo ndonjë aksident, ekziston mundësia të nxirren në anë të rrugës pa e bllokuar trafikun”, tha Berberi.
Punimet në brendësi të Murrizit janë komplekse dhe sipas drejtorit të ARRSH “janë të pavarur nga njëri-tjetri dhe vazhdojnë si me betonimet, gërmimet e transportin ashtu dhe me hapjen e themeleve”.
“Ne kemi bërë gati dhe porositë për pajisjet elektromekanike, pasi është një tunel i gjatë dhe pajisjet elektromekanike janë duke u prodhuar specifikisht për këtë tunel”, tha Berberi.
“Kur do të takohen të dyja portalet për të parë dritë në krahun tjetër, do të jetë një moment që ne do ta bëjmë live, ashtu siç kemi bërë dhe Llogoranë dhe Kardhiqin, për t’ua treguar të gjithëve, pasi do të jetë një moment shumë i rëndësishëm, duke qenë se Rruga e Arbrit është një nga arteriet më të rëndësishme të vendit tonë”, tha Balluku.
Balluku dhe Berberi nuk preferuan të japin afate për hapjen e galerisë kryesore, por duke pasur parasysh ecurinë e punimeve të fundit, besohet se në fund të shtatorit apo gjatë muajit tetor, dy tunelet të bashkohen, duke u hapur plotësisht si galeri drite.

Balluku: Studimi gjeologjik i cekët

Vonesat në ecurinë e punimeve, si Balluku ashtu edhe Berberi i shpjegojnë me problemet gjeologjike.
“Gjeologjia është e vështirë, prezenca e ujërave është shumë e lartë, kemi hapur kanalet anësore për të menaxhuar gjithë ujërat. Përdorim masa shumë të mëdha forcimesh me dopio armaturë, me dopio profile hekuri dhe mbajtëse”, tha Berberi.
Duke qëndruar te i njëjti argument, zv. kryeministrja Balluku theksoi se “Tuneli i Murrizit ka qenë një nga problematikat më të mëdha që ne kemi hasur”.
Sipas Ballukut, studimi gjeologjik nuk është bërë nga kompania fituese, por është bërë nga kompania, e cila ka bërë ofertën e pakërkuar në 2018. Sipas saj, ka qenë një studim i cekët, “i cili na vuri përballë një fakti që të gjendemi në shtresa gjeologjike argjilore”.
“Gjatë kohës që ne kemi nisur punën këtu, kemi identifikuar që jemi përballur në mënyrë të vazhdueshme me katarakte të tëra uji, të cilat binin mbi shtresat argjilore duke i shkrirë ato”, tha Balluku.
Për të justifikuar problemet gjeologjike, Balluku dhe Berberi u ndalën te disa burime ujore, si për të thënë se është ky uji që ka sjellë vonesat e deritanishme.
“Këtu kemi disa pika ku ka vendosje të çarjeve që janë bërë për gërmime, shikoni që ka burime të vazhdueshme uji që nuk janë të lidhura as me shirat dhe as me diçka tjetër, pra, janë burime konstante ujore që rrjedhin dhe krijojnë problematikën që kemi shpjeguar”, tha Balluku.
Ajo bëri një krahasim me punimet në tunelin e Llogarasë, duke argumentuar se prurjet e ujit kanë krijuar problematika të paparashikuara në tunelin e Murrizit, por sipas saj, “tashmë është e rëndësishme që këtu puna po bëhet me skrupulozitet, me parametra të larta sigurie për të gjithë”.

Në gusht 2023, pjesa tjetër e Rrugës së Arbrit përfundon sipas të gjitha parametrave teknikë të ndërtimit dhe sigurisë.
Nga brendësia e Murrizit Balluku premtoi se “gjatë kësaj vere për këtë rrugë kemi një përfundim total të punës në të gjitha kantieret e ngritura, përjashtuar tunelin”.
“Këtë verë e kemi planin që në fund të muajit korrik, javën e parë të muajit gusht, ne hapim përfundimisht, jo më në regjimin e kantierit, për regjimin e trafikut të plotë, akse të cilat kanë qenë të aksesueshme sot. Nga dalja e tunelit në shkallën e Tujanit deri në Murriz dhe nga dalja e tunelit deri në Maqellarë në segmente të plota, jo më në regjimin e kantierëve”, tha Berberi.
“Ndërkohë po përfundojmë edhe pjesët ku ka pasur problematika të vogla përgjatë aksit rrugor të Rrugës së Arbrit janë marrë masa për të bërë të gjitha riparimet e fundit në mënyrë që kur të hedhim shtresat e fundit të binderit dhe tapetit, çdo gjë të ketë marrë formën e vet dhe të mos kemi më nevojë për të ndërhyrë dhe të jetë çdo gjë ashtu siç është projektuar me një cilësi të mirë”, tha Berberi.
Berberi tha se aktualisht po punohet përgjatë rrugës në Planin e Bardhë për të punuar në përforcimin e skarpateve.
“Duke qenë se kemi bërë vendosjen e mureve të pritjes në fillim, kjo na ka dhënë komoditetin për të vazhduar për të punuar në skarpate, pa pasur bllokime të shpeshta të rrugës”, tha Berberi. Sipas tij, në të ardhmen nuk do të ketë më bllokime të rrugës, përveç bllokimit të një korsie në një gjatësi deri 50 metra”.
Berberi konfirmoi se gushti i këtij viti do ta gjejë pjesën tjetër të Rrugës së Arbrit të përfunduar sipas të gjitha parametrave teknikë të ndërtimit dhe sigurisë.

Kosto të rritura?! Balluku mohon: “Nuk ka pasur asnjë shtim financiar në kontratën e Rrugës së Arbrit”
Gjatë vizitës në kantier Balluku iu rikthye edhe akuzave të opozitës për shpërdorim të fondeve publike dhe kostove të rritura të rrugës.
“Kontrata e Rrugës së Arbërit është një kontratë e cila nuk ka ndryshuar formën e saj financiare nga dita e parë e deri më sot”, tha ajo.
“Pavarësisht se çfarë është thënë nga opozita apo edhe nga analistë, të cilët nuk besoj që nuk e dinë të vërtetën, por kanë pasur arsyet e tyre për të dezinformuar, nuk ka pasur asnjë shtim financiar në kontratën e Rrugës së Arbërit”, theksoi Balluku.
Sipas saj, edhe kostot e punimeve në tunel, edhe kosto e ndërtimit të by-passit, është një kosto që e përballon vetë kompania.
“Madje edhe tuneli, pavarësisht kostos, është një kosto që i shkon kompanisë, duke qenë se kështu kanë qenë kushtet e kontratës. Duhet thënë që 9 km e pak më shumë të by-passit të Murrizit janë mbuluar me fondet e kompanisë dhe mirëmbahen rregullisht nga kompania”, theksoi Balluku.
Sipas Balluku, by-passi “është një rrugë që bllokohet shpesh për shkak të trafikut të dendur, për shkak të ndonjë aksidenti, ndaj duhet mirëkuptim. Duhet të kemi parasysh që është vetëm diçka e improvizuar pa kosto për shtetin”.
“Ka pasur zero kosto për shtetin, janë të gjitha ngarkesa që mbahen nga kompania koncensionare e Rrugës së Arbrit”, theksoi Balluku.

Balluku: Nuk japim afat për mbarimin e tunelit.

Duke dalë në kantierin e Xibrit, Balluku bëri edhe një panoramë të përgjithshme të investimeve në infrastrukturë të qeverisë shqiptare.
“Republika e Shqipërisë krenarisht ka ndërtuar 5 tunele në Rrugën e Arbrit, një tunel në aksin Kardhiq-Delvinë, tunelin e Llogorasë që punohet me ritme shumë intensive dhe kemi pra edhe këtë tunel. Në Republikën e Shqipërisë mund them pa frikë që ka një ekspertizë të mirë dhe konsistente në ndërtimin e tuneleve, të cilat kanë gjeologji të ndryshme”.
“Ecuria tani është konstante dhe ka rëndësi që të përfundojë hapja e tunelit. Ne sërish nuk do të japim afate për tunelin e Murrizit, pasi ky është rast, që siguria rrugore, çështjet e sigurisë në të ardhmen, janë shumë më të rëndësishme se dëshira për të mbaruar sa më shpejt”.
Sipas saj, “do t’i mbetet Këshillit teknik të ARSH që të vlerësojë situatën për vazhdimësinë e këtij tuneli, por unë sot me të vërtetë kam parë progres të qenësishëm, që na bën besimplotë, që shumë shpejt gërmimi do të përfundojë. Në përfundimin e gërmimit me shumë skrupolozitet do të vazhdojë armatimi dhe betonimi i brendshëm, për të pasur pastaj afate konkrete se kur do mbarojë pjesa elektromekanike, shtrimi i pjesëve asfaltike dhe gjithçka tjetër”, tha Balluku.

Rruga nuk ka mbaruar, por qytetarët kanë nisur të marrin frytet e para

“Duhet thënë që Rruga e Arbrit është një nga veprat infrastrukturore më të rëndësishme në Republikën e Shqipërisë, pasi ka dhënë ndikimin e parë, pavarësisht se nuk është e mbaruar në të gjithë pjesën e saj, pra, mungon ky tunel. Që sot qytetarët e Dibrës, të Matit, të Klosit e të Bulqizës kanë nisur të marrin frytet e para të këtij projekti të jashtëzakonshëm infrastrukturor, ashtu siç ka ndodhur me të gjitha projektet e tjera. Ne do të vazhdojmë të punojmë me skrupolizitet dhe përgjegjësi të lartë sidomos kur veprat janë komplekse ashtu siç është ky tunel”, tha Balluku.
Belinda Balluku, përveç dy posteve të rëndësishme në qeveri, ka edhe detyrën e përfaqësuesit politik të Partisë Socialiste në Qarkun e Dibrës. Ndaj edhe vëmendja e saj, në vizitën e zhvilluar brenda tunelit të Murrizit, nuk harroi të theksonte dobinë e kësaj rrugë për Dibrën dhe Matin.
“I gjithë zhvillimi që i ka sjellë zonës së Dibrës dhe zonës së Matit është me të vërtetë i prekshëm tashmë, por unë nga ana tjetër sigurisht sa më shumë segmente ne dorëzojmë, aq më shumë rritet kërkesa e qytetarëve, sidomos e vizitorëve dhe turistëve, që janë të shumtë në numër. Vetëm vitin e kaluar kemi pasur 40 mijë turistë të regjistruar në qarkun e Dibrës dhe kërkesa e tyre është legjitime për të pasur mundësi edhe për të hequr njëherë e mirë nga harta këtë by-passin provizor të Murrizit, që ne kemi krijuar me kosto të kompanisë, pa i rënduar fare projektit, thjesht për t’i dhënë mundësi që të kalojnë ndërkohë që punohet në tunel.”

* * *

Duket se gjatë kësaj vere punimet për hapjen e galerisë kryesore të trafikut në tunelin e Murrizit do të jenë drejt fundit, ndërsa segmentet e tjera do të jenë të hapura për trafikun normal. Kur vizat e verdha të ikin nga rruga, mbetet të verifikohet nëse janë respektuar standardet e projektuara për këtë aks rrugor, cilësia e ndërtimit dhe elementët e sigurisë, shumë të rëndësishme jo vetëm për sigurinë e lëvizjes, por edhe për perspektivën e rritjes së trafikut të makinave në këtë aks. Deri atëherë, lëvizni me kujdes!
Korr. Rr.A.